(Deutsche Welle) – Duke u zhvilluar mes një pandemie vdekjeprurëse, ashtu sikundër edhe trazirave të shkaktuara nga brutaliteti policor dhe racizmi, fushata zgjedhore e 2020-s në ShBA është mbizotëruar nga një varg çështjesh ndarëse. Pa dyshim, edhe artistët preken drejtpërdrejt nga çështje, si kujdesi shëndetësor, taksat, migrimi apo politika e jashtme, por qëndrimi i kandidatëve sa u përket arteve nuk ka qenë mes temave të diskutuara gjatë muajve të kaluar.

Një vështrim mbi platformat zyrtare të partive është megjithatë ndriçues. “Artet janë thelbësore për shoqërinë tonë të lirë e demokratike, për kulturën tonë, për ekonomitë tona lokale. Demokratët janë krenarë për mbështetjen tonë për financimin e arteve dhe edukimin, dhe do të vazhdojnë politikat dhe programet që promovojnë artet kreative”, thuhet në Platformën e 2020-s të Partisë Demokratike, duke cituar institucione të ndryshme qeveritare dhe organizata kulturore që partia do të vijojë t’i mbështesë.

Dokumenti zyrtar i demokratëve pastaj shton: “Ne çmojmë artet dhe edukimin artistik për zhvillimin e imagjinatës, kreativitetit, risimit dhe aftësive të të menduarit kritik te studentët dhe për ndërtimin e urave mes njerëzve e komuniteteve përgjatë vendit dhe gjithandej botës”. Derisa 10 rreshtat e dokumentit kushtuar arteve nuk janë aq konkrete si në “platformën e arteve” në fushatën zgjedhore të Obamas më 2008, prapëseprapë është më shumë sesa ajo që mund të gjendet në listën zyrtare të prioriteteve të republikanëve.

Në të vërtetë, Platforma e Partisë Republikane nga viti 2016 – e cila gjithashtu shërben si listë zyrtare për parimet e sivjetme, tekqë Komiteti i Republikanëve vendosi ta ripërdorte në vend të përgatitjes së një dokumenti të ri për fushatën e tanishme – nuk i zë edhe aq në gojë artet. Artet kanë luajtur një rol të madh gjatë administratës Obama-Biden; vëzhgues nga institucione të ndryshme kulturore në ShBA presin që kjo të vazhdojë nëse Bideni zgjidhet. Joe Biden mbase nuk do të jetë një ndikues kulturor siç u bë Obama që vinte në pah listat me këngët e tij të zemrës, filmat, librat e spektaklet televizive. Por kandidati demokrat ende njihet si mbështetës “lojal” i arteve, siç ka thënë Robert L. Lynch, nga grupi “Americans for the Arts” në një pronponcim për “New York Times”: qëndrimi i Bidenit është “më pak nga pikëpamja e konsumatorit dhe më shumë për vlerën frymëzuese dhe transformuese të arteve”, ka thënë ai.

Kamala Harris, e nominuara për zëvendëspresidente nga demokratët, në të kaluarën ka demonstruar veçanërisht përkushtimin e saj për artet. Derisa ishte përfaqësuese ligjore në Kaliforni, Harris ka shërbyer edhe në Bordin e Muzeut të Artit Modern në San Francisco. Ajo ka qenë edhe anëtare e Organizatës së Jazzit, si dhe pjesë e fondit për simfoninë në këtë qytet. Qëndrimi i presidentit Trump për artet u bë tejet i qartë gjatë katër vjetëve të kaluar. Qysh prej fillimit, në planin e parë të buxhetit federal, Trump propozoi të shfuqizoheshin “National Endowment for the Arts” (NEA), si dhe “National Endowment for the Humanities” (NEH). Agjencitë e pavarura federale, që ofrojnë mbështetje dhe financime për projektet kulturore dhe ato kërkimore, u krijuan më 1965, me legjislacionin që theksonte se është detyra e një “qytetërimi të përparuar” të “japë vlerësim të plotë dhe mbështetje” për artet, humanitetet dhe kulturën.

Në propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm, të bërë në shkurt të këtij viti, Trump sërish bëri thirrje për eliminimin e NEA dhe NEH, sikundër edhe për Institutin e Muzeut dhe Shërbimeve Librare si dhe Koorporatës për Transmetim Publik. Në pjesën e titulluar “Ndal harxhimeve të kota e të panevojshme”, dokumenti nënvizon se këto institucione “nuk konsiderohen si përgjegjësi themelore federale”. Megjithatë, Kongresi amerikan, i cili është i ngarkuar për të caktuar buxhetin federal, ka hedhur poshtë thirrjet e Trumpit. Derisa NEA nuk mund të përfshihet në politikë, siç ka thënë një zëdhënës i saj për DW-në, organizata “Americans for the Arts” zyrtarisht e ka përshkruar propozimin për çfinancimin e arteve nga administrata e Trumpit si “kërkesë e keqdrejtuar për buxhet”. Si anëtare e komunitetit të profesionistëve të kulturës “Arts for BidenHarris”, artistja, shkrimtarja dhe producentja Tanya Selvaratnam thekson se “regjimi Trump-Pence” jo vetëm që ka kërcënuar për anulimin e nismave financiare, por “ka kërkuar çdo mundësi për të rrëgjuar dhe sulmuar lirinë e të shprehurit dhe kreativitetit”, që është arsyeja pse ky grup sheh “vetëm një zgjedhje në këto zgjedhje”.

Këto sulme në lirinë e arteve janë mirëdokumentuar gjatë katër vjetëve të shkuar. “Artistë apo vepra artistike që ishin kritike ndaj presidentit Donald Trump ishin shënjestruar apo janë censuruar drejtpërdrejt nga presidenti apo agjencitë qeveritare”, vë në dukje raporti “State of Artistic Freedom 2020” i publikuar nga Freemuse, organizatë e pavarur joqeveritare që ka një status konsultativ brenda UNESCO-s. Për artistët ka më shumë gjëra që janë në rrezik sesa mbështetja për agjencitë financuese kulturore apo muzetë. Në një intervistë për “Latino Victory Project”, Joe Biden e ka bërë të qartë se artet janë reflektim i drejtpërdrejtë i gjendjes së vendit: “E ardhmja e asaj çfarë ne jemi është në arte”, ka thënë Biden. “Është shprehje e shpirtit tonë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Rezultati i sundimit sovjetik në Ukrainë
Ministria e Diasporës u mbyll; Diaspora, problemet dhe përparësitë e saj mbeten
Forumi: Të dhëna personale të qytetarëve në rrezik dhe diktatura
Tmerri i Prishtinës, tmerri i Ballcës dhe tmerri i dështimit tonë politik
Si i trajtojnë gjermanët ata që lavdërojnë Hitlerin…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}