Ka reaguar ne rrjetin e tij social, ne facebook, edhe artisti me njohje nderkombetare, i arteve pamore, Adrian Paci, duke u shprehur per deformimin qe ka pesuar mjedisi yne kulturor, ku i referohet ceshtjes qe ka shperthyer ne media, pas publikimit te artikullit te Auron Tares qe atakon dy personalitetet me te rendesishem te kultures shqiptare, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, te cilet ne diktature u mohuan totalisht, nderkohe qe jeta e tyre, letrare dhe veprimtaria kombetare (sidomos Koliqi) nuk pushoi ne emigrim. E botojme te plote reagimin e Pacit, si me poshte:
Nga Ardian Paci
Ambienti kulturor shqiptar nuk na paraqitet si një sistem i rregulluem e i ngurtësuem monumentesh të paluejtshëm që rrinë aty me shekuj. Ai i ngjan ambjenteve tona urbane; pa sistem, pa referenca të mirëpercaktueme, ku i forti i bjen të ligut e ku shpërndamja e vëllimeve nuk orjenton, por krijon konfuzion. Ka në këtë rrëmujë edhe tentativa groteske për monumentalizime butaforike e patetike. Në këtë pikë jam dakort me Peizazhet e Fjales se demonumentalizimi dhe çlirimi nga patetizmat mbetet i nevojshëm, por po aq i nevojshem asht edhe ndërtimi i sistemit të referencave ku vlerat marrin vendin e tyne e nuk nëpërkamben.
Camaj e Koliqi nuk ja kanë marrë frymën me monumentalitetin e tyne ambjentit kulturor shqiptar. Ata nuk ka shumë që kanë dalë nga harresa e mohimi që u kishte rezervue regjimi. Nëse dikush e ka për zemër ekologjinë e ambjentit tonë kulturor, nuk mundet mos me u nisë nga kjo pikë, pra nga fakti se jena duke folë për dy autorë që vuejn ende nga mohimi i dhunshëm po aq sa nga kakofonia e rrumpallizimi i jetës kulturore të këtyne viteve post komunizëm.
Ata sigurisht nuk janë të pakritikueshëm e një vështrim kritik mbi veprën e mbi jetën e tyne nuk i ban dam askujt.
Por këtu del ne pah nevoja e një morali të kritikës. Ky moral presupozon që përjashtimi i dhunshëm që regjimi u ka ba këtyne autorëve të zgjojë te seicili që merr persipër qasjen kritike, ndjenjën se po prek një trup të landuem, një trup që ka kalue traumën e dhunës. Mendoj se moralit intelektual shqiptar i mungon sensi i pendesës për atë të keqe që ka përshkue jetën kulturore shqiptare nën diktaturë. Ndjenja e pendesës nuk asht e lidhun me fajin individual, por e ban seicilin përgjegjës që, para se me folë, me ia ndie dhimjen që kanë provue viktimat e brutalitetit komunist shqiptar.
Por në vend të dhimbjes e pendesës, shpesh herë (e këtu dalim përtej rastit në fjalë) ndeshemi me një lloj kulimlleku intelektual, me një zgërdhimje mbrapashpinëse, me një dashakeqësi cinike e ndjenjë demek superioriteti, që nuk don asesi me i ba llogaritë me padrejtësine e madhe dhe prishjen e drejtpeshimit me të cilën ambjenti kulturor shqiptar doli nga diktatura.
Asht e vërtete se analiza kritike ka nevojë per ftohtësine e shikimit e nuk mbahet në kambë me sentimentalizma, por morali i kritikës për të cilin e kam fjalën nuk ka kurrfarë lidhjeje me sentimentalizmin.