Një nga kapitujt të konceptit të së bukurës në ditët e sotme vështruar prej Ecos në librin “Historia e bukurisë” në aksiomën: Bukuria e konsumit të informacionit masiv!
Umberto Eco
Le të përfytyrojmë një historian të ardhshëm arti a një eksplorues nga kozmosi, të cilët do të shtrojnë këtë pyetje: Cila është ideja e bukurisë që sundon në shek. XX? Në fund të fundit ne gjatë kësaj rendjeje nëpër historinë e bukurisë, nuk kemi bërë veçse kemi shtruar pyetje të ngjashme lidhur me Greqinë e vjetër, Rilindjen, gjysmën e parë a të dytë të shek. XIX. Është e vërtetë që është bërë ç’ka qenë e mundur të bëhet për të dalluar kundërtitë, që vlonin në një periudhë të caktuar, ku, për shembull, mund të bashkëjetonin shija e klasicizmit të ri dhe estetika e së Madhërishmes, por, tek e fundit, gjithmonë, duke parë “së largu”, krijohej ndjesia se çdo shekull shfaqte tipare të njësuara ose, e shumta, vetëm një kundërti themelore.
Mundet që shpjeguesit e së ardhmes, duke vështruar edhe ata “së largu”, do ta dallojnë diçka me të vërtetë tipike për shek. XX dhe do t’i japin, për shembull, arsye Marinetit duke thënë se për shekullin që sapo kaloi Fitore e Samotrakës ishte një makinë e bukur garash dhe duke shpërfillur ndoshta Pikason a Mondrianin. Ne, nga ana jonë, nuk mund të shohim nga një largësi e tillë dhe mund të mjaftohemi të vëmë në dukje se gjysma e parë e shek. XX dhe, e shumta, vitet ‘60 të atij shekulli (më pas do të jetë më e vështirë), janë një teatër lufte dramatike ndërmjet bukurisë së provokimit dhe bukurisë së konsumit.
Avangarda ose bukuria e provokimit
Bukuria e provokimit është ajo që na japin lëvizje të ndryshme të avangardës dhe të eksperimentalizmit artistik: nga futurizmi te kubizmi, nga ekspresionizmi te surrealizmi, nga Pikasoja deri te mjeshtrit e mëdhenj të artit jo formal e më tej.
Arti i avangardës nuk e shtron çështjen e bukurisë. Sigurisht nënkuptohet që figurat e reja janë artistikisht “të bukura” dhe duhet të ngjallin të njëjtën kënaqësi që u sillte bashkëkohësve të vet një tablo e Xhotos a e Rafalit, por kjo në të vërtetë vjen ngaqë provokimi avangardistë i shkel të gjitha normat estetike që ishin ruajtur deri atëherë. Arti nuk shtron më para vetes qëllimin që të japë një pamje të bukurisë natyrore dhe as nuk ka ndër mend të ngjallë kënaqësinë e paqtë të soditjes së trajtave të harmonishme. Përkundrazi, ajo dëshiron t’i mësojë njerëzit ta zbërthejnë botën duke e parë me tjetër sy, të kënaqen me rikthimin te modelet arkaike ose ekzotike: te bota e ëndrrave a e fantazive të të sëmurëve mendore, te vegimet që shkakton droga, te rivlerësimi i lëndës, te riparaqitja e çakërdisur e sendeve të përdorimit në situata të pabesueshme (shih sendin e gatshëm, dadaizmin etj.) te shtysa e pavetëdijes.
Vetëm një rrymë e artit bashkëkohor ka rimarrë një ide të harmonisë gjeometrike, e cila mund të na sjellë ndër mend epokën e estetikave të përpjesëtimit, dhe ky është arti abstrakt. Duke ngritur krye kundër nënshtrimit si ndaj natyrës ashtu dhe ndaj jetës së përditshme, ky art na ka paraqitur forma të kulluara duke nisur me gjeometritë e Mondrianit e deri te tablotë e mëdha njëngjyrëshe të Klajnit, Rotkos ose Manxonit. Por kujt që ka shkuar të shohë një ekspozitë a një muze në dhjetëvjeçarët e shkuar i ka qëlluar të dëgjojë vizitorët tek pyesin veten përpara një tabloje abstrakte se “ç’do të thotë kjo” dhe tek protestonin kurdoherë me fjalët “pse, art është ky?”
Prandaj edhe ky rikthim “pitagorian i ri” tek estetika e përpjesëtimeve dhe e numrit realizohet duke i vajtur ndesh ndjeshmërisë së përgjithshme, idesë së njeriut të zakonshëm për të bukurën.
Ka, së fundi, shumë rryma të artit bashkëkohor (happenings, ngjarje, ku artisti pret ose gjymton trupin e vet, përfshirje të publikut në dukuri dritash a tingujsh), ku duket se nën petkun e artit kryhen ceremoni, që më tepër u ngjajnë riteve të ngjashme me ritet e mistershme të antikitetit dhe që nuk synojnë soditjen e diçkaje të bukur, por të përjetuarit e diçkaje pothuaj fetare, ndonëse primitive dhe mishtore, ku mungojnë perënditë.
Dhe karakter mistik kanë nga ana tjetër përvojat muzikore, që fitojnë turmat e pamata nëpër diskoteka a nëpër koncertet e rokut, ku mes dritave stroboskopike dhe tingujve me volum shumë të lartë gjen zbatim një mënyrë “të qëndruari bashkë” (jo rrallë e shoqëruar me përdorimin e lëndëve ngacmuese), që mund edhe të duket si “e bukur” (në kuptimin tradicional të lojërave në amfiteatër) për dikë që e sodit së jashtmi, por nuk përjetohet si e tillë nga ata që ndodhen brenda saj. Kush e provon diçka të tillë, mund edhe ta quajë një “përvojë të bukur”, por duke i dhënë kuptimin që i jepet kur kënaqemi duke bërë not, duke ecur me motor ose duke bërë dashuri.
Bukuria e konsumit
Vizitori ynë i ardhshëm nuk do të mundet megjithatë të rrijë pa bërë edhe një zbulim tjetër të rrallë. Ata që vizitojnë një ekspozitë të artit të avangardist, që blejnë një skulpturë “ të pakuptueshme” ose që marrin pjesë në një happening, janë të veshur e të krehur sipas modës, kanë veshur bluxhinse a veshje firmash të njohura, bëjnë makijazh sipas modelit të bukurisë që reklamohet nëpër revistat e ilustruara, nëpër filma e televizione, pra, nëpër mjetet e informacionit masiv. Ata ndjekin idealet e Bukurisë që jep bota e konsumit tregtar, pikërisht ajo kundër së cilës ka luftuar për mbi pesëdhjetë vjet arti i avangardës.
Si mund të shpjegohet kjo kundërthënie? Pa e shtjelluar më tej po themi: kjo është kundërthënia tipike e shek. XX.
Në këtë pikë vizitori i ardhshëm do të duhet të përpiqet të shtrojë pyetjen se cili ka qenë modeli i bukurisë i paraqitur nga mjetet e informacionit masiv dhe ka për të zbuluar që shekulli është i ndarë nga një e çarë e dyfishtë. E para është ajo ndërmjet modeleve të ndryshme brenda të njëjtit dhjetëvjeçar. Sa për të dhënë ndonjë shembull, kinematografia paraqet në të njëjtën periudhë modelin e gruas robëruese të mishëruar te Greta Garbo dhe Rita Hejuorthi, dhe modelin e “vajzës fqinje” të mishëruar te Klodet Kolberi ose te Doris Dej. Na paraqet si hero të perëndimit trupmadhin dhe shumë mashkullorin Xhon Uejn, por edhe të butin dhe deri diku femërorin Dastin Hofman. Shfaqen në të njëjtin kohë Geri Kuperi dhe Fred Asteri, dhe i hajthmi Fred vallëzon me truplidhurën Xhin Keli. Moda paraqet veshje luksoze për gra, si ato që shohim të kalojnë në paradë në filmin Roberta, dhe në të njëjtën kohë modelet për burra të Koko Çenëllit. Mjetet e informacionit masiv janë tërësisht demokratike, ato paraqesin një model bukurie proletare me forma të mëdha; e shkathëta Delia Skala përbën shembull për atë që nuk mund t’i përshtatet “të kolmes” Anita Ekberg; për burrin që nuk e ka bukurinë mashkullore dhe të stërholluar të Riçard Girit ekziston magjia e hajthme e Al Paçinos dhe pamja simpatike proletare e Robert De Niros. Dhe së fundi për atë që nuk arrin do të ketë Bukurinë e një makine Mazerati, ekziston bukuria e leverdishme e një makine Mini Morris. E cacra e dytë e ndan më dysh shekullin. Thënë përmbledhurazi, idealet e Bukurisë, të cilave u drejtohen mjetet e informacionit masiv në gjashtëdhjetë vjetët e parë të shek. XX, kanë lidhje me rezultatet e dhëna nga artet “madhore”. Zotëruese të tilla të ekranit si Françeska Bertini ose Rina De Liguoro janë shumë të afërta me gratë e molisura të D’Anuncios, figurat femërore, që na shfaqen në reklamat e viteve ‘20 e ‘30, bukurinë e hollë të stilit floeral, Liberty a të Artit Deco. Reklamimi i produkteve të ndryshme është nën ndikimin e frymëzimit futurist, kubist e më pas surrealist.
Të frymëzuara nga arti i ri janë tregimet vizatimore të Litëll Nemos, ndërkohë që urbanistika e botëve të tjera, që shfaqet te Flash Gordon na sjell ndër mend utopinë e arkitektëve modernistë si Sant’Elia, madje arrin të paraprijë format e raketave të ardhshme. Tregimet vizatimore të Dik Trejsit janë shprehje e një ambientimi të ngadalshëm me vetë pikturën avangardiste. Në fund të fundit, mjafton të ndjekësh modelet e makinave Topolino dhe Mini nga vitet ‘30 deri në vitet ‘50 për të vënë re se si modelimi i përshtatet ecurisë së ndjeshmërisë estetike mbizotëruese. Por kur nga njëra anë pop arti pushton, në rrafshin e artit eksperimental e provokues figurat e botës së tregtisë, të industrisë dhe të mjeteve të informacionit masiv, ndërsa nga ana tjetër Bitëllsat u rikthehen, me shumë mençuri, formave muzikore që e kanë zanafillën te tradita, atëherë hapësira ndërmjet artit provokues dhe artit të konsumit ngushtohet. Madje, edhe nëse duket sikur ka një dallim cilësor ndërmjet artit “të kultivuar” dhe artit “popullor”, arti i kultivuar në atë klimë që është quajtur postmoderne na paraqet njëherazi edhe sprova të reja përtej figurës edhe kthime te figura, te rishfrytëzimi i traditës. Nga ana e tyre mjetet e informacionit masiv nuk na paraqesin më asnjë model të njësuar, asnjë ideal të vetëm të së bukurës. Ato mund të shfrytëzojnë, qoftë edhe për një reklamë që mund të zgjatë vetëm një javë, përvojat e avangardës, sikurse mund të na paraqesin modele të viteve ‘20, ‘30, ‘40, ‘50, madje edhe duke rizbuluar forma tanimë të harruara automobilash të mesit të shekullit. Mjetet e informacionit masiv na parashtrojnë përsëri një ikonografi të shek. XIX, realizmin e përrallave, begatinë prej Junone të Mae Uestit dhe hijeshinë prej femrash pa oreks të modesteve të kohëve të fundit, bukurinë zezake të Naomi Kempbellit dhe atë anglosaksone të Kejt Mosit, hijeshinë e tipit tapit tradicional te A Chorus Line dhe arkitekturat futuriste e ngjethëse të Blade Runner, gruan robëruese të sa e sa programeve televizive ose reklamave dhe vajzën me pamjen pa grim si Xhulia Roberts ose KAmeron Diaz, Rambon dhe Platinetën, Xhorxh Klunin me flokët të shkurtra dhe neosajborgët që metalizojnë fytyrën dhe i kthejnë flokët në një pyll heshtash të ngjyrosura ose e rruajnë kokën me brisk.
Eksploruesi ynë i ardhshëm nuk do të dallojë dot më idealin estetik të përhapur nga mjetet e informacionit masiv të shek. XX e më tej. Ai do të jetë i shtrënguar të dorëzohet përballë orgjisë së durimit, sinkretizmit tërësor, shumësisë së plotë dhe të pandalshme të hyjnive të bukurisë.