E drejta e mendjes

Nga Redaksia 25 Tetor, 2021  Filozofi

Retro-kult/ Mendimi i viteve ‘30 përballë socio-kulturës së sotme. Ese nga kjo plejadë, Vangjel Koça

Vangjel Koça

Një ditë ndodhesha në Korfuz, hyra në një librari greko-franceze pranë Spianadhës për të blerë disa libra. Në vitrinën e pasur e të bukur të librarisë zotëronte në mes një libërz elegant, “Eloge de la Betise”, nga Luis Laxarus.

Është një nga seria e librave “shpirto”, që boton shtëpia botuese franceze “Hachette” për të lëvduar disa vese të njeriut, si paditurinë, të rremen, shëmtimin, çrregullimin, pakujdesinë etj. Në një vitrinë tjetër të brendshme e të futur gjeta, të trazuar me libra të tjerë, një vepër të shkrimtarit amerikano-francez Ernest Dimne me titullin tërheqës “L’art de penser” të shtypur nga shkrimtari-editor i zgjuar Bernard Grase.

Le ta zëmë se njerëzia rron në epokën karteziane. Ç’është kjo e drejtë e mendjes?

Desha ta ngas pak librarin.

-Përse atë librin që të mëson zanatin si të mendosh e ke hedhur në një rrëzë brenda në dyqan dhe librin që lëvdon budallallëkun e ke ngulur mu në mes të vitrinës së jashtme që ta shohin gjithë bota? Librari grek më vështroi si me mëshirë dhe më tha disa gjëra, që më bënë të kuptoja se ai e zotëronte mirë filozofinë e kohës.

-Mendja ka vdekur bashkë me Dekartin që tha atë fjalë të madhe: “Cogito ergo sum” (Mendoj, pa rroj). Koha jonë kësaj fjale i ngjiti në krye një ndajfolje të vogël dhe e bëri: “Non cogito, ergo sum” (Nuk mendoj, pra rroj). Pastaj Krishti e paska thënë me vulë: “Lum të varfrit nga mendja!” Kur ca njerëz që e kanë marrë detyrën të mendojnë për gjithë ne të tjerët, përse ta vrasim kot mendjen? Është bërë zakon të thonë se ata që s’e vrasin mendjen, janë budallenj. Për këtë edhe koha jonë do libra si “Eloge de la Betise”; të paktën të ngushëllojë veten për budallallëkun e saj dhe sa të ngjallet prapë koha e Dekartit me fjalën e tij të madhe. Fundi i fjalës ka qenë librari që më kandisi t’i ble të dy librat që t’i kem edhe për kohën e budallallëkut, edhe për kohën e filozofit francez.

Një nga simptomat më karakteristike të krizës shoqërore, që po kalon njerëzia e sotme është edhe puna që ka të bëjë me të drejtën e mendjes. Çdo njeri thotë dhe nga një mendje. E keqja është se zor të gjesh një mendje për të qenë! Kështu është. Në asnjë periudhë tjetër të jetës shoqërore vihen re kaq mendje shoqërore: shkurdisja e mendjes! Po si, pra? S’ka të drejtë çdo njeri të ketë një mendje të tijën? E drejta e mendjes nuk është shfaqja e parë dhe e shenjtë e lirisë së njeriut? Bile, a nuk është detyrë e çdo njeriu të lirë?

Po! E drejta e mendjes është një detyrë e çdo njeriu të lirë. Ose më mirë, ka të drejtë të mendjes ai njeri që ndien edhe një detyrë që i përgjigjet kësaj të drejte. Brenda në shoqëri s’mund të kuptohet e drejta pa detyrë. Në një tërësi harmonike s’ka të drejtë të mendjes. Kjo do të thotë: çdo njeri është i lirë të ketë një mendje duke e blerë këtë të drejtë me ndenjën e përgjegjësisë së kësaj mendjeje. Kur mungon kjo ndjenjë, e drejta bie poshtë, siç bie edhe disku i peshores kur s’ka një peshë analoge në diskun tjetër.

Vangjel Koca

Sepse mendja nuk është një mendim, një ide, një kuptim që kemi formuar vetëm për veten tonë. S’ka vetëm rëndësi vetjake. Ka të bëjë me tërë shoqërinë.

Dhe ka rrjedhime për të tërë jo vetëm për një njeri. Për këtë qëllim thuhet edhe mendja, që të bëhet udhëheqëse e rregull për të menduar e për të vepruar.

Themi një mendje për të tjerët me qëllim që ta dëgjojnë e ta ndjekin pas. Edhe fjalët e urta që ruan çdo popull si kapital të mençurisë shoqërore, mendje janë; bile janë mendjet më të mira, që janë dëgjuar gjatë historisë. Kjo gjë ka vlerë për çdo mendje. Kështu duhet të jetë edhe çdo mendje.

Çdo mendje është dëshmia e një të vërtete që del nga eksperienca e tij vetjake, por me përmbajtje shoqërore. Vlera dhe fuqia e saj është e përgjithshme. Mendja është si një cek që ua japim të tjerëve që ta thyejnë në një bankë. Që të japim një çek duhet të kemi kredi në bankë, e cila i rregullon kreditë tona sipas depozitave tona, ose sipas pasurisë sonë, ose sipas garancisë që kemi dhënë, sepse e drejta e mendjes shumë herë ka nevojë edhe për garanci. Përgjithësisht edhe shoqëria bën si bankat: e rregullon kredinë e mendjes së çdo njeriu, duke formuar hierarki. Hierarkia shoqërore, veç të tjerave, do të thotë edhe këtë që: cilët në shoqëri kanë të drejtën e mendjes dhe cili ka radhën më parë e cili më pas. E para gjë që do të pyesim, duke dëgjuar një mendje është se kush e thotë. Jo nga meraku, por që të dimë se ç’rëndësi t’i japim. Një mendje nuk gjykohet vetëm nga përmbajtja e saj, por edhe nga vlera që ka në hierarkinë shoqërore, ai që e thotë. Kjo mënyrë mundet të mos jetë më e mira, por është më e sigurta. Se çdo mendje është si thikë me dy presa: mund të shpëtojë, por mund edhe të përmbysë. Ç’bindje mund të frymëzojë dhe ç’vlerë mund të ketë mendja e një njeriu që s’e ndien, ose s’e mban dot barrën e përgjegjësisë së saj? Akoma: ka edhe shumë mendja të gabuara, që shpien për në shpëtim, që krijojnë realitete, sepse burojnë nga një besim i thellë dhe mbrohen nga njerëzit me jetën e tyre. Këto janë gabimet jetike, siç thotë filozofia. Por ka edhe mendje të drejta, të cilat humbasin kot, sepse baballarët e tyre i hedhin në rrugë si djem të gjetur. Të gjithë kanë të drejtë të bëjnë djem; po vlejnë vetëm ata që janë të zotë t’i rritin djemtë e tyre. Të gjitha shoqëritë drejt kohës janë përpjekur të formojnë një hierarki të tillë: të kenë mendje vetëm ata që janë në shkallë të formojnë një mendje pjellore e të sigurt dhe të mundin të garantojnë rrjedhimet e saj. Në kohët e vjetra shoqëritë i vinin gardhe të drejtës së mendjes, duke marrë si kriter: moshën, farefisin, pasurinë, sipas kohës dhe kushteve të jetës. Asnjë nga këto kritere s’është i mbaruar. Të gjithë krijojnë padrejtësira, edhe siguria që japin nuk është e plotë. Në shoqëritë e sotme s’ka më të tilla gardhe. Jo se nuk ndjehet nevoja e hierarkisë shoqërore, por se këtë hierarki e mbështetin në të çmuarin e vlerës vetjake të çdo njeriu, pa gardhe shoqërore.

Është e vërtetë se kriteret e vjetra vazhdojnë pjesërisht dhe sot të formojnë hierarkinë shoqërore… mosha, farefisi, pozita, pasuria… po në shoqërinë e sotme s’qëndrojnë më pak në këmbë, veç moshës gjer në njëfarë pike. Sot çdo njeri ka të drejtë të ketë një mendje. Edhe e drejta paguan taksë. Bile tani detyra është më e rëndë. Në qoftë se tjetër herë për shkak të moshës, të farefisit, të pasurisë, njeriu mund të fliste e të dëgjohej, në shoqërinë e sotme njeriu më parë nga të gjitha duhet të ngrejë lart me duart e veta tribunën ku do të qëndrojë që të thotë mendjen e tij. Kështu kuptohet e drejta e mendjes, në një shoqëri të sotme të shëndoshë; të ketë ndërgjegje të vlerës dhe të përgjegjësisë së mendjes së tij, ta trumbetojë me trimëri, duke thënë akoma edhe jetën e tij.

Çdo mendje përmban brenda kurdoherë kërkimin që të bëhet udhëheqës shoqëror, dhe rregull shoqëror; por s’e ka kënda këtë kërkim, nuk vlen të thuhet. Pra, që të thotë njeriu një mendje, më parë duhet ta kandisë veten me kthjelltësi se e ka këtë të drejtë dhe pastaj t’ua mbushë mendjen të tjerëve që t’ia njohin këtë të drejtë.

Ka të drejtë të ketë mendje vetëm ai që di dhe do të përpiqet për mendjen e tij, të përpiqet me trimëri e me nder, ashtu siç përpiqen të gjithë ata që kanë një besim të gjallë. Mendjen e tyre e vënë përmbi jetën e tyre, sepse mendja e tyre është ajka e jetës së tyre, ka brenda mundim e përmbledhje dhe shfaq besim të patundur. Kështu bëhet në çdo shoqëri me tradita e me kyçe të lidhura mirë.

Mirëpo njerëzia kalon krizë shoqërore të madhe. Ndodhet në një periudhë vlonjëse, në të cilën kanë rënë vlerat shoqërore, është prishur hierarkia shoqërore, janë zgjidhur lidhjet shoqërore. Njerëzia e ka humbur besimin në vetveten e saj dhe në të tjerët. Mungon edhe ndërgjegjja e detyrës, edhe ndjenja e përgjegjësisë. Flasin të gjithë dhe asnjëri s’dëgjohet. Frëngëllojnë të gjithë nga një mendje të tyre ose të huaja dhe ku t’i çojë era. Kush çan kokën se ç’do të bëhen këto mendje? S’kushtojnë asnjë: as përpjekje mendore, as përgjegjësi morale, as kujdes, as mendim. Thuhen vetëm për t’u treguar dhe po zunë vend, mirë. Përgjegjësi e barrë s’kanë.

Një mendje është dhe një udhë e re që i tregohet shoqërisë. Duhet të ketë mendje ai që di se ku shpie udha dhe ia mban të hyjë i pari në këtë udhë me ndërgjegje të plotë të përgjegjësisë së tij. Është e shenjtë e drejta e mendjes. Po, e shenjtë. Po, më parë për atë që ka vullnet dhe fuqi shpirtërore ta mbajë mendjen lart përmbi kryet si “sancta sanctorum”, dhe jo poshtë nën këmbët e tij! As edhe të lidhur me xhepin e tij!

Kombi, 4, 1938.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Të drejtat jonjerëzore
Lehtësi e sipërfaqësi
Jam thjesht ky që jam
19 NËNTOR 2020: KREMTIMI I DITËS BOTËRORE TË FILOZOFISË – UNESCO
A mund ta arrijmë imunitetin e tufës? Pyesni këta filozofë
Pas burrash të mëdhenj/ Heidegger dhe Arendt in love

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}