Në ditën e ikjes nga kjo jetë, para 46 viteve, shkrimtarin e rëndësihëm Ernest Koliqi po e përkujtojmë me një kartelë dhe një paralelizëm letrar, të nxjerra nga libri i porsa botuar i Visar Zhitit “Kartela të Realizmit të Dënuar”.
Nga Visar Zhiti
Themeltar në letrat… Ernest Koliqi (1903 – 1975)
Do të ikte…
…mësues, poet, shkrimtar, përkthyes, ministër i arsimit… u lind në Shkodër, kur Shqipëria po përgatitej të dilte nga robëria e gjatë otomane, në vitin e tretë të shekullit të kaluar, në majin plot petale të ngrohta si puthjet, mes të cilave përzihet edhe ajo, puthja e Judës. Do të merrte dije të gjera në Itali e Kroaci, mbartës i traditës dhe mbrujtës i risive letrare, themeltar i modernes në tregime, stilist dhe qëmtues i fjalës, aq sa duket sikur i mblidhte si bimët e rralla mjekësore maleve të Veriut, njohës i jetës, i mekanizmit të konflikteve, i brengave të moszgjidhjes, i muzgut dhe dritës në rrugët e njeriut, sidomos i rrugicave të Shkodrës, që e donte aq shumë, aq sa e bëri emblemë të këngës së vet…Kur emërohet Ministër Arsimit (1939) është ai që çon institucionalisht në Kosovë arsimin shqiptar, dërgon 200 mësues nga më të përgatiturit, duke hapur të parën shkollë të mesme atje, më 1941, kur këtej, 200 të tjerë, jo mësues, por komunistë, me ndihmën jugosllave, sapo kishin krijuar një parti, e cila do të vendoste diktaturën më të rëndë, duke e braktisur Kosovën, që do të dënonte Koliqët dhe veprën e tyre… Mbarimi i luftës do ta gjejë me punët e albanologjisë në Itali duke iu mbyllur përjetë rrugët e kthimit në atdhe, kur e dënuan në mungesë me vdekje. Gjatë mërgimit të detyruar politik Ernest Koliqi nuk do të reshtë së punuari, themelon katedrën e albanologjisë në Romë, hap revista, bashkon diasporën, ringjall shpirtin arbëresh, harton antologji të poezisë mbarëkombëtare, ndjek me vëmendje jetën politike dhe kulturore në atdhe, shkruan poema, romane dhe do të ndikojë fshehtas edhe në vepra madhore të mëvonshme të letërsisë shqipe. Vdes papritur në dhjetor të vitit 1975, në Romë. Ende atje prehen eshtrat e tij, në Varrezat e Monumentale.
***
“1984”- roman dhe “Rrajët lëvizin”- dramë. Dy vepra fantastike të së ardhmes… së shkuar tashmë. Romani është i famshëm, i përket gjuhës botërore, anglishtes dhe është përkthyer në shumë gjuhë të tjera dhe vazhdon të kujtohet, kurse drama është e vogël, pak fleta, e shkruar në gjuhën e një vendi të vogël, shqip, që harrohej me qëllim, duke e nxjerrë jashtë dhe nga letërsia e asaj gjuhe.
Të dy autorët e tyre, shkrimtari anglez George Orëell dhe shkrimtari shqiptar Ernest Koliqi kanë lindur në shekullin XX, në vitin e tij të tretë, 1903, e vetmja gjë e përbashkët, rastësi natyrisht. Ndërkaq Orëell-i lindi jashtë atdheut të tij, në Indi, perandoria angleze, mund të themi, kurse Koliqi lindi në Shqipëri, perandoria otomane, ndërsa Orëell-i do të bëhej i majtë ideologjikisht, deri dhe komunist, që shkoi dhe në Spanjë në luftën civile krah republikanëve, kurse Koliqi do të ishte i djathtë, madje dhe ministër nën pushtimin fashist.
Orëelli do të kthehej të vdiste në atdhe, në Londër, nga tuberkulozi në 1950, Koliqi kishte ikur për të vdekur jashtë atdheut, në 1975 në Romë. Për të vdekur për së dyti, se në atdhe e kishin dënuar me pushkatim fitimtarët, atë dhe veprën e tij
Orëell-i, shkrimtar dhe gazetar i njohur, mbas Luftës së Dytë Botërore, në 1949, boton romanin “1984”, një imagjinatë e frikshme, sipas së cilës në vitin e titullit të veprës, gati e gjithë bota dominohej nga një totalitarizëm i rreptë, mizor, udhëhequr nga një parti e vetme, sunduese me “Vëllanë e Madh” në krye (Big Brother). Policia shtetërore e pranishme kudo, e dukshme dhe e padukshme, kontrollonte dhe drejtonte gjithçka, jo vetëm veprimet, po deri edhe mendimet e ndjenjat, një nënshtrimin masiv kapitullues, një shoqëri “trushpëlarë”, aq sa hitleriane, po aq dhe staliniste, e të dyjave bashkë, si mos më keq.
Orëell e njihte romanin distopik “Ne”, të shkrimtarit sovjetik Evgenij Ivanoviç Zamjatin, të shkruar në vitet 1919-1921 dhe botuar për herë të parë në anglisht në 1924. Në Bashkimin Sovjetik s’ishte lejuar të dilte atëhere ajo satirë marramendëse e totalitarizmit të Bashkimit Sovjetik, e gjitha një utopi negative. Fundi i botës vërtet.
Kujtoj vitin 1984, më gjeti në burg.S’isha më i burgosur i ri, por as i vjetër, nga ata që kishin bërë mbi 15 vjet burg, 20, 25, 30, edhe 40 vjet, që kur kishte mbaruar Lufta, por s’kishte nisur ende paqja.
Në oborrin e burgut, në stendën ku vendosej gazeta politike “Zëri i Popullit” ishte një shkrim kritik për “1984”. Aty gjeta se paskësh një roman të tillë dhe gazeta e partisë në Shqipëri e bënte copë-copë, që ja erdhi dhe ky vit dhe alarmi që kishte dhënë autori borgjezo-revizionist se ç’ishte komunizmi dhe që në 1984 duhej të binte, ishin të rreme. Komunizmi do të triumfonte në të gjithë botën së shpejti, sipas gazetës së partisë, sidomos po të kishte një luftë të tretë botërore…
Bashkëmoshatari i Orëelli-t, shkrimtari Ernest Koliqi, që nuk besoj se njiheshin, shkruajti në Romë dramën me një dukë/akt, “Rrajët lëvizin”, titullin e së cilës e mori nga një varg i poetit Tomas Eliot. Ngjarjet e dramës ndodhin në vendlindjen e autorit, në Shkodër, në perspektivë, kanë ardhur vitet ’70, flitet për shekullin e kaluar, pra jemi një dhjetvjeçar para 1984 oruelliane dhe çudia është se aty parashikohet e kundertën e Orëellit, jo fitorja botërore, por rënia e komunizmit.
Unikale dhe largpamëse deri në mrekulli, e brishte, madje dhe lirike, trama e saj e ka forcën jo te konflikti i brendshëm, me fare pak personazhë e dialogë të zakonshëm, po te konflikti historik, i popujve, ndërkombëtari, te rënia e natyrshme e komunizmit.
Vepra, sa klasike është dhe risi, etj, por ajo mbetet profetike si asnjë vepër tjetër në të gjithë letrat në perandorinë komuniste. Koliqi ishte i pari dhe i vetmi shkrimtar që parashikoi rënien e asaj perandorie me një vepër letrare, kur totalitarizmi stalinist ishte në kulmin e vet, në mesnatën e rëndë në vendin e tij..
Autori si një orakull kishte parashikuar vdekjen e vet në ato vite dhe të diktaturës. Saktësia është tronditëse për parashikimin e parë, por ndodhi dhe parashikimi i dytë, pak më vonë se vitet e tij dhe i Orëellit, në vitet ’90, por krizat e tatëpjetës kishin nisur që në kohrat e tyre.
Koliqi si një AntiOrëell ose Orëell pozitiv me dramën e vet vegoi fitoren e njeriut në shoqërinë totalitariste.
Kuptohet që regjimi në Shqipëri e mori informacionin nga rrugët e fshehta diplomatike të saj, që shkrimtari i arratisur Ernest Koliqi, armik i betuar i popullit dhe i Partisë, që meriton plumbin ballit, ka botuar në Romë në revistën e tij reaksionare që del shqip, “Shejzat”, dramën më reaksionare “Rrajët lëvizin”…
Kritikës cinike dhe mediokre të realizmit socialist i vinte më për mbarë heshtja vrastare dhe ashtu bëri si zakonisht, por në leksionet e studentëve të letërsisë, i mbaj mend dhe i diskutonim me njëri-tjetrin, në njërën nga dispencat si e shaptilografuar, ishte dhe një fletë nga fundi që e godiste ashpër dramën e Koliqit, si frojdiste i cila kërkon të thotë se regjimi socialist në Shqipëri bëri ndryshime të mëdha, shkatërroi dhe vrau shumëçka dhe sipas autorit reaksionar, dmth Koliqit, vetëm përsipër, se nëntokë, rrënjët e jetës janë gjallë dhe lëvizin….
Me një ngazëllim djallëzor kritika socrealiste tha atëhere se Koliqi nga dy parashikimet që bëri, gjeti veç atë të vdekjes së vet.
Ne si studentë, rrethi më i ngushtë yni, i ngazëllehej kumtit koliqian, duke na pataksur që paskësh një drame të tillë, nga Koliqi, ja aty e ka shtëpinë, te rruga matanë, jo shumë larg institutit tonë, që ja, përtej vendit tonë, u folka për rënie të komunizmit, nuk qenka i përjetshëm dhe diskutonim që këtë pasazh lektori e kishte futur për të rroposur Koliqin apo me dinakëri, për të bërë me dije se ç’është shkruar. Gjethsesi ne i ishim mirënjohës për kritikën dhe shikonim se kishte shkrimtarë të tjerë shqiptarë më përtej, jo si tek ne…
Në dramën “Rrajët lëvizin” bien dhe kambanat e së dielës në kishat e qytetit të Ernest Koliqit, ku ishim studentë, se ndërkaq, sipas parashikimeve të dramës ishin ripahur kishat, që diktatura ateiste i kishte shtetëzuar bashkë me xhamitë duke i kthyer në kinema, ku shikonim filmat e socrealizmit, në pallate sporti, ku zhvillonim dhe mësimin e fizkulturës apo në magazina ushtrie, ku na jepnin uniformat dhe armën, që të stërviteshim për të luftuar imperializmin dhe revizionizmin botëror dhe nëse na sulmonin të dy njëherësh, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik, ne të fitonim..
Ndërkaq erdhi dita që “1984” të botohej dhe në Shqipëri, dhe jo vetëm me një përkthim. Rilexova atë të Çelo Hoxhës, pashë që kishte dhënë tmerrin dhe absurdin dhe në gjuhë.
Ndërsa drama “Rrajët lëvizin” vazhdon të jetë si një kambanë e madhe, bie dhe bie dhe harrojmë ta dëgjojmë… Me të do të mund të mburrej çdo skenë, nder për kulturën, për inteligjencën në të gjithë Evropës Lindore. Ishte dhënë kështu kumti i madh që atëhere dhe vinte nga letërsia shqipe, nga pjesa e dënuar e saj.
Profecia e shkrimtarit të arratisur Ernest Koliqi do të dilte. Do të shëmbej Muri i Berlinit në vitin 1989, pas tij do të binte dhe perandoria komuniste dhe diktaturat me radhë. Edhe kjo, jona. S’ishte e jona, por që na shtypte ne… Akujt e saj andej larg, përmbysnin dhe këtej…
Teatri, ku u prit gjatë se mos do ta vinin në skenë ndonjëherë, sa po e shëmbën brenda parashikimit oruellian dhe jashtë parashikimit koliqian. Me shpresë për në teatrin e ri.
Nje i perndjekur qe vuajti burgun e Spacit e te Qafe-Barit, i mbushur me dije dhe talent te fuqishem si Visar Zhiti mund te shpalose ne permasat reale vlerat e letersise se denuar prej regjimit diktatorial. Zhiti me veprat e tij te shumllojshme letrare dhe eseistike te pas 1990-es eshte krijuesi yne, qe me idete e thella e nivelin e larte artistik na ndricon mendjet tona…