Dëshmitë e para për prova xhirimesh nga vetë shqiptarët na çojnë në Korçë, në vitin 1935, jo shumë larg Manastirit të vëllezërve Manakis. Natasha Lako, ish drejtore e Arkivit të Filmit në librin e saj “Energji e filmit” ka treguar se një nga trashëgimtarët e sotëm të kinema Majestik ka treguar se xhirimet e para të tyre janë kryer më 6 janar 1935 ditën e hedhjes së kryqit në lumë dhe proçesioneve të karnavaleve.
Trashëgimtarët e Majestik kanë rrëfyer se si u sigurua kamera e xhirimit, duke e ruajtur ende në mjediset e kinemasë së tyre. Kamera ishte blerë për të xhiruar titrime të herëpashershme të përmbajtjes së filmave sipas modelit të filmave pa zë, pasi shumica e spektatorëve që mbushnin sallën e kinemasë nuk kuptonin gjuhë të huaja. Duke mos pasur mundësi subtritimi kjo përmbledhje e shkurtër e filmave e përgatitur nga një vajzë korçare xhirohej dhe montohej në film, duke kryer shërbimin e parë filmik brenda Shqipërisë.
Në librin “Energji e filmi” shënohet se, përgatitja e frazave përmbledhëse të ngjarjeve dhe dialogjeve kyçe si proçes komercial, kërkonte larjen e filmit dhe montazhin e thjeshtë të pelikulës gjë që i çoi pronarët të provojnë edhe xhirime të figurës në lëvizje dhe larjen e këtij materiali në një laborator të Selanikut. “Vëmendja e tyre u kthye nga spektakli i garës së hedhjes së kryqit në lumë dhe spektakli i karnavaleve të famshme”. Ky metarial i filmuar është djegur gjatë zjarrit që ra në kinema “Luks”. Për xhirime të tjera flasin dëshmitarë të tjerë, shqiptarë që kanë jetuar jashtë trevave të tyre. “Ajo që ka rëndësi të theksohet është se xhirimet në një vend të vogël si Shqipëria, nuk merren përsipër as nga shteti, as nga kompani prodhuese, por nga njerëz që kanë inisiativën dhe prirjen e tyre, nën shembullin e vëllezërve Lymier, apo vëllezërve Manakis. Prirja është shumë humane dhe shënon këndvështrimin e artit shqiptar, që ka lindur në përgjithësi nga inisiativa dhe forca personale. Kamera e marrë për herë të parë nga duart e shqiptarëve nuk është kthyer as nga oborri mbretëror, as nga aktivitetet zyrtare, por nga një turmë me njerëz anonime, ku ke mundësi të pafundme të fiksosh, jo thjesht proçesionin fetar ose maskën, por botën dhe lojën njerëzore”. Në Shqipërinë e dy luftrave botërore, me 800 000 banorë është formuar një grup njerëzish të interesuar për artin e shtatë. Dashamirësit e artit, thotë Lako vendosen përpara një beteje njerëzore, që kërkon të arrijë rezultatet e veta, si një përpjekje e madhe individuale e njeriut, e mishëruar në kienastët e parë të Ballkanit, vëllezërit Manaki.
Sipas skenaristes duket se përshtypjet e punës së vëllezërve Manaki, të cilët kanë zhvilluar aktivitetin e tyre si në Bitola (Manastir) edhe në qytetin shqiptar të Korçës, mbeten në Shqipëri nga më të fuqishmet. Lako shkruan se dëshmitarë okularë tregojnë se ata zotëronin gjuhën shqipe dhe ishin shumë të lidhur me jetën politike-shoqërore shqiptare.
“Shqiptarët krenohen me fotografët e tyre të mëdhenj, si Marubët e Shkodrës, ose me të panjohur si mjeshtër Sotiri i Korçës, me ekspozitat e para të pikturës së piktorëve të viteve ’30, një prej të cilëve është Kolë Idromeno, i cili solli në Shqipëri edhe projeksionin e filmit”. Në këtë kontekst përmendet gjallërimi i jetës kulturore edhe botimet në prozë edhe poezi moderne, të cilat për emrin na çojnë deri në ndërtimin e kinemasë së parë moderne “Majestik” të qytetit të Korçës.
Fillimisht në këtë kinema pronarët e saj, vëllezërit Mano, ftojnë për të krijuar postera piktorin e ri Stavri Madhi, i cili zgjon fantazinë e tij krijuese duke u mbështetur në sekuenca të filmave. Vëllezërit Mano përpiuqen gjithashtu ta bëjnë filmin e huaj sa më të kuptueshëm për spektatorin e tyre.
“Në Shqipëri në këto festa kanë marrë pjesë bashkarisht të gjithë qytetarët, pavarsisht nga besimet e ndryshme. Vëmendja kthehet njëkohësisht nga kronika dhe spektakli i karnavaleve, ky teatër I madh ku bashkohet e mundura dhe e pamundura, tragjikja me grotesken. Ndihet në këtë orientim këndvështrimi, ndikimi i shfaqjeve të mëdha dhe humane kinematografike”, shkruan Lako në librin “Energjia e filmit”, duke e konsideruar këtë periudhë se si filmi shqiptar bëri një lindje natyrale.V.M