Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka nxjerrë më në fund konkluzionet për analizën e tregut me shumicë të terminimi të thirrjeve në rrjetet celulare. Por, siç po ndodh gjithnjë e më shpesh me AKEP, lajmi, në fakt, është se nuk ka asnjë lajm të ri.

Ky institucion thjesht ka lënë në fuqi tarifat aktuale të terminimit të thirrjeve të telefonisë celulare, pa kthyer asimetrinë mes operatorëve, ndërsa nuk ka vendosur asnjë ndryshim në masat e tjera rregullatore.

Albtelecom kishte kërkuar kthimin e asimetrisë së tarifave të terminimit, në përputhje me pjesën e tregut të secilit operator, duke përcaktuar tarifa më të larta për Albtelecom Mobile dhe Telekom Albania krahasuar me Vodafone Albania.

Albtelecom kërkonte gjithashtu që detyrimi për të aplikuar tarifa të njëjta për thirrjet dalëse, brenda dhe jashtë rrjetit, të qëndrojë vetëm për operatorin me fuqi të ndjeshme në tregun me pakicë, Vodafone Albania, ndërsa të hiqet për dy operatorët e tjerë.

Heqja e këtij detyrimi për operatorët që nuk kanë fuqi të ndjeshme në tregun e pakicës është rekomanduar edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

Por, AKEP nuk ka marrë parasysh asnjë prej këtyre propozimeve. Tarifa e terminimit të thirrjeve kombëtare qëndron 1.11 lekë për të tre operatorët, ndërsa detyrimi i mosdiskriminimit për thirrjet on-net off-net ngelet në fuqi për të gjithë.

Siç pohon AKEP në analizat e veta, Vodafone ka qenë historikisht përfitues neto në vlera të mëdha nga pagesat e interkoneksionit midis tre operatorëve.

Ndërkohë,  Albtelecom ka qenë operatori që ka pasur të ardhura neto negative gjatë gjithë kohës së aktivetit, përfshi vitet kur ka përfituar asimetri të tarifave. AKEP në analizën e vet pranon se asimetria në favor të Albtelecom Mobile ka qenë më e ulët se ajo që rekomandon Grupi i Rregullatorëve Europianë (ERG).

Terminimi ndërkombëtar nuk rregullohet

Gjithashtu, AKEP ka vendosur përfundimisht të mos rregullojë tarifat e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare hyrëse. Rregullimi i tarifave ndërkombëtare hyrëse është një rekomandim i Autoritetit të Konkurrencës, që argumenton se të ardhurat e mëdha nga terminimi ndërkombëtar krijojnë mundësinë që operatori me fuqi të ndjeshme në tregun me pakicë të subvencionojë tarifat e shërbimeve kombëtare me pakicë.

Megjithatë, vendosja në rregullim e terminimit ndërkombëtar u kundërshtua në këshillim publik nga të tre operatorët dhe AKEP vendosi përfundimisht lënien në derregullim të këtij tregu, “për shkak të zonës gjeografike të rregullimit jashtë territorit të RSH dhe me efekt negative te të ardhurat e operatorëve dhe buxhetit të shtetit dhe pa efekte reale te çmimet me pakicë të shërbimeve të operatorëve celularë te përdoruesit e këtyre shërbimeve”.

Përqendrimi i tregut po rritet

Në tërësinë e tyre, vendimet e AKEP, favorizojnë status-quo-në në tregun e shërbimeve celulare dhe përfituesi kryesor është operatori dominues, Vodafone Albania. Operatori Vodafone Albania ka forcuar pozitën dominuese në vitet e fundit, me pjesë tregu që varion nga 47% sipas numrit të përdoruesve aktivë, deri në 55% e matur sipas të ardhurave me pakicë.

Tregu i shërbimeve celulare në Shqipëri po bëhet më i përqendruar dhe më pak konkurrues. Kjo tendencë është e kundërt me trajektoren e përgjithshme të tregjeve europiane, ku në 20 vitet e fundit përqendrimi i tregjeve është në rënie të vazhdueshme.

Treguesi kryesor që mat përqendrimin e tregut, indeksi HHI ka arritur në 3900 i matur sipas numrit të përdoruesve, ndërsa për shumicën e shërbimeve të tjera, si edhe për totalin e të ardhurave është edhe më i lartë, sipër nivelit 4000. Sa më i lartë të jetë ky indeks, aq më i përqendruar dhe, në teori, më pak kompetitiv, është tregu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Debati mbi oksidentin/Si dështoi në ‘34 projekti i Mbretit Zog për kabinetin e “të rinjve”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}