Nga Arshi Pipa
Në vitin 1934, kur Migjeni nisi të botojë veprat e tij, oksidentalizmi ishte një temë mbizotëruese diskutimi ndërmjet intelektualëve shqiptarë. Nën presionin e tyre në rritje, Mbreti Zog formoi një kabinet të “të rinjve”, të cilët ishin arsimuar në Europë dhe për të cilët shpresohej ta transformonin Shqipërinë nga një vend i prapambetur dhe ende “oriental”, siç ishte, në një vend oksidental. Eksperimenti përfundoi në dështim të plotë.
2. Dështimi i Oksidentalizmit
Në vitin 1934, kur Migjeni nisi të botojë veprat e tij, oksidentalizmi ishte një temë mbizotëruese diskutimi ndërmjet intelektualëve shqiptarë. Nën presionin e tyre në rritje, Mbreti Zog formoi një kabinet të “të rinjve”, të cilët ishin arsimuar në Europë dhe për të cilët shpresohej ta transformonin Shqipërinë nga një vend i prapambetur dhe ende “oriental”, siç ishte, në një vend oksidental. Eksperimenti përfundoi në dështim të plotë. Monarku vetë ishte mishërimi i Bizantinizmit, ndërsa oksidentalizini i tij ishte vetëm një pozë. Në vitn 1935 shpërtheu një revoltë në Fier, e udhëhequr nga disa intelektualë dhe oficerë. Pak kohë më pas, Mirash Ivanaj, intelektuali më i respektuar në qeveri, autori i një reforme shkollore antiklerikale, dha dorëheqjen. Vendi po vuante një krizë të rëndë ekonomike. Punë kishte pak, ushqimi ishte i shtrenjë, Italia e pat pezulluar ndihmën e saj ekonomike, thesari i shtetit ishte pothuaj i zbrazët dhe nepunësit civilë, një klasë e privilegjuar, i merrnin rrogat e tyre në mënyrë shumë të parregullt. Në shkurt të vitit 1936, në Korçë, punëtorët dhe studentët demonstruan me parrullën “bukë dhe punë”, duke pasuar një grevë të punëtorëve në Kuçovë, një qendër naftëprodhuese. Borgjezia e ndjeu ndikimin e krizës, zejtarët mbyllën dyqanet e tyre, fshatarët nuk kishin asnjë rezervë për të ngrënë, mjerimi sundonte qytetet.
Oksidentalizini ishte një temë e pëlqyer në shtypin shqiptar të kohës. Parrulla maskonte natyrën e problemeve të vërteta të Shqipërisë, prapambetjen ekonomike dhe kulturore, duke ia veshur ato trashëgimisë “orientale” të vendit. Zgjidhja do të paraqitej, si pasojë, me një kthim vendimtar drejt Perëndimit, si të thuash, me përshtatjen e një forme oksidentale të qeverisë.. Çfarë forme saktësisht?
Sepse Europa Perëndimore kish lloje të ndryshme qeverish, duke nisur prej socialdemokracisë e deri te fashizmi. Konservatorët u prirën drejt një monarkie kushtetuese me një mbret ndryshe nga Zogu. Të moderuarit preferonin një republikë. Ultranacionalistët dhe radikalët e majtë favorizonin zgjidhjet totalitare. Hitleri tashmë kishte admiruesit e tij përmes epigonëve të “Deutche Kultur-ës”. Më të shumtë ishin simpatizantët e Musolinit, që i vokonin interesat e përbashkëta të Shqipërise dhe të Italisë, të bazuar në afërsinë gjeografike. Nuk mungonin edhe partizanët e diktaturës ushtarake, të tillë si ajo e Ataturkut, me arsyen se Shqipëria ishte më afër nga ana kulturore me Turqinë.
Dështimi i përvojës oksidentale i inkurajoi radikalët e së majtës, të cilët nisën të organizohen. Kriticizmi i tyre në shtyp u kthye në sulme-qeveria e shtrëngoi censurën e saj. Në këto rrethana, majtistët e përdorën parrullën e oksidentalizmit,
ndaj regjimit autokratik. Gjithsesi, ato e përdorën atë, kryesisht për të maskuar veprimtarinë e tyre subversive, objekti i së cilës ishte përmbysja e monarkisë absolute dhe zëvendësimi i saj me një regjim socialist. Për më të ndriçuarit midis tyre, oksidentalizmi nuk linte të kuptohej asgjë më tepër se sa kapitalizmi dhe kristianizmi, dy fuqitë që përbënin strukturën dhe ideologjinë e rendit që mbizotëronte në Perëndim. Lufta, e nisur nën flamurin e përparimit shoqëror dhe e përqëndruar mbi mënyrën e zhvillimit të industrisë dhe komunikacionit, që sjell reformën agrare, përmirëson shëndetin publik, asgjëson analfabetizmin, u drejtua kundër klasave dhe grupeve mbështetëse të pushtetit autokratik: burokracisë, ushtarakëve, pronarëve të tokave dhe klerit.
Vepra e Migjenit i orkestron këto tema kryesore, duke i ngritur ato nga niveli i gazetarisë në atë të poezisë shoqërore. Origjinaliteti i tij shtrihet në hapjen prej tij të portave të letërsisë shqipe për problemet sociale. Duke dalë prej harresës, me të cilën pat qenë dënuar gjatë pushtimit të vendit, kur shkrimet e tij qarkullonin nëpër copëra letrash të shtypura apo të kopjuara me dorë (samizdat) midis studentëve dhe punëtorëve, ai u përkrah në nivelin e një poeti kombëtar, kur atdheu u bë socialist, për hir të protestës sociale në veprën e tij. Simpatitë e tij oksidentale u shpërfillën me maturi dhe hibridizmi i tij kulturor, që i dha hov një drame personale që formoi të tërë poezine e tij, mbeti jashtë vemendjes.
Si mund të shpjegohet pasioni i tij për Perëndimin? Para së gjithash, me dëshirën e tij për të jetuar një jetë që nuk e pat jetuar, një motiv i përsëritur në veprën e tij. Për një shqiptar, Perëndimi fillon në anën tjetër të detit Adriatik, dhe Shkodra, qyteti i lindjes së Migjenit, ka qenë gjithnjë një portë shqiptare për në Perëndim. Duke u kthyer në Shkodër pas një qëndrimi të gjatë në një qytet tipik ballkanik si Bitola (Manastiri), ai duhet të ketë provuar një shqetësim të caktuar, si pasojë e origjinës sllave të tij dhe të arsimimit bizantin, që e bënte atë më të dobët ndaj joshjes për Perëndimin. Tradita familjare dhe formimi arsimor e bënë atë të tërhiqej kah Lindja, ku kish edhe rrënjët e tij, ndërsa dëshirat e shtynin atë drejt Perëndimit, ku ngjizej ëndrra e tij. Prirjet e tij sentimentale duken në shumë prej poezive dhe më spikatshëm në dy krijimet e tij të fundit të ciklit “Kangët e Rinisë”. Në ciklin “Kangët e Prendimit”, interesat e tij ideologjike janë mbizoteruese, gjë që shpjegon se pse poeti i klasifikoi ato veçmas. Një vështrim në përmbajtjen e lëndës së vëllimit,, që pason ndarjen e saj në kapituj, tregon qartë karakterin e saj ideologjik.
3. Poezia Dekadente
Vëllimi fillon me poezinë “Parathania e parathanieve”, në të cilen autori shpall apostazinë e tij. Ajo ndahet në gjashtë pjesë : “Kangët e Ringjalljes”, “Kangët e Perndimit”, “Kangë më vete”, ” Kangët e Rinisë” dhe “Kangët e Fundit”. Rendi është logjik, jo kronologjik. Le të shohim se ç’është kjo logjikë? “Kangët e Ringjalljes” janë thirrje drejtuar kombit për t’u zgjuar dhe për të “flakur tej prangat” e tij. Domosdoshmëria e revoltës justifikohet me mjerimin e thellë material dhe moral të popullit: “Kangët e Mjerimit” përbëjnë grupin më të madh në vëllim, shtatëmbëdhjetë poezi. Poeti proteston kundër gjendjes aktuale të punëve, e bën veten gjyqtar, shpagimtar, shqipton akuza, lëshon mallkime. Shpesh zemërimi i tij i pandihmë e shterron veten në britma të brengosura, dhe, disa herë, me sëmundjen që i kontribuon asaj, në dënesa dëshpëruese ( si në poezinë “Vjeshta në Parakalim”) . “Kangët e Mjerimit” pasohen nga “Kangët e Përndimit”, e para prej të cilave (janë dy poezi gjithsej) është një lloj manifesti socialist, nje hygin për revolucionin që do të ndryshojë fytyrën e botës. Por në poezinë tjetër entusiazmi i hap rrugën meditimeve melankolike dhe Oksidenti i ngritur në qiell në poezinë paraprirëse tregon faqen tjetër të tij, atë të shfrytëzimit. “Kangë më vete” është një refuzim kategorik i thirrjes joshëse për “andrrat e vjetra”: nacionalizmi dhe feja. Për poetin e deziluzionuar nuk mbetet asgjë tjetër përveç dashurisë, të cilën ai e invokon me pasion si një strehë të
fundit. Toni bëhet subjektiv te cikli “Kangët e Fundit”, në të cilin poeti, duke përballuar vdekjen e tij të pashmangshme, rebelohet kundër fatit të vet, shpall dëshirën e tij për të jetuar, duke rrëfyer njëkohësisht se “jeta një nga një/secilin ndjesi/ me tradhti/po ma vulos”. Ai nuk e mohon misionin e tij si një poet socialist, ndërsa e njeh dështimin e tij përballë apatisë mbizotëruese të popullit.
Në një kontekst të tillë, “Kangët e Përndimit” përfaqësojnë majën e një parabole, në te cilën takohen elementët subjektivë dhe objektivë. Kjo shpjegon kompleksitetin e këtyre poezive, që do ta analizojmë pasi të kemi lexuar dy poezitë e fundit të ciklit “Kangët e Rinisë”, ku koncepti i Oksidentit identifikohet lehtësisht dhe qartësisht.(21) Le të fillojmë më lëximin e poezise së parë, “Hidhet e Përhidhet në shrregullën e fatit”.
“Shpirti” i poetit shtrihet i zhveshur në shfrim sentimental. “Zogu i lirisë” (poeti) merr “fluturimin” “drejt Oksidentit”, duke zbritur në një qytet europian (“qiejt e huej”), i përshkruar si një qendër urbane, njëherësh industriale (“makinat”) dhe kulturore (“vëllimet e librave, atomi apo kompasi”) dhe ku gëzimet e jetës luzmojnë.
Një vend i tillë ështe krejt i kundërt me Shqipërinë, një vend i prapambetur, gjysëm feudal, pa industri, kulturë, zbavitje dhe, mbi të gjitha, pa liri, një vend ku jeta i ngjason një burgu (“në pranga”). Poeti shpëton prej këtij burgu me anën e fantazisë, ai e ngushëllon veten me ëndrra. Para syve të tij kalojnë imazhe filmike(24), shkallë të mermerta që të çojnë në dhoma të mëdha të ndritshme, ku vallëzimi vazhdon gjer në agim. Por poeti e di se një qytetërim dhe një kulturë e tillë e lakmueshme realizohet me çmimin e vuajtjes së atyre, puna e vështirë e të cilëve ndahet nga shoqëria si me një “mur” burgu. Ai e di gjithashtu se barrierat klasore që e ndajnë njerëzimin në shfrytëzues dhe të shfrytëzuar mund të shkatërrohen nga revolucionarët, zemrat e të cilëve janë ashpërsuar nga vuajtja (“njeriu i gurit”). Vetëm revolucioni mund të sjellë “ringjalljen mbi të vjetrat kalbsina”. Ai mendim e kthen atë në realitet, dhe ai e gjen veten aty ku fati e ka thirrur, bashkë me të rinjtë e tjerë shqiptarë, “në pranga”.
Migjeni duhet t’i ketë krijuar këto vargje në Shkodër, ose përndryshe në Vrakë, me vështrimin e tij të ngulur mbi Oksidentin, drejt diellit që perëndon. “Prapa Malit” është deti Adriatik me Italinë në sfond. Gjendja shpirtërore fillestare e poetit është krejt e afërt me atë të Leopardit(poet italian) në poezinë “L’infinito”: e quinci il mar da lungi e quindi il morte”. Në të dyja rastet kërcimi i imagjinatës kompensohet me një dëshirë të zjarrtë për të jetuar, të cilën e frenon mjedisi. Por, ndërsa përfytyrimi i poetit italian tërhiqet shpejt në të shkuarën, imagjinata e Migjenit projektohet drejt së ardhmes. Njëri e gjen kënaqësinë në evokimin e pënnallshëm të kujtimeve të fëmijërisë së tij, ndersa tjetri mbyllet plotësisht ndaj kujtimeve. Por kjo poezi thekson në të vërtetë të tashmen, jo të ardhmen dhe motivi i carpe diem (lat. përfito nga rasti) errëson atë të revolucionit. Kënaqësitë për të cilat ëndërron poeti janë ato të “jetës së ambël”, ndërsa”njeriu i gurit” rrjedh prej Niçes.(25) Koncepti i mbinjeriut që përmbys të gjithe vlerat ka padyshim një ngarkesë revolucionare, por revolucioni i Niçes nuk ka të bëjë aspak me revolucionin socialist- simpatia e Migjenit për filozofin ndërmjetësohet, ka më shumë të ngjarë, nga hipostazia e tij.
Vargu, “hidhet e përhidhet drejt prendimit mbrapa malit”, mund të ishte përkthyer më saktë si “hidhet drejt diellit që perëndon mbrapa malit”, meqë në shqip “prendim” do të thotë edhe Perëndim (Oksident), edhe perëndim dielli. Poeti loz me këtë ambivalencë, siç mund te mësohet duke lexuar poezinë “Malli rinuer”, poezia e fundit e ciklit “Kangët e Rinisë”.
Vargu i parë, “Valët muzikore flutrojnë nga përndimi”,mund të ishte përkthyer si “Valët muzikore fluturojnë drejt diellit që perëndon”. Në strofën e tretë,vargu “nji tingull përndimi” është një përkthim pothuaj literal i togfjalëshit serbo-kroatisht “vecernji zvon”, titulli i këngës së tij të pëlqyer, që e kendonte në rusisht, sipas motrës së tij. Pra, “një tingull përndimi”, nëse interpretohet si “një tingull i perëndimit të diellit”, të kujton ” një tingull të këmbanave të mbrëmjes” (“zvono” në serbo-kroatisht do të thotë “këmbanë”), një kuptim që është përfshirë gjithashtu ne frazën e marrë parasysh. Në fakt, “këmbana” gjendet, megjithëse në një kontekst të ndryshëm, te “Shpirtënt shtegtarë”, të cilën do ta lexojmë së shpejti. Në poezinë “Malli rinuer” muzika është një zëvendësues për erotizmin: “Ndjesitë e mija me valët muzikore/ shkëmbejnë puthje të nxehta”, thotë poeti. Ky është një rast i kënaqjes së dëshirës seksuale përmes artit, një art në të cilin imazhi zevendëson objektin real, shënjuesi të shënjuarin: përvoja estetike imiton jetën. Frymëzimi dekadent është manifest në vetë titullin e poezisë: “mall” do të thotë “dëshirë” në përgjithësi, por në dialektin shkodran nënkupton një lloj të veçantë të dëshirës në të cilën kënaqësia përzihet më trishtimin (“malli i atdheut”). Ne kemi ardhur përmes oksimoron-it (oxymoron) “djaloshi plak” në krijimin paraprirës, dhe prandaj mund ta interpretojmë “mallin rinuer” si gjendjen e mendjes së një të riu që provon të tashmen, siç i përkiste të shkuarës: një ndjenjë e vdekjes që jeton, e jetës kufomë, tipike dekadente. Është e vërtetë se poeti shkroi vargje të tilla si këto në hijen e vdekjes së tij të pashmangshme. Fakti, sidoqoftë, mbetet që elementët dekadente tipike “crepuscolari” janë pjesë e poezisë së tij; ato duhen marrë parasysh për një vlerësim të drejtë të poezisë së tij në përgjithësi dhe për një kuptim të plotë të ciklit “Kangët e Përndimit” në veçanti. Ne nuk e dimë datën e dy poezive të ciklit “Kangët e Rinisë”, të cilat janë shkruar, ka më shumë të ngjarë, pas ciklit “Kangët e Përndimit” , duke qenë se gjuha dhe metrika e këtyre të fundit janë më pak të zhvilluara se ajo e dy poezive në shqyrtim ( gjithashtu vihet re se fjala “përndim” nuk kapitalizohet në këtë të fundit, një tregues se miti i Perëndimit ka pësuar një zhvlerësim në kohë). Por ne e dimë se njëra nga dy poezitë e ciklit “Kangët e Përndimit”, “Shpirtënt shtegtarë”, e cila ka po ashtu një frymëzim dekadent, ishte poezia e parë e botuar nga Migjeni. Një rrymë dekadentizmi e përshkon të gjithë poezinë e Migjenit, paralel me rrymën revolucionare që është më e rëndësishmja. Në tekstin e poezisë “Shpirtënt shtegtarë”, ndërthuren dy elementë antitetikë.
Ngase poezia “Shpirtënt shtegtarë” vihet në krye të prodhimit letrar të Migjenit, ajo është shumë e rëndësishme për rindërtimin e itinerarit të tij poetik. Ajo paraqitet shkurt në kohë nga një prozë epistolare, “Të fala nga fshati”, e cila mund të konsiderohet si matrica e tij. Kjo prozë , e shkruar në Vrakë, i drejtohet një kolegu në Shkodër. Poeti i ka zili shumë miq të tij që jetojnë në qytet, në qytetin e zemrës së vet, Shkodrën, “dashunoren e maleve të hjedhta, të lumenjve të cemtë dhe të liqenit andërrtar, në të cilin në mëngjese të kullueta- lan hijen e vet”. Por vuajtja nuk rrjedh vetëm prej përshtypjeve personale: “Vuej bashkë me fëminë, të cilit prindi nuk ia blen lojnën, vuej bashkë me të riun që digjet n’erotizëm, vuej me pesdhetvjeçarin që mbytet n’apatinë e jetës, vuej me plakun që dridhet nga friga e vdekjes; vuej me bujkun që lufton me tokë, vuej me puntorin të cilin hekuri e ndrydh, vuej me të sëmundët e të gjithë sëmundjeve të botës [ ….]. Vuej me njeriun”. Shokut, që ia kish keqinterpretuar natyrën e trishtimit të tij, ai i përgjigjet: ” Jo!- admiroj stilin e Shopenhauer-it,[…], pesimist nuk jam, se besoj në nji fuqi të njeriut, besoj në mbinjeriun”! Me fjalë të tjera, ai parapëlqen Niçen kundrejt Shopenhauer-it. Përfundimi i prozës epistolare paraqet temën e “Shpirtënve shtetgtarë”: “Sjellem nga Perëndimi, shklas barin e njomë , e do mendime plot sarkazmë, t’idhta, më turbullojnë kryet. Përqark, natyra, natyra në gjelbërim, më ngjan si një koketë e burdelit, e veshun në nji dekolte pikante. Liqeni me prralla të marra te “Nëmijë e një netët”, malet me një heshtje qesharake, e mbi këto dielli i vjetër, dielli një mijë, pesë mijë, dhetë mijë e kushedi se sa vjet i moçëm. […] .T., e vetmja dëshirë që ushqej tashti asht dëshira me iu ngërdheshë, me ia dëftue gjuhën atij dielli, që aq indiferent prendon prapa maleve”.
Duke shqyrtuar intervalin e shkurtër që ndan botimin e këtij krijimi në prozë prej atij të poezisë “Shpirtënt shtegtarë”, ne mund të arrijmë në mendimin se ky i fundit u hartua në Vrakë në pranverë të vitit 1934, vetëm pak muaj pasi poeti kish filluar të japë mësim në atë fshat. Me kthimin e tij në fshat, aty rreth vitit 1932, Migjeni pat aplikuar për një bursë për të studjuar jashtë vendit. Ai nuk e përfitoi bursën, e cila do të bënte të mundur që të vazhdonte studimet në një qytet europian, por në vend të kësaj u emërua mësues shkolle në një fshat minoritar serb. Viti i tij i parë i mësimdhënies, 1933-1934, përkoi me nacionalizmin dhe laicizimin e sistemit shkollor shqiptar. Poeti ishte në pajtim të plotë me politikën e laicizimit, porse politika e nacionalizmit i krijoi një problem të ndërgjegjes. Duke dhënë mësim në një enklavë serbe sipas udhëzimeve të politikës së re arriti të bëhej vegël e qeverise për ta çkombëtarizuar atë enklavë. Konsullata jugosllave në Shkodër, që ushtroi presion mbi Migjenin për të mos pranuar postin e mësuesit, mund ta shihte vetëm si tradhëti shërbimin e njërit prej ish-bursistëve të vet me origjinë sllave, që i dëmtonte interesat nacionaliste jugosllave.
Mund të përfytyrojmë se si u ndje i riu.”Të fala nga fshati” nuk tregon gjurmë të konfliktit të brendshëm. Por në një letër të shkruar pothuaj në të njëtën kohë si e para dhe drejtuar të njëtit mik, ai ngul këmbë në mospranimin e “kompromisit” në emër të sinëqeritetit të plotë. Në “Shpirtënt shtegtarë” poeti flet për “dashuninë tragjike”. Vargu i fundit i poezisë “Shtegtarë të mërguem, shpirtënt toiië n’origjinë po kthejnë”, e jep një çelës zbërthimi. “Origjina” është para së gjithash një metonimi për “realitetin”: poeti i rikthehet atij pasi e le shpirtin e tij të “endet” në “vendet e Përndimit të mrekullueshëm”. Fjala ka një ngjyrim si etnik, ashtu edhe gjeografik. Jo vetëm është prishur ëndrra e poetit për të vazhduar studimet në Perëndim, por ai madje s’mund të mbetet edhe në Shkodër-një lloj kompensimi- dhe ka përfunduar një mësues shkolle në një fshat serb: origjina e tij sllave duket se është dënimi i tij. Drama private ndërlikohet me një dilemë ideologjike, ambivalenca e tij për Perëndimin. Qytetërimi industrial (“fluide të hekurit dhe zjarrit”) që ka sjellë superioritetin e Perëndimit, po i afrohet orës së gjykimit: “ndërsa tue qa kumbon e thrret kumbon’ e fabrikës”, sirena “vë kujën”. “Merimanga” e kapitalizmit që ka mbërthyer Europën në rrjetën e saj është vetë një e burgosur brenda saj, një kontradiktë që do ta zgjidhë vetëm revolucioni proletar. Të menduarit e poetit vuan konvulsionet e një insekti të kapur në një rrjetë merimange. T’ia nënshtrosh besimin socialist (“n’eter të kulluet u bajnë fli ndjenjat e veta ma të holla”) dëshirës së borgjezisë për argëtim, të ushqejë në imagjinatën e tij ëndrrën e jetës në një qytet modern, duke e ditur se po atje proletariati shfrytëzohet më shumë, të mbyllë sytë ndaj luftës klasore ndërmjet shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve, të paracaktuar të mjerohen më tepër deri në shpërthimin e fundit (“horizonti plot me njolla [të përgjakshme]” të “së nesërmes fatale”) për Perëndimin, a nuk është një tradhëti për revolucionin? Ai duhet të heqë dorë nga “dashunija e tij tragjike”, të braktisë ëndrrat boshe, të takojë përsëri realitetin e ashpër.
Gjer tani kemi interpretuar dy përmasat, atë etnike dhe politike, të fjalës-kyç “origjinë”, por mund të shkojmë madje më tej dhe të zbulojmë një përmasë të tretë, atë metafizike. Kemi depërtuar tashmë, përmes dëshmisë në veprat e Migjenit, te mendimi metafizik që vjen prej Niçe-s, dhe “e nesërmja fatale” në strofën e fundit mund të interpretohet më tepër si një katastrofë e nënkuptuar se sa historike. Te poezia “Rezignata”, një prej poezive në ciklin “Kangët e Mjerimit”, lexojmë:
Na shprehun e të ngushlluem gjetme në vaj…
Mjerimet e morme në pajë
me jetë… se kjo botë mbarë
ndër gji t’Univerzumit asht një varrë,
ku qenia e dënueshme shkrrahet rrshanë
me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigani.
Leximi i Shopenhauerit ka lënë, pas të gjithave, paksa gjurmë në mendimin e Migjenit. Sa i përket një teksti të tillë, “rikthimi në origjinë” merr mbitone metafizike, “origjinë” që do të thotë dhimbje origjinale kozmike. Më vonë, Migjeni do të mundë të shmangë nga poezia e tij konceptet metafizike, pjesën e mbetur nga studimet e tij teologjike. Por duhet pranuar se “Shpirtënt shtegtarë” është një poezi tjetër- siç e sugjeron vetë titulli- e zhytur tërësisht në një atmosferë dekadente: “gjethe vjeshte”, “drita që shkimet në pamundsin’ e vet”, “Shpirtënt shtegtarë” në “viset e Përndimit të mrekullueshëm”. Poezia e parë e Migjenit qëndron e ndarë prej poezive të tjera të kohës, përzgjedhja e modeleve dekadente europiane, vetëm për shkak të potencialit të saj më te lartë artistik.
*Titulli është redaksional, orgjinal është: Migjeni dhe pasioni për Perëndimin
Pipa dhe Migjeni
Tri esse të Arshi Pipës, deri vone të panjohura për lexuesin, dhe mund të thuhet të pareferuara prej kritikës letrare shqiptare, ku bëhet një analizë tekstuale estetike dhe kritike për poetin më të rëndësishëm, më ndikues në poezinë shqipe të shekullit XX, Millosh Gjergj Nikollën. “Për Migjenin”, shkruar në tri kohë të ndryshme: Historia e dhimbshme e një shpirti të ri (Revista “Kritika”, 1944), “Nderim për Migjenin” (Revista letrare, 1945) dhe “Miti i Oksidentit në poezinë e Migjenit” (Kapitulli i veprës estetiko-kritike me titull “Trilogjia Albanica”, botim në anglisht i vitit 1978). Në këtë numër kemi botuar një fragment nga esesja e fundit mbi mitin oksident në poezinë e Migjenit, por që merret në një kontekst historik kur mes intelektualëve debati më i madh bëhej mbi oksidentin.