Një ese e Ernest Koliqit: “Fenomeni i diglosisë seksuale në gjuhën dhe letërsinë shqipe”, mbajtur në konferencën në Universitetin e Lovanio-s në 23 gusht 1960 në Kongresin e Parë Ndërkombëtar të Dialektologjisë së Përgjithshme, organizuar nga Profesor Sever Pop

nga ERNEST KOLIQI

Shpesh, shkrimtarëve shqiptarë u pëlqen ta quajnë gjuhën e tyre e mashkulla gjuhë shqipe ose gjuhë burrash, duke i mveshur asaj cilësitë e genit, që janë trimëria dhe ashpërsia e karakterit. Ata që nuk e njohin gjuhën shqipe në tërë gjerësinë e vet, qoftë popullore, qoftë letrare, shtyhen të besojnë se kjo gjuhë tingëllon e ashpër dhe e fortë, dhe se duke qenë e përshtatshme të shprehë figurativisht shprehjet energjike e të ashpra të jetës, nuk mund të jetë e aftë të japë koncepte dhe ndjenja të buta e delikate. Përkundrazi, pasuria e formave zvogëluese e përkëdhelëse jo vetëm në lëmë të emrave e të mbiemrave, por madje edhe në ndajfolje e në pjesoren e shkuar, na bind për mundësitë e saj të gjera në dhënien e shprehjeve plot ëmbëlsi të qashtër.

Dhe u kam vashëz te djepi

E bukur si hënëza

Të më frin si engjelijth,

 Ka të ruamith ç’ë hare…

Kostandini vogëljith …

Vetëmith me vetëhenë..

Po njota e vinjënith…

Zu me epjeturith… Është të pjuhurosurith.

Mos sot nesërith

Kur të vijn sontenith…

Ma ti o zot e dhëndërith…

Mos më ec ti tremburith… (Ziaudin Kodra, Poezija popullore arbëreshe, Tiranë 1957, f. 136, 152, 8, 60, 72,122,130,146).

Fjalët me germa të pjerrëta tregojnë zvogëlim e përkëdheli. Poeti italo-shqiptar Jeronim De Rada, në një këngë të poemës së tij “Milosao” ka një varg të tillë:

Vejim afërith... (Jeronim De Rada, Poesie albanesi del secolo XV, Canti di Milosao, Napoli, 1836, f.68 – Me shtimin e prapashtesës th zbutet tingëllimi dhe kuptimi i fjalës. Për shembull, me shtimin e prapashtesës, tek nesërith dhe sontenith, futet një ndjenjë ëmbëlsie dhe butësie. E njëjta gjë ndodh dhe me foljet vinjënith dhe pjeturith)

Prapashtesa th në të gjithë shembujt e cituar më sipër shërben jo vetëm për të zbutur tingëllimin, por edhe për të dhënë kuptim përkëdhelës “nesërith, në këtë natë të ëmbël” etj. Më shumë se në çdo zonë tjetër të Shqipërisë, prapashtesat zvogëluese dhe përkëdhelëse gëlojnë në të folmen e Korçës.

Syçkë- sy

Deriçkë-derë

Doçkë- dorë

Përdorimi i prapashtesave: ës, ësë, ëzë, iq, ith, uc etj., që zbusin tingëllimin e fjalës, duke i dhënë asaj një kuptim zbutës, shpesh duke u ndërthurur me një butësi përkëdhelëse (p.sh. nusëzë; djalth, trimth; skutaliq; bebuc etj) është i zakonshëm si te burrat edhe te gratë. Por, në gjuhën shqipe ekziston fenomeni i diglosisë seksuale ku gratë përdorin një gjuhë të veçantë që përbëhet nga shprehje eufemistike. (Albanologu i shquar Carlo Tagliavinio në punimin e tij të mprehtë e të mirinformuar “Modificazioni del linguaggio nella parlata delle donne” në Sludi in memoria di Alfredo Trombelli. Milano 1932, f. 87-142, e përmend shkurtimisht.)

Nuk është fjala për ndryshime fonetike e morfologjike, siç ndodh në gjuhë të tjera, por vetëm për ndryshime leksikore e stilistike që deri para tridhjetë vjetësh ishin shumë të theksuara e që ndeshen edhe sot, ndonëse më të pakta.( Ndikimi i gjuhëve të mëdha perëndimore shumë të përhapura, në brezat e rinj, solli me vete natyrshëm zhdukjen e ca finesave tipike për gjuhën shqipe. Në të folur e në të shkruar, të rinjtë nuk e përdorin më gjininë asnjanëse (të ndikuar nga italishtja e frëngjishtja). Shprehjet idiomatike më karakteristike, në përdorim deri pak vite më parë, tashme’ janë harruar. E folura e veçantë e nënave, plot retiçencë të hijshme dhe eufemizma delikate, vajzat e sotme e kanë zëvendësuar me kalke perëndimore. Duke u zhvilluar gjuha thjeshtëzohet dhe i jep stilit të sotëm më shumë mundësi për të qenë e saktë, por në të njëjtën kohë humbet shijen e veçantë që i jepnin tharmet etnike, pra veçantinë idiomatike.)

 Si kudo, edhe në Shqipëri, gruaja është mbrojtëse këmbëngulëse e zakoneve. Jo se e urren të renë, por e pranon atë me shumë kujdes dhe është e prirur instinktivisht, para se ta pranojë, të peshojë vetitë dhe thelbin, për të qenë e bindur se nuk cenojnë palcën e traditës, pra shpirtin e thellë të genit.

Deri para tridhjetë vjetësh, burrat kalonin pjesën më të madhe të ditës në Pazar.( Si në të gjithë Lindjen, edhe në Shqipëri, burrat i kalonin ditët pak a shumë fitimprurëse në Pazar, pra në lagjen tregtare të qytetit ku rreshtoheshin në mënyrë piktoreske dyqane e magaze me çdo lloj malli.)

Të shtyrë nga kontakti i përditshëm me të huajt si dhe për shkak të një prirjeje natyrale drejt terminologjisë sa më të saktë, ata e mbushnin të folurën e tyre me fjalë turke (Turqia u largua nga territoret shqiptare në 1912), italiane, franceze e gjermane. Gruaja që rrallëherë dilte nga shtëpia e që jetonte e mbyllur mes mureve të larta të shtëpisë, e ruante më shumë gjuhën. Ajo e shmangte përdorimin e termave të huaj nisur nga një ndjenjë urtësie, sipas të cilës, e quante të pavend në gojën e një zonje fisnike përdorimin e fjalëve apo shprehjeve jo tradicionale që i përkisnin jetës e ngjarjeve të një mjedisi që frekuentohej vetëm nga burrat. Edhe neologjizmat që gëluan ndërsa shteti i pavarur shqiptar po organizohej në të gjithë sektorët, u futën me vështirësi në të folurën femërore. Vetëm mësimdhënia në shkolla, librat, revistat dhe gazetat, më vonë i dhanë të drejtë refuzimit instiktiv femëror për të bërë të vetat fjalët e prerjeve të reja ose të rimarra nga tekste e vjetra dhe të rivëna në qarkullim.

Në zgjedhjen e fjalëve, gruaja shqiptare – në qytete, në fshatrat përreth dhe në male, me mënyra që dallojnë nga njëra-tjetra, por me të njëjtën frymë – udhëhiqet nga një kriter mirësjelljeje, mase e dinjiteti që, sipas nesh parakupton praninë në gjaku e tyre të mbetjeve nga qytetërimet e lashta të lëna në harresë. Në mënyrë të mahnitshme, ajo arrin të zbusë shprehet e ideve të ashpra e të padëshirueshme me anë eufemizmash e shprehjes lokucionesh. Edhe sot e kësaj dite që luftërat dhe pasojat e tyre kanë sjellë ndryshime radikale në jetën sociale e politike, ajo përpiqet ta ruajë me aq sa mundet veçantësinë e hijshme e harmonike të gjuhës së saj.

Të shohim disa shembuj të diglosisë seksuale në gjuhën e popullit.

Babai, ndërsa përkëdhel të birin ende të vogël i drejtohet me epitetin e thjeshtë: Biri im! Për të shprehur dashurinë përzier me krenari që ndjen për krijesën e vogël të krijuar prej tij, pasardhësin e derës së vet, atij i mjafton pronori Im. Ndërsa gama e epiteteve që përdor nëna për të përkëdhelur fëmijën që ushqen me gjirin e vet është shumë e gjerë: loçka e nanës; drita e syve; mbreti i em; pllumb. Vajzën që i ati rrallë herë përkëdhel a e merr në krahë nëna do ta quajë në shfrimet e veta të dashurisë: nusja ime; moj njome; mori bebe. (Në Shqipëri, sidomos ndër male, ku deri pak vite më parë dominonte një konceptim heroiko-patriarkal i jetës, lindja e një vajze pritej me një pakënaqësi të dukshme. Pyetja e parë fill pas lindjes ishte: Pushke a furkë? Familja kishte nevojë për meshkuj që të punonin e ta mbronin. Vajzat shkaktonin gjithmonë preokupime të mëdha, edhe pse duke qenë në fuqi ligji i esogamisë, përfundonin shpesh shumë larg shtëpisë, në duar të burrave që shpesh ua bënin jetën shumë të vështirë. Familja vuante ndërsa merrte vesh kushtet në të cilat qe e detyruar të jetonte krijesa e tyre pa pasur asnjë mundësi të ndërhynte për shkak të zakonit që e konsideronte burrin padron absolut të gruas. Arratisja e gruas nga burri provokonte një radhë të gjatë vrasjesh për hakmarrje).

Formula përshëndetjesh dhe shprehje urimesh

Burri, kur takon një burrë tjetër thotë: A je burrë? A mbahesh? Tjetri përgjigjet: Ka pak! Ndërsa kur takon një grua të njohur a të panjohur, burri thotë: A je fisnike? Gruaja, duke iu mënjanuar një përgjigjeje direkte do të përgjigjet: Të paçim me jetë!

Duke u ndarë, burri thotë: Udha e mbarë! – ose – Lametenzonë!

Gruaja do të përgjigjet: Të ruejtë zoti! – ose – Ec me Tenzonë!

Në qytetin e Shkodrës, duke u ndarë me një burrë, gratë thonë: Kjofsh jetëgjatë! Zoti të ruejtë me shka ke! Ndërsa kur ndahet me një grua tjetër ajo do të përdorë këtë përshëndetje: Kjofsh e bardhë!.(pra, nëse burri, shtylla e shtëpisë dhe e komunitetit ka nevojë për një jetë të gjatë për të përmbushur të gjitha detyrat apo ambiciet e veta, gruaja duhet të këtë zbukurim thelbësor dëlirësinë, pra një sjellje të papërlyer, të panjollë). Përshëndetja: Kjofsh i bardhë, do të tingëllonte fyerje nëse i drejtohej një burri, ndërsa do ta pranonte me kënaqësi nga gruaja përshëndetjen: Paç faqen e bardhë!

Kur prindërve i lind një djalë, urimi është: E paç me jetë të gjatë! Për vajzat urohet: E paç me nafakë vajzë! (pra pastë fatin të gjejë një burrë që të mos ia nxijë jetën).

Nëma

Si pasthirrma femërore, më të përdorurat janë: Jeee! që shpreh habinë më të madhe ndër katolikë: Jezus-Maria!, ndërsa mashkulloret janë: Dreq! O Dreq! dhe ndihmo’Zot dhe Ora e Fisit! Termi dreq shfaqet shpesh në gojë meshkujsh në shprehjet: Të hangërt dreqi; Të marrët dreqi shpirtin; Të shkulët dreqi themelin.Gruaja do ta përdorë termin dreq vetëm në është e nxehur në kulm, kur nuk mund ta mbajë më veten. Zakonisht ajo përdor termin Djall, ose më eufemikisht, sidomos vajzat përdorin fjalën shnjallë (që edhe ky do të thotë djall, por në një formë shumë më të zbutur).

Burri do të shajë me shprehje të turpshme nga nëna ose nga feja e atij që i bie në qafë, ose do të thotë: Të marroftë zoti; Të dekët Ora.

Shumë e pasur është edhe gama e nëmave femërore që nuk përdoren nga burrat:

Të raftë pika!; Të xafët gjarpni!; Mos t’u çilët drita!; Mos e pritsh mbramën (Një seri interesante namësh të gjuhës shqipe gjendet në fjalorin e pasur “Fjalorth i ri ” (shprehje të rralla që përdoren në veri të Shqipërisë) të Nikollë Gazulit (Tiranë 1941) në zërin Namët).

Formulat e betimit

Një dallim i qartë mes dy sekseve shihet edhe në mënyrat e betimit.

Mashkullore:

– Për qiell e për dhe!

– Për shpirt, për gjak, për gozhda, për mundime të Krishtit!

– Për këto kishë qi na rrethojnë!

– Pasha mue!

Femërore:

– Pasha syt e ballit!

– Pr’at ftyrë Zojet!

– Pr’at dritë zjermit!

– Pr’at rreze dielli!

– Pr’at rreze hane!

– Për shpirti në nanës!

– Për krye të djalit!

Klerikët e besimtarët do të përdorin:

– Pasha të Bukrin e Qiellve!

– Pasha bukën pa të cillën nuk jetohet!

– Pasha besën

Burri përdor shprehjen: Pasha Zotin!, ndërsa gruaja thotë: Përzeta!

Edhe vajet mortore janë dyfarësh. Të burrave quhen gjamë, të grave vaje a vajtime. Burri, duke lëshuar psherëtima të thella, numëron meritat e të vdekurit, ndërsa gruaja me një vaj mortor derdh në vargje pikëllimin e saj.( Në terminologjinë komplekse të ceremonive mortore në nder të një të vdekuri thuhet se burri njehë, grueja vajton. Gjamat janë numërimi i disa epiteteve që shprehin vetitë e të vdekurit. Ndërsa gruaja e reciton duke qarë vajin e saj mortor në vargje tetërrokëshe me rimë të puthur. Shih Visaret e kombit, Vol 111, Karl Gurakuqi e Filip Fishta, Valle, Gjamë’, Vajtime dhe Kangë dashunije, Tiranë 1937, f. 184,185,186)

***

Diskutimi do të qe shumë i gjatë nëse do të nisnim të analizonim përdorimin e biseksualizmit gjuhësor në letërsinë e kultivuar shqipe. Këtu po mjaftohemi duke përmendur tre autorë të cilët, në veprat e tyre nuk i ngatërrojnë kurrë dy të folurat, atë mashkullore me atë femërore. Ata janë at Gjergj Fishta, Vinçens Prenushi dhe Ali Asllani. Fishta, me një mjeshtëri të pashoqe, vë në gojën e grave, kur këto flasin në veprën e tij, fjalë dhe fraza të shuguruara nga tradita e hershme si prika shprehëse e seksit të bukur. Mjafton të shohësh Këngën XXIV të poemës së tij “Lahuta e Malcis” (Në këngën XXIV me titullin “Zana e Vizitorit”, “Orët dhe Zanat” varrosin me një ceremoni prekëse “Tringën” e dashur, vashën malësore që mbeti e vdekur nga një plumb malazez në betejën e Nokshiqit, f. 513-556, “Lahuta e Malcis”, vep. cit.) dhe poemthin “Jerina, mbretnesha e luleve” (Ky poemth u botua në disa numra të revistës “Hylli i Dritës”, të etërve françeskanë shqiptarë, botuar në Shkodër.)

Edhe Prenushi e Asllani e mbajnë parasysh diglosinë seksuale. (Vincens Prennushi, Arqipeshkv i Durrësit (1885-1947?) prozator e poet me një stil të zhdërvjellët e të ngjyrshëm. Ai e përdor me një siguri prej njohësi të rrallë të folurën e grave shkodrane, sidomos në përkthimet e lira në shqip të një drame italiane të T. A. Rolando me titullin “E tradhtuemja” (Shkodër 1931). Ali Asllani, nga Vlora, lindur në 1884, diplomat me kulturë turke, autor vargjesh magjepsëse shumë të famshme. Figurat femërore shfaqen në veprat e tij me pikëzime energjike). I pari i stolis shkrimet e veta me repertorin më të zgjedhur të shprehjeve të rafinuara të së folurës së grave shkodrane. I dyti, duke përkujtuar poetikisht kohët e shkuara (Ali Asllani, Hanko Halla, Tiranë, 1942) derdh në vargjet e veta pasurinë muzikore të xhevahireve leksikore që përmban e folura e grave vlonjate.

*titulli është redaksional, titulli origjinal është: “Fenomeni i diglosisë seksuale në gjuhën dhe letërsinë shqipe”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Unë “bir i armikut”!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Filmi i socializmit
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}