Edison Çeraj bisedon me Gallery70 për veprat e ciklit “Ngjyrosje”, ekspozitë e hapur prej datës 19 nëntor

[…] Më shumë kam ngjyrosur sesa kam pikturuar – së këndejmi dhe titulli i këtij cikli. Thjesht jam ndjerë i çliruar nga të pikturuarit apo nga angazhimi artistik dhe i jam dhënë pa ndonjë sforco ngjyrosjes, si një mënyrë e llojit të vet për të ritakuar fëmijën brenda vetes.

Është përtej fjalëve ky ritakim. Më e shumta që mund të them është se çdo gjë të duket lojë kur ngjyros, si në fëmijëri. Për pak çaste bota nuk është më e vranët, por me ngjyra, dhe të gjitha janë për ty. Kur fëmija ngjyros nuk synon të bëjë “art”, dhe kjo do të thotë shumë për mua” (Edison Çeraj)

G70     Cili ka qenë preokupimi yt si artist në 10 vitet e fundit dhe me çfarë mjetesh je shprehur?

E.Ç.     Nuk është e lehtë ta përmbledh në një fjali se cili ka qenë angazhimi im artistik, por, mund të them se jam munduar dhe mundohem të jem sa më burimor në çfarë bëj. Këshu që, për rrjedhojë, jam përpjekur të përshtatem sa më pak me çdo lloj “duhet” që më rrethon. Përshtatjen e shoh si sfidën më të madhe me të cilën përballet një artist, ose një autor në përgjithësi.

Për sa i takon mjeteve apo mediumeve, nuk është se jam i lidhur pas njërit në veçanti, sepse besoj se marrëdhënia e një artisti me mediumin varet së pari nga gjendja e brendshme dhe më pas nga mendimi, pra nga ajo që kërkon të përcjellë. Çdo medium është i rëndësishëm për aq sa më ndihmon të shfaq një përjetim, koncept apo ide të caktuar. Kohët e fundit jam marrë më shumë me pikturë, por edhe me fotografi dhe instalacion.

G70:Për të filluar:çfarë do të përcaktoje si materien tëndekryesore të shprehjes si artist dhe pse e ke zgjedhur?

E.Ç. Materia apo mjeti im kryesor është gjithmonë i varur nga çfarë dua apo synoj të përçoj, ndaj dhe çdo mjet mund të jetë kryesor për një çast apo kohë të caktuar, teksa më ndihmon të shprehem.

G70:Pikturat e tua kanë shumë dritë, apo jo? Në çfarë background i pikturon?

E.Ç. Ky konstatim më gëzon, sepse drita është çdo gjë, është ekzistencë. Faleminderit! Sa më e pakët drita, aq më e perënduar ekzistenca. Nuk është se nisem me këtë premisë kur pikturoj, por në një mënyrë apo në një tjetër të gjithë e kërkojnë dritën. Ndoshta kur “ngjyros” është më e dukshme drita sesa kur pikturoj, siç kam synuar dhe me ciklin në fjalë.

G70: Duket sikur shikuesi mund tëfutet brenda në atmosferën e pikturës tënde. A përpiqesh t’i japësh abstraktes tënde një narrativë ?

E.Ç. Jo, nuk synoj asnjë narrativë. Po ashtu, më shumë sesa abstrakten, synoj muzikën misterioze të ngjyrave.

G70: Nëse ndalemi te cikli “Ngjyrosje”, si lindi ky koncept?

E.Ç. Siç e përmenda, nuk kisha asnjë mendim apo koncept paraprak; doja vetëm të hidhja ngjyrja mbi sipërfaqen e bardhë, kaq. Reflketimi erdhi natyrshëm pasi kisha bëra me dhjetëra piktura në këtë frymë. Duke qenë se kishin diçka të përbashkët në dukje, fillova të mendoj se a mund të kenë diçka të tillë edhe në përmbajtje. Fillimisht i titullova “Ndërkohë”, duke u nisur nga fakti se pothuajse të gjitha janë “ndërkohët” apo sheshpushimet e mia midis angazhimeve të ndryshme, qoftë dhe artistike. E kam gati si zakon që, kur lodhem apo ngopem me diçka, marr bojrat dhe nis e ravijëzoj njolla të caktuara, krejt shepngueshëm. Pastaj lindi titulli “Ngjyrosje”, si e përbashkëta në thelb/përmbajtje e këtyre punëve. Padashur isha (ri)takuar me Edisonin e dikurshëm, fëmijë.

G70:Në çfarë dallon kjo seri nga punët e tua të mëparshme, formati?Ngjyrat? Teknika?

E.Ç. Së pari dallon për nga përmbajtja, pasi është një cikël që ka nisur jo si cikël, por si një “lojë” me ngjyra, siç e trajtova më lart. Nga ngjyrat jo dhe aq, pasi ngjyrat “e ndezura” mund të them se më shoqërojnë. Ndërsa formati ndryshon disi, sepse pjesa më e madhe punëve janë të vogla, rreth 30 me 30 cm. 

G70:Më duket sikur shoh peizazhe në veprat e tua. Çfarë mendon?

E.Ç. Jam shumë kureshtar për çdo lloj përshtypjeje apo interpretimi që më japin. Ndiej një lloj pasurie brenda vetes në të tilla raste. Në fakt, nuk kam synuar as peizazhin dhe as ndonjë gjë konrekte, pavarësisht se në përfundim e sipër, ndonjëra, edhe mua më është ndërlidhur me elemente të caktuar të natyrës.

G70 : Duket sikur pikturat e tua nuk e përshkruajnë atmosferën, por e krijojnë atë. A mendon se shikuesi e percepton këtë ndjesi?

E.Ç. Më tërheq ky konstatim. Pjesa më e madhe e këtyre pikturave janë nisur pa patur një imazh paraprak në mendje. Çdo gjë vjen rrugës, në ngjyrosje e sipër. Çasti më delikat në pikturë është të dish të heqësh dorë, të dish të ndalosh, ose të ruash frymën e parë, sepse është më shumë akt sesa mendim.Ndërsa kur e mbajmë gjatë në dorë një pikturë, zakonisht bëhet më shumë mendim sesa akt. Mendimi ka prirjen ta ngurtësojë artin, ta bëjë të parashikueshëm.

G70: A ekziston çdo pikturë e këtij cikli më vete, apo secila merr kuptim vetëm si pjesë e ciklit?

E.Ç. Secila ka një jetë të veten, pavarësisht të tjerave, dhe mund të qëndrojë më vete në një kontekst tjetër.

G70: A të pëlqen të luash dhe me nuancat e secilës ngjyrë apo thjesht të pëlqen të ndërtosh mbi kontrastet?

E.Ç. Varet nga gjendja e brendshme dhe nga “loja” intesive e ngacmimeve të jashtme. Por, kohëve të fundit dhe sidomos me këtë cikël, kam patur prirjen t’i përdor ngjyrat siç dalin nga tubeti, pa i përzier, gjë që është e zakonshme për fëmijët.  Edhe kjo ishte një arsye drejt titullit “Ngjyrosje”.

G70: A ndikon bota e vajzës tënde në artin që krijon?

E.Ç. Besoj se po. Përveçse një ripërqafim me jetën, fëmija është edhe një ripërqafim me artin. Por, problemi është se i ndikoj edhe unë asaj.

G70: Të gjitha punët e tua janë pa titull.Përse kjo zgjedhje?

E.Ç. Në fakt, nuk është zgjedhje, sepse nuk kam vendosur gjë paraprakisht, thjesht të tilla më kanë ardhur, pa më pyetur, të pashoqëruara me ndonjë fjalë apo nocion, dhe të tilla i kam lënë, duke përjashtuar titullin e ekspozitës.

Duhet thënë se fjala, në shumë raste, ka prirjen ta kufizojë “rrezatimin” e imazhit, sikurse dhe imazhi fjalën, në veçanti kur kemi të bëjmë me fenomenin e ilustrimit në letërsi.

G70: Si e ndërton pikturën,nga e fillon?

E.Ç. Nuk kam ndonjë mënyrë të caktuar, madje mundohem t’i qëndroj larg çdo ndikimi që mëton të më imponohet si “mënyrë e caktuar”.

G70: A pikturon direkt në kanavacë apo e mbërthen atë skeletin e telajos?

E.Ç. Përgjithësisht në telajo. Ndihem më mirë kur kanavaca është e tendosur.

G70: Një pjesë e mirë e pikturave të kësaj serie janë miniatura: është rastësi apo zgjedhje?

E.Ç. Nuk më duken si miniatura, pavarësisht ndonjë elementi tek-tuk, por mbi të gjitha ngaqë nuk kam synuar miniaturën. Gjithsesi, më tërheq fakti që i quani të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

TË RUASH FRYMËN E AKUARELIT
Kjo vjeshtë e Orion Shimës
Fluturimi i Chagall-it
Botohet në anglisht “Shqiptarët në art”, i studiuesit Ferid Hudhri
Kur arti na kujton gjuhën e harruar të njeriut
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}