Vdiq në moshën 80-vjeçare shkrimtari i shumëgjuhësisë, Luan Starova.  Akademik, shkrimtar e gazetar Starova e ndërtoi emrin e tij si krijues në Paris, ku është vlerësuar edhe me çmimin e lartë  “Margaret Yourcenar”. I shpërngulur që në moshën 2-vjeçare në Maqedoninë e Veriut, ku jetoi deri në vitet e fundit, ai u shkollua në gjuhën maqedonase. U diplomua për gjuhë e letërsi frënge në Fakultetin Filologjik në Shkup, ku do të punonte si pedagog i kësaj lënde. Doktoraturën do ta mbronte në Zagreb, dhe ndërtimin e saj do ta mbështeste edhe në lidhjet profesionale e miqësore që kishte me Apolinierin. Starova konsiderohet nga studiuesit, si një nga njohësit më të mirë të veprës së Faik Konicës. Ai botoi mbi 20 romane të rishkruar në shqip, të cilat i konsideronte si pasurinë e tij më të madhe, e si një mënyrë për tu kthyer në atdheun e tij. Ndarja nga jeta e shkrimtarit Luan Starova ka shkaktuar pikëllim dhe dhimbje te familjarët dhe miqtë. E bija e shkrimtarit, Blerina Starova Zllatku ka përlotur me postimin e saj, dhimbja e të cilës nuk përshkruhet me fjalë. “Na le pa fjalë dhe me kujtime të paharrueshme babi. Me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot ndërroi jetë gjyshi, bashkëshorti dhe babai ynë Luan Starova. Varrimi do të jetë nesër më 25. 02.2022 në varrezat në Butel, ndërsa falja në Xhaminë e Çairit në Namazin e Xhumase “, shkruan e bija.

Shkrimtari Arjan Leka, njëkohësisht botues i tij në Shqipëri, shënon në këtë ditë për akademikun:

Luan Starova, krijuesi i metaforës së jashtëzakonshme të “Emigrimit të ngjalave” të penguara në shtegrimin e tyre, të atyre ngjalave që bartën ëndrrën e madhe të familjes, që u bënë udhërrëfyes për rikthimin e, si të qenkëshin shigjeta, i kishin treguar fisit rrugën e fatit si dhe drejtimin e duhur nëpër hapësirën e madhe të ekzistencës, sot nis udhëtimin e tij për t’iu bashkuar Shpirtit të të parëve, babait të Bibliotekës dhe nënës, që ndez gjithmonë një llambë në studion ku përgatiteshin udhëtimet e pareshtura drejt pafundësisë. Pushoftë në paqë shpirti yt, që rikthehet në jetë sa herë që lexuesit shfletojnë librat e tu në shqip a në dhjetra gjuhë të Europës e botës, ku është përkthyer letërsia jote e mrekullueshme dhe jetofsh përgjithmonë në kujtimet e miqve, që i deshe dhe e çmove shumë e që e përmendin Luan Starovën si njeriun fisnik dhe shkrimtarin e lartësive të mëdha, të cilit “Urdhri i Legjionit të Nderit” i shkonte aq për shtat, sa të besohej se ai nderim kishte lindur bashkë me të a qe krijuar enkas për shpirtin dhe personalietin e ti të rrallë. Lamtumirë, vëlla e mik i shtrenjtë! Fat që u takuam dhe ndamë një pjesë të udhës!

“Tani, Zoti i Mirë i mërgimeve i kishte bashkuar fatet e tyre në mënyrë të tillë që të mund ta gjenin, më në fund, shtegtimin e ngjalave, udhëtimin e rikthimit të tyre prej mërgimit.” (Emigrimi i ngjalave, f. 48, Botimet POETEKA, 2019).

Më herët për librat e Luan Starovës ka shkruar studiuesja Silvana Leka, e cila mes të tjerash vecon:

Seria e romaneve të shkrimtarit të mirënjohur Luan Starova po bëhet edhe më e njohur së fundmi edhe falë përkthimeve në gjuhë të ndryshme të rajonit ballkanik. Më herët, mbërritja e këtij shkrimtari është përjetuar si ngjarje e rëndësishme letrare dhe kulturore edhe vende të tjera të Evropës. Filozofi dhe sociologu francez Edgar Morin i cili, teksa e paraqet përballë lexuesit francez Luan Starovën, shkruan: “Franca ka zbuluar me habi dhe me emocion shkrimtarin Luan Starova, romancierin e papërsëritshëm, të veçantë si ai, të paklasifikueshëm dhe megjithatë, të mirëvendosur, të mirankoruar.”Dihet tanimë se romani “Koha e dhive” u prit mjaft mirë jo vetëm nga lexuesi, por u vlerësua lart edhe nga emrat më të shquar të kritikës së kohës. Mes tyre ishte edhe studiuesi dhe shkrimtari Predrag Matvejević, i cili e përcolli kështu botimin e librit: “Kjo vepër që lindi në kohën e çarjeve ideologjike, ia del të shpërfaqë shumëçka prej kuptimit të kufizuar të realitetit që mund të jetë magjik, si tek Gabriel García Márquez.” Po ashtu, romancieri i njohur Erik Faye thekson në artikujt e tij kushtuar krijimtarisë së gjerë të Luan Starovës: “Letërsitë e Ballkanit na kanë dhuruar përherë perla të vërteta, si romani i Starovës “Koha e dhive”. Lexuesit e Kadaresë, Pekić-it ose Stepanović-it, në romanet e tij do të gjejnë edhe një dritare në kulm, të hapur drejt motiveve.”Brenda pranverës së këtij viti, romani Shtegtimi i ngjalave do të jetë në duart e lexuesit shqiptar nga “Botimet Poeteka”, duke çelur kësisoj serinë e romaneve të Luan Starovës dhe rikthim në atdheun e gjuhës së tij. Më herët “Botimet Poeteka” kanë publikuar edhe vëllimin me poezi të Luan Starovës “Kartagjena nuk mposhtet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}