Monumentet e kulturës shqiptare në mëtejshmërinë e mbrojtjes dhe studimit të tyre – akademiku Emin Riza është nga specialistët që na shfaqet me aktiv në çështjet e monumenteve, ku këtë herët ndalet në shkatërrimin e pas ’90-ës të institucioneve të monumenteve, dhe për pasojë si janë dëmtuar vlerat orgjinale, e quan të pavend heqjen e kujdestarëve, si dhe problematikë e rëndë vazhdon të mbetet përgatitja e specialistëve, njerëzve me kualifikimin e duhur për trashëgiminë
Ak. Emin Riza
Në historinë e çdo populli veçanërisht atyre si të popullit shqiptar, tejet të lashtë dhe problematik në ruajtjen e identitetit kombëtar, vlerësimi i monumenteve shfaq përparësi thelbësore. Vlerat e tyre historiko-kulturore, gjerësisht të përhapura në hapësirë dhe në kohë, përfaqësim unik të tipareve thelbësore jetësore, janë dëshmi e prekshme vlerash autentike historiko-kulturore.
Është rasti për të ritheksuar pohimin e personalitetit të njohur ndërkombëtarisht, të nderuarit Xhevat Erder, ish drejtues i Qendrës Ndërkombëtare të Vlerësimit të Monumenteve, i cili më pat pohuar në vitin 1980 gjatë shoqërimit të tij në Shqipëri: Qendra e Ndërkombëtare e Vlerësimit të Monumenteve nuk duhet të jetë në Romë, por në Tiranë. Shkurtas theksojmë se në vitin 1962, vitin e parë të përfundimit të Universitetit të Tiranës, pas takimit të drejtorit të Qendrës Ndërkombëtare të Vlerësimit të Monumenteve, Gani Strazimiri me kreun e shtetit shqiptar, ai siguroi marrjen e tre kuadrove me formimin universitar në institucionin që drejtonte. Është fjala për inxhinierët Aleksandër Meksi, Emin Riza dhe Pirro Thomo. Sot tashmë studiues profesionistë dhe restaurator i arkitekturës popullore shqiptare e vlerësoj theksueshëm këtë ndarje, besoj unikale e cila njihte vetëm cilësorin restaurator arkitekture.
Ndarjen e specialitetit të vlerësimit të monumenteve të arkitekturës, siç tregon rasti shqiptar ishte zgjidhja më racionale me rrafshet studimore dhe vlerësuese më gjerë. Kjo ndarje rriste dukshëm shkallën e profesionalizmit mbi bazën e gjinisë ndërtimore, me pasoja të drejtpërdrejta pozitive me shkallën dhe mënyrën e ndërhyrjes restauruese. Arkitekt Gani Strazimiri, na ndau të treve sipas fushave të ndërtimeve të kultit Aleksandër Meksi, arkitekturës popullore Emin Riza dhe ndërtimeve shoqërore Pirro Thomo. Është rasti për të theksuar se restauratori domosdoshmërisht duhet të jetë njohës i kategorisë ndërtimore, prej së cilës ngarkohet për ndërhyrje restauruese. Kufizimi llojësor i gjinive ndërtimore për ndërhyrjen restauruese prej specialistësh adekuatë, është një praktikë unikale e realizuar vetëm në hapësirën shqiptare. Më tej, dukurisë mbarështetërore, në hapësirën europiane dhe më gjerë, për përzgjedhjen e specialistëve të fushës së restaurimit, ka gjetur zgjidhje racionale me pranimin e punonjësve të rinj teknikë ndërtimi, apo dhe inxhinierë, të cilët së pari janë ngarkuar me veprimtari përnjohëse dhe dokumentuese grafike, përshkrimeve dhe fotografike të monumenteve.
Shkurtas formimi profesional i këtyre kuadrove të reja përgjithësisht arrihet me punë dhe nëpërmjet saj, gjithë duke qenë institucionet organizative të specialistëve të fushës, themeli i veprimtarisë restauruese, pra dhe shkollimi specifik i tyre. Brezi i parë i restauratorëve shqiptarë, ndarë sipas gjinive të monumenteve, është arritje thelbësisht pozitive e veprimtarive kulturore në Shqipëri, madje me konsiderime të spikatura institucionesh profesionale, brenda dhe jashtë vendit. Veprimtaria restauruese e gjinive të ndryshme të monumenteve, kuptueshëm i shoqëruar me studime dhe botime, në tre fushat kryesore të veprave ndërtimore të së kaluarës në kombin tonë. Kuptueshëm restauratori i një gjinie ndërtimore është së pari studiues, pra njohës, madje i theksuar i kësaj gjinie. Theksojmë se restaurimi nuk është thjesht veprimtari ndërtimore përforcuese, por gjerësisht vlerësuese në mbarë përbërësit e një vepre arkitekturore.
Lidhur me kuadrin restaurues, theksojmë ngultas se mënyra e kuptueshme e institucioneve specialiste formues të kësaj fushe në rastin e shteteve krahasimisht të vegjël, përmbushet sipas kërkesave profesionale në institucionet e veçantë të ngarkuara me vlerësimin e monumenteve, pra gjurmimit, dokumentimit, përzgjedhjes së vlerave të spikatura, restaurimit dhe studimeve e botimeve përkatëse. Rrëzimi i enverizimit apo bolshevizmit të skajm, në 1990, papritur dhe për specialistët e fushës së vlerësimit të monumenteve, pa kuptuar pruri një goditje tejet të rëndë, madje asgjësuese të një sistemi të formuar rreth 30-vjet më parë. Padia e drejtuesve të rinj pa asnjë formim profesional të fushës së vlerësimit të monumenteve, pruri veprime thelbësisht kundër arritjeve madhore tre dhjetëvjeçare në këtë fushë problematike. Shkurtas, por thellësisht, pas vitit 1995 prej drejtuesve të rinj u krijua një numër i përfillshëm veprimesh tërësisht negative të cilat përmbysën arritjet madhore, duke i zëvendësuar kriteret udhëheqëse për vlerësimin e monumenteve me improvizime thelbësisht diletanteske, pra rrënuese për vlerat unikale të monumenteve.
Konkretisht pas vitit 1990, gjashtë ndërhyrje thellësisht dëmtuese për arritjet në fushën e vlerësimit të monumenteve në Shqipëri, prunë një gjendje qartas shkatërrimtare për të ardhmen e vlerave unikale të monumenteve, dëshmive të prekshme historiko-kulturore shqiptare. Po rreshtojmë gjashtë veprimet e përmendura të cilat shfaqin veprime thellësisht dëmtuese për të ardhmen e monumenteve në Shqipëri, të cilat ende sot e kësaj dite, pas tre dhjetëvjeçarësh, janë në fuqi. Së pari përmendin mënjanimin e plotë të rrjetit të kujdestarëve të monumenteve në mbarë hapësirën e shtetit shqiptar, një masë thelbësisht negative për ruajtjen e tërësisë të vlerave arkitekturore dhe teknike të veprave të shquara monumentale. Vendimi për kriteret e përzgjedhjes së drejtuesit të IMK brenda bashkësisë së punonjësve të Institutit, tejet e rëndësishme për ecurinë e institucionit të vetëm profesionist, duke mënjanuar praktikën e përzgjedhjes së drejtuesit prej stafit ekzistues është një goditje e rëndë për të ardhmen e menaxhimit të vlerave të pazëvendësueshme historiko-kulturore shqiptare në Shqipëri.
Ulja e ndjeshme e fondeve për restaurimin e monumenteve përherë në rritje të kërkesave për ndërhyrje restauruese hap rrugë për shpejtimin e procesit të dëmtimeve, në shkallë të ndryshme të vlerave origjinale të pazëvendësueshme të monumenteve. Kuptueshëm dëmtimet e shkallëve të ndryshme të monumenteve, vinë në rritje dhe kërkojnë kuptueshëm rritjen e fondeve mirëmbajtëse. Përndryshe dëmtimet e vijueshme bien në humbjen me rritje të vlerave origjinale të monumenteve, të cilat janë të pakthyeshme. Vlerat e veprave monumentale kuptueshëm janë dëshmi autentike historiko-kulturore dhe si të tilla krahas restaurimit shoqërohen me studime të vazhdueshme, kuptueshëm me botime përkatëse. Mbyllja e revistës themelore për pasqyrimin e kategorisë monumentet shqiptare, “Monumentet”është vijimësi qartazi negative, me pasoja njëherazi të thella dhe të gjera. Kuptueshëm në vendet Europiane, në shkallë të ndryshme zhvillimi kulturor, ekzistojnë institucione arsimimi për fushën e vlerësimit të monumenteve, krahas vetë institucioneve të ngarkuara me mirëmbajtjen e këtyre vlerave.
Këto marrëdhënie, madje ekzistuese edhe në periudhën e bolshevizmit të skajmë në Shqipëri, tashmë janë ndërprerë krejtësisht, kuptueshëm me pasoja qartazi negative. Së fundmi theksojmë se kriteret e njohura për ndërhyrjet restauruese, të cilat synojnë ruajtjen e gjendjes origjinale të monumenteve, dukshëm nuk ndjekin rregullat, në shkallë ndërkombëtare dhe shqiptare, duke i lënë shpesh vend diletantizmave, kuptueshëm dëmtues të vlerave të monumenteve. Në këto kushte problematike, sepse drejtpërdrejtë ndikuese në rrënimin e pakthyeshëm të vlerave origjinale, pra autentike të monumenteve, është urdhërues ndërmarrja e një sërë masash prej shtetit shqiptar, për rivendosjen e kritereve të njohura për vlerësimin e monumenteve në Shqipëri. Konkretisht, duke mbyllur këtë artikull tejet të rëndësishëm, po parashtrojmë masat konkrete për tu marrë sa më parë prej institucioneve përkatëse në fushën e vlerësimit të monumenteve të kulturës në Shqipëri:
1-Kreu i institucionit të monumenteve duhet të zgjidhet prej punonjësve të IMK, apo atyre që tashmë kryejnë funksione jashtë kategorisë së monumenteve, duke pas ushtruar më parë këtë funksion.
2-Riorganizimi i kontrollit të vijueshëm për gjendjen ndaj monumenteve, duke ringritur rrjetin e kujdestarëve.
3-Parësia dhe vijueshmëria e ndërhyrjeve mirëmbajtëse ndaj monumenteve në hapësirë dhe kohë, kusht primar për ruajtjen e origjinalitetit të këtyre dëshmive unikale historiko-kulturore.
4-Kodifikimi i kritereve për emërimin e kuadrove të reja të restauratorëve në lloje të ndryshme monumentesh.
5-Vijimësia e kontrollit të gjendjes së monumenteve, dhe e ndërhyrjeve mirëmbajtëse, thelbit të restaurimit.
6-Angazhimi për mbrojtjen ligjore dhe restauruese të monumenteve shqiptare në shtetet rrethues të Shqipërisë.