Poeti dhe studiuesi arbëresh Mario Bellizi ka publikuar në rrjetin e tij social një histori dashurie, e panjohur për botën tonë shqiptare, që lidhet me poetin arbëresh, Jeronin De Radën. Është një miqësi biseksuale e De Radës kur ishte një i ri, duke braktisur kolegjin e zhvendosur në manastir, ku njohu djalin që dashuroi Raffaelo Zagarenë.

Për këtë histori, Bellizi na zbulon se ka qenë një konsideratë e Arshi Pipës, në një studim të tij, prej edhe ku është referuar fragmenti i mëposhtëm. Bellizi na sjell edhe një dëshmi të studiuesit Vincenzo Belmonte, i cili sjell informacionin kur De Rada ka dëshmuar këtë fakt në Autobiografinë e tij. Po ashtu këtë publikim poeti arbëresh, Bellizzi na e shoqëron edhe me një foto të De Radës riosh, të cilën e publikojmë, e mund të themi është ndër imazhet e rralla që na vijnë deri sot nga ky personalitet.

***

Kjo histori dashurie, tregon autori, është një shndërrim i miqësisë së poetit me Zagarenë në Sant’Adriano. De Rada e ka zëvendësuar kolegjin me një manastir, ndërsa përmbys gjinitë.

Lesbizmi dhe historia e baltosjes së pederastisë së ndershme tregon qartë se mashkulliteti dhe feminitetit janë të mbivendosura tek ai: një konstante në punët e tij, siç tregohet në shumë raste në të cilat autori përcjell me indiferencë ndjenjat e tij përmes personazheve meshkuj ose femra. (Arshi Pipa, Hieronymus De Rada, München 1978, f. 193.)

***

Raffaele Zagaresë ishte një shok klase, kështu që Girolamo thotë: “Vetëm në rrugët e shëtitjes dhe pak më vonë, me një djalë italian më të ri se unë, gjithashtu pa shok, sepse ishte i sapo ardhur u afruam, dhe shkëmbyem fjalë atje ku ishim. Ai ishte nga rende, në rrethin Cosenza, nga shtëpia e Zagaresë. Lindur nag një vajzë e Baronit të San Donato, me shpirtra të pastër, të pafajshëm dhe të vërtetë, ndërsa del një shtëpi naive”.

Studiuesi Vincenzo Belmonte shkruan se: “Në kolegjin arbëresh (italo-shqiptar) të Sant’Adriano në San Demetrio Corone, Girolamo De Rada pa nënë, në moshën njëmbëdhjetë vjeç, djalë i një prifti katolik i ritit bizantin, bie në dashuri me një shok, Raffaele Zagaresë (,,,,).

Kur antarin më të fundit të familjes po e merr vdekja, De Rada në moshën 84 vjeçare, i moshuar e në vetmi, ndjeu nevojën për t’i thirrur botës në Autobiografinë e tij, ku shfaq lumturinë e tij për dashurinë rinore, e cila tani më shumë se kurrë iu shfaq si një dhuratë hyjnore.”

***

Ky element biografik nuk është i reflektuar në asnjë biografi të Jeronin De Radës, ndaj referuar wikipedias, po japim me poshtë disa momente kyçe të jetës së poetit arbëresh; e stuhishme, me angazhime politike, dhe dëshpëruese njëkohësisht, ku kulmorja është përjetimi i ndarjes nga jeta të të tre fëmijëve të tij, dhe ikjen në vetmi totale: De Rada lindi në Maqi, atëbotë nën sundimin e Mbretërisë së Dy Siçilive (sot provinca e Kozencës, Itali) i biri i Mikele Rada dhe Brailes. Në prill të 1822 hyn në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitri Koronës, ku i ati ishte profesor i greqishtes dhe i latinishtes. Më 1827 përjeton një periudhë kritike, duke dashur të hynte murg. Përfundoi shkollën në Shën Adrian më 1833. Më 1 dhjetor 1834 nisi studimet për letërsi në Universitetin e Napolit, italisht në shkollën e Markez Puotit. Nxuri frëngjisht. Verën e 1836 fitoi një laurea franca për letërsi në Universitetin e Napolit. Në tetor të 1836 largohet nga Napoli, ku kishte rënë kolera, dhe kthehet në vendlindje. Më 21 qershor të 1837, pasi u bë pjesë e një grupi revolucionarësh të fshehtë nga Pasquale Rossi – tek i cili ishte mik në Tessano, vihet në krye të një grupi prej dhjetë kalabrezësh të cilët shkojnë në një takim grupesh komplotiste për një kryengritje në Kozencë, të planifikuar për ditën e nesërme. Por paraqitet vetëm një grup arbëreshësh kalabrez dhe kryengritja dështon. Një numri komplotistësh u pritet koka; nga gushti deri në dhjetor të atij viti jetoi në gjysmë ilegalitet. Nëntorin e 1838 kthehet në Napoli. Gushtin e 1840, pas një viti të trazuar të vëllezërve, i dyshuar për veprimtari ilegale, arrestohet dhe burgoset në Santa Maria Apparente; lirohet një muaj më vonë për mungesë provash. Më 1 nëntor 1840 me rekomandim nga Cesare Marini u pajtua si mësues privat në familjen e Kavaljer Nicola Spiriti. Më 8 dhjetor 1840 preket nga tuberkulozi me hemoptizi. Më 1841-1842 janë vitet më të lumtura të jetës së tij, i dashuruar me Gabriela Spiriti, bijë në familjen ku u pajtua. I zhgënjyer nga lëvizjet revolucionare, refuzon më 1844 ftesën e Komitetit Kushtetues në Napoli për të kryesuar revolucionin kalabrez që do të përfundonte në dështim. Pranverën e 1847 prishet me Gabrielën, pas një viti më 25 janar 1848 mori pjesë në një demonstratë për kushtetutën dhe luan rol në politikën e kohës, kur takon edhe Demetrio Leça (Dhimitër Leka) të cilit i kushtoi “Milosao A”. Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare “L’Albanese d’Italia”, në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer, shtator-tetorin e atij viti kthehet në vendlindje, i vendosur për të mos u përzier më me politikë. Më 1849 emërohet profesor i arbërishtes në Shën Adrian, mbajtës i katedrës së letërsisë krahasuese të themeluar për të. Më 1851 shkarkohet nga katedra për shkak të veprimtarisë së tij kundër Burbonëve. Më 1868 emërohet drejtor i gjimnazit komunal në Corigliano Calabro, prej ku dha dorëheqjen më 1873.

Më 1824 i vdes i gjyshi, jakobin, me banim të detyrueshëm në Kozencë. Në tetor të 1825 i vdes e ëma, i ati bëhet prifti i fshatit. Më 1840 vëllai më i madh i tij, Constantino, qëlloi me armë një roje të Dukës së Corigliano-s gjatë një grindjeje të shkaktuar nga vëllai i tyre më i vogël, Camillo, që fshihej në arrati. Pasi u arrestua dhe u burgos në Kozencë, Camillo vrau me thikë kapobandën e burgut. I mbrojtur nga avokati i tij R. Valentini, u lirua e më pas u priftërua. Verën e 1845 e motra, Leticia, u martua me G. Ferrioli nga Shën Sofia.

Pas fejesës së prishur të Gabrielës me një të sërës së saj, po atë verë, njihet me bashkëshorten e tij të ardhshme Maddalena Melikji. Martohen bashkë me 1849. Më 1852 u lindi djali i parë, Giuseppe (Xhiuzepe), më 1855 djali i dytë Michelangelo (Mikelanxhelo) dhe më 1856 i treti, Rodrigo. Më 1859 u lindi djali i katërt Ettore, i cili vdiq vitin që pasoi. Më 1873 i vdes i biri, Michelangelo. Pas dhjetë vjetëve më 1883 vdes i madhi, Giuseppe dhe më pas e shoqja, Maddalena. Më 1897 i vdes djali i vetëm që kish mbetur gjallë deri atëherë, Rodrigo.

Dorëshkrimet, letërkëmbimet

Mbase prej grafomanisë, poeti i shkruante dhe i rishkruante pambarimisht veprat e tij, por ruante edhe skicë-idetë e varianteve paraprake. Ai ruante jo vetëm letrat më të rëndësishme të tij, por edhe zarfat që i shkonin me postë. Kur u nda nga jeta la mbrapa vandakë letre me shënime e dorëshkrime. Ky material u ruajt prej trashëgimtarëve deri kur më 1934 ia bleu pjesën më të madhe të dorëshkrimeve, shtyrë edhe nga gjendja e keqe ekonomike në të cilën ra familja. Njëra nga dy arkat u zhduk dhe tjetra përshkoi një odise duke përfunduar në duart e Institutit të Gjuhësisë në Kopenhagë më 1956. Pas hulumtimeve të Arshi Pipës në Kozencë, mësoi se me shumë gjasë një pjesë e materialit nga arka e zhdukur që kishte dorëshkrimet më me vlerë të De Radës, përfundoi në Arkivin Qendror të Shtetit, ku sapo ishte formuar Fondi i De Radës ku dhe gjendet letra me poetin frëng Lamartine. Fondi i De Radës në Bibliotekën e qytetit të Kozencës përbëhet prej më se 3000 fletësh me material poezish në arbërisht, në italisht, faqe ditari (libra llogarie), një trajtesë metafizike dhe letërkëmbimi.

Letërkëmbimi në Kozenca numëron 122 letra mbi tema letrare të rëndësishme. Këmbime letrash me Josephine de Knorr, Dora d’Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky, Paolo Dodaj, Pietro Chiara, Cristina Gentile Mandalà, Michele Marchianò, Bernardo Bilotta, etj.

Në Kopenhagë dorëshkrimet e koleksionit shqiptar u kataloguan më 1973, për nga sasia nuk matet me të Kozencës, por për nga cilësia mbulojnë çdo dorëshkrim para ose pas Milosaos A tek materiali me poezi tejet i çmueshëm për hetimin e zanafillës së poezisë të De Radës, një libër llogarie dhe letërkëmbimi me letra me rëndësi. Një letër me dt. 12 shtator 1800 hedh dritë mbi jetën pak të njohur të autorit të saj, Francesco Avati, profesor italo-arbëresh i greqishtes në Universitetin e Urbinos, mbledhësi i parë i këngëve popullore arbëreshe, sipas De Radës. Një tjetër letër pa datë dërguar nga Zef Serembe shfaq shenja paranoje mistike. Dy letra të Kamardës dërguar De Radës qershor-korrikun 1865 përmbajnë kritika për Rapsodie-n e De Radës. Një letër e dërguar nga Hanoveri më 15 korrik 1880, në të cilën dërguesi, një filolog gjerman, mundohej t’ia kthente mendjen poetit që të mos shkonte në Turqi për të propaganduar ndër shqiptarët e atjeshëm për botimin e një gazete shqip (jo shumë kohë më pas, arriti të botonte Fiamuri Arbërit). Disa prej 14 letrave me Dora d’Istrian japin të dhëna të tjera për jetën e intelektuales me origjinë shqiptare. Ndër letrat e shkruara prej De Radës drejtuar inteligjencës shqiptare, janë ato dërguar Pashko Vasës, Zef Jubanit, Mitkos dhe letrat të tjera destinuar djemve.

Qëndrime

Mbi martesën:Në një letër drejtuar të atit më 1845 nga Napoli, jep të dhëna për konceptin e De Radës për martesën: Dhe a mos duhet ta shes talentin, që Zoti më ka falur për t’u shërbyer shumë njerëzve, për çmimin e një gruaje, në një kohë kur Ai don që martesa të jetë një betim i shenjtë hyjnor?”

Mbi politikën: Në radhët e periodikut “Fiamuri Arbërit”, pas tkurrjes territoriale të Perandorisë Osmane pas Kongresit të Berlinit, qëndrimet e shprehura të rilindasit në lidhje me marrëdhënien e viseve shqiptare me Maqedoninë dhe Perandorinë Osmane është pa mëdyshje për një bashkim tokësor të të dy (tre) vendeve. Bashkimi i Shqipërisë me Turqinë nënkupton medoemos përfshirjen e Maqedonisë, të cilën De Rada e konsideron një zgjerim të Shqipërisë.

Maqedonia është një tokë shqiptare për ne sipas një tradite të vazhdueshme. – shkruan De Rada në një shënim në një fjalim të lexuar në Kongresin e 12-të Ndërkombëtar të Orientalistikës

Një letër e 24 korrikut 1897 përsërit bindjen e tij politike se Shqipëria duhet të vazhdojë të qëndrojë në suazën e Perandorisë Osmane nga droja e copëtimit ndërmjet grekëve e sllavëve

Përgatiti: V.M

***

Mario Bellizzi është poet bashkëkohor arbëresh, me një kontribut të rëndësishëm për mbajtjen gjallë të trajtave dialektore arbëreshe. Ka lindur në Shën Vasil të Kalabrisë, në vitin 1957. Pavarësisht se studioi në degën matematikë-fizikë, ai mbeti i pasionuar pas poezisë, antropologjisë dhe etnologjisë, sidomos për botën arbëreshe dhe ballkanike.
Ai shkruan në arbërisht dhe në italisht. Ka fituar një sërë çmimesh ndërkombëtare për krijimtarinë e tij letrare. Disa nga librat e tij janë: “Antologjia poetike: Shën Vasil” (1982); “Kristla”, 1983, e ribotuar në revistën ‘Fjala’; “Shën Vasili i Madh” (1995); Vallja e Zanave (2000) – Itali; “Kush jemi na tani?” (1997); “Dalja e fundit në Bukurën Morea” (2003); “Jan di lula monosaqa” (Sytë dhe violetët) (2004); “Me Dionisin drejt Kostandinopojes” (2006); “Anemoni i kuqe dhe zogjtë e De Radas” (2006); “Anketuesit e mbretit” (2018); “Pasqyra dhe hija”, (2018) etj. Poezia “Këngë arbëreshe”, është vlerësuar një nga krijimet më të bukura të Bellizit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

NJË KOPJE E RRALLË E DOKUMENTIT TË PAVARËSISË
Rexhep Ferri: Tani po më tërheqin vetëm gabimet e bukura…
Unë “bir i armikut”!
Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}