Shënimet e Joseph Roth mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, ku mes teksteve të tij të shumë u përzgjodhën pjesë nga artikujt e botuar në fletët e gazetës së njohur “Frankfurter Zeitung”, për të cilën autori punonte si korrespondent në vitin 1927…

Joseph Roth

Karakterin ekzotik të tokës shqiptare e kupton qysh në vështrimin e parë nga mënyra e veçantë e jetesës së evropianëve të civilizuar që jetojnë këtu. Kjo racë e çuditshme, zakonet dhe traditat e së cilës akoma nuk janë lëvruar tërësisht dhe pjesëtarët e së cilës e urrejnë në vendlindjen e tyre komfortabël njëri-tjetrin, duket se në dheun e huaj, të egër, zbulojnë tek vetja një zemër tjetër, një botëkuptim të ri dhe për përdorim nxjerrin një karakter tjetër.

Menjëherë sapo mbërrijnë në një vend me WC pa shpëlarje, nxjerrin nga valixhet e tyre një buzëqeshje të re fringo e të papërdorur për ta shkëmbyer këtë me po një buzëqeshje të tillë, të re, të miqve të civilizuar, me të cilët u ra fati i përbashkët të jenë në këtë vend. Madje në zona veçanërisht të shkreta, ndodh nganjëherë që një sinjorinë e vërtetë të vallëzojë me ndonjë përfaqësues tregtar në klubin evropian, vetëm e vetëm që të hidhen edhe vendasit.

Në Shqipëri arrita në përfundimin se që të gjithë, evropianë apo amerikanë, në thelb nuk dallojnë nga njëri-tjetri. Kujtime të përbashkëta si roja i ashensorit, tufa e transaksioneve ngjiten si stuko me gradën më të lartë të patundshmërisë, akoma më shumë kur ia beh gramofoni dhe çiftet shkrihen në dans.

Diplomatët, që në të vërtetë janë armiq me njëri-tjetrin, këtu luftojnë në një front mushkonjat, malarjen si dhe vendasit, të cilëve ata vetë duan t’u sjellin kulturën e qytetërimit.Të gjithë konkurentët që janë mbledhur këtu për thelat thatime dhe pa zot, marshojnë të bashkuar, por përfitojnë ndarazi.Bile edhe gazetarët i mërmërisin njëri-tjetrit, pa zili, lajme të gënjeshtërta nga burime autentike. Herët në mëngjes mund të të qëllojë të ndeshesh me atasheun ushtarak të aksh vendi, i cili përshëndet një berber, sepse pikërisht ky është në zonën e sigurisë së këtij atasheu.

Të dërguarit evropianë shkëmbejnë kartëvizitat me aksh persona të paemër.Para selive të evropianëve nuk ka më portier të pasjellshëm, por asqer, që të dekurajon.Aty ku në Evropë të pret nje sekretar, këtu të pret terxhumani me buzëqeshje të gatshme.Zotërinj të sërës janë madje gati të ndajnë një krevat, vetëm e vetëm t’u ikin pleshtave.Vëllazërimi është kaq i madh, tamam si një orë para fundit të botës. Kjo racë e të civilizuarve këtu ia ka frikën vullkanit, mbi të cilin të gjithë vallëzojnë çarlestonin!

Disa vendalinj ia kanë dalë të futen në elitën e perëndive të huaja. Në Tiranë ka bile edhe klub tenisi, në të cilin hyjnë e dalin të gjithë ata që zotërojnë një furçë dhëmbësh apo raketë tenisi.Temë e pëlqyeshme për thashetheme është një kapter shqiptar me origjinë austriake dhe karakter aventurieri, por që shihet si hero kombëtar.

Nëpunësit shqiptarë madje guxojnë të luajnë një set me gra autentike të oficerëve anglezë. Ndërsa një drejtor gjerman luan poker me nënkonsullin e një shteti ballkanik.Amerikanët janë miqësorë edhe karshi bullgarëve, pasi në Sofje eksportojnë sfungjer, Tiranës akoma nuk i ka ardhur radha.Thuhet se disa ministra janë të gatshëm t’i japin dorën edhe kujdestares së fëmijëve po qe se ajo është duke shëtitur me një pasardhës evropian.

Herë pas here organizohen ne Tiranë edhe ballo. Anglezët, të cilët i dallon menjëherë nga kostumi i ditës, vijnë në këto mbrëmje me smoking. Në një nga këto darka ndodhi që të bisedojë me mua gjysmë ore një dynjabredhës feudal, që në të vërtetë e përçmon shtypin dhe sidomos çdo lloj letre pa emblemë – dhe për këtë si përgjigje nga ana ime mori vetëm heshtjen!

Aty u dendëm me uiski-soda, e nxjerrë nga një gardist rus, që administron lokalin e këtushëm derisa të ngrihet cari.U dendëm edhe duke u marrë me thashetheme. Ekziston edhe molloisja tiranase – perënditë e huaja as nuk e vënë re sa tokësore janë.

Kështu, mora vesh që mikesha bukuroshe e Presidentit është vjeneze nga lagja e Ottakringut. Ajo, Franzi? Iku me Fiat.Po kur? Pasdite! Në cilën orë? Në orën katër e njëzetë! Çfarë kishte veshur? Ou, kishte një kapele të re! Çfarë lloj kapeleje? Të kuqe!- E morët vesh që Majori X., adjutanti i motrës së presidentit, ia ndaloi një nëpunësi të ri shqiptar të vallëzonte me princeshën. Megjithatë, nëpunësi i ri vallëzoi! Dhe përfundoi në arrest. Tre ditë plot qëndroi në burgun e Tiranës. Barbarizëm! ankohen perënditë. Harrojnë që në Bavari ndenjën në burg shkrimtarë me vite, madje pa i këshilluar ndonjëherë ndonjë adjutant. Në Amerikë bojkotohet Çaplini pasi ka puthur gruan e tij jo vetëm në buzë. Në Francë jetonte dikur një i ashtuquajtur Drejfus.Në Itali pijnë në gjendje të mirë shëndetësore vaj recini.

Po pse bëjnë kaq shumë zhurmë për ndodhitë në Shqipëri – epo ky në fund të fundit, vend barbarësh është!

Diplomatët kanë misionin të tregojnë se punojnë për interesat e vendeve të tyre. Por në të vërtetë, i shohin gjërat nga sipër – si mizat mbi mbulesën e djathit, gumëzhijnë në automobilat e shtetit andej këndej, vizitojnë njëri-tjetrin, përgjojnë njëri-tjetrin, konsultohen, e bëjnë mizën elefant, e kodojnë dhe e nisin me telegram në vendlindje. Pastaj çfarë ndodh?Pastaj tensionohet një çikëz situata.Si pasojë, vetëm pakëz, shtetet fillojnë armatimin.

Gazetari rend për në zyrën e postës. Dëgjon një taty-tata.Ishte boria e një prej të dërguarve evropianë.Ky i dërguar i posaçëm është zjarrfikës për gazetën. Dhe gazeta në të vërtetë përgjon diplomatin.Anasjelltas, diplomati i beson gazetës.Çfarë keni dëgjuar ju?Ka banda në Shkodër? A ia thatë këtë atasheut ushtarak? Pse nuk e dini akoma?Selaniku?Sazani?Kryqe në bregdet të mos futen tanket?Hidroplan?!

Ndërkohë që tirret ky mishmash, bujqit shqiptarë punojnë në fusha, tregtarët shesin opingat, kovaçi bën gjymat, samarxhiu qep shalën. Mëngjes për mëngjes marshojnë rekrutët, dëgjohen daullet dhe boria e zgjimit për të filluar përgjunjja.Dikur të vrasin.Kush?Italianët?Jugosllavët? – Lufta është luftë.

(Frankfurter Zeitung, 7.7.1927)

Përktheu: Lindita Arapi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Reportazh/Abruzzo që të kujton Shqipërinë – natyra, relievi, ngjyrat….
Kur një femër vishte historinë
Një Itali e dytë me emrin Lukania!
Matanë Gjallicës, kah “Guri i Mëngjesit”
Visar Zhiti në shtëpinë e Heminguejt
Shënime udhëtimi/ Të frymosh mes maleve dhe reve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}