Shkrimtari dhe përkthyesi Aurel Plasari ka ndarë në rrjetin e tij social një fragment kujtimesh nga albanologja Edith Durham për Abatin Preng Doçi duke na tërhequr vëmendjen e mungesës së kujtesës, si dhe harresën totale nga historianët e sotëm, kur rrallë del në dritë kontributi i tij.
I shkolluar në Shkodër e në Romë, përveç kontributit të spikatur në jetën fetare të vendit, imzot Preng Doçi luajti një rol të rëndësishëm edhe në jetën shoqërore.
Në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe. Veprat e tij janë “Shqipëria nën zgjedhën turke” dhe “Shqipëria në robni”.
“Në fushën e jetës kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi Mirditën dhe i dha një njësi të vetme.
Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus – qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e organizoi ai.
Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës.
Më 1911 – 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanlinjve.
Pa e prekur kurrë misionin e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit dhe të ngjarjeve të mëdha politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë së Rilindjes në Shqipëri ”, shkruan Vatican News në një artikull kushtuar Abatit të njohur.
***
Abati Prend Doçi në kujtimet e zonjës Edith Durham
“Fliste gjithë mençuri. Ishte ndoshta më largpamësi ndër nacionalistët shqiptarë. Rrinim majë mali dhe vështronim së andejmi Shqipërinë: vargje mbas vargje malesh si valët e gurta të një deti të madh që derdhen drejt horizontit me një blu të thellë e të mrekullueshme, ndërsa treteshin më në fund në qiell në një largësi ngjyrë mëllage të zbehtë. Ai i nderte duart ndaj asaj pamjeje gjithë krenari dhe entuziazëm. Ka qenë gabim, thoshte, të punosh tani kundër Turqisë. Turku nuk ishte më armiku më i keq i Shqipërisë. Shqipëria ka vuajtur tmerrësisht nga Turku. Por Shqipëria nuk kishte vdekur. Aspak. Ishte një armik tjetër, më i keq, që bëhej gjithnjë më i fuqishëm, dhe që ishte Sllavi: Rusia me kishën e saj fanatike dhe me kohortat e saj të serbëve dhe bullgarëve të egër, të gatshëm për ta shkatërruar Shqipërinë dhe për të shuar nga faqja e dheut si katolikët, edhe myslimanët.
Ai zgjaste dorën në drejtim të Pejës. “Në ato anë – thoshte – është vendi që serbët e quajnë Serbi e vjetër. Por atje është një Shqipëri edhe më e vjetër. Tani ajo popullohet me shqiptarë, shumë prej të cilëve janë viktimat, ose fëmijët e viktimave, të Traktatit të Berlinit: shqiptarë që kanë jetuar brez mbas brezi në viset që Traktati ua dha serbëve dhe malazezëve, të cilët i vunë përpara duke i detyruar të vdesin urie. Me mijëra u prishën nëpër male. Shih Ulqinin, një qytet pastërtisht shqiptar, të kërcënuar nga luftanijet e Fuqive të Mëdha, që na e shkyen me forcë. Si mund t’i bënim ballë ne Europës? Me gjithëfarëlloj brutaliteti u trajtua populli ynë prej pushtuesve serbë e malazezë. Dhe i madhi Gladston bënte sehir! Tani ka ankesa se shqiptarët e Kosovës keqtrajtojnë sllavët. Më vjen keq. Por çfarë mund të bëjnë ata? Çfarë mund të presësh prej tyre? Ata e dinë bukur mirë se, sapo që të bëhen dhjetë serbë bashkë në një vend, Rusia do ta pretendojë mbarë krahinën serbe.
Shpirti i kombit është zgjuar, si te myslimanët, edhe te të krishterët. Njerëzit pyesin se përse të mos e qeverisim edhe ne vetë vendin tonë si bullgarët dhe serbët? Por më së pari na duhet të mësojmë dhe të organizohemi. Na duhet të fitojmë kohë. Po të shpërthejë edhe një luftë tjetër sllavët do të na mundin. Duhet të vëmë në punë propagandën tonë dhe t’i mësojmë Europës që këtu ka edhe një tjetër popull që duhet çliruar, përpos bullgarëve dhe serbëve. Turku është tani e vetmja digë ndaj pushtuesit sllav. Prandaj unë them që nuk duhet të bëjmë asgjë për ta dobësuar Turkun derisa të jemi mjaft të fuqishëm për të qëndruar vetë dhe të kemi njohjen europiane. Kur të bjerë Perandoria turke, sepse do të bjerë, nuk duhet të përfundojmë në duart as të Austrisë, as të sllavëve”.
Dhe kësaj politike, të cilën koha e dëshmoi të kishte qenë më inteligjentja, ai i qëndroi me vendosmëri. Nuk mori pjesë në kryengritjet kundër Turkut, por punoi fuqishëm, nëpërmjet arsimit dhe informimit, për t’ia mbërritur më së fundi lirisë së vendit të tij. Vdekja e tij gjatë Luftës së Madhe qe një humbje e rëndë për Shqipërinë. Unë i premtova se do të bëja gjithë sa mundja për të siguruar njohjen e Shqipërisë nga Anglia dhe se do të punoja për lirinë e saj.”
Nga: Twenty Years of Balkan Tangle by M. Edith Durham, London, G. Allen & Unwin Ltd. [1920] fb a.p.