“Burri që këqyr”, një roman i guximshëm, që merr përsipër të kalojë përmes Romës antike, dhe asaj moderne, që shënon një rast pothuaj patologjik të njohur në revolucionin seksual të ’68-ës, ndërsa patologjia e dominancës dhe pushtetit në procesin e njohur frojdian të babait e birit, e kanë bërë shkrimtarin Alberto Moravia të ndërtojë personazhe klasikë, e të shkruajë një roman të dedikuar, që në shqip vjen mjeshtërisht nga përkthyesja Diana Kastrati

Bisedoi: Violeta Murati

Diana, keni përballë një gjuhë me të cilën janë shkruar kryevepra botërore, siç është dhe trashëgimia e saj, Italia. Si arrini të përzgjidhni dhe të vendosni përkthimin nga italishtja të një vepre, shkrimtarin në rastin tuaj?

Është i mirënjohur fakti i lidhjes së ndërsjellë midis mendimit dhe gjuhës. Në këtë këndvështrim, dëshmia më bindëse është rasti i letërsisë italiane me gjuhën përkatëse. Gjuha është mjeti i materializimit i mendimit, kësisoj një mendim i sofistikuar lyp detyrimisht një gjuhë të tillë, sofistikimit të mendimit do t’i përgjigjet patjetër një gjuhë e sofistikuar. Kësisoj, letërsia italiane mban brenda historikisht monumente letrare në nivel jo thjesht europian, por edhe botëror. E pashmangshmërisht, gjuha që përcjell këtë kompleksitet rafinim mendimi, është po aq komplekse. Pavarësisht mendimit se kompleksiteti vështirëson të kuptuarit, në gjykimin tim, unë shpreh bindjen se veprat perla që qëndrojnë në bazamentin e fondit letrar italian, vijnë të kuptueshme qartazi në secilën gjuhë tjetër. Në këtë hulli, përzgjedhja e autorëve për mua ka qenë dhe është një çështje sa kënaqësie, preference pse jo, por edhe ndjekje e vlerave autentike letrare, po aq sa edhe e bashkëkohësisë me raste. Përpos kësaj, ekziston edhe një praktikë shumë e bukur që shtëpitë botuese propozojnë emra të vlertë, ashtu sikurse kërkojnë mendim nga përkthyesit për të përzgjedhur një autor të caktuar. Unë kam “udhëtuar” pak a shumë nëpër të tri këto tendenca.

Pse Moravia, dhe kjo vepër “Burri që këqyr” në shqip? A mund të konsiderohet si një vepër e guximshme për sa kohë vendos Vuajërizmin në qendër?

Siç jam shprehur edhe në raste të tjera e vende të tjera mediatike apo në konferenca, Alberto Moravia përbën për mua një nga krijuesit letrarë që më ka “mbërthyer” vëmendjen e shpirtin shumë herët, që para 24 vitesh të paktën. E kam përkthyer, e kam studiuar, jam thelluar tek ai. Kjo është një nga arsyet e përkthimit. Nga ana tjetër, Moravia futet në sfondin e letërsisë italiane, po aq sa edhe asaj botërore, si një nga emrat më të spikatur dhe me një produkt artistik letrar shumë të bollshëm. Jetoi gjatë dhe intensivisht si artist e intelektua (1907-1990), madje edhe si europarlamentar në pjesën e fundit të jetës së tij. Në skenën letrare italiane kur Moravia u fut furishëm me një roman risi për kohën “Indiferentët”, por po aq edhe universal në përmasat e veta, ishte koha kur dukej se romani italian ishte në krizë të fortë, thuajse në zhdukje, pavarësisht figurave të tjera intelektuale e artistike si Svevo, Tozzi e Pirandello, zhanri i romanit ngjante thuajse i humbur.  Asokohe romani i parë i tij, erdhi si një frymë krejtësisht e re, në kundërshtim me skemat ekzistuese të shkrimtarëve që e konsideronin veten lirikë, që idolatronin emocionin e çastit dhe që e konsideronin romanin si diçka krejtësisht teknike, një bashkësi rregullash të destinuara për të cliruar venën më të sinqertë artistike të autorit. Por, në rastin konkret të përkthimit të romanit “L’uomo che guarda” (“Burri që këqyr”) nuk bëhet fjalë thjesht për preferencën time: në vitet e fundit në Shqipëri, pati një ringjallje të interesit nga ana e botuesve për këtë autor që konsiderohet klasik për vendin që zë në letërsinë italiane të shekullit të XX-të. Andaj, shtëpia botuese Dituria e përzgjodhi me guxim këtë vepër dhe ma besoi mua përkthimin, gjë për të cilën i jam mirënjohëse. Përdora termin “guxim” për një arsye të caktuar: romani trajton një çështje delikate siç është ajo e fenomenit të Vuajërizmit. Një temë që për shumë konsiderohet tabu, por që për Moravian shndërrohet në subjekt letrar. Në qendër të veprës qëndron raporti fort i vështirë midis një babai të moshuar tashmë, ish profesor i nderuar universiteti, dhe të birit 35 vjeçar, po kështu edhe ky i fundit profesor universiteti. Personazhi kryesor, i biri, Eduardi apo Dodo siç e thërret e shoqja në intimitet, është Vuajëri. Ekzistenca e tij kalon e zhvillohet përmes syve. Bëhet fjalë për një intelektual, të dalë nga revolucioni kulturor seksual i 1968, i quajtur në Itali Kontestacion. Këtu më duhet të bëj një sqarim të domosdoshëm: personazhi Dodo, më  shumë  se sa sheh, din të futet, pikërisht të këqyrë, sekretin e jetës në lëvizje. Nga ana tjetër, Moravia thotë se: “Vuajëri nuk mund të  ekzistojë  pa ekzibicionistin. Ai formon me të një çift kaq të fortë, po aq sa çifti sado-mazokist”.

Këtë  thotë  edhe poezia e Mallarme-së e vendosur si fjalë kyçe në ngjarjet e romanit: vuajëri këqyr, por edhe fotografon. Fotografia, është elementi tjetër që e shoqëron romanin, vuajëristin tonë. Ashtu si pasqyrat, në  romanet e tjera të Moravias, ajo shërben për të shumëfishuar imazhin e kapur prej tij, për të  kuptuar lëvizjen. Ideali i vuajërit, sipas Moravias, është  ta këqyrë një  skenë e ta memorizojë sekuencën.

“Burri që këqyr”, një roman rreth seksit, a nuk është më tepër një roman për pushtet, dominim? Si lindi një roman i tillë?

Vepra në fjalë përbën një risi të fortë për periudhën kur u shkruajt (por edhe për kohët e sotme). Për të kuptuar lindjen e këtij romani, na duhet të kuptojmë një fakt të mirënjohur nga kritika letrare, por të përsëritur me dhjetëra herë nga vetë Moravia: ndikimin fatal që  ushtroi psikanaliza në formimin e shkrimtarit Moravia. Ai u plazmua si shkrimtar në  një  epokë  kur nuk mund të  injorohej më  teoria e Freud-it, e cila kishte filluar të  bëhej pjesë  e çdo kulture intelektuale dhe filozofike serioze. Në  rastin e tij ka një  pikë  bashkimi midis një  përvoje subjektive dhe një  doktrine tashmë  popullore. Ai edhe mund të  kishte arritur vetë  tek përfundimi i  përparësisë  së  faktorit seksual në  ekzistencën e njeriut duke u nisur nga përvoja personale (shtrimi i tij në spital që në moshën 9 vjeçare; ndikimi që pati kjo ngjarje në  botëkuptimin e tij fëminor; leximi i letërsisë  më  të  mirë  europiane si Rimbaud, Dostojevskij, Proust), por, pa mbështetjen intelektuale të  leximit intelektual të  Freud-it, vepra e tij nuk do të  mund të  kishte kurrë  të  njëjtin guxim dhe atë  profil aq made in Moravia që e bën aq bindës. Shkurt, takimi i Moavias me Freud-in është  krejtësisht i rastësishëm, pra nuk i detyrohet asgjë atij, por në të njëjtën kohë i nevojshëm (pa Freud-in, Moravia nuk do të  ishte Moravia). Tek Freud-i, ai dhe të  tjerë  krijues të  fillim shekullit të  kaluar, gjetën garantin intelektual që  do t’u lejonte të  thelloheshin në  hullinë  e gjetur nga ata vetë. Pra, ndikimi i psikanalizës tek Moravia nuk kufizohet thjesht tek vëmendja e veçantë që ai i jep çështjes seksuale; ajo shtrihet tek zbulimi që ai i bën një  problematike të re, e cila përmbledh të  gjithë  aspektet e ndryshme të  qëndrimit njerëzor: asnjë nga qëndrimet tona nuk është i thjeshtë, i drejtpërdrejtë e i pafajshëm. Secili prej tyre presupozon një kompleksitet afektiv që  i shpjegon, duke formuar kësisoj natyrën njerëzore. “Burri që këqyr”, tek e fundit erdhi pas gati 50 vitesh krijimtari letrare të Moravias, ku në pjesën më të madhe të tyre gjejmë tematika që lidhen me seksin dhe me ndikimin e tij në veprimtarinë e përditshme njerëzore.

Problemet mes babait e të birit, janë të lidhura jo vetëm me vdekjen e nënës së Dodosë, por dhe me vetëdijen e refuzimit, të konstestimit të ‘68-ës. Kush mendoni se vuan më shumë në këtë garë seksuale mes palëve babë e bir? Ç’ishte kjo atmosferë në Itali?

Romani, si çdo vepër letrare, ka nevojën e të kuptuarit me një çelës leximi: seksi tek Moravia është një  metaforë, por e shtyrë deri në ekses. Çështja seksuale në romanin në fjalë (ashtu si edhe për të tjerë të tij), është një metaforë, por e shtyrë deri në ekses. Prej aty zë  fill çështja e pushtetit. Një  pushtet që vendoset a priori. Romani botohet në 1985, kur ai ishte 78 vjeç. Në  një intervistë për Magasin litteraire në Francë, ai shprehet se: “Ky është një roman spekullativ…/”. Babai është borgjezi, i biri është kontestatori. I pari është instinktivi, primitivi, i dyti është shpirtërori, intelektuali. I pari e ushtron pushtetin, pikërisht sepse është  instinktiv, i dyti e pëson, sepse intelektualët gjithmonë e pësojnë. Ky pushtet shtyhet në ekses në roman deri në  një garë seksuale midis të dyve. I biri, Dodo, një emër që e bën qesharak që  në fillim mbase, është  aktivisti i kohës së  kontestacionit në Itali, por të cilin e ka lënë  përgjysmë edhe atë , sepse nuk beson më. Në Itali, Kontestacioni ka patur dy epoka: njëra individuale që  lidhej me natyrën e zakoneve të të jetuarit, ndërsa tjetra është shprehur me terrorizëm. Çlirimi seksual ka qenë një  revolucion i vërtetë, i jetuar si një  fitore kolektive. Moravia thotë  se “babai është  pjesa publike e imja (i suksesshmi), ndërsa i biri është pjesa private e imja (i dobëti). Dhe romani mbyllet me dobësinë e këtij të fundit. Moravia i shkon deri në fund mizorisë së tij për ta poshtëruar katërcipërisht krijesën e vet që nuk di të zërë vend në këtë botë .

Moravia me Elsa Moranten

Çdo vepër e Moravias, përmban mërzitjen, makthin, revoltën…ku, seksi është vetëm një çelës…

Romani i parë i Moravias “Indiferentët”, inauguroi edhe temat moraviane të pranishme në veprat e tij në vijim: mërzinë, tjetërsimin e njeriut modern, konformizmin, apatinë. Moravia thoshte: “Historia njerëzore nuk është tjetër veçse një hapje goje e gjatë mërzie”. Një mërzi, le të themi patologjike e tij? Midis këtyre temave, mbase ajo më e rëndësishmja ishte ajo e urgjencës të krizës së raportit midis njeriut dhe realitetit që deri në luftën e parë botërore ishte bazuar mbi etikat tradicionale e që u përmbys me një të rënë të lapsit. Moravia vetë thoshte: “Vëmendja ime ndaj faktit seksual që është një nga mënyrat më primitive e më të patjetërsueshme të raportit me realitetin, i detyrohet pikërisht kësaj urgjence. Por po aq i detyrohet edhe vëmendja ime ndaj faktit ekonomik, edhe ky po aq primitiv e i patjetërsueshëm për sa kohë që mbështetet në instinktin e ruajtjes që njeriu ka të përbashkët me kafshën”. Pra, duke u nisur që nga vepra e parë e tij “Indiferentët” e, duke vijuar me “Mërzia” etj, duke ardhur deri tek romani ynë “Burri që këqyr”, realiteti i errët, i padeshifrueshëm, madje inekzistent është shtrirë thuajse në të gjitha veprat e Moravias, duke u artikuluar rreth fakteve seksuale dhe ekonomike që mbizotëronin atëhere, ashtu sikurse ndodh gjithmonë në kohë pasigurish të mëdha.

Ka dominance në këtë roman. A ka të vërteta në personazhet e Moravias? Ai ka dy histori, sidomos me dy gratë e tij të para, Elsa Morante dhe Dacia Maraini. A ka qenë joshur ky shkrimtar nga gratë me personalitet dominues?

Nuk mund t’i quajmë të vërteta, sepse po flasim për një vepër letrare fiction, por elementë të subkoshiencës personale të autorit, po. Moravia ka patur tri histori dashurie të rëndësishme: martesën njëzetvjeçare me shkrimtaren Elsa Morante, e cila nuk është shquar për dominim, përkundrazi. Bashkëjetesën me shkrimtaren Dacia Maraini, nja 25 vjet më e re se ai. Kjo e fundit, e cila është akoma gjallë, është dalluar për autonomi mendimi, por jo për një dëshirë për dominim. Dhe, e fundit, martesa kur ai ishte 75 vjeç me Carmen Llera-n, një grua e re, plot 45 vjet më e vogël se ai. Tek personazhi i Silvias, gruas së Dodosë, gjejmë mjaft nga karakteristikat e Carmen Llera-s. Ajo ishte/është impulsive, e rrëmbyeshme, e pangopur veçanërisht në aspektin seksual. Jam e mendimit se ndikimi i saj ka qenë shumë i fortë tek ky roman. Në përgjithësi, Moravia ka qenë i tërhequr nga gra me liri të fortë mendimi dhe veprimi, por jo nga ato me tendenca dominimi. Ai vetë ka qenë shembulli klasik i lirisë: siç shprehet ai vetë, asnjëherë nuk e ka dashur institucionin e martesës, po kështu edhe fëmijët në një martesë. Në fakt, ai nuk pati kurrë fëmijë. Ai sa jetoi, deri në vdekje pati një dobësi: gruan në misterin e saj.

Ka një situatë krejtësisht të veçantë në intimitetin seksual midis Dodosë dhe të shoqes Silvias: ai shihte tek bashkëshortja e tij Zojën e Bekueme. Moravia ishte ateist, por a mund të flitet për ndonjë grimasë besimi fetar si një evokim nga atmosfera e Romës së krishterë? Ç’përfaqësonte Roma për të?

Analogjia që bën Dodoja me Zojën e Bekueme të së shoqes, Silvisë, ndërkohë që bënin dashuri, i referohet plotësisht blasfemisë së vullnetshme të Moravias për ta shtyrë metaforën e seksit deri në skaje krejtësisht të paimagjinueshme. Bëhet fjalë për një sfond tërësisht psikanalitik të sundimit të vullnetshëm nga ana e Dodosë. Ai don të mos e shikojë realitetin, por të përjetojë idenë e tij. Ndërsa Roma është sigurisht një epiqendër e pashmangshme e krijimtarisë së tij. Roma është në venat e tij. Jo thjesht Roma e lashtë, por magjia e patjetërsueshme dhe e pashmangshme që ushtron “la città eterna” mbi Moravian që ka jetuar ekzistencën e tij në zemër të Romës së borgjezisë së lartë, me të gjitha kufizimet dhe skemat që sillte kjo përkatësi familjare e tij, por që nga ana tjetër ka jetuar edhe atë Romë të jashtëzakonshme të intelektualëve avangardistë, rreth të cilit i përkiti plotësisht Moravia deri në fundin e ditëve të tij.

A është kjo vepër, si të tjerat një kontribut që ka dhënë shkrimtari në çlirimin seksual? A mund ta bëjë këtë një shkrimtar, ne pergjithesi, të thyejë tabu?

Kur ky roman doli nga shtypi, çlirimi seksual në Itali jo vetëm kishte ardhur, por edhe ishte ekzagjeruar mbase. Por, pyetja juaj është shumë e rëndësishme: sigurisht që shkrimtari ndikon fort në ndryshimin e zakoneve të një shoqërie. Mos të ishte kështu, nuk do të mund të quhej artist. Emancipimi është mision i intelektualëve në radhë të parë, e mbi të gjitha i artistëve. “Koston” për pionierllëkun e tij, Moravia e ka marrë fort herët, shumë vite para se të dilte ky roman. Në  maj të  1952, me një  akt të  posacëm, Zyra e Shenjtë pranë Vatikanit, e futi në  indeksin e saj: Index Librorum Prohibitorum, i cili ka lindur që  në  1559, me qëllim ndalimin e  gjithë  ayre librave e shkrimeve që  nuk ishin kompatibël me doktrinën zyrtare të  kishës. Ndër emrat më të spikatur mund të përmendim Boccaccio-n, Macchiavelli-n, Erasmo-n e Roterdamit, Rebelais, Galilein, Hobbes-in, Cartesio-n, Rousseau-n, Marx-in, Nietzche-n, Benedetto Croce-n, Simone de Beauvoir-in, Balzac-un, Dumas (baba e bir), D’Annunzio-n, Leopardin, Foscolo-n, Flaubert-in, Curzio Malaparte-n, Sartre-n, Pier paolo pasolini-n, Ëoody Allen-in, Max Ëeber-in, Milan Kundera-n etj. Moravia thoshte: “Njerëzit me një ndjenjë të vërtetë fetarë, nuk skandalizohen kurrë. Shkurt, nuk besoj se Krishti do të skandalizohej ndonjëherë… Skandalizoheshin farisejtë”. Duke e ndjekur Moravian në këtë arsyetim krejtësisht të tijin, të përpiqemi të mos skandalizohemi as ne me këtë produkt të tijin letrar, “Burri që këqyr”, por ta përjetojmë të çliruar e të dekontraktuar siç ndodh vetëm para një vepre arti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}