…Ja një qëllim që duhet dëshëruar

Me gjithë shpirt. Të vdeç – të flesh; të flesh?

E ndofta t’ëndërrosh! Ah, këtu ngec;

Se ç’ëndrra shohim n’atë gjumë-vdekje,

Pasi na shkundet kjo pështjellj’ e mortme,

Kjo frikë na qëndron; ja arësyja

Që aq e zgjat një jetë me mjerime;

Me zërin e tij të spikatur, që u ka dhënë jetë roleve legjendare në teatër dhe televizion jetëson mëdyshjet shekspiriane të Hamletit.

Nuk është një projekt i ri teatri apo televiziv, por një monolog që aktori i njohur, fitues i çmimit Oscar dhe një sërë të tjerësh prestigjiozë, e solli si gostitje për miliona ndjekësit e tij në Instagram dhe Twitter. Hopkins, i cili prej kohësh poston video ndërsa luan në piano, bashkë me macen e tij, zgjodhi në këto kohë shtrëngese shkaktuar nga pandemia pyetjen e madhe për jetën dhe vdekjen “Të rrosh a të mos rrosh?” Kjo është çështja dhe kjo ka qenë gjithherë.

Vetëm pak muaj më parë, aktori që do të mbushë 83 vjeç natën e ndërrimit të viteve, deklaronte në një intervistë se ndihej “me fat” që ishte gjallë dhe me shëndet, por kishte “edhe një ndjenjë paqeje” rreth afrimit të vdekjes. “Ka një liri të hatashme, sepse nuk ka asgjë që mund të bëj rreth kësaj”.

Në një intervistë që shënjonte 60 vjetorin e tij në ekran, aktori rrëfente se e kishte pranuar “të pashmangshmen”, megjithëse theksonte se nuk kishte plane të ikte, ende. “Jeta është e fundme.  Është një gjendje e fundme, nuk mund të ikësh nga planeti i gjallë. Me këtë realitet ka një liri të madhe, një paqe të mrekullueshme. Mbaj mend kur ime ëmë po vdiste, ajo ishte përmbushur”. 

Ylli nga Uellsi, që tashmë jeton në Los Anxhelos, hapej rreth ndjesive për të diskutuar rolin e fundit si një njeri që vuan nga dementia, në një betejë të fuqishme me të bijën, interpretuar nga Olivia Colman. Roli i tij tek “Babai”, i cili doli në kinema në janar, shënjoi edhe 60 vjetorin e karrierës. Anthony është një personazh në një trill imagjinar, që ekziston në një dramë të botës së vërtetë. Ai mendon se ndriçohet në një moment dhe në një tjetër ai vë në pikëpyetje natyrën  ekzistencës së tij. Hopkins debutoi më  1960, në serialin e BBC-së, “Çështje grade”

Roli i tij më legjendar, si kanibali vrasës Hannibal Lecter në filmin “Heshtja e qengjave”, më 1991-shin, erdhi  në gjysmën e jetës së tij profesionale.

Me atë rol ai u vlerësua nga Academy Award me një “Oscar” si Aktori më i Mirë, duke vulosur pozitën e tij si një nga antagonistët më të mirë të të gjithë kohëve. Por me moshën,  duket se Hopkins është zbutur dhe ka përqafuar role me dashamirës. Më 2019-n ai interpretoi Papa Benediktin XVI, në filmin e Netflix “Dy Papët”, për të cilin u kandidua për Oscar,  Bafta dhe Golden Globe.

Fokusi tek personazhi i fundit dhe marrëdhënia me të bijën e bëri të lidhje edhe më shumë me emocionet, diçka që e pranon se e ka mësuar ta bëjë në një etapë më të vonë të jetës.

Ai vetë ka një marrëdhënie të krisur me të vetmen fëmijë të tij, muzikanten Abigail, 52 vjeç. Dikur zbuloi se nuk kishte folur me të për 20 vite dhe nuk interesohej nëse ajo kishte apo jo fëmijë. “Nuk jam i ftohtë”, ngulte këmbë në një intervistë të dy viteve më parë. “Zgjedhja e saj, është zgjedhja e saj. Kam bërë më të mirën ç’munda, por mendoj se nëse dikush nuk do të jetë pjesë e jetës sime, në rregull”.

Por Hopkins  ka zbuluar se i përqafon më shumë ndjenjat e tij tani,  diçka që dikur e shihte si dobësi. “Ende vihem pak në siklet nëse shoh burra që qajnë, e megjithatë qaj fare lehtë vetë”.

Thotë se e përndjek poema e T.S. Eliot, “Kënga e Dashurisë së J. Alfred Prufrock”. “Ai thotë në fund:  “…plakem, plakem. Duhet t’i vesh fundet e pantallonave të përveshura”.

Dhe kur e shoh këtë…përlotem. Nuk është melankolia, as depresioni, është fakti se kam pasur jetë të jashtëzakonshme. Duke i bërë bashkë të gjitha fijet dhe cohërat e jetës sime tani, e shkuar është shumë e tashme për mua –prindërit e mi, im atë që punoi fort gjatë gjithë jetës, ime ëmë, gjyshërit e mi. I  vendos të gjitha fijet tek unë dhe as nuk mundem ta përshkruaj, por ka një vendndodhje në kokë që më kthen pas, në Uells.Ka një efekt tejet  të fuqishëm tek unë, sepse kuptoj se jam atje tani dhe nuk trembem, as kam frikë”.

****

Se kush duron përbuzjen dhe kamçikn’ e botës,

Zullumn’ e shtypësit, përdhunën e krenarit,

Lëngimn’ e dashuris’ së papërfillur,

Vonimn’ e ligj’s, goj’-çthurrjen e zyrtarit,

Dhe shkelmet, që çdo vlerë zemërgjërë

Nga të pavlershmit merr, kur munt ta lajë

Hesapin fare me një copë thikë?

Kush vallë barra mban e kush dërsin,

Rënkon nënë një jetë të mërzitur,

Po vetëm tmer’ i asaj diçka pas vdekjes –

Vendit të pazbuluar, nga s’ na kthehet

Kurr’ udhëtari – na trullos vullnetin,

****

Hopkins, i ka kaluar këta muaj në izolim, në shtëpinë e tij në Los Anxhelos dhe shqetësohet rreth ndikimit që covid-19 ka pasur tek njerëzit.

“Ndodhi që lexova diçka rreth depresionit në rritje në të gjithë botën… të çfarëdo moshe, por të rinjve  u janë thyer ëndrrat. Njoha së fundi dikë që kreu vetëvrasje dhe kuptova sesa me fat jam. Kam çastet e mia të depresionit apo melankolisë, por jeta ime nuk ka qenë asfare  e ashpër. Çdo disa minuta, dikush po vdes sepse nuk munden ta durojnë dhimbjen e jetës. Por jeta është e dhimbshme.  Kur kreva një forum aktrimi vitin e shkuar, u thashë atyre fëmijëve: “Jeta është plot dhimbje. Nuk është e gjitha pasion. Kjo më emocionoi. Mendova:  Jemi krejt të pafuqishëm.” S.B (gazeta Si)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Filmi i socializmit
Magazina e “Nëntorit”
Manipulimet dhe propaganda në filmat e komunizmit
Kupa DEA për Goran Paskaljeviç (post mortum)
Pse regjisorët i shqetëson e shkuara?!
Kupa Dea shkon në Gjeorgji

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}