Konica dhe “Doktor Gjëlpëra…”, receptim i papranuar, një vështrim kritik mbi veprën konsideruar të pambaruar deri më sot.
Nga Violeta Murati
Ai që lexon veprat e Konicës e sidomos veprën “Doktor gjëlpëra, zbulon rrënjët e dramës e Mamurrasit” do të mbetet i prekur nga shkëlqimi i ideve, dhe nga pasuria e mendimit të shprehur. Aty për aty bindet për filozofinë e Konicës dhe bëhet ndjekës “konician”. Ndoshta nuk ka pasur mendimtar më të mprehtë për dramën, qoftë shpirtërore dhe sociale të njeriut sa Konica. Ai u bë rebeli dhe kundërshtari, pothuaj, më i ashpër i kohës dhe i shqiptarëve, në një anë duke hyrë në shpirt të tyre me art, nw anw tjetwr duke u pwrkryer nw stil e gjuhë. Referuar koncepteve të tij themelore, e vërteta ishte hov jetik për të. E vërteta e Konicës ishte e amëshuar dhe jo një afeksion prej kohës kur jetoi, apo divergjencë historike. Mbi këtë prespektivw ngriti filozofinë Konica, duke pasur dhe kohën e tij të suksesit, ashtu si e vështrojmë, si valë admirimi, prej nga lindi kritika.
***
Publicist, kritik letrar dhe veprimtar politik, Konica më 1906-1907 luftoi kundër përpjekjeve për organizimin e kryengritjes së armatosur si rrugë për sigurimin e lirisë dhe të pavarsisë së vendit. Pas dështimit të Revolucionit demokratik të qershorit, u vu në shërbim të Mbretërisë dhe më 1925 u emërua ambasador i qeverisë shqiptare në Uashington.
Emri i Konicës është i lidhur me revistën “Albania”, një nga organet politike e kulturore më të rëndësishme të Rilindjes, që e nxori dhe e drejtoi vetë nga viti 1896 e deri më 1909, kur u mbyll. Vend të rëndësishëm në revistën zinin shkrimet e vetë Konicës, artikuj, studime, shënime pamflete e përshkrime, që dallohen për notat e sarkazmës dhe tonin fyes ndaj kundërshtarëve politikë dhe armiqve të Shqipërisë. Konica u përpoq për një gjuhë shqipe letrare të përbashkët dhe solli ndihmesë në pasurimin e zhvillimin e stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Në të gjithë krijimtarinë publicistike pasqyroi problemet shqiptare, duke vënë në dukje edhe të metat individuale të shqiptarëve.
Në lëmin e krijimtarisë së mirëfilltë letrare penës së Faik Konicës, i përkasin disa proza të shkurtra poetike, të cilat karakterizohen nga kulti i formës së kulluar artistike.
“Jemi të mendimit se personaliteti i shkrimtarit asht gjithmonë çelsi i artit të tij. Nuk arrijmë me kuptue se si arti e jeta mund të jenë te artisti dy anë të ndryshme, të kundravendosura. Dhe në qofshin këto nji herë të vërteta te artisti i zakonshëm, qi e idealizon jetën e vet n’art, janë dhetë herë të vërteta te ata të rrallë qi, tue ndrrue marëdhanien, e sjellin artin e tyne në jetë…” ,- shkruan për të Arshi Pipa. Me këtë kritiku na bën me dije se kemi të bëjmë me një shkrimtar që tehu letrar vret larg nga mjedisi duke zgjeruar spektrin e shqipes.
Vepra e tij letrare më e rëndësishme konsiderohet novela “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, botuar si nënfletë në gazetën “Dielli”, 1924, në të cilën krahas kritikës për prapambetjen e jetës shoqërore dhe shpirtërore të vendit, shprehu kritikën e tij të thellë ndaj popullit shqiptar, që megjithë energjitë që ka paraqitet si forcë e paaftë për të marrë rrugën e përparimit ekonomik dhe shoqëror.
Një shkrimtar dhe intelektual i veçuar për inteligjencën, që e përdori për të ngritur në ironi veprën e tij, në njohjen e njeriut. “…kishte tinguj të nji mendësije të ndryshme, perëndimore, ma të qartë, e qi ma se nji herë i u-dukshin të çuditshme botës së vjetër shqiptare”,- thotë me tej Pipa duke afruar interierin letrar të Konicës .
Konica ishte një nga nismëtarët e kritikës letrare te ne; vuri në dukje përparimin e poezisë shqiptare në veprën e Naimit dhe të De Radës, çmoi Asdrenin, i bëri jehonë botimit të “Baba Tomorrit” të Çajupit etj. Konica la pas përkthime nga të cilat përveç disa përrallave nga “Njëmijë e një net” u botuan në librin “Nën hijen e hurmave” (1924). La dhe vepra të tjera të pabotuara si “Shqipëria kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, të cilat u botuan më vonë. Noli do ta quante veten nxënës të tij. “Mësova se në shkrimet e Konicës ne e kishim atë që na duhej: letërsinë e mirë shqipe” . Konicës i anatemuar, njeriu “që hodhi baltë mbi letërsinë shqiptare” , “shkrimtarit reaksionar”, sikurse u quajt paturpësisht, i cili u hoq nga letrat shqipe për motive politike.
***
Faik Konica është ndër të rrallët njerëz të ditur të Shqipërisë që i deshi aq shumë, por dhe i kritikoi aq ashpër shqiptarët. Gjithmonë kur vuri në dukje problemet që karakterizonin jetën ekonomiko-shoqërore të Shqipërisë, ai gjykonte si një nga shkaktarët kryesorë natyrën kontradiktore të shqiptarit. Ndaj, ai u tregua sa mbrojtës i vlerave të mëdha njerëzore dhe kulturore, aq dhe kritik për natyrën e brendshme dhe kontradiktore të tyre.Nga këndvështrimi i tij perëndimor, ai kritikoi pa mëshirë amullinë tonë politike dhe shoqërore, organizimin e varfër shtetëror të kohës së pushtuar nga shpirti feudal. Në veprimtarinë mendore të Konicës janë tipike temat që nxisin dashurinë për atdheun, që ekspozojnë mundësitë e mëdha ekonomike që ofron Shqipëria e bukur natyrore, dëshpërimin dhe braktisjen që nxit tek njerëzit prapambetje e saj. Kontributi i tij në fushën e gjuhës shqipe është i veçantë, prandaj tema e zhvillimit dhe e mbrotjes së epërsisë së gjuhës shqipe është e dallueshme. Në tematikën e Konicës tërheq vëmendjen kritika e rreptë, që i bën politikës pa qëllim, pa ideale, duke e konkretizuar atë me luftën e partive politike shqiptare, që i karakterizon grindja dhe mungesa e kompromisit, si dhe trajtimi i problemeve të njeriut të emancipuar dhe të lirë. Por, Konicën që e kemi parë më tepër si një teoricien, e shikojmë këtu edhe si një njeri që e vë vehten në mendime për të trajtuar edhe tema me karakter praktik, siç është ai qarkullimit të parasë dhe monedhës.
-Zgjedha jonë, Konica dhe romani i tij i vetëm që ka lënë trashëgimi, është përcaktuar nga disa faktorë. Së pari, ky autor është ndër më të polemizuarit dhe kryesore qoftë në publicistikë dhe në letërsi, ku kjo e fundit është e rrudhur në krahasim me eseistikën dhe publicistikën. Studiuesit i referohen natyrës dembele të Konisës, kur i vënë në dukje procesin e ngadaltë letrar. Edhe Konica, ashtu si Koliqi janë dy autorë të viteve ’30 që kanë kontribut të madh qoftë në letërsi, por dhe në kritikën letrare, që të dy të ndaluar dhe u lanë jashtë komunikimit me lexuesin. Janë mjaft aktivë, njëri me gegërishten letrare, dhe tjetri përfaqësues i denjë i toskërishtes letrare.Por, për Konicën janë më të pakta angazhimet kritike pas viteve ’30-të. Romani që kemi zgjedhur si vepër përfaqësuese në këtë vëzhgim kritik, ka qenë ndoshta më i analizuar në gjithë krijimtarinë e Konicës, shpesh mbërthyer nga situate engimatike, që lidhen me procesin e një romani, vënë në dilemë. Nëse kemi të bëjmë me një roman të papërfunduar, të ndërprerë apo tashmë të organizuar dhe lënë në dorë lexuesit meditimi historik, ku vetë emërtimi i titullit nuk gjen përputhje me brendinë, apo rrëfimin, sipas ngjarjes reale të ndodhur në vitet ’20-të. Në hetimin e këtyre dilemave jemi vendosur në argumentin tonë, për të kuptuar qasjen estetike në një vepër që ngjarjen e ka të pambyllur, por arritjen letrare e ka të kryer tashmë.
A kemi të bëjmë me origjinalitet të Konicës në këtë roman? Argumenti i parë na vjen në tendencën e natyrshme të Konicës, sidomos referuar të riut, mbi energjinë që shqiptarët kanë për jetën, një origjinalitet gjenetik, që nuk lë indiferent shkrimtarin, duke e sjellë në një atmosferë lirike, në një mjedis të huaj. Ky veçim psikologjik i jep shtysë Konicës që ta rikthejë në vendlindjen personazhin e tij, Doktor Gjëlpërën. Ndonëse, veprën e Konicës e kanë cilësuar si “aksion letrar”, mendojmë se kjo vepër meriton nxitjen e vështrimit jo vetëm strukturor, por dhe ekspresiv, si një vepër e kryer semantikisht, sa i takon stilit rrëfyes, dhe gjuhës së zhdërvjellët që zbret nga një lloj intelekti natyral i Konicës. Ndryshe nga Koliqi, që rrëfen në gjuhë trupi, shpirit dhe imagjinate, Konica e pasuron semiotikën gjuhësore me gjuhën e intelektit, arsyes praktike. Gjatë punimit kam përdorur emërtimin prozë dhe roman, duke e parë këtë si një pjesë e analitikës strukturale, të Doktor Gjëlpërës.
“Doktor Gjëlpëra…”, receptim i papranuar
-Fizionomia e Faik Konicës prozator del e plotë dhe me veçoritë e saj individuale në prozën e gjatë .Kjo shihet ne “Katër përrallat nga Zullulandi”, por mbi të gjitha “Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjet e dramës së Mamurrasit”. “Katër përrallat nga Zullulandi” është një cikël tregimesh, prej të cilave vetëm njëri u botua në gazetën “Dielli”, (1922). Ky është i pari dhe i fundit tregim i Konicës, po të kemi parasysh se gjithë proza tjetër është kryesisht e shkurtër. Ndërsa “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjet e dramës së Mamurrasit” konsiderohet si vepra më e fuqishme e Faik Konicës, ku autori bën një anatomi të pamëshirshme të sëmundjeve shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë. Një vepër satirike që nisi me një seri shkrimesh në “Dielli” më 1924, por u ndërpre kur Konica u përfshi me regjimin e Zogut, si diplomat. Një dramë që ka pasur mjaft debate pas ’90-ës kur është marrë për shqyrtim, për të cilën mendohet ende e papërfunduar. Por e vlerësuar në disa raste e saponisur, pasi merr përsipër të na zbulojë rrënjët e dramës së Mamurrasit, ndërkohë që në fragmentin që njohim kjo dramë s’ka filluar ende të përmendet.
Konica ndahet në dy vështrime në këtë novelë hamendsuar lënë në gjysëm; “Doktor Gjëlpëra” nuk jepet aq për nga e vërteta që ai shprehte, se sa te mjeshtëria për të shtyrë në shpresën e iluzionet mbi njohjen e njeriut, për t’u transformuar si strukturë mendore në evoluimin e tij. Këtë shtjellje mendore e ngriti në një formë shkatërruese plot ironi, ose siç e cilëson Pipa: “Ironija asht nji “forma mentis”, ashtu një trajtë, asht stil”. (“…Pamfleti shkatërron, dhe ironija, vetëm, a mund të krijojë? …Kur nuk është a shoqnueme me fantazi krijuese ajo mbetë në planin e fragmentavet e të vijosjevet të shpejta, a përshtypje e rasës. Ironija pa peshën e landës asht fluturake: asht ndër hujet e erës qi e shëtitë për pak herë këndej herë andej” .
– Doktor Gjëlpëra ëshë një intelektual i ri shqiptar, që pasi kryen studimet për mjekësi, ndodhet para dilemës; të qëndronte jashtë, ku e priste një karrierë me prespektivë, apo të kthehej në atdhe për të kontribuar në zgjimin e tij, në përmirësimin e shëndetit të popullit. “Shkaqe të mendjes…dhe të shpirtit “ e kthejnë në atdhe, ndjekur si motiv patriotik , plot ideale për vendlindjen. Jeta e Dr. Gjëlpërës ndahet bardhë e zi, në jetën jashtë atdheut, dhe epoka e kthimit të tij. Në të parën atmosfera është idilike, plot andrralla dhe përsosje karakteri. Jemi në Luftën e Parë Botërore, që përkon më formimin intelektualë të të riut dr. Gjëlpëra. Lirizmi i të riut, duket si një anë e romanit plot romantizëm, dhe gati në qasjen klasike të narracionit. Por shpejt si njeriu i detit, Konica vendos të zbresë në tokë, atë amë. Shpesh na duket sikur gjithë ritmi energjik, dhe intelektual i dr. Gjëlpërës paralajmëron autobiografinë e mendimit të autorit. Ai kthehet në vendlindje, duke na zbuluar pak nga pak pjesën tjetër të historisë, atë të zymtën, po aq romantike dhe shpresdhënëse sa narracioni klasik. Kjo erë vërtitet në hapësirën mendore të Dr. Gjëlpërës ndërsa fiton respektin kudo ku ai punon në atdhe, një diagramë që kundërshton “rebelin” duke depërtuar në gen të njeriut. Përballja nuk është e fortë, e ashpër por si mbjellje që zë rrënjë, e që sjell rritjen e ndryshimin gradualisht. Si duket kjo bën dhe diferencën e shkrimtarit nga personazhi, për të kuptuar se çfarë ndodh në qelizë të dramës që po përgatitet të thuhet nga autori. Gjë që nuk ndodh. Është ndër romanet që autori na “detyron” të ndjekim personazhin, përmes tij, si ciceron i kësaj atmosfere krijohet kontrasti i tablove midis individit dhe kohës, individit dhe kolektivit, si turmë. Predikimi i kundërt me propagandën socrealiste, prej së cilës humbi vetdija individuale si dhe shkatërrimi i karakterit në një roman.
-Ndërprerja e veprës mendohet të jetë një provë për opurtinitetin dhe mos koherencën e tij. Ndërprerja e “Dr. Gjëlpërës”, të cilën të gjithë e vlerësojnë si kryeveprën letrare të Konicës, ka rënduar më së shumti në gjykimin pothuaj unanim, se Konica nuk na ka lënë qoftë edhe një vepër të përfunduar, duke iu referuar natyrës së tij të pavullnetshme . Në pamje të parë duket sikur ekziston një kontradiktë mes vlerësimit të lartë që i bëhet figurës së tij dhe veprave që ai la. Në të vërtetë, nuk la vepra monumentale. Aftësitë dhe energjitë e tij krijuese, kualifikimin artistike dhe potencialin intelektual ai e shpërndau në shumë fusha, madje veprat më të rëndësishme që nisi, nuk i çoi deri në fund, nuk i kreu”) Prandaj, kjo është konsideruar si një vepër “problematike” për shkak, se kritika nuk është pajtuar me përkatësinë e zhanrit. Është cilësuar: prozë satirike, prozë e gjatë, roman i papërfunduar, roman i saponisur, novelë, novelë satirike, novelë e llojit etologjik, apo diçka midis romanit dhe pamfletit. Ndoshta për këtë shkak “Dr. Gjëlpëra” nuk e kemi parë të shqyrtuar, apo të përfshirë në proceset antologjike si evoluim në gjininë e letërsisë shqipe.
-Nuk mund të bëjmë një afri estetike mbi këtë vepër për shkak të vlerave të diskutuar nga kritika mbi një radhë mangësisht, ndër të cilat “mospërfundimi” vlerësohet si burimi kryesor i kësaj qasje . Vepra mendohet të jetë shkruar saktësisht më 1 nëntor, dhe jo siç është pohuar më 24 dhjetor, duke e parë këtë në kuadrin e një reaksioni ndaj Zogut, politikës dhe mentalitetit të tij, si edhe reaksion ndaj situatës së pas 20 qershorit 1924.
Kritika mendon se botimin e “Dr. Gjëlpërës” mund ta quajmë të ndërprerë, por nuk kemi aspak të drejtë ta konsiderojmë të papërfunduar.
Në këtë segment të romanit, shpesh është vërejtur fakti se deri në ç’përmasa ka mbërritur kurba krijuese e kësaj vepre? Kjo nisur prej trajtës së veprës që deri në faqet 70-90 nuk njihet hyrja në temë, pra që nuk është zënë fare në gojë qoftë edhe një herë “drama e Mamurrasit”
Shpejtësia me të cilën është shkruajtur vepra si dhe mungesa e dramës së Mamurrasit në të, ka çuar në shumë dilemma kritikën deri në mundësinë se “diçka nuk shkon në dramën e Mamurrasit”, madje në të tërën e saj. Ka mjaft hipoteza që hedhin dritë se titulli i veprës nuk lidhet me dramën e Mamurrasit, ngjarjes së vrasjes së dy amerikanëve. Por, një hulumtues i hollë i letërsisë dallon se vepra nuk merret me dramën po me ndriçimin e rrënjëve që tentojnë njohjen e njeriut.
Konica bëhet një zëdhënës, dhe padyshim avokat i njohjes njerëzore dhe pse fati kërkonte të gërmonte mbi gjendjen mentale të shqiptarëve.
Narracioni me realitetin mbeten dy gjendje engimatike sa konvergojnë dhe ndahen mes tyre, për të cilat Konica nuk interesohet. Shkrimtari zgjedh të bëjë mbartjen me të natyrshme të zbulimit estetik duke e shndërruar veprën në një lloj profecie, prej së cilës edhe sot meditojmë mbi natyrën njerëzore.
Jemi kundër thënies mbi veprën si “aksion qytetërues”, pasi këtu paragjykohet shkrimtari si aktiv në jetën politiko-sociale për të zgjuar vetëdije tek shqiptarët. Në këndvështrimin e sotëm, horizontit të pritjes prej lexuesit mendojmë se Konica tentativën psikologjike pak e ka në interes. Surealizmi letrar zhvendos vëmendjen nga një meditim apo kronologji rrëfimi. Te dr. Gjilpëra arsyeja e përgjithshme është, ndër të tjera, rrjedhojë e një emëtimi të mendjes metaletrare kundërjet realitet letrar shqiptar, një raport që ndeshet edhe sot.
-Mund të përfytyrojmë sëmundjen konkrete një çast mjekët anadollakë japin direct ilacin, antitrupin e sëmundjes, ndërsa një mjek i moderuar si Dr. Gjëlpëra nuk e jep ilaçin po kërkon zbërthimin psikologjik të të sëmurit, ta zhveshë atë nga çdo lloj kompleksiteti të mosdijes mbi vetveten për ta lënë lakuriq me të vërtetën, embrionin nga nis sëmundja ose mos ekzistencën e saj. Nëse “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjën e dramës së Mamurrasit” është sëmundja dhe ilaçi njëkohësisth qysh në titulli, në një qasje estetike ky nuk është veçse një simbolikë e ngritur mbi një meta-realitet të pakonsumuar si ngjarje në vepër. Ndryshe nga ç’mendon deri tani kritika, ose studiues mbi zbardhjen e kësaj vepre të diskutuar të Konicës, kam dyshime jo vetëm estetike por dhe sociologjike se kemi të bëjmë me një krijimtari të ndërlikuar. Struktura sintaksore dhe ajo semantike e kryqëzuar si një vepër romanore ndoshta është kurthi, ku ka rënë të gjithë studiuesit për t’i dhënë kuptimit “i papërfunduar” ca hulumtime ose hipoteza që e shndërrojnë në një vepër jo të qënësishme “Dr. Gjëlpërën”. Në ç’kuptim? Receptimi fizik mbi një vepër autoriale sipas të gjithave gjasave klasike “Dr. Gjëlpëra” i bjerr, i shkatërron. Ashtu siç mund të ngrihen hipoteza, ose të jepen argumente mbi një strukturë të papërfunduar, apo më saktë mbi një temë të sugjeruar, por që nuk ka prani të realiteti semantik që ndeshet në titull, shpesh i hedh në humnerë, ose çon në buzë të saj studiuesit. Kjo ngatërron edhe arsyet e shtjellimit estetik, në dhënien e përkufizimeve hipotetike se veprës akoma nuk i është dhënë përcaktimi zhanror.
Mjafton t’i afrohemi një etnosi real që ekziston në përmbajtjen e veprës, si strukturës se si kjo zbret në një areal mitik përballja përfytyryese të japin shkallët e Dantes, në perceptimin se si drama kalon shkallë nga lart poshtë, dhe pastaj vazhdon rrugën e gjatë, lineare duke e lënë këtë segment në infinitin e saj. Ky infinit është keqkuptimi që i sjell strukturës së veprës së “Dr. Gjëlpërës” duke e vlerësuar shpesh të papërfunduar, ose këtë mospërfundim e kalojnë në caqet e një dobësie estetike.
Pyetja vetiu që kalon përfytyrimin e kësaj qasje letrare, që vë në dyshim mjaft të dhëna estetike prej veprës, apo narracionit të saj është: pse Konica zhvendoset aq dramatikisht nga një botë e lirë, moderne ku jeta rrjedh në një natyrshmëri ashtu si edhe narracioni ynë i “Dr. Gjëlpërës”, në një lëngatë psikike, që ndalon totalisht inspirimin apo vërejtjen estetike? Përgjigje e sigurtë është: imperativi linguistik në raport me imagjinatën, arsyeja praktike në raport me steriotipin e boshatisur për shkakqe të tilla letrare.
Oda e Konicës në këtë vepër është krejt e boshatisur nga struktura, gjinia, rryma, përmbajtja figurative. Konicës duket se nuk i intereson lexuesi historik, as drama si paratekst (kemi prasysh titullin). Fatkeqësisht ky lexues historik është i përfshirë në fytyrat e verdha, përshkruar me zbritjen e Dr. Gjëlpërës në stanin e ferrit. Konica së bashku me Koliqin, kanë afrinë se veprën e tyre nuk pyetën për “lexuesin historik”, përkundër: në një anë Konica e përjashtëoi fare, duke ngritur ngushticën tunelore të zbulimit; ndërsa Koliqi e injoron duke eksperimentuar në qënien, unin.
Diskutimi mbi një vepër të papërfunduar, si tipar i inkoherencën së veprës letrare moderne, mund të hidhet poshtë në rastin e Konicës. Mjafton të kemi parasysh gjithë korpusin eseistik, angazhimin publicistik, prozën e shkurtër duke na dhënë një project letrar, gjuhësor që sanksionon qartësi strukturën mentale të një vepër që përbëjnë botëvështrimin e përgjithshëm të Konicës. Fjala është për koherencën e tij.
Mendoj se përcaktimet mbi “Dr. Gjëlpërën” si vepër inkoherente merr përgjigje në rileximet e sotme. Ideatori i strukturës mendore të shqiptarëve që përsëriste e këmbëngulte vazhdimisht mbi këtë përvojë njerëzore, për kuptimin e së mirës e të keqes, morales dhe imorales si një përgjigje e fortë dhe e thellë të evolucionit njerëzor mbeten raportet më të dendura në gjithë krijimtarinë e Konicës.
Arkitektura e tekstit të Konicës në prozë mbetet po ajo, e njëjta strukturë e fabulës, e përrallës të shkruar edhe para “Dr. Gjëlpërës”. Si paratekst të saj mund të përmendim ironinë e “Një ambasadë e Zulluve në Paris”.