Bizneset kanë shfrytëzuar pak më shumë se gjysmën e fondit të garancisë së parë sovrane të vendosur në dispozicion nga qeveria. Sipas shifrave të publikuara nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, bankat kanë miratuar rreth 5.9 miliardë lekë hua në kuadrin e kësaj skeme.
Nga 712 aplikime gjithsej, bankat tregtare kanë miratuar 462 të tilla. Duke qenë se një pjesë shumë e madhe e fondit ngelet e pashfrytëzuar, Ministria e ka shtyrë afatin e aplikimeve për të përfituar nga ky fond deri më datë 20 qershor.
Fondi i parë i garancisë i miratuar nga qeveria shqiptare kishte vlerën e 11 miliardë lekëve dhe kishte si qëllim mbështetjen për dhënien e pagave të bizneseve të prekura nga kriza. Fillimisht, ky instrument u prit pa shumë interes nga bizneset, ndërsa aplikimet u shtuan vetëm pasi qeveria shqiptare vendosi të subvencionojë normën e interesit të kredisë.
Huatë duhet të përdoren vetëm për shlyerjen e pagave të punonjësve dhe shuma maksimale për çdo ndërmarrje përfituese do të jetë sa trefishi i fondit mujor të pagave të deklaruara pranë organeve tatimore.
Në muajin maj, qeveria vendosi në dispozicion një skemë të dytë të garancisë sovrane, në vlerën e 15 miliardë lekëve, për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit të bizneseve me likuiditet. Megjithatë, skema e dytë mbulon vetëm 60% të huasë që do të përfitohet nga biznesi.
Për diferencën, bankat kanë të drejtë të kërkojnë garanci shtesë. Deri tani, nuk ka të dhëna për ecurinë e skemës së dytë të garancisë, por besohet se deri tani ecuria ka qenë e dobët. Një pjesë e bankave madje nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen me Ministrinë e Financave.
Nyjet kryesore janë tavani prej 5% në normën e interesit të huave dhe paqartësitë lidhur me ndarjet e përfitimeve në rastin e ekzekutimit të kolateraleve të kërkuara nga banka për pjesën e pambuluar nga qeveria.