Kujtojmë sot, në 95 vjetorin e lindjes, Gjoni Athanas, artistin e madh, i cili ka realizuar me shume sukses kryerolet e partit të tenorit, në shume vepra skenike, gjatë dekadave të para të historise së teatrit tonë. Tenori Gjoni Athanas e nisi karrierën e tij me rolin e parë “Almeriku” nga opera “Jollanta” në vitin 1957, për të vazhduar me shumë kryerole të tjera nga operat e vëna në skenë si: “Evgjeni Onjegin”,” Lulja e kujtimit”, “Carmen”, “Pranvera”, “Zgjimi”, “Borana”, “La Boheme” etj.
Por roli që e bëri të pavdekshëm Gjoni Athanas, në kujtesën e spektatorit, është roli i Skënderbeut në operën me të njëjtin emër, kompozuar nga Prenk Jakova. Gjoni Athanas ka lënë në repertorin e tij koncertal shumë arie të njohura, romanca, kantata, këngë të lehta e popullore, e mbi 300 koncerte jashtë vendit.
Një nga kontributet më të çmuara që Gjoni Athanas i la artit shqiptar ishte veprimtaria në fushën e pedagogjisë, si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve, sot, Universiteti i Arteve, ku për 20 vjet punoi për zhvillimin e talenteve të studentëve të degës së kantos.