Nga Jolanda Lila
Veprimtaria e gjerë diturake e prof. Jup Kastratit në fushën e studimeve gjuhësore, letrare, bibliografike dhe në historinë e kulturës kombëtare shqiptare i përngjan një ajsbergu në detin e pafundmë të dijes. Themi “ajsberg”, pasi një pjesë e rëndësishme e veprave të tij kanë mbetur në dorëshkrim, ende të pazbuluara nga lexuesit, ndërsa pjesa e veprave të botuara, përkatësisht rreth 40 libra me studime janë ende të pahulumtuara sa duhet nga studiuesit e specializuar. Indiferentizmi ndaj vlerave dhe dijes është një “plagë e re” e tranzicionit shqiptar, e cila ka zënë rrënjë në çdo fushë të veprimtarisë shoqërore e shpirtërore dhe që pavarësisht kohës së mjaftë, sërish nuk po fashitet.
Me rastin e 96-vjetorit të lindjes së prof. Jup Kastratit, këtij personaliteti të shkencave albanologjike, po paraqesim një sintezë të rezultateve të punës studimore, duke cekur gjurmëve të individualitetit të tij si krijues, hulumtues dhe si përkthyes.
Ai lindi me 15 prill të vitit 1924 dhe u nda nga jeta me 22 shtator të vitit 2003. Deri në frymën e fundit, pavarësisht sëmundjes që e mundoi për dy vite radhazi, ai nuk e ndërpreu punën shkencore.
Nga 79 vjet jetë, 62 prej tyre, i pati punë të pandërprerë. I udhëhequr nga një mision prej titani, të cilin e përmbushi më së miri, na trashëgoi rreth 40 vepra shkencore; 1000 artikuj e studime, që zënë rreth 20 mijë faqe të botuara në periodikët publicistikë dhe shkencorë; 5 mijë faqe epistolar, me shkrimtarë e dijetarë vendas e të huaj dhe gjashtë vepra të tjera që pritet të botohen së shpejti.
Një ndër themeluesit kryesorë të Institutit të Lartë Pedagogjik dhe i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; themelues i tre organeve shkencore dhe drejtues i dhjetëra të tjerave si kryetar ose anëtar bordi; pedagog me aftësi të spikatura didaktike, me kulturë të gjerë e të thellë, profesor Jup Kastrati përbën një nga emrat më të rëndësishëm që naltuan traditën e arsimit të lartë vendas dhe që me veprën e vet, çeli udhë të pashkelura më parë në fushën e kërkimeve shkencore.
Etja e pashuar për dijen
Ai lindi në pranverën e vitit 1924 në Shkodër në një familje fisnike shkodrane. Qysh në moshë të njomë, shprehu një kureshti dhe dashuri të madhe për dijen. Veç kureshtjes, ai spikati si një njeri vullnetfortë dhe durimshumë, tipare që e shoqëruan gjithë jetën dhe i garantuan suksesin e padiskutueshëm në fushën e shkencës.
Qysh në shkollën fillore u përveçua si nxënës i shkëlqyer. Shkollën fillore pesëklasëshe (1930- 1935), gjimnaz klasik (1936 – 1940) dhe licé real (1941 – 1944), i ka bërë në qytetin e lindjes. Pak kohë (gusht-nëntor 1942) ka qenë edhe në Liceo scientifico “Galileo Ferraris”, Convitto Nazionale “Umberto I”, në Torino. Gjatë pushtimit italian, si antifashist, ka qenë i persekutuar, i burgosur, i internuar në Campo concentramento (Fushë përqëndrimi), Comando Z, në Kodrat e Tepes, Shkodër, ostaggio (peng) në Kosovë, në burgun famëkeq të Prizrenit (korrik-shtator 1943). Ka kryer Fakultetin e Filologjisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ishte ndër brezat e parë të të diplomuarve në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Filologjisë. Temë diplome ka pasur: Kontribute për studimin e Ndre Mjedës (1958), me relator Prof. Mahir Domi. Ndoqi aspiranturën apo kualifikimin shkencor pasuniversitar, për gradën: Kandidat i shkencave filologjike me studimin monografik dialektologjik: E folmja e Thethit (1962). Udhëheqës shkencor: Prof. Eqrem Çabej.
Pas shqipes, italishtja ishte gjuha e tij e zemrës. Ai njihte në trajtë të përthelluar edhe latinishten e frëngjishten, gjë që ndikoi shumë në pasurimin dhe plotësimin e profilit të tij intelektual.
Për 47 vjet ka shërbyer në arsim, nga të cilat 37 në arsimin universitar. Ishte një nga themeluesit e Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës (me 2 shtator 1957). Ka luftuar shumë për ta kthyer Institutin e Lartë Pedagogjik në Universitetin e Shkodrës, me anë promemoriesh dhe kërkesash në autoritetet më të larta shtetërore dhe në shtyp, si dhe në tubime të ndryshme. Edhe emërtimi i këtij Ateneu “Luigj Gurakuqi”, është konceptuar e hartuar prej tij. Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 – 1990). Ordinar i lëndës së Historisë së albanologjisë, lëndë e futur për herë të parë nga ai në kurrikulat e Universitetit.
Ka qenë bashkëpunëtor shkencor i jashtëm 50 vjet pa ndërprerje, Përgjegjës i Rrethit letrar të Shtëpisë së Kulturës, Shkodër (1947 – 1957). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së qytetit të Shkodrës (1948 – 1990). Kryetar i Këshillit të Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik dhe i Universitetit “Luigj Gurakuqi” (dhjetor 1957 – janar 1993). Kryetar i Këshillit të Emërtimeve, në Shkodër. Anëtar i Këshillit shkencor të rrethit të Shkodrës (1988). Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve, Shkodër (1989)”. Ndër themeluesit dhe drejtuesit e revistave shkencore “Buletini i Shkodrës”, “Shkodra”, “Almanaku i Shkodrës” etj. Shumë interesante e kuptimplotë është letra e ngazëllyer që Prof. Kastrati i shkruan Profesor Eqrem Çabejt me rastin e themelimit nga ana e tij të revistës shkencore “Buletin shkencor”, organ i Institutit të Lartë Pedagogjik Shkodër: “Mbas dy vjetësh kërkesash dhe promemoriesh së ndryshme, ia arrita që Shkodra e Zef Jubanit, Vaso Pashës, Fishtës, Mjedës, Gurakuqit, Xanonit, Gjeçovit, Migjenit dhe e sa shkrimtarëve të shquem, Shkodra që patë gjatë 85 vjetësh (1879-1963) plotë shtatëdhjetë organe të ndryshme (revista, gazeta, almanakë), Shkodra e poezisë dhe e pushkës, e legjendës dhe e historisë, të ketë një buletin të vetin që do të trajtojë çashtje të shkencave gjuhësore, letrare, folkloristike, etnografike, historike etj”. (Letër e Jup Kastratit, 19. 7. 1963, f. 4-5.). Për kujtimin e sotshëm, besoj është me rëndësi edhe arsyetimi që ia bënte Profesor Çabejt, në ftesën për bashkëpunim: “Në emër të redaksisë së porsakrijueme të këtij periodiku, që do të vazhdoj traditat e mira të “Hyllit” dhe të “Lekës” (Shkodër, më 19. 7. 1963, f. 5).
Për merita të veprimtarisë arsimore dhe shkencore, është nderuar me: Arsimtar i dalluar (1954), Medalja e Punës (1959), Urdhëri “Naim Frashëri”, kl. II (1970), Mësues i merituar (1979), Mësues i Popullit (Me rastin e 100 – vjetorit të shkollës së parë shqipe në Korçë, me 7 mars 1987), Drejtues kërkimesh (1995). Ka qenë shef (përgjegjës) i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (1973 – 1990). Pjesëmarrës në thuajse të gjitha ngjarjet më të rëndësishme studimore e kulturore të vendit. Po kaq, ka qenë i thirrur të mbajë ligjërata problemore, universitare e pasuniversitare, në Atenetë brenda dhe jashtë Shqipërsië, si në Universitetetin e Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës, Kalabrisë, Napolit, Salernos, Peruxhias, Nju Jorkut, si edhe kumtesa në sesione e simpoziume shkencore jashtë Shqipërisë.
Jeta e tij shtillej rreth librave, herë duke i lexuar, herë duke i sistemuar e herë të tjera, duke shkruar. Është ndër intelektualët që ngriti një nga bibliotekat më të pasura, me libra të vyer nga fusha e albanologjisë e më gjerë. Gjithë investimi dhe pasuria e jetës së tij ishin librat. Aty gjendej forca dhe dobësia e tij. Aty gjendej bota e tij, e cila ndryhej brenda kabinetit të punës, duke sakrifikuar orët e gjumit, të qetësisë, e mbi të gjitha, të qëndrimit me familjen dhe miqtë e afërt. Ai i kishte shumë të kufizuara lëvizjet fizike jashtë kabinetit, vetëm për raste të domosdoshme, sepse ai e maste njësinë e kohës me shkallën e lartë të produktivitetit në punë. E dashuronte punën, shkencën dhe dijen. Sa herë merrte vesh që ndonjë koleg a mik i tij do të dilte jashtë Shqipërisë, ai nuk linte rast pa porositur libra.
I përkorë në sjellje, në mënyrën e të jetuarit dhe në fjalët që nxirrte nga goja, por i pakursyer për blerjen e librave. Ai me forcën e një vullneti të jashtëzakonshme, të pamundurën do ta bënte të mundur. Shkruante e daktilografonte një për një materialet që krijonte. Ishte koha kur studiuesit nuk kishin lehtësitë e sotme metodike që të ofron teknologjia. Vetëm për punimet bibliografike, ishte një proces i shumëfishtë, ku gjithçka shkruhej me dorë, duke u sistemuar me skeda sipas rendit alfabetik e më pas, i shkruante sërish në makinë shkrimi. Ai zhytej me guxim e vetëmohim në mbretërinë e pafundme të shkronjave e të librave. Një punë prej murgu, tepër e mundimshme, në një kohë kur mendimi shkencor në Shqipëri nuk i kishte krijuar ende bazat e mirëfillta.
Ai arriti të krijonte një numër veprash monumentale si “Histori e gramatologjisë shqiptare: 1635- 1944” (Prishtinë 1980); “Historia e Albanologjisë” e konceptuar në tre vëllime, ku deri më tani ka parë dritën e botimit vetëm vëllimi i parë “Historia e albanologjisë (1497-1997)” (Tiranë 2000); “Bibliografi e Skënderbeut” (bashkëautor), monografi për autorë të ndryshëm si mbi Ndre Mjedën, Zef Jubanin, Faik Konicën, mes të cilëve spikat kontributi i tij prej disa dekadash mbi Jeronim De Radën. Vepra më e plotë e prof. Kastratit mbi figurën e De Radës, u botua në Neë York (2003) me titullin: “Studime për De Radën”. Kjo figurë u bë zulmëmadhe në Shqipëri dhe mori rëndësinë e merituar vetëm pas botimit të biografisë dhe studimeve shteruese për të nga prof. Jup Kastrati.
Kontributi i gjerë në disa fusha të albanologjisë
Profesor Jup Kastrati nisi të botonte që në moshën 17-vjeçare. Fillimisht e nisi veprimtarinë e vet me përkthime. Ai përktheu nga italishtja “Zambakët” të autorit A. Kronin, të cilën e botoi në shtypin e shkruar të kohës. Ashtu si zambaku, kjo lule fletëgjerë, u përhap edhe vrulli i tij për punën në disa drejtime. Nga studimet për autorët e vjetër deri tek ato të bashkëkohësisë, nga kontributi studimor për autorët brenda Shqipërisë shtetërore deri tek areali i panjohur i Arbëreshëve të Italisë, një kohë-hapësirë e pamatë ishte opusi i kërkimeve të tij.
Nëse do të përvijonin interesat e tij shkencore kryesore, do të ndaleshim, kryesisht, në këto fusha të dijes, në të cilat ai pati një kontribut të jashtëzakonshëm:
1) Në studimet gjuhësore, posaçërisht në historinë e gjuhësisë shqiptare dhe të albanologjisë.
2) Në studimet e historisë së letërsisë shqiptare, kryesisht të traditës.
3) Në studimet e kulturës së arbëreshëve të Italisë, veçanërisht të Jeronim de Radës.
4) Në studimet e bibliografisë shqiptare.
5) Në studimet e historisë së shkollës shqipe, të mendimit pedagogjik dhe të qytetërimit shqiptar.
Në secilën prej këtyre fushave ka sjellë disa libra studimorë, të cilat meritojnë të analizohen në një dritëvështrim më të thelluar nga specialistët e fushave përkatëse. Mjaft dorëshkrime të tij, vepra voluminoze, fryt i punës së një jete, presin dritën e botimit, si “Studime historiko-filologjike të De Radës”, “Studime arbëreshe” etj.
Ai nuk i pëlqente fryrjet dhe ekzaltimet, ishte gjithnjë dyshimtar në rrugën e kërkimit të së vërtetës shkencore për të shteruar objektin studimor. Këto pikëpamje i kanë dhënë veprës së tij një gjuhë të latuar e të stërholluar dhe një analizë të thelluar, deri shteruese. Emri i tij është në panteonin e figurave kombëtare për kontributin në disa prej fushave më madhore të albanologjisë, siç janë: bibliografia, filologjia, hartimi i teksteve për shkollën e lartë, gjuhësia, analiza kritike letrare dhe përkthimi.
Ju uroj suksese te metejshme. Une kam qene dhe jam klienti juaj panvarsisht se kohet e fundit banoj ne München gjermani. Per mua ju ini Banka e pare ne shqiperi per komunikimin me klientet. Sidomos zoti Xhafa e zonja Ushe me te cilet kam komunikuar. Respekte per Stafin tuaj. Ju pershendes Behar Çaçollari München Deutschland.