Arkeologët shqiptaro-francezë pas një kërkimi 7 vjeçar mendojnë se limani antik i Durrësit gjendej më në veri të portit të sotëm tregtar, duke u fokusuar në analizimin e shtresave gjeologjike për të identifikuar zonën ku ngrihej porti në antikitet.

Porti dhe Durrësi duken si sinonime, për qytetin që mbajti frymën gjallë të lidhur ngushtësisht me oksigjenin ekonomik të tregtisë portuale.

Vetë legjenda më e hershme që tenton t’i japi kuptim themelimit të Durrësit lidhet me portin. Historiani romak Apiani shkruajti që në shekullin II të Erës Sonë se pasi ndërroi jetë mbreti Epidamn, nipi i tij Dyrrahu,  ndërtoi portin e qytetit. 

Kur Dyrrahut i shpallën luftë vëllezërit që synonin pasurinë sipas legjendës ai thirri në ndihmë Herkulin, teksa po kthehej nga aventurat të tij dhe pranoi ta ofroj ndihmën në këmbim të një pjese të tokës së qytetit. 

Ndërsa grupi i arkeologëve shqiptaro-francez për të zbuluar vendndodhjen e portit antik ka thirrur në ndihmë një ekip që përdor teknikën shkencore që analizon shtresat gjeologjike të tokës, e njohur “karrotazh”.

“Me qenë se porti ishte zemra e qytetit, për të kuptuar këtë do na duhet ta vendosim portin e qytetit në vendin e tij, ku gjendej dhe për këtë kemi bërë rreth 20 karrotazhe në qytet dhe në veri, deri në Porto-Romano”, shpjegoi arkeologia franceze, Catherine Abadie-Reynal.

“Kjo punë është ende në vazhdim, nuk kemi ende rezultate sepse është e nevojshme që të analizohen karrotazhet dhe të testohen me Karbon 19-të”, shtoi ajo për Median Amfora.

Rezultatet e analizave të shtresave nëntokësore do të jenë me shumë rëndësi për arkeologët të cilët dyshojnë se pozicioni ku gjendej popullsia e Durrësit në shekullin XIX mund të mos të mos jetë i njëjti me atë të periudhës së antikitetit.

Në gjurmët e portit antik

Teksa shumica e pamjeve të periudhës moderne e tregojnë limanin e Durrësit, e më vonë portin tregtar të zhvilluar pranë zonës ku sot gjendet Banka Kombëtare Tregtare, studiuesit kanë dyshimet e para për një vendndodhje tjetër të limanit antik.

“Prandaj jemi në kërkim të portit në një vend tjetër, me shumë siguri më në veri nga sa e mendonim”, rrëfen bashkëdrejtuesja e ekipit të arkeologëve shqiptaro-francezë, Catherine Abadie-Reynal.

“Mund të mendojmë se qyteti ka evoluar në funksion të portit dhe thelbi i qytetit më të hershëm veçanërisht i periudhës së themelimit e më pas, duhej të zhvillohej rreth portit që mbetet për tu gjetur”, shton Abadie-Reynal për Median Amfora.

Gërmimet arkeologjike në Forumin Rrethor dokumentuan të paktën 6 nivele banimi. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Pavarësisht se popullsia lokale ishte e vendosur më herët në territorin e Durrësit, sipas historianit romak Apiani, kolonët grek rreth pranverës së vitit 627 p.e.s. themeluan koloninë e parё helene nё Iliri, mbi limanin dhe qytezёn e hershme ilire. 

Projekti i arkeologëve ka ndërruar kurs këtë vit, duke u fokusuar thelbësisht në përcaktimin e gjurmëve të portit antik, me qëllim njohjen e territorit kryesor ku ai shtrihej.

Ekipi i arkeologëve shqiptaro-francez prej 7 vitesh synon njohjen e zhvillimit urban-topografik të qytetit, por sfidat sipas bashkëdrejtuesit të projektit, arkeologut Eduard Shehi nga Instituti i Arkeologjisë, mbeten të shumta për shkak të kompleksitetit të gjetjeve arkeologjike.

“Vetëm Durrësi të jep mundësinë që në një kuadrat të vetëm të gjesh 2000 vite mbivendosje të strukturave të të gjitha funksioneve dhe periudhave”, shpjegon Shehi për sfidat e projektit “Topografia e Epidamn-Dyrrachium“.

“Të gjitha rrugët të çojnë në port”!

Arkeologët u ndanë në dy grupe pune këtë qershor, në dy pika të ndryshme gërmimi arkeologjik, duke synuar të gjenin gjurmët e aktivitetit portual edhe brenda qytetit.

Pranë monumentit të Forumit Rrethor apo Forumit Bizantin, të dhënat arkeologjike kanë caktuar se përpara ndërtimit të tij aty shtrihej një lagje e rëndësishme e Periudhës Romake, me një nivel të pasur material.

“Në këtë moment jemi duke gërmuar mbi një shtresë shkatërrimi të një banese romake, që paraqet të gjitha shenjat e pasurisë për periudhën, me pllaka mermeri, me afreske murale dhe disa objekte ndonjëherë edhe luksoze, që janë dëmtuar e thyer nën çatinë e cila ka marrë flakë dhe është rrëzuar”, analizoi arkeologia Catherine Abadie-Reynal.

Arkeologia franceze, Catherine Abadie-Reynalm, duke folur për Median Amfora. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

Gërmimet arkeologjike të këtij viti i kanë dhënë mundësi arkeologëve që të shkojnë edhe në periudhat më të vona të banimit të qytetit.

Forumi Rrethor mendohet se u ndërtua në shekullin VI të Erës Sonë dhe shërbeu si hapësira qendrore publike e qytetit në Periudhën e Antikitetit të Vonë, duke u përshtatur me transformimin urban të Durrësit në këtë periudhë.

Arkeologët kërkonin prej vitesh të kuptonin funksionin e hapësirës së Forumit Rrethor pas braktisjes dhe kthimit në varrezë publike pas shekullit VII të Erës Sonë.

“Ne kemi vënë re se muret e ruajtura deri në një farë lartësie të Forumit Rrethor janë ripërdorur si mure mbajtëse për ambiente që deri tani ne mendojmë se ishin për nevoja banimi”, analizon arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia, nga Instituti i Arkeologjisë.

“Ajo që duket qartazi janë të paktën 6 nivele banimi, që fillojnë nga fundi i shekullit VII deri në shekullin XIV të Erës Sonë”, shtoi ajo për Median Amfora.

Rëndësia e gërmimit arkeologjik të këtij viti për të ishte njohja me përdorimin e pandërprerë të hapësirës përgjatë periudhës mesjetare, nga fundi i shekullit VII deri në të paktën shekullin XIV.

“Kemi gjetur gropa me prerje të niveleve të dyshemeve, që mendojmë se përdoreshin për vendosjen e enëve të mëdha të ambalazhimit apo ruajtjes së produkteve ushqimore”, shpjegon arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia.

Gërmimi në territorin e Forumit Rrethor i surprizoi arkeologët në çastet e fundit para mbylljes së ekspeditës kërkimore. Si në vitin 2018-të edhe këtë qershor teksa duart i dridheshin nga emocionet, ata mbanin një statujëz më të vogël se pëllëmba e dorës.

Një statujëz bronzi me siluetën ndoshta të një gruaje doli në dritë. Foto: Eduard Shehi

Ende e pa pastruar nga dherat dhe oksidimi, statujëza e bronztë ngjason me siluetën e një gruaje, që është gjetur në hapësirën e banesës që mendohet se i përket periudhës romake.

“Ato lidhen me rezidencat romake që kanë ekzsituar përpara ndërtimit të Forumit Rrethor, pra përpara ndryshimit të destinacionit në një hapësirë publike, kur ajo ishte një hapësirë rezidenciale e qytetit romak”, analizon arkeologia Shkodra-Rrugia, nga Instituti i Arkeologjisë. 

“Objektet e mermerit, bronzit, janë gjetur si pjesë e këtyre ritualeve të banimit, të besimit të banorëve që jetonin në këto hapësira”, shton ajo për gjetjet në banesat që mendohet se u shkrumbuan nga rënia e një zjarri masiv, gjurmët e të cilit nëntoka e Durrësit i ruan ende me besnikëri.

Gjurmët e një zjarri masiv në zonën rezidenciale të Periudhës Romake. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora

“Ashtu si para 3 vjetësh, kur gjetëm një statujëz të vogël prej mermeri në formën e fëmijës, një tip unik që nuk ka asnjë të ngjashëm deri më sot në Europë”, kujton duke buzëqeshur arkeologia Catherine Abadie-Reynal.

“Janë banesa të pasura që me shumë mundësi janë të lidhura me aktivitetet tregtare që me shumë mundësi lidhen me aktivitetet e portit”, përfundon ajo, duke rishfaqur interesin e ethshëm për zbulimin e territorit ku shtrihej limani i Dyrrahut antik. Amfora.al

Foto në krye:  Ekipi i arkeologëve shqiptaro-francezë duke gërmuar në Forumin Rrethor. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historia e Patrullarit nga Amantia
Simbol i Kullave Krutane, por objekti “dëbohet” nga Lista e Monumenteve të Kulturës
Kodiku i Korçës nr. 93 është ekzemplar unik në botë?
Si po mbijeton thesari folklorik i Lezhës
E rrallë/ Kisha e Shën Vlashit në Kurbin – E braktisur qe prej komunizmit, banorët e restaurojnë vetë
Ura me shumë harqe dhe një rrëfenjë e shpërfilljes
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>