Nga Aitor Hernandez-Morales, Kalina Oroschakoff & Jacopo Barigazzi

Rreth 700 vjet më parë, qyteti i Sienës në rajonin e Toskanës në Itali, ishte një qendër e fuqishme bankare dhe proto-industriale e populluar nga mbi 50.000 banorë, një shifër që në atë kohë tejkalohej vetëm nga “mega-qytetet” mesjetare si Parisi, Londra dhe Milano.

Por në vitin 1348, kur qyteti i lulëzuar ishte në kulmin e epokës e tij të artë, gjithçka u përmbys befas nga papritur nga pandemia e “Vdekjs së Zezë”.

Në vetëm disa vjet, qyteti humbi 60 për qind të popullsisë së tij, dhe nisi një rënie të pandalshme. Ajo e rifitoi vetëm në shekullin e XX-të madhësinë që kishte para pandemisë.

Covid-19 nuk është po aq vdekjeprurës sa murtaja bubonike e Mesjetës.

Por trazirat sociale dhe ekonomike të shkaktuara prej saj, kanë lënë që tani shenjat të dukshme fizike në qytete moderne në Evropë:Qendrat e biznesit dikur të mbipopulluara, tashmë janë të zbrazëta, ndërsa njerëzit po zgjedhin të punojnë nga shtëpia.

Dyqanet dhe restorantet janë mbyllur. Transporti publik është reduktuar. Ka ndërkohë arsye të besohet se kjo pandemi, mund të ketë një ndikim edhe më të qëndrueshëm se sa  paraardhëset e saj. Për herë të parë qëkur u shfaqën qytetet e para në botë rreth 6.000 vjet më parë, qendrat urbane nuk e kanë më monopolin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore.

Për shumë punëtorë të frikësuar nga koronavirusi – por edhe për punëdhënësit që synojnë të ulin kostot për shkak të krizës ekonomike së shkaktuar – teknologjitë si video-konferencat, dokumentet e përbashkëta dhe mesazhet e menjëhershme, ofrojnë alternativa të vlefshme ndaj zyrave në godinat e kateve të larta.

Ndërkohë, shërbime si video-streaming, mediat sociale, dhe faqet e internetit si Reddit dhe Tëitter ofrojnë një shije të efektit kulturor dhe komunitetit, që ndër shekuj ka tërhequr kaq shumë njerëz në qytetet e mëdha. Sot ju nuk keni nevojë as për një bar apo klub, për të gjetur dashurinë e jetës:Aplikacione si Tinder, Bumble ose Grindr, janë shumë të gatshëm t’ju lidhin me një bashkëshort të mundshëm.

“Kjo pandemi ka potencialin të prekë realisht qytetet”- thotë Peter Klark, profesor i historisë urbane evropiane në Universitetin e Helsinkit. “Nëse nuk ka një valë të dytë, ndryshimet mund të jenë shumë më të vogla nga sa spekulojnë njerëzit. Por nëse do ketë, ne mund të shohim një ndryshim serioz të modeli evropian të ‘qytetit kulturor”- thotë ai.

Dhe në fakt, nuk ka asnjë dyshim se pandemia e ka transformuar mënyrën e punës. Në fillim të pranverës, ndërsa koronavirusi po përhapej në Evropë, kufizimet e vendosura nga qeveritë i detyruan të gjithë punonjësit, përveç atyre të sektorëve jetikë si shëndetësia dhe supermarketet, që të punojnë nga shtëpia për të frenuar rastet e reja.

Kërkesa industriale u ngadalësua ose u ndal, teksa ranë drastikisht blerjet e makinave dhe produkteve të tjera. Para masave bllokuese, teleëorking, puna online nga shtëpia, nuk ishte e zakonshme në shumicën e vendeve evropiane. Sipas të dhënave të “Eurofound”, vetëm 11 për qind e gjermanëve dhe 8 për qind e italianëve, kishin punuar “herë pas here” në distancë në vitin 2015.

Por ndërsa kriza përparoi më tej, punëtorët dhe bizneset u përshtatën shumë shpejt me realitetin e ri. Takimet e qeverive, korporatave dhe organizatave të tjera u zhvendosën në internet ; klasat mësimore u bënë virtuale ; ndërsa mori hov mjekësia online dhe terapia virtuale.

Tani ngrihet pyetja nëse këto sjellje të reja do të vazhdojnë, apo nëse shumica e njerëzve do të rikthehen në zyrat e tyre sa më shpejt që të munden. Ekonomisti i Universitetit të Stenfordit në SHBA, Nikolas Blum, ekspert për punët nga distanca, thotë se ndërsa është jorealiste të pritet që të gjithë të punojnë nga shtëpia për një kohë të pacaktuar, 50-60 përqind e popullsisë do të jenë në gjendje që ta bëjë këtë gjë.

“Një e treta e popullsisë që punon – punonjësit e zyrave, menaxherët e nivelit të lartë – mund të punojnë në 100 për qind të kohës nga distanca. Një e treta tjetër si stilistët, agjentët e pasurive të patundshme, studiuesit shkencorë, mund ta bëjnë këtë në shumicën e kohës, edhe pse ndonjëherë do të duhet të shkojnë në zyrë.

Vetëm një e treta e mbetur, nuk mund të punojë dot nga shtëpia:Shumica e këtyre njerëzve janë punonjës të sektorit të shërbimit me paga më të ulëta. Por po ashtu janë specialistët që paguhen mirë si dentistët, kirurgët, pilotët”- thotë ai.

Blum thotë se është ende herët të thuhet se sa intensiv do të jetë ndikimi i pandemisë. Por edhe nëse ka një kurë apo vaksinë ndaj Covid-19, s’ka gjasa që punonjësit e zyrave të duan të rikthehen në punë si zakonisht.

“Rrokaqiejt dhe zyrat në qendrat e qyteteve, që më parë ishin pasuritë e patundshme më të vlerësuara, janë bërë tani vende që shmangen nga njerëzit nga frika e infektimit. Unë shoh se njerëzit nuk ndihem më rehat në trena apo ashensorët e populluar. Dhe kompanitë nuk do të duan të hapen dhe mbyllen, sa herë që ka një valë të re infektimesh”- shton ai.

Madje për shkak të krizës, kompanitë po shohin mundësinë e uljes së kostove. Sipas kompanisë BNP Paribas Real Estate, investimet mbi njësitë tregtare, ranë me 44 për qind në gjithë Evropën midis mesit të marsit dhe fundit të majit. Kjo prirje ka të ngjarë të vazhdojë, teksa kompanitë e teknologjisë si Tëitter dhe Google kanë njoftuar planet e tyre që punonjësit e tyre të vazhdojnë të punojnë në distancë.

Ndërkohë një studim i ri i kryer nga Instituti Ifo në Gjermani, tregon se 54 për qind e bizneseve duan të përdorin tani e tutje më shumë punën nga shtëpia. Kreu i Facebook Mark Zukerberg ka thënë se pret që gjysma e fuqisë punëtore të kompanisë të punojë nga shtëpia dekadën e ardhshme, dhe punonjësit që u transferuan në zona më pak të shtrenjta, do të pësojnë ulje të pagës në përputhje me koston e re të jetesës.

Fundi i punës në zyra, nëse do të ndodhë, do ta shndërronte rrënjësisht peizazhin urban. Duke mos pasur nevojë të dalin herët në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në punë, punonjësit do të jenë të lirë të shëtisin më shumë në periferi dhe fshat.

Evropa ka një traditë të gjatë të banorëve të pasur të qytetit që ikin në fshat për shkak të Murtajës, duke lënë në qytet shtresën e varfër dhe punëtore. Në kryeveprën e Xhovani Bokaçio “Dekameroni”, fiorentinët e pasur ikin në fshatrat e Toskanës për t’i shpëtuar “Vdekjës së Zezë”.

Gjatë krizës së koronavirusit, elitat urbane në vendet më të goditura si Spanja dhe Franca, u larguan nga qyteti për në zonat rurale më të gjelbërta dhe më të sigurta. Ish-kryeministri spanjoll Hoze María Aznar, shkoi në vilën e tij në Marbela, në vend se ta kalonte karantinën në Madrid.

Nëse ka valë të mëtejshme të koronavirusit, apo vijon të përhapet puna nga shtëpia, kjo prirje mund të kopjohet lehtësisht nga shumica. E përse të paguhet një qira e lartë në qytet për një apartament të bollshëm, kur mund të kesh një karrierë po aq tërheqëse nga një shtëpi në kodrat e periferisë?

Por edhe nëse puna online bëhet dominuese, jo të gjithë do të jenë në gjendje – apo do të duan – të ikin në periferi apo fshat. Dhe ata që do të qëndrojnë, mund ta shohin qytetin të bëhet një vend shumë më i ndryshëm. “Qytetet do të jetë më të lirshme, pasi do ketë më shumë hapësira në dispozicion. Kjo mund të ndihmojë në adresimin e krizës së përballueshmërisë që shohim në qendrat urbane… Por nga ana tjetër, kjo do krijojë shumë boshlleqë”- thotë Blum.

Nëse mbyllen shumë zyra, me siguri shpenzimet urbane mund të bien me një të tretën. Në një lagje të Brukselit, largimi i eurokratëve dhe punonjësve të zyrave, ka çuar në mbylljen e një prej kafeneve më të njohura të zonës.

Me më pak biznese tatimpaguese, dhe me një pjesë më të madhe të banorëve të varfëruar, ndoshta të papunë, qeveritë lokale të qyteteve ka të ngjarë të shohin një rënie të të ardhurave të tyre tatimore, dhe kjo përfundimisht mund të ndikojë tek shërbimet publike.

Nga ana tjetër, shkuarja për të jetuar në fshat, është diçka më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sidomos për banorët e qyteteve që janë mësuar me një jetë sociale shumë aktive. Zonat rurale, nuk kanë infrastrukturën që përdorin banorët e qyteteve të sotme, thotë Apostolos Cicikostas, kreu i Komitetit të Rajoneve në Greqi.

“Si mund të punosh nga shtëpia në një zonë rurale, pa pasur një internet me bandë të gjerë? Si mund t’i rritësh fëmijët, nëse nuk ke aty shkolla të përshtatshme? Si të veprosh nese prekesh nga koronavirusi, por nuk ke shërbimin e duhur spitalor në zonë?”- pyet ai.

Fati i qyteteve, do të varet në një masë të madhe nga vendimet që do të marrin politikëbërësit. Ndërsa liderët e BE premtojnë një fond rimëkëmbje prej 750 miliardë eurosh, bashkë me buxhetin e ardhshëm 7-vjeçar të bllokut, autoritetet rajonale janë të prirura të përdorin programet e stimulimit të Brukselit jo vetëm për të ndihmuar qytetet e mëdha, por edhe rakonet më të prapambetura dhe të harruara të Evropës.

Sipas të dhënave të Eurostat në vitin 2018, 44.8 përqind e popullsisë së BE-së jeton në qytet, 36 për qind në të ashtuquajturat zona të ndërmjetme si qyteza dhe periferi, dhe 19.2 për qind në zonat rurale. Cicikostas mendon se fondet e BE-së duhet të shkojnë drejt investimeve kryesore, siç është rrjeti i transportit dhe infrastruktura digjitale në zonat rurale.

Por jo të gjithë janë të bindur se koronavirusi, mund të sjellë fundin e qendrës së gjallë të qytetit. Xhuzepe Sala, kryebashkiaku i Milanos, një nga qytetet italiane më të prekura nga koronavirusi, tha për “Politico” se nuk ka menduar ndonjëherë “të jetoj përherë në shtëpinë që kam në Liguria”. Ai nuk mendon se në një periudhë afatgjatë, qytetet do të kërcënohen seriozisht nga pandemia.

“Ka 30 vjet që diskutohet se njerëzit janë të lodhur me jetën në qytet, por realiteti ka treguar se nuk është kështu”- thotë ai. Por ndërkohë Sala e pranon, se kriza e fundit shëndetësore do t’i detyrojë qytetet – tashmë nën presion nga ndryshimi i klimës, ndotja e ajrit dhe rreziqet e tjera mjedisore – që të rishikojnë qasjen e tyre zhvillimore. Marrë me shkurtime nga “Politico.eu” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Gazetaria si bilanc lufte
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}