Tregu i sigurimeve po i kthehet gradualisht normalitetit. Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare treguan se për muajin maj rënia e primeve të shkruara bruto me bazë vjetore u reduktua në më pak se 7%. Rihapja e ekonomisë bëri që një pjesë e mirë e klasave të sigurimit të rriteshin, duke filluar nga sigurimi i detyrueshëm i mjeteve që ngelet produkti dominues në treg.
Për majin, primet në këtë kategori u rritën me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Heqja e kufizimeve të lëvizjes së mjeteve dhe rifillimi i shërbimit në qendrat e kontrollit teknik ka bërë që shqiptarët të rifillojnë prerjen e siguracioneve për mjetet.
Rritja e konsiderueshme e majit duket se përfshin efektin e mjeteve që duhej ta pëtrtërinin siguracionin në dy muajt e mëparshëm, por që nuk e bënë këtë për shkak të mbylljes. Kjo ka bërë që pesha e sigurimeve TPL të rritet më tej, në mbi 67% të totalit të primeve të shkruara bruto.
Një tjetër klasë sigurimi që regjistroi rritje për majin ishte ai i sigurimeve të shëndetit, ku primet u rritën me 125% krahasuar me majin e vitit të kaluar.
Të dhënat progresive për pesëmujorin e parë të vitit tregojnë se tregu i sigurimeve ka rënë me rreth 10% krahasuar një vit më parë. Po të kemi parasysh mbylljen masive që pësoi ekonomia për rreth tre muaj, mund të thuhet se goditja për tregun e sigurimeve nuk ka qenë shumë e rëndë.