Kur lexuesit ende nuk janë shkëputur nga ethet e forta që të shkakton libri i saj, “Biri”, pothuaj një libër i shkruar nga vdekja, ja ku jemi me krijesën e re të poetes Flutura Açka. Siç duket nga imazhi që bashkëshoqëron poezinë, një bunker mjaft i vjetër, gjigand, i frikshëm ngulur në tokë, kushedi sa vite, beton i gjallë, – pra, mendojnë se një arsye e poezisë së fortë që na përcjell “Kur thinjet edhe heshtja” mban simbolikën e kësaj “qëndresë” betonuese, mu para syve tanë duke na rikujtuar gjendjen tonë, historinë…Përcjellim me poshtë poezine e plotë:
Kur thinjet edhe heshtja
U thinj heshtja ime,
duke mëshiruar bubrrimën tuaj,
ameba të pangjyra që i shqyheni si diellit,
“zotit” tuaj.
E vetmja që s’epet në dimrin e sajuar,
devotshmëria prej thërrijash,
ngulur në palcën e kalbur të kohës.
Me përbetimin më të frikshëm se vdekja,
me shenja trupimi nga betejat e pandalshme
të kositjes mediatike,
po ndreqni ende akset e piramidës së anuar.
Roja jeni, mos era ua merr,
totemin e perdëllimeve.
Si do të rroni ju të nesërmen?!
Si do të rroni ju pa të?!
As trishtimi s’ju lë vrajë,
as gëzimi s’ju lë tatuazh,
as morti s’ju çon anë,
Asgjë nuk shemb asgjë në asgjënë tuaj.
I dhjamur,
amorf,
krupa jua edhe veten po jua lodh.
S’di pse m’u kujtuat sot në të gdhirë,
më gjarpëruat si vegim,
një çast, vetëm një çast,
kur guxova të zbres, të këqyr,
në planetin tuaj të mërdhirë.
Në tokën tuaj, tani hirnore e hirtë,
duqet e sundimtarit kanë lënë harta në shpinë.
Aty si ushtarë,
të bindur nga urdhëri i dhënë
kushedi-kur
kushedi-për-deri-kur,
nën lak prisnit në radhë,
të mos ju shpallë “tradhëtarë”.
Ishte veç një çast. Ika.
Heshtja e thinjur,
më ktheu në planetin tim erëmbarë!
Tiranë, 27.10.2020