“Banesa e Gani Kuqit” në Krujë dikur gëzonte statusin Monument Kulture i Kategorisë së Parë, por me një “vendim surprizë” për banorët e saj, institucionet e kulturës e hoqën atë nga lista e objekteve të mbrojtura, por ky nuk është një rast i izoluar.
Në qytetin e gurtë të Krujës pranë qendrës së asaj që njihet si lagja “Seseraj”, spikat një banesë e veçantë për nga arkitektura dhe dekorimi me piktura murale. Godina dykatëshe është e stilit qytetar, me shumë dritare, oborr dhe njihet gjerësisht në zonë si “Banesa e Gani Kuqit”.
Ajo u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë përpara viteve’ 90, por me një “vendim surprizë” për pronarët e saj, institucionet e kulturës e hoqën nga lista e objekteve të mbrojtura.
Sipas pronarëve që banojnë ende aty, ata u njohën me vendimin në mënyrë krejt rastësore fill pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, e cila e kishte epiqendrën disa kilometra larg nga aty.
“Pas tërmetit, askush nuk erdhi për të parë gjendjen e shtëpisë edhe pse kisha lajmëruar tek bashkia që kishte dëme. Shkova tek Instituti në Tiranë për të raportuar dëmtimet, por atje mora vesh që banesa nuk ishte më monument kulture, se di përse”, rrëfeu Xhevat Gjata.
Ai flet me pasion për banesën dykatëshe dhe vlerat e saj. Prej gati 40 vitesh jeton aty, një pjesë të së cilës bashkëshortja, Liri Kuqi-Gjata, e ka trashëguar nga prindërit.
“Është banesë qytetare. Me dy kate, shumë dhoma, shumë dritare dhe plot me piktura në mure, prandaj ruhej nga shteti”, shton burri për Median Amfora.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore nuk ju përgjigj një Kërkese për Informacion dërguar nga Media Amfora, për të mësuar për arsyet e heqjes së statusit të mbrojtjes për objektin.
Me tre hyrje dhe gjashtë dhoma, banesa e familjes Kuqi paraqet probleme me çatinë, plasaritje të tjera nëpër mure, dëmtim të pjesshëm të tyre, suva të rëna dhe kalbëzim të dyerve e dritareve.
Megjithatë pronarët jetojnë aty duke ruajtur me fanatizëm strukturën ekzistuese, kuruar me piktura murale në muret e jashtme dhe brenda dhomave të objektit, që dekorohet me dritare të punuara me dru dhe elementë të tjerë dekorartiv brenda saj.
“Tërmeti i 26 nëntorit 2019 e vështirësoi gjendjen e banesës edhe pse probleme ajo kishte edhe më parë, tërmeti vetëm sa ja shtoi ato”, rrëfen Xhevat Gjata.
Sipas një raporti të Institutit të Monumenteve të Kulturës të Tiranës, të datës 20 prill 1979, godina pësoi dëme edhe pas tërmetit të vitit 1979, por u ndërhy më pas për restaurimin e saj.
“Tani nuk dimë më asgjë se çfarë do të bëhet me të. Jetojmë në një pjesë të shtëpisë dhe sytë çdo ditë i kemi nga tavanet se mos shemben apo suvatë që bihen dita-ditës”, ngre supet Xhevat Gjata.
“Kishim shpresa se ishte shtëpi muze, por tani që e paskan hequr nuk e di kush do të kujdeset për të”, përfundon ai.
Banesa e Gani Kuqit, që ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Krujës përmendet edhe në shumë botime dhe materiale të përgatitura për studentët e fushës së arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore.
Rasti i saj u raportua nga banorët e Krujës përmes platformës “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” të Medias Amfora. Por heqja e objektit Monument Kulture nga lista e mbrojtjes nuk është një rast i izoluar.
Aktualisht Shqipëria numëron rreth 1300 banesa të shpallura monumente kulture, por një pjesë u hoqën nga lista e mbrojtjes pasi u lanë për vite me radhë të degradonin.
Rreth 40 objekte u hoqën nga lista e monumenteve të kulturës të kategorisë së dytë, me vendim të ministreve të kulturës gjatë periudhës 2015 – gusht 2021, me propozimin e institucioneve të kulturës apo pronarëve privatë, për t’i hapur rrugë pallateve shumëkatëshe si në rastin e kyeqytetit.
Foto në krye: “Banesa e Gani Kuqit”, e skicuar në raportin e Institutit të Monumenteve të Kulturës të Tiranës, të datës 20 prill 1979.