Bisedoi: Violeta Murati

Eshtë ndarë dje nga jeta piktori Ali Oseku; e kujtojmë, në homazh, me këtë intervistë të gjatë, e të rrallë, dhënë për gazetën standard, në maj të vitit 2011.

(fotoja eshte terhequr nga rrjeti social, facebook i fotografit Albes Fusha)

***

Nga të rrallat raste kulturore në Galerinë Kombëtare ka qenë ekspozita e piktorit Ali Osekut, hapur diku nga viti 2011. Ishte e para ekspozitë personale që Oseku prezantonte në këtë institucion shtetëror. Mbas dyerve prej xhami, drita e ekspozitës ndodhte rrallë të ishte aq rrezatuese, në një hapësirë fluide që krijonte atmosfera e pikturave dimensionale të Osekut. Ishin 21 punë, vaj në kanavacë, ku piktori lëvizte me nuancat e ngjyrave, por jo hapësirën. Është liria, fryma, shpirtërorja, me të cilat punët e “hapësirës” ngjizen me njëra-tjetrën. Çfarë ka lëvizur si emocion, si ndijim tek piktori mbajnë gjurmë, shenjë jo vetëm tek ideja e ikjes, braktisjes, përmes hapësirës, por dhe në emocionet e përditshme me të cilat piktori përballet dhe e kthejnë në studion e tij. Pas ’90-s merr intensitet kjo krijimtari duke mbërritur në peizazhin abstrakt, ku vetë piktori na pohon “eksperimentin” e tij si lidhet kjo me natyrën, ku imagjinata mbetet forma më e paprekshme e krijuesit në liri. Në atë rast, në intervistën e mëposhtme,piktori flet konceptualisht mbi raportet që ndajnë një piktor nga korniza dhe klishetë.

Ali Oseku (1944) Lindi në Tiranë, në një familje me origjinë nga Gjakova. Liceun artistik e mbaron në vitin 1963, ndërsa Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1969. Pas studimeve, artisti fillon punë si skenograf në TOB. Në vitin 1973, në valën e ndëshkimeve shtetërore në fushën e artit dhe kulturës, artisti dënohet me burg deri në vitin 1979. Pas kësaj periudhe, artisti punon si punëtor i thjeshtë, deri në rënien e sistemit. Pas viteve ’90, do ishte një nga zërat më aktivë të skenës artistike vendase.

***

Ekspozitën shumë e orientojnë te ideja e boshllëkut ose te ideja e “gjë”-së në “asgjë” brenda pikturës suaj. Nuk jam me këtë ide, ka një lloj hapësirë që të nënkupton ikjen…

Jam me idenë që piktori nuk orienton publikun. Shikuesi e gjen vetë, e lexon menjëherë piktorin. Është si puna e librit me 500 faqe, që e lexon dhe thua më pëlqeu ose s’më pëlqeu. Fillesa e pikturës sime është peizazhi. Lexoj poezi, më pëlqen muzika, letërsia, filozofia… të gjitha një artist i zgjedh nga natyra. Natyra nuk është e ngrirë. Ajo lëviz, është e mistershme, ashtu si dhe arti. Në kuptimin poetik të fjalës. Dikush shprehet me fjalë, dikush me ngjyrë, një tjetër me tingull. Jam nga ata artistë, piktorë, që punoj çdo ditë. Për mua kjo është e rëndësishme. Dhe nuk qenka e kollajtë me qenë konsekuent.

Artistit i bëjnë të gjitha gjërat përshtypje: e bukura, peizazhi, qielli, atmosfera, era, ujërat… i pëlqen njeriu dhe vepra sido që të jetë bëhet njerëzore. Ç’është mendimi për mua? Mendimi është fillestar, është një shkak për të bërë pikturën. “Kur mbaron vepra, mbaron mendimi”, – thotë Ana Harend. Lënda kur bëhet substancë, bëhet hyjnore. Kështu është fryma, është shpirtërore. Për mua ka shumë rëndësi të ketë emocion mbi veprën e artit. Edhe filozofia ka nevojë të bëhet prozë poetike. Unë synoj të kualifikoj veten time deri në ekstrem. Të përmirësoj vlerat e pikturës. Ideja është se e kam artin brenda, si ta nxjerr jashtë!

Në këtë sens, punët tuaja kanë ardhur si ngopje e mendimit?

Ajo vjen shumë natyrshëm. Artisti kur krijon përditë krijon përvojat e veta. Jam me idenë e produktit, siç thotë Oscar Ëilde, rëndësi ka produkti, realizmi është një tmerr. Unë punoj çdo ditë, kjo është e rëndësishme. Piktori ka fatin se ato që ndien, idetë dhe emocionet, i vë në telajo dhe kur i vë në telajo, shijohet. Dikush thotë se me pikturën merr kënaqësi fizike dhe intelektuale. Artisti nuk ka pushim. Vërej se punoj me shumë tension, por nuk mërzitem kur ajo nuk del mirë. Ti përpiqesh vazhdimisht se ç’është ajo ide që ti përpiqesh ta bësh pikturën e mirë dhe të mos dalë e mirë! Kjo është përvojë, ke çfarë zgjedh. Piktura ka nevojë të flejë pak edhe në studio.

Ideja është se çfarë është juaja, personale?

Natyra është e mistershme, si thotë Niçja, kur e pyesin kush është më e bukur arti apo natyra, arti thotë se artisti përzgjedh! Në mësojmë të bëjmë idetë tona. Kjo krijon eksperiencë; unë mësoj, studioj, pëlqej muzikën, baletin, kam ikur jashtë shtetit etj. E kuptoj kush është arti i bukur dhe kjo është kënaqësia thjesht duke marrë. Për artistin kjo është kënaqësi kur mbaron, vepra është e të tjerëve! Por në pyetjen se ç’është e jotja, them se bukuria qëndron në të kuptuarit çfarë të ka dhënë Perëndia ty, ç’është jotja personale. Kur takoi Gëtja Bethovenin i tha se kishte tri gjëra që i duhen një artisti: përqendrimin, energjinë dhe sinqeritetin. Mençuria quhet pasuri, sepse nuk ka artistë që të mos ketë sensibilitet të mençur. Ç’është intuita? Është inteligjencë. Pra artisti rreket të punojë. Kujtoj tregimet arabe, fantastike, po ju përshkruaj një rast: Kur njëri donte të mësonte shkrimin arab, mori një mjeshtër afër. Ky mjeshtër i tha: Kur rrekesh shumë, lodhesh shumë, ka respekt pena, letra dhe boja. Unë vlerësoj artistët që punojnë. Dashje pa dashje, në gjenin tim, si gjyshi, gjyshja, nëna, babai… këto janë dhurata që më ka dhënë mua. Familja m’i ka dhënë dhuratat. Unë besoj tek familja. Por, ke dhe një gjë personale, që është e pashpjegueshme në krahasim me vëllezërit dhe motrat. Normalisht e pashpjegueshme është tërheqja për artin, ndijimi. Kjo është personale jotja.

Çfarë dallon tek personalja, që e shterron, e nxjerr pas idesë?

Unë dua të jetë e mirë. Kur pyesin ç’është piktura, them se është e mirë dhe e bukur. Nuk kalon në banalitet. U them studentëve: Këto lagështira, këto rrëmujat, këto baltërat, pisllëqet, pluhërat… dua të largohem nga këto, nga kjo më nxjerr një shpirt tjetër që nganjëherë e bëj mitik, kozmik…!

Shkoni te “hapësira”, ç’është për ju?

Për mua hapësira është të qenit i lirë. Duke ardhur në këtë moment ku jam unë ato lirohen. Tani, në këtë moshë dua të jap dashuri. Kush dashuron ka rëndësi. Ne dashurojmë qiellin, njerëzit, pemët, stinët, ujërat… ne marrim ngjyrat e bukura i vendosim në telajo. Por, ne, na bëjnë përshtypje të gjitha gjëra; nga ana tjetër dua që këto “gjëra” mos të më prishin humorin, nostalgjinë, frymëzimet e mia. Artistët nuk mund të merren me gjëra banale. Unë kështu preferoj.

Kjo është “bota e përtejme” sipas jush?

Patjetër. Unë dua të prek një gjë tjetër! Heideger ka një gjë të bukur për një poet gjerman kur thotë, se atij i pëlqen era, qielli, dhe uji. Nuk më pëlqen toka. Se bëhet e ngurtë. Përpiqet të qëndroj mes qiellit e tokës. Nganjëherë piktura ime nuk ka horizont, është pa përcaktim, domethënë është fluide. Dhe kjo gjë nuk bëhet me koncept, por vjen natyrshëm brenda meje. Nganjëherë vjen e pashpjegueshme.

Si ka ardhur Ali Oseku deri në këtë ekspozitë?

Si kam ardhur!? Kam ardhur duke kërkuar, më rri mirë apo jo xhaketa. Kur janë në magazinë të gjitha më duken njësoj, kur vesh ndonjë prej tyre, fillojnë e më ngjajnë mua!

Kur ka ndodhur shndërrimi i procesit krijues, si u ndodhët në “hapësirë”?

Ne kemi bërë një shkollë realiste. Mbas ’90-s fillova të bëja pikturë abstrakte. Por, brenda kësaj abstrakteje u dallonte një lloj peizazhi. Peizazh abstrakt. Tani i lirova detyrat, i hoqa. U largova nga disa gjëra të tepërta, drejt më të thjeshtës. Është si puna e historisë së një romani që ka ujë shumë. U mundova ta shkarkoj mendimin, të jetë sa më i thjeshtë.

Kjo është kërkesë, pavarësisht sa realizohet. Realizmin e pres nga të tjerët. Mendoj se një artist koshient e di çfarë bën, por ama pret si e shohin pikturën e tij kolegët dhe publiku. Për këtë jam shumë i vëmendshëm. Nuk kam dëshirë të flas për pikturën time, më tepër jam dëgjues; çfarë mendojnë për pikturën time, si reagojnë përpara saj. Kjo është shumë e rëndësishme, për të prekur me pikturën time. Detyra e një piktori është për ta sjellë fjalën e tij nga studio, e më pas të dëgjojë ç’thonë thonë të tjerët.

Mbas rrugëtimit të stilit ekspresionist, abstraksionist, impresionist e shumë fjalë të tjera me të cilat të kanë etiketuar…

…Brenda këtyre bëj rrugëtimin, me ato piktura që sheh. I talentuari mëson nga gjenitë. Unë pëlqej të gjitha llojet e pikturës. E ndjek skulpturën. Ndjej muzikën, madje nuk arrij ta ndjek aq shumë, por më frymëzon. Pra, janë brenda muzika, poezia dhe mendimi…Ka shumë anë emocionale. Nëse të ngacmon emocionalisht kjo gjë. Jam me idenë, që e thotë shumë bukur Folkner, më ’52 kur ka marrë çmimin “Nobel”: “Po vij këtu të flas, se do vijnë të tjerë më pas, dhe i porosis që të shkruajnë për zemrën dhe jo për gjëndrat”. Pra, artisti zgjedh momentet, nuk është banal është shumë shpirtëror. Kështu është fryma.

Ç’është kjo lloj “fryme” që ju e përmendni aq shpesh, është fjala për besimin?

Jam me idenë se shyqyr që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma. Njeriu ka nevojë të besojë në diçka, që është e pakapshme, fluide. Pra, ka një besim, ka ku mbështetet. Jam dakord për fetë me idenë për t’u rifreskuar, relaksuar, medituar…kur ai injoranti i beson shtetit për gjithçka, duke e lidhur me idenë e marksizmit. Besimi krijon ekuilibrin e madh tek njeriu, kështu që edhe piktura ime ka këtë sensin e ekuilibrit. Për mua rëndësi ka qe merrem me artin, të tjerat pastaj le të diskutohen.

Gjithnjë ka një përpjekje për të gjetur një shteg që i atribuohet stilit, talentit, dhuntisë…

Kjo është çfarë përcjell piktura, kur je përpara saj me të metat dhe të mirat e tua. Është si puna e shëmbëlltyrës së fëmijës, mendimi që vjen mbi të. Ndjesia e fëmijës është transparente, është engjëllore. Si thonë buzëqeshja e fëmijës është e pakrahasueshme.

Unë jam familjar. Por, është gruaja që më jep shansin të merrem me pikturë, të lexoj… Abuzoj tek gruaja në këtë sens. Për mua gruaja është shumë e rëndësishme.

Gruaja është kjo pafundësia që më krijon mua. Ajo nuk rri me mua kur pikturoj, por e mbështes thellësisht për vlerat që ka ajo. Por, një grua e mençur e merr vesh burrin se kush është. Pra, brenda meje është gjithë jeta ime, si jetoj unë, si ha unë, si rri… Kjo është një pasuri gjenetike, unë thjesht kam kontribuar.

Pavarësisht se punët janë “hapësirë”, ju herë pas here e bëni ndarjen, disa punë nuk e shmangin si domosdoshmëri “një vijë”, si kufi…

Unë kam dëshirë të merrem me natyrën, dhe të merrem shumë me modelin. E dua modelin. Kam dëshirë të punoj edhe figurativisht. I lë vetes pozicionin që të jem i vërtetë. A jam i vërtetë në çdo gjë që prek?! Kjo është me rëndësi për mua për të marrë një përgjigje. Edhe më përpara kam punuar portrete, peizazhe etj., të gjitha. Tani kam ardhur tek kjo gjë, hapësirë.

E kaluara gjithnjë shfaqet në të sotmen si sindromë, traumë, nostalgji, emocion… sa vazhdojnë të jenë brenda jush këto, si keni mbërritur tek çlirimi?

Absolutisht vazhdojnë të jenë brenda. Dua të harroj atë gjë, por kjo mbetet brenda nesh, kështu dhe në subkoshiencën e artistit. Por kjo e kaluar nuk dua që të më prishë punë. Nuk dua të jem hakmarrës. Ai që ka kaluar vuajtje nuk do që të vuajë edhe tjetri. Unë e quaj pikturën si ilaç, që mjekon. Kështu e ka poezia, muzika, teatri, të gjitha llojet e artit. Sigurisht që këto të frymëzojnë, të shkaktojnë emocione të brendshme.

Me cilat ngjyra vjen gjendja shpirtërore?

Piktori i prek të gjitha ngjyrat sipas emocionit, sipas ideve. Unë ngaherë dal si me të bardhë, të verdhë, jeshile, pikturoj qiellin. Ka pasur periudhë që bëja shiun. Artisti vetë zhvillohet në atë çfarë i bën përshtypje, gjithmonë bëhet shkak diçka dhe krijimi vazhdon.

Pas hapësirave të pikturës suaj, pyetja është për ngjyrat… si është jeta brenda tyre?

Është brenda. Është e natyrshme. Artist ngulmon të nxjerrë atë që ka brenda. Madje, dikush thotë se mjeshtri nuk mëson nxënësin por i tregon ato që di. Një profesor thoshte që ne jemi si lopa që hamë dhe përtypim. Brenda artistit janë të gjitha këto momente. Prandaj ai fillon sqaron gjithë kohës gjendjet. Artisti është shumë njohës. Po ç’është fantazia? Ato që ke parë hyjnë të gjitha në memorie… një qiell i fuqishëm, një det i fuqishëm! Edhe romani më i mirë ka pjesët e stuhishme. Kjo është jetësore.

Pse i keni “zhdukur” njerëzit nga piktura?

Është shumë vështirë të ndërhysh tek piktura dy herë. Njeriu nganjëherë është i pranishëm aty brenda. Është njerëzor, nuk është i stisur. Mundohem që ai të jetë i vërtetë. Kjo është e vërteta e Ali Osekut. Mendoj se nuk jam vetë i stisur, po ashtu dhe piktura ime. Kualiteti është gjë tjetër, diskutohet edhe mbas 100 vjetësh. Kjo është e bukura e artit.

Çfarë beson tek njeriu, se mbetet, edhe pse nuk e ke prezent, thoni që është i pranishëm?

Mund të mendoj se jam më i mirë, jemi më të mirë. Por nuk jemi vetëm ne. Dhe sido që të jetë jeta ia vlen për ta jetuar. Unë besoj, nuk jam dyshues. Kjo është shumë e rëndësishme për njeriun, të besojë. Më përpara kanë besuar tek guri, te sendet… Unë nuk shpall gjëra. Ndërsa tani besoj tek profetët, si Muhamedi që thotë: Unë nuk shpall gjëra, por përsëris profetët e parë. Nuk jam me idenë e sfidave, por e riciklimit të gjërave, ato më frymëzojnë mua. Që nga klasikët e deri tani komunikimi ka qenë përherë. Nëse pëlqej një tregim apo poezi kineze, indiane, japoneze, franceze etj., komunikimi tani është bërë më i shpejtë.

Në këtë mjedis është e vështirë të zgjedhësh, pasi informacionet vijnë pa fund. Mendoj se ardhja është në një kohë vlerash. A kam përfaqësuar kohën? Lajmëtarët kanë qenë të kohës, kjo ka qenë mendja. Kjo mbetet tek njeriu, tek i cili besoj.

Me intuitë njeriu kërkon përmes asaj që nxjerr si produkt. Ju jeni aktiv këto vite me ekspozita personale dhe grup. Tani në këtë moment kërkimet tuaja me cilën fazë të krijimtarisë suaj përkojnë, çfarë jeni duke kërkuar?

Po mësoj ta thelloj veprën. Ky është motivi i një artisti, të thellohet. Të mos jetë i sipërfaqshëm, të mos kënaqet me pak. M’u desh me këtë ekspozitë të punoj pak gjatë, ndërsa tani dua të qëndroj, të mendoj. Të reflektoj. Një shkrimtar thotë lexon 500 libra, nxjerr mijëra shënime dhe nxjerr 120 faqe. Artisti ka karakter. Është detyrë e artistit të thellohet. Çfarë realizon është gjë tjetër.

Atëherë çfarë e shtyn një krijues të shkojë në brendi të qenies?

E pafundmja, e mistershmja, mistikja, poetikja. Të merret me esencën e qenies. Niçja thotë se kur vjen një moshë e madhe duhet shumë energji të flasësh, të thuash gjëra, fjalë të reja. E rëndësishme është që artisti të merret me artin.

Ku e kërkoni pafundësinë…?

Te të gjitha ngjyrat, materialet që vë, substancën që krijoj…

Çfarë ka qenë e panjohur për ju deri tani?

Ka shumë të panjohura. Prandaj është kaq interesante arti. Artisti ka gjuhën e tij, prandaj është bukur. Nuk ka ndonjë shpjegim për këtë.

Si arrini tek thelbi?

Kjo më shtyn të shkoj në studio, kjo është e bukura përpjekja e vazhdueshme për të arritur tek thelbi, për të kapur të panjohurën. Ky është artisti, një usta i mirë, që shkon përditë në studio. Nëse ka vlera bëhet artist. Unë shkoj në studio, kam lënë një pikturë varur dhe e di që puna vazhdon mbi të… Dhe tabloja sikur mbyllet vetë, ky është momenti që i afrohesh atij thelbi derisa vjen koha tjetër, më tej, mbi një telajo tjetër… Dhe ti vazhdimisht kërkon!

A besoni se imagjinata e njeriut nuk ka fund?

Patjetër, çfarë ti sheh  në memorie. Çfarë e ngacmon më shumë imagjinatën time është fjala e mençur, emocioni, tingulli, poezia… Nëse nuk shpik diçka, varet si e thua. Asnjë i madh nuk mendon se kush vjen pas, por ama imagjinata vazhdon edhe nga artisti në artist, nga një kohë në tjetrën.

Në momentin që kjo imagjinatë në rastin e pikturës mbërthehet nga një kornizë, çfarë ndikimi ka në psikozën tuaj, si piktor i hapësirës?

Kornizën e kam problem. Sikur ma burgos pikturën. Normalisht piktura do kornizë se bëhet konvencion pastaj. Por, një kornizë nuk duhet t’i prishë punë pikturës. Korniza duhet ta shoqërojë pikturën. Një pikturë, shihet kjo edhe tek piktorët e mëdhenj, hyn në histori bashkë me kornizën.

Kur një piktor merr koncentrat nga natyra, imagjinata, në këtë rast e “censuron” frymëzimin, mendimin?

Artisti zgjedh, zgjedh… Bukuria është të jesh i lirë. Intelektualët e vërtetë janë të lirë. Piktori në këtë kuadër duhet të jetë sa më njohës, dhe ti pastaj zgjedh. Pra artisti i mençur zgjedh nga natyra, nga mendimi, frymëzimi, imagjinata. Nganjëherë ideja ikën para realizmit. Prandaj shpesh diskutojmë për rezistencën e vlerave edhe pas 100 vjetësh. Bukuria për mua është se merrem me pikturën dhe nuk hyj në garë me asnjë person.

Ajo që pëlqeni, është e bukur, ç’është e bukura nga ky kontekst për ju?

E bukura është e mira dhe anasjelltas. Gjërat banale nuk më pëlqejnë në vetvete. Dostojevski thotë se realja është më fantastike se fantastikja. Gjithë pyetja qëndron nëse më pëlqen edhe mua! Kur lexoj nga personalitetet unë mësoj, me çfarë më njohin mua ata, çfarë përzgjedh, çfarë më zgjojnë tek unë. Nuk ka qenë e rastësishme që shpesh piktori dhe poeti ishin bashkë në një.

Gjatë gjithë kohës nuk e ndani pikturën nga poezia, muzika dhe libri, ç’është kjo marrëdhënie te ju?

Ka aq gjëra të bukura në botë, për të cilat janë mundur personalitete të pafund të cilët unë dua t’i rrok. Këta janë miqtë. Ka një thënie të bukur Bahu, kur princat porosisnin punë tek ai: I kam të gjitha si fëmijët. Kam lexuar shumë, kam dëgjuar shumë muzikë dhe autorët e tyre më të mirë më frymëzojnë, por mendoj se i frymëzon të gjithë. Bukuria është si i ndien këto personalitete të librit, muzikës, pikturës etj. Shkalla e perceptimit dhe e ndijimeve për këto personalitete botërore është e rëndësishme. Vetëm artisti nuk mund të burgoset, i del fantazia jashtë bunkerit. Vazhdimisht përpiqem ta pastroj veten, ta iluminoj. Unë patjetër që e njoh jetën se kam bërë edhe burg, por nuk merrem me gjëra të rëndomta. Një artist duhet të punojë për të vërtetat e veta, që të reflektojnë edhe të tjerët. Kam edhe miq, kolegë që i ndjek dhe të gjithë dashje pa dashje hyjnë brenda veprës sime, krijojnë marrëdhënie me qenien time.

Gjithë rezultati i kësaj është dhe konsumi i veprës, çfarë ndodh me veprën tënde?

Bashkë me kolegët e mi, jemi ca burra të çmendur. Një filozof thotë se kur merresh me mendimin harron paratë. Arti do mbështetur. Mendoj se Shqipëria ka një klimë simpatike, ka natyrë të larmishme. Artistët duhen përkrahur. Këtu janë me talente, që ndihmon dhe natyra jonë, këtu bëhen të gjitha lule, pemët, bimësia është e gjallë… pra kemi klimë fantastike dhe jemi shkollë e Mesdheut. Ne realisht jemi Evropë. Arrij ta marr frymëzimin kudo.

Pëlqej piktorët e Evropës, kam shkuar atje, kam qëndruar për të parë çfarë po ndodh. Po ashtu kam shkuar në Amerikë siç ka thënë Cvajgu: Dil e shih një herë nga Amerika dhe India Evropën. Këto daljet janë për të parë dhe për të njohur se çfarë po ndodh. Por, sa herë kam dalë jashtë vendit, asnjëherë nuk kam shkuar me idenë që të rri atje. Unë jam shqiptar, gjeni im është këtu. Më pëlqen çdo gjë këtu. Këtu kam qiellin, ushqimin, natyrën, jetën time, por kjo nuk më ndalon të eksploroj edhe botën.

Ka një raport ironik me këto që po thoni se tërhiqeni shumë nga toka, ndërkohë jeni piktor i hapësirës?

Shtëpia ku rri, dhomat dy me tre, katër me tre, kjo jetë e mbyllur në kufijtë që quhet Shqipëria, më lind dëshira t’i shoh nga larg, të harroj çdo gjë, mos të mbetem rob i materiales, i këtyre kufizimeve.

Kur i ikën kësaj gjendjeje dhe vjen ajo që quhet proces krijues, çfarë ndodh?

Ai është art. Harron veten. Ky moment është piku dhe kur mbaron thua: Unë e bëra këtë?! Është gati e pashpjegueshme. Nuk është ideja se artisti i ka gjërat e ndara, të caktuara. Artisti i ka të gjitha qelizat e hapura… ky është perceptimi. Kështu artisti e bën botën, veten e vet duke qenë njëkohësisht pranë filozofisë, muzikës, librit madje këto të mësojnë si t’i vështrosh gjërat. Janë frymëzimi.

Kur morëm njoftimin për ekspozitën tuaj, menjëherë u krijua një hartë; brenda këtij viti tre piktorë si Gazmend Leka, Edi Hila dhe ju ekspozoni më vete. Gjithmonë keni ekspozuar bashkë…?

Për ekspozitën time shkak u bë Orion Shima. Ky më propozoi për një ekspozitë të përbashkët, me të dhe Gazmend Lekën. Unë pranova. Kam ekspozuar edhe me Gazin, po ashtu edhe me Hilën, pothuaj me të gjithë profesorët e Akademisë së Arteve. Normalisht ekspozoj me këta miq. Dhe qëlloi që nuk u realizua ajo ekspozita e përbashkët, atëherë e nisi Gazi, tani jam unë dhe më vonë do ekspozojë Orioni. Unë bëj ekspozitë me të gjithë, nuk kam asnjë lloj arsye tjetër, por shkak këtë vit ishte Orioni Shima. Sigurisht që ekspozitat bëhen në grup, por janë edhe personale. Këtu janë 20 punë dhe është ndryshe kur sheh një apo dy punë të bashkuar me të tjerë, dhe ndryshe kur ato qëndrojnë të gjitha bashkë në një ekspozitë personale. Kam plot punë të tjera pa shfaqur, këtë radhë i kam zgjedhur të gjitha punët vetë, dhe kurimin po ashtu. Nëse do kem nesër një kurator që më bën gati konceptin e ekspozitës jam dakord. Në studio bëj shoqërizimin e pikturave, sepse pikturat kanë shoqe, për mënyrën se si qëndrojnë bashkë.

Keni punë të tjera, të periudhës së fundit, dhe pse përzgjodhët këto për të ekspozuar?

Unë punoj çdo ditë në studio dhe patjetër që kam plot piktura të tjera, punë të fundit. Përzgjodha këto për të ekspozuar, sepse qëndrojnë më mirë më njëra-tjetrën.

Pa titull?

Nuk kam menduar tituj, doja të ishin të lira. Nuk dua të diktoj. Megjithatë, titujt normalisht vendosen. Mua më pëlqen propozimi i tjetrit dhe shumë mirë mund të të takojë ty për ta vendosur një titull. Siç janë edhe titujt e poezive, që e gjen diku tjetër.

Kaq poezi në mënyrë si e perceptoni krijimin, keni shkruar poezi vetë?

Kam shkruar, po për vete. Artistit kur i jepet mundësia për të bërë një pikturë, i lind dhe poezia, nevojë për ta shprehur me fjalë. Piktori ka nevojë të shprehet. Piktura kërkon paqe, ndërsa poezia kërkon llogore. Një poet nëse ndodhet në një vend ku ka bombardime, nxjerr bllokun dhe shkruan. Kurse piktura do hapësirë, telajo, dritën etj. Detyrat njësoj janë, është art. Besoj se ka shumë rëndësi të të pëlqejnë ato të vërtetat që edhe të të frymëzojnë.

Liria krijuese dhe epoka e teknologjisë, ju duket spekulative, apo si mënyrë shprehje?

Natyrisht që sot janë të hapura gjërat. Duke ardhur te teknologjia njerëzit gjejnë vendin e tyre dhe mjetin e tyre për t’u shfaqur. Filmi, video, instalacioni janë mjete për t’u shfaqur. Ashtu si dhe romani ka disa detyra atë psikologjik, historik etj. Bota i ka kaluar gjithë këto gjëra. Ajo që krijon ti, që është absolutisht e jotja, kjo është Bukuria primare. Këtë duhet ta kenë parasysh krijuesit e rinj. Kam parë shumë edhe kinema neoklasikët, neorealistët etj por origjinaliteti krijon intelektualin. Të gjitha janë prezent në këto gjëra. Por të gjithë përfundojnë te natyra. Di për një shkrimtar që ka bërë 400 km për t’u frymëzuar, dimër, verë shkonte te pyjet e Vjenës.

Po ju keni ndonjë vend ku shkoni, ku gjeni frymëzimin?

Po, e gjej në shkollë, ku jap mësim. Pastaj shkoj në studio, pi një kafe te Piaca, sepse aty afër kam edhe shtëpinë. Pra, rruga ime është Piaca, studio, shtëpi. Kur kthehem në shtëpi kam një gjë për të lexuar, ndonjë poet, shkrimtar, filozof…dhe bukuria është se nuk kemi kohë të marrim gjëra të zakonshme. Njeriu kur pyetet se kush është filozofi më i mirë, shkrimtari më i mirë, kineasti më i mirë, ti duhet të jesh i pranishëm në këto zhvillime.standard.al

 *Maj 2011, interviste me rastin e hapjes së të parës ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Rexhep Ferri: Tani po më tërheqin vetëm gabimet e bukura…
Ta themi këtu… midis nesh!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Aleksandër Morfov/”Nëse këtu më dëgjon dikush: Mos e vrisni Festivalin e Butrintit”
Shifrat tronditëse në diktaturë/Fëmijët pas telave më gjemba
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}