Letra ekskluzive / Miqësia e rrallë e Amik Kasoruhos me Robert Shvarcin, si u plotësua amaneti i përkthyesit për “Vargjet e pluhurosura”, letra e plotë, që Kasoruho ma dergoi ne posten elektronike (V.Murati), maj 2014,  mbi projektin e poezive…

Çka thoni për projektin për botimin e poezive të Shvarcit është e saktë. Projekti u paraqit prej meje, por më vonë u tërhoq, sepse, siç thoni se ju ka thënë edhe zonja Shvarc, puna ishte me një vëllim të atillë që nuk lejonte të paraqitej libri brenda afateve të kërkuara nga Ministria e Kulturës.

Pavarësisht se projekti për financimin e librit është kërkuar të tërhiqet, kjo nuk do të thotë se libri nuk do të përgatitet. Për këtë po punon i biri, Edvin Shvarci dhe unë. Është çështje kohe.

Me pyetni pse tani ky botim. Për dy arsye fare të thjeshta: para shembjes së diktaturës as që mund të mendohej të botohej një vëllim me poezi lirike që nuk përshkoheshin aspak nga rryma që kërkonte realizmi socialist. Vjershat e Shvarcit janë shprehje lirike të një jete që e ndiente trysninë e një shoqërie ndrydhëse. Arsyeja e dytë, se poezitë nuk kanë qenë kurrsesi të sistemuara.

Projekti i vëllimit të poezive përfshin një përzgjedhje të poezive të shkruara, duke filluar që nga vitet e rinisë së hershme, domethënë andej nga viti 1955 dhe deri pak kohe para se të vdiste në vitin 2003.

Sa qe gjallë nuk ka mundur t’i botonte, pikërisht pse arsyet e mësipërme. Ka botuar vetëm 4 apo 5 vjersha.

Vëllimi që mendohet të botohet është i pari me poezi i Robert Shvarcit, që lexuesit e njohin vetëm si përkthyes. Poezia e tij ka për të qenë një risi e beftë. Ajo është e ngrohtë e plot ndjenjë.

Unë kam ruajtur një pjesë të vogël të krijimeve poetike të Shvarcit. Një pjesë të tyre, ia pata kthyer nga fundi i viteve ‘90 dhe ai i ka ruajtur ashtu siç ia pata kthyer unë, me shënimin “Amikut, nga veprat e mia postume”.

Ju keni pasur rast të shkruani edhe më përpara për miqësinë tonë. Ishte një miqësi do të thosha e pazakonte, fisnike, e pastër dhe që i duroi tallazeve të jetës. Një miqësi që – e them pa frikë se lajthis – i kishte të rralla shoqet.

Poezitë e tij, ashtu sikurse edhe përkthimet e tij mjeshtërore, Shvarci i ka punuar gjithmonë në mbrëmje apo natën. Ditën duhej të punonte për të fituar kotheren e bukës.

Ma do fort zemra që botimi i poezive të panjohura të Robert Shvarcit të mundësohej nga Ministria e Kulturës.

Ky është një synim i kahershëm imi, gjë që e kam shkruar edhe më përpara në ndonjë gazetë.

Por, siç ju thashë, meqë materiali mendoja se nuk do të mund të përgatitej në kohën e duhur, unë i kërkova zonjës Miranda Haxhia, e cila punon në Ministrinë e Kulturës, ta tërhiqte projektin. Por ajo nuk e ka bërë diçka të tillë dhe ka këmbëngulur në mendimin se krijimtaria me vlerë e një njeriu si Robert Shvarci nuk i përkiste vetëm njerëzve të tij të afërt, por kulturës dhe letërsisë shqiptare. Me duhet ta pranoj se ka të drejtë. Projekti pra nuk është tërhequr dhe mbetet i depozituar në ministri. Puna për seleksionimin dhe përgatitjen për botim të poezive të Robert Shvarcit po vijon dhe do të çohet deri në fund. Materiali i përpunuar prej meje do t’i dorëzohet familjes Shvarc, e cila ka të gjitha të drejtat të vendosë në lidhje me përzgjedhjen dhe me kushtet e botimit. Uroj të mund ta bëj brenda muajit mars. Më 25 prill bie përvjetori i tetë i vdekjes së mikut tim të rrallë.

Ju përshëndes miqësisht

Amik Kasoruho

6 maj, 2014

Shvarc & Kasoruho/ Miqësia që u fsheh në diktaturë, si protestë

Në maj të 2014,  për herë të parë, “standard” ka publikuar dy poezi, që përkthyesi Robert Shvarc ia kushtoi shkrimtarit, mikut të tij, Amik Kasoruho, kur u largua nga Shqipëria në vitin 1991; dhe një përgjigje poetike për miqësinë shkruan Kasoruho. Dedikimet poetike të shkrimtarëve për njëri-tjetrin, ku gjurmë lë shpirtërorja e miqësisë, njihen shumë në letërsi – Shvarc&Kasoruho janë përtej kësaj poezie, një grup miqsh në Tiranën e viteve të diktaturës, që nuk njohën ndarje për 60 vjet, duke na dhënë epigramin, thjesht; një shpirt i madh për miqësinë

Miqesia mes Robert Shvarc, Amik Kasoruho dhe katër shokë të tjerë që iu “fshehën” diktaturës në rininë e tyre, duke protestuar me miqësi, në një vlerë shpirtërore që i ngjan unikes, është e vështirë të besohet nëse nuk rrëfehet. Se si ndodh ky rrëfim është i dëshmuar në shumë shkrimtarë edhe të huaj, ku shenja e vlerës së madhe të një miqësie shpesh ka qenë në vargje poetike. Kështu ndodhi kur në 1991, Amik Kasoruho u largua nga Shqipëria. I pari që ndjeu largimin e mikut ishte përkthyesi Robert Shvarc, duke e kthyer menjëherë në poezi, jo thjesht ndjesinë, por vendin që lë një njeri në miqësi. Sinqeriteti i Shvarcit është krejt i dukshëm, ku lirizmi rrjedh natyrshëm si në vargjet eseniane me një lamtumirë të dhimbshme, por edhe entuziaste për kohën, njeriun dhe sidomos në një metaforë të padukshme, rinie. Ndalet Shvarc në këtë kujtesë, për të na lënë një simbiozë emocionesh se si rrjedh koha përkundër, kur miqësia kalon edhe caqet e vjetëve.

Një poezi e ndjerë, që padyshim i ka rënë të presë gjatë miku i tij, Amik Kasoruho, deri në një rikthim të shenjës – ç’ndodh jo vetëm në një botë shkrimtarësh, por edhe në ekzistencën e qenies, çfarë përmasash merr njeriu kur dëshmohet si thesar.

Këtë tejkaluan të dy miqtë. Dhe për këtë arsye, Shvarc ka marrë përgjigjen poetike nga Amik Kasoruho në poezinë “Mall”.

Se çfarë ka qenë kjo miqësi për ta, në albumin fotografik “Një kalvados me Robert Shvarcin” të realizuar nga fotografi Roland Tasho, në hyrje shkrimtari Amik Kasoruho ka shkruar ndër të rrallat reflektime me përkthyesin që u nda nga jeta në prill 2003. “Jemi njohur, Roberti dhe unë, në vitin e largët 1944, në klasë të parë të gjimnazit të Tiranës. Jemi ndarë tri herë nga njëri-tjetri: kur mua më futën në burg, kur ika nga Shqipëria dhe kur u nda ai nga kjo botë. Pak, po të mendosh se kjo miqësi zgjati gjashtëdhjetë vjet dhe shumë për ne, që nuk bënin dot pa njëri-tjetrin”. Sinqeriteti i Kasoruhos, siç shihet nga citimi i mësipërm, por edhe sinqeriteti i poezisë së Shvarcit të zhysin në një botë që të ndjell perceptime të kundërta. Sigurisht që mes këtyre dy miqve, poezia, letërsia nuk është fillestarja pse janë tok, në të njëjtin sinqeritet, në të njëjtën trajtë jete për shoqërinë. Të dyja poezitë zbulojnë hyjnoren e një miqësie të madhe, si vazhdimësi e një kulture që ndodh në të rrallë njerëz. Miq të afërt të Kasoruhos dhe Shvarcit na kanë treguar se grupi i tyre ka qenë një rastësi e madhe, për jetët e tyre, duke e ruajtur miqësinë për gjashtëdhjetë vjet, në të njëjtin intensitet, me të njëjtat emocione rinie, ndonëse fati i ka shpërndarë dhe fatkeqësia i ka ndarë nga njëri-tjetri.

Në veçanti, midis Shvarcit dhe Kasoruhos rivjen ky simbol miqësie duke u konsideruar nga të dy si vlerë, respekt ndaj vetes dhe të tjerëve, një dashuri për të vërtetën, një vetëdije e të qenit i lirë brenda tyre, “miqësi e dëlirë, që i ka duruar të gjitha provat e kohës”, thotë Kasoruho. “Por miqësia me një njeri të veçantë përmbyll një të mirë dhe një të keqe: e mira është se ndoshta edhe pa u kujtuar, fillojmë e jetojmë në simbiozë me vlerat që nuk i gjen rëndom ndër njerëzit e tjerë; e keqja është se kur ai nuk jeton më, nis e krijohet një përshtypje pafuqie, një ndjesi zbrazëtie, gati-gati një vetëdije e çuditshme se, edhe në bëfshim përpara, do të na mungojë siguria që ndienim pranë njeriut të veçantë. Siguria që rrezatohet nga personaliteti i tij”, – ka shkruar Kasoruho për Shvarcin.

Vetëdija e tyre ka qenë në një thellësi psikologjike, si nevojë jete për të qenë pranë njerëzve për të marrë të bukurën e saj. “E bukur, sepse pranë tyre mund të zbulosh vlera që ndryshe do të mbeteshin të panjohura dhe që i japin vetë jetës një kthesë të vlertë, sepse na edukojnë ndjeshmërinë ndaj të bukurës dhe të ndertës, dëshirën për ta pasuruar jetën gjithmonë e më shumë, aftësinë për të dalluar të natyrshmen nga shtirja. Dhe këto krejt natyrshëm, thjesht me shembullin e jetës së tyre. Këtë dinte ta bënte Shvarci”, është një filozofi e gjallë, e jetuar, kjo fjalë hyrje e Kasoruhos në krye të albumit të Tashos pas vdekjes së Shvarcit. Kasoruho dhe Shvarc kishin kuptuar botë, njerëzit dhe jetën e tyre duke marrë nga njëri-tjetri dhe duke na dhënë neve në një simbolikë dashurie miqësinë e tyre në vargjet e mëposhtme; dy njerëz që rrëfejnë miqësinë me shpirt të madh.

6 maj 2014

Vargje lamtumire për një shok rinie

(për A.K.)

Nga Robert Shvarc

Ne vetëm ëndrra kishim – asgjë tjetër!

Ende të shkurtra i mbanim pantollat,

Dhe na pëlqente ai kushtrimi i vjetër:

Si shqipet lart – e jo rrëshqan si bollat.

Na i copëtuan ëndrrat, na i vranë.

S’e hidhnim këmbën dot mes gjarpërinjsh.

Dhe vanë ditët, vitet… e na lanë:

Temjan mortor e flakërim qirinjsh.

Tashti sikur dhe botën të na e falin,

S’na duhet më – ja kthejmë prapë Mizorisë!

Asgjë, asgjë s’na e shuan dot më mallin

Për të pafajmet ëndrra të rinisë.

Ne vetëm ato kishim – asgjë tjetër!

Ende të shkurtra i mbanin pantallonat,

Hovet dhe shpresat dhe besën e vjetër

Drejt qiellit i lëshonim si balonat…

Tashti po ikën… Më ti s’do të kthehesh!

(As ty s’t’i kthyen vitet e kaushve!)

Me vlagën e atdheut më s’do të dehesh –

As kaq s’të la ty trilli i “Perëndive”!

“Drita”, maj 1991

         Mall

(Për Robert Shvarc)

Nga Amik Kasoruho

…I lodhur endem sot në vend të huaj,

nuk ma kuptojnë fjalën ndaj dhe vuaj

dhe nis të shkruaj, siç kam bërë kahmot.

Zërat e jetës lashë aty te ty:

heshtjen kam marrë. Më ngjajnë të tjerë yj

që lodhen t’më ndrijnë shtegun. E kanë kot…”

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Letërkëmbimi i panjohur me Androkli Kostallarin/ Një vit para pushkatimit, Genc Leka kërkoi të bëhet bashkëpunëtor në Institutin e Gjuhësisë, por…
Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Legjenda Uran Kostreci, u dënua tre herë, vuajti: 22 vjet, 10 muaj, 6 ditë
Mërkur Bua Shpata/ Si ndryshoi historinë e Zvicrës me 300 kalorës shqiptarë
Një Itali e dytë me emrin Lukania!
Spiunët e mediave
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>