Shkrimtari Agron Tufa publikon fragment nga libri memuaristik, në proces, i Skënder Tufës

***

<…> Pasi përballen me situatën, brigadierët ngrejnë supet, por jo polic Doda, i cili thotë:
– Këtu do të nxirrni 12 vagona!
– Po a s’e sheh që ktu s’ka asnjë lopatë mineral? Kah me i qitë 12 vagonat ne? – thotë Luca.
Polic Doda fillon të çirret e të bërtasë, mandej thotë prerazi:
– Po nuk i botë 12 vagonat, do t’iu numrojmë brinjët një nga një ke porta, – thotë këto dhe ikën.
Për të mos iu nënshtruar dhunës poshtëruese të këtyre kriminelëve vendosëm të punonim ashtu, në rrezik. Muharrem Xhidollari, armator, vjen dhe bën një kuadrat për përforcim. Nuk mbahet mali me kunja, por ai kuadrat i punuar mirë ndihmoi shumë.
Me një barominë të gjatë, Banushi hyn në hapësirë ku nga çasti në çast mund të binin gurë që i rrezikonin jetën. Godet ai në duçkën e mbyllur nga gurët e mëdhenj.
Pas 15-20 minutash filloi të vijë mineral e unë me Lucën filluam të mbushnim vagonat. Ndërkaq Banushi bënte trasportin. Nga hapësira, vazhdimisht binin gurë të përmasave të ndryshme, të cilët na bënin të punonim me frikë. Ishim në mbushje të vagonit të pestë, kur u dëgjua në të qindat e sekondës një zhurmë dhe nuk e kuptuam ç’ndodhi. Vetëm se kur erdha në vete dëgjova rënkimet e Lucës. Qenka shembur galeria! Me mendjen për ta ndihmuar Lucën, i cili vetëm rënkonte, bëj të shkoj tek ai, por nuk mundem. Ou, më paska zënë dhe mua! Tubi i ajrimit ishte pranë meje dhe më ndihmonte të merrja ajër, se ishte i çarë. Një zhurmë e dytë, e tmerrshme. Sërish shembje. Piriti, si rërë e imët, nisi të më mbulojë ngadalë e kur më erdhi në gjoks, ndjeva shtypjen e tij të rëndë. Nuk mund të lëvizja; nuk bërtisja; piriti vazhdonte të më mbulonte dhe unë tashmë isha i dorëzuar, në dorë të fatit.
Luca vazhdonte të rënkonte; rënkim që vinte duke u venitur, derisa erdh një çast e pushoi. Ashtu siç isha, me trupin që vazhdonte të më mbulohej, ndjeva të më përfshinte një llavë e ngrohtë në tërë trupin. Ishte Luca, padyshim, shpirti i Lucës para se të largohej, i cili përshkoi trupin tim që po mbulohej, sikur donte të më mbronte a të me jepte një amanet. Humbas ndjenjat në kllapi. Nuk ndjej më asgjë.
I mbuluar nga një errësirë shoh përpara meje një dritë, një dritë të venitur. Vajta atje dhe rreth meje shihja arkivole të vendosur në këmbë, me njerëz brenda, të cilët pëshpërinin midis tyre; njerëzit e mij (miseardhje a gjykim!?). Nëneja del nga arkivoli e u thotë të tjerëve:
– Pushoni, se Beni nuk do të rrijë për shum kohë këtu, – dhe fill mandej futet sërish në vendin e saj duke më hapur rrugën. Bukuri magjike në një horizont të shtrirë. Dritarja e një bote tjetër, të cilën nuk jam në gjendje të përshkruaj, veç as në ëndërr nuk e kisha parë më parë. Me lindte një dëshirë dhe më plotësohej menjëherë. U afrova për t’u shrirë tek një trandfil i bukur, i çelur, me aromë. Më shkundin tre herë. E sërish pranë trëndafilit, prej të cilit më vinte keq që të ndahesha, por shkundja u përsërit sërish edhe tre herë të tjera. Hunda ime kishte dalë në sipërfaqe dhe në materialin e shkrifët, dora e një njeriu kishte gjetur shpatullën time dhe e kishte tundur për t’u siguruar. Gëzim Llulla po punonte si i tërbuar. Largonte materialin me shpejtësi, pa parë se ku e fuste lopatën e ku e hidhte materialin, vetëm gërmonte aty ku ishte zbuluar koka ime. Për një çast lopata e nxituar hasi në qafën time. Një vijë gjaku nisi të rrjedhë edhe si për të vulosur riardhjen time në jetë. Muharrem Xhidollari me Banushin mundoheshin të hiqnin gurët e mëdhenj dhe trupat që na kishin rënë përsipër. Sytë e mi, të dala jashtë normales, në një kohë kaq të shkurtër bënë një udhëtim të pabesueshëm. Isha nën shok, e ndjeja varrosjen për së gjalli. Shihja Gëzimin në dihatjet e përpjekjeve për të me nxjerrë. Dëgjoja Muharremin, Banushin e s’di se kush tjetër.
Pas shumë përpjekejeve u hap një vrimë nga ku me sforco e tërhoqën trupin tim për ta rikthyer në atë ferr të dhimbshëm. Trupat e atyre që po më rrinin rrotull po më dukeshin si trupat e arkivoleve, vetëm se pas tyre horizonti pasqyronte vetë ferrin. Lucën e nxorrën më vonë. Një gur ia kishte përsheshur kokën…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}