Intervistoi: Violeta Murati
Po vërejmë se gjuha jo vetëm që nuk shkruhet gjithnjë e më mirë, por ka harresë për t’u marrë me të, keqpërdorimi i saj s’krijon më debat, aq më tepër kur edhe shkëputja me librin e bën më delikate këtë çështje. Keni një përvojë të drejtpërdrejtë, mjaft intensive, me gjuhën, komunikimin, leximin etj. Çfarë po ndodh, ku po shkojmë?
Kjo është çështje kulture. Me sa duket, kultura do bëhet tipar elitash. Do të jetë një e mesme e rëndomtë dhe do ketë ca ishuj të vegjël kulture. Ashtu si për leximin, ku janë krijuar disa grupe me rreth 20-30 veta që mblidhen së bashku në një klub, rreth apo diçka tjetër, të cilët mbajnë lidhjen me librin, bëjnë aktivitete me librin dhe lexojnë e diskutojnë mes tyre. Por shumica dërrmuese lexojnë facebook-un apo rrjetet sociale. Kështu po evoluon gjithë shoqëria njerëzore në rruzullin tonë të nderuar tokësor. Domethënë, është koha e shpejtësisë, s’kemi më kohë të vonohemi. Sot më tepër komunikojmë nëpërmjet leximit, sesa lexojmë për kulturë, për të mësuar.
Tani që po flasim për gjuhën, më kujtohet se në procesin e përkthimit, ose në natyrën tuaj të përkthimit, keni veçuar se fjala është shumë e rëndësishme në përkthim…
Po, fjala është e rëndësishme. Sepse fjala duhet e saktë për të shprehur një mendim të caktuar, për të mos qenë të përafërt. Ka shumë sinonime për një fjalë. Ja për shembull: ndryshe është të thuash mirësjellje, ndryshe është të thuash njerëzi, ndryshe është të thuash gëzim, hare, gaz – ka nuanca secila nga këto. Përkthimi të detyron të gjesh nuancën e caktuar. Të paktën në fushën e frëngjishtes është punuar mirë. Kam parasysh mjeshtrin e përkthimit, Vedat Kokonën, i cili është referuesi kryesor me fjalorin e tij. Ai vetë ishte shkrimtar i mirë dhe i dallonte këto. Në fund të shekullit XIX në Francë, në çdo familje punëtore, kishte të paktën një fjalor dhe një vepër të Viktor Hygoit. Ai është shumë popullor. Më vonë pati një evoluimin kur familjet kishin një vepër të Viktor Hygoit ose një vepër të Emil Zolasë, i cili ka shkruar shumë për shtresat e varfra. Po të bëjmë një anketë, sot se, sa familje shqiptare kanë Fjalorin e Gjuhës Shqipe, përgjigjja do ishte zhgënjyese. Nuk diskutoj fjalorin e madh, por, së paku, po përmend fjalorin e vitit 2006, që ka 41 mijë fjalë hyrëse. Edhe ky fjalor duhet parë, sepse aty ka fjalë që nuk përdoren më, ka fjalë të vjetra, arkaizma, fjalë që përdoreshin dikur, të tilla ka plot, shumë…
Po thoni se kemi një “vjetrim të fjalës”?
Po padyshim, është momenti për atë që thonë leksikografët, fundi pasiv i gjuhës, fjalë që nuk përdoren më. Ka fjalë të shqipes që duhet të shpëtojnë. Unë bëj çmos për t’i shpëtuar. Nga përvoja franceze, ka emisione televizive, programe pa fund për letërsinë dhe gjuhën, po ashtu ka plot emisione të tjera me të njëjtin koncept për shpëtimin e gjuhës. Po ashtu ka edhe shumë libra, si për shembull 120 shprehje për t’u shpëtuar. Kjo ndodh nën ndikimin e globalizimit kulturor, që për mua është vrasja ose dobësimi i kulturave të veçanta. Edhe unë do doja ta bëja një gjë të tillë, një botim apo një emision në televizion, apo të mbaja një rubrikë në gazetë, ku të merrja pesë fjalë nga shqipja për t’u shpëtuar. Ja, po jua jap një shembull: fjala prani iku, – thuhet prezencë; fjala kujtesë po bie në fundin pasiv të gjuhës, – të gjithë po thonë memorie; iku edhe fjala i përsosur, i përkryer, – të gjithë tani thonë perfekt; iku shprehja borë e bardhë etj. Kam bërë për këtë një anketë me të rinj dhe zbulova se janë shumë të varfër në fjalor. Kulaçi dhe kërbaçi (kamxhiku) iku, sepse nuk ka më karroca me kuaj… Pra, zhduket fenomeni, veprimi, për pasojë edhe emërtesa. Po ikin kështu plot fjalë, po ikin fjalë pa fund.
Nga kjo gjendje vjen vetiu pyetja nëse te ne ekzistojnë ende njerëz, punëtorë të gjuhës? A ka më interes për këtë?
Për shumë kohë kam bërë emision në televizionin shtetëror me fjalë e me humor për të mbrojtur fjalën shqipe, por nuk ka pasur interes, sepse kanë një kohë të caktuar, duan ta mbushin me të tjera gjëra, nga të cilat ka edhe të dobishme… Por gjuha shqipe po ndryshon edhe si intonacion. Alfabeti shqip është cenuar, për shembull, keni një ci-di (CD) apo kur të kërkohet një ci-vi (CV), por alfabeti shqip e ka cë-dë apo cë-vë; dë-vë-dë jo di-vi-di (DVD). E kanë italianët, francezët, por ata e shqiptojnë ashtu siç kanë alfabetin etj.
Megjithatë, ju keni një edukim klasik të gjuhës, ndoshta të marrë nga Franca…
Po është e vërtetë, unë kam edukim klasik, por që buron nga vullneti për të mbrojtur gjuhën. S’ka të bëjë me Francën. Kombin e përkufizon gjuha, kryesorja është gjuha. Po, gjuha. Çfarë gjuhe flet ti, prindërit e tu. Një gjuhë mbahet gjallë, mbrohet. I vetmi komb që e ka rilindur gjuhën e tij është Izraeli. Në vitin 1948, kur krijuan shtetin e Izraelit, ata morën shkrimet e vjetra shkruar në hebraishte, nxorën fjalët bazë dhe i detyruan shtetasit e tyre të flisnin, të rinj e të vjetër. Ajo ishte një gjuhë e shkruar, e përzier në Europën Qendrore me gjermanishten e quajtur Idish, por nuk ekzistonte. Ata e rilindën, kurse ne po e humbasim gjuhën. Gjuha shqipe po rrafshohet nga ruli rrafshues i globalizimit. Më mori malli nuk thuhet më, por më ke munguar. Shikoni sa e shëmtuar është. Ke tre vjet pa e parë të dashurin/ të dashurën, babanë, nënën dhe i thua: sa më ke munguar! Shikoni sa e ftohtë është përballë: më dogji malli, më mori malli, kam mall… Jo, kanë filluar të thonë: më ke munguar, ndikuar nga rrënjët e tri-katër gjuhëve të huaja, kryesore.
Po kujtoj një fjali të famshme të Ciceronit: “Përkthimi është si femra: nëse është e bukur, është e pabesë, nëse s’është e bukur, është besnike.” Nisur nga këto përvoja personale, nga ç’flasin e thonë për përkthimin, ju patjetër keni diçka për të reflektuar mbi këtë, nga përvoja juaj?
Kam dhënë teori përkthimi 20 vjet, kam 30 vjet që përkthej, por po të flasim për përkthimin letrar, në vëllimin e përgjithshëm në botë zë vetëm 10%, ku 90% është teknikë, shkencë, politikë, ekonomi, jurisprudencë – pra, në 100 libra, vetëm 10 prej tyre janë libra letrarë që përkthehen. Unë nuk kam bërë shkollë përkthimi. Në atë kohë, kur mbarova studimet e larta në Francë, këtu kishte një paragjykim: po të dije një gjuhë të huaj, ishe automatikisht përkthyes. Kjo është gjëja më e gabuar. Sidomos për përkthyes letrarë, pasi ky zanat kërkon talent. Jo më kot përkthimet e Nolit ishin fantastike, sepse ai ishte shkrimtar. Kishte dhunti. Ka përkthyes që janë njëkohësisht edhe shkrimtarë, por ka edhe përkthyes që janë vetëm përkthyes, por që ndihet tek ata letërsia, ndihet frymëzimi, talenti, dhuntia. Në gjithë përvojën time, them se përkthimi nuk është mision i pamundur, por mision i pambaruar. Ai vazhdon dhe njeriu nuk lodhet. Për mua ka qenë dhe është gjimnastikë e mendjes. Përkthimi të pajis me kulturë. Përkthimi është ai që ka qenë gjithmonë; po nuk e kuptove dhe po nuk e ndjeve, nuk përkthehet. Po nuk të pëlqeu autori, mos përkthe. Gjuhën e ke ti në dorë, ti do e japësh letërsinë.
Kthehemi në fillim. Kur ishte magjepsja e parë, mahnitja që më vonë do të shndërrohej në profesion?
Nuk e di të ta them saktë, por ka një fillim. Një histori. Kur isha në gjimnazin “Qemal Stafa”, gjuhë të parë kishim rusishten. Bëhet fjalë për vitet ’60. Isha në vitin e tretë, kur frëngjishtja u fut gjuhë e dytë. Në atë kohë kishim një mësues me origjinë nga Elbasani, të cilin e quanin Mahmut Bobrati. Ai ishte përkthyes, unë nuk e dija. Kishte një theks të lehtë nga Elbasani, ashtu sikurse e ka pasur edhe im atë, kështu që ndihesha mirë më të. Ai ishte pedagog dhe metodist shumë i mirë. Njihte gjermanishten, italishten, rusishten edhe frëngjishten.
Një ditë, kur po shkoja në shkollë, shoh në vitrinën e librarisë një libër të Gi de Mopasan. Shoh emrin: shqipëruar nga Mahmut Bobrati. E bleva librin gjithë qejf. Atë ditë kishim tri orë dhe në fund të mësimit, qëndrova në klasë. Kur profesori mori regjistrin dhe bëri të dilte, e ndala dhe i thashë: “Profesor, kam blerë këtë libër që keni përkthyer ju. A mund të më shkruani diçka?” Fjalën autograf nuk e dija. Por ai më tha se nuk ishte autori. Unë mbeta pak i zhgënjyer, kur profesori vazhdoi: “Meqenëse autori ka vdekur, atëherë unë jam zëdhënësi i autorit dhe mund të të shkruaj diçka!” Atë libër nuk e kam më. Në atë moment, çuditërisht, kur profesori iku, e pashë librin dhe mendova: Ah sikur të bëhem mësues frëngjishteje si profesor Bobrati dhe të bëhem edhe përkthyes. Kështu që jo vetëm u bëra pedagog i frëngjishtes, jo vetëm përkthyes, por 3 vjet më vonë, kur shkova në Paris, bleva edhe një beretë, sepse ai, mësues Bobrati, mbante edhe beretë. Jo vetëm kaq, përpara tre-katër vjetësh, afër shtëpisë sime, shoh që një rruge i ishte vënë emri i tij: rruga “Mahmut Bobrati”. A nuk është e bukur kjo histori?! Pas kësaj erdhi përkthimi im i parë nga metoda e frëngjishtes, ku ishte një poezi për vjeshtën. Mbaj mend që kishte shumë rima foljore, çka nuk ishte fort e bukur, me pjesore. Më pas, kur vajta në Francë për herë të parë, ishte një novelë që quhej Rondino, Bandit, e shkruar nga Prosper Merime. Ajo ishte një novelë shumë e bukur, prandaj unë e përktheva në shqip. Im atë ishte atëherë kryeredaktor i gazetës “Sporti popullor”, redaksia e të cilit kishte përballë një revistë letrare ku e dërgoi për ta botuar përkthimin tim. Por ata nuk e botuan. Arsyet e tyre. Ndërkohë, unë kisha filluar përkthimin. Sidomos kur vija me pushime nga Franca, na mobilizonin nëpër kongreset që bëheshin. Por në gjimnaz unë kisha shkruar poezi dhe tregime të miat, njëkohësisht. Kisha botuar edhe te “Zëri i rinisë” poezi dhe tregime. Isha edhe shkrimtari që flinte brenda meje, por edhe përkthyesi. Sepse, siç thotë Prousti, edhe shkrimtari është përkthyes, ndien diçka, e hedh në letër.
Vajtja juaj në Francë ndikoi, u bë përvojë, për përkthimin, kulturën? Çfarë ndryshoi te ju, si një i ri që e vizitonit nga kushte izolimi, diktature?
Nuk u mora me përkthimin në Francë. Unë vajta për të studiuar gjuhë dhe kulturë frënge. Sigurisht, kultura e saj ndikoi tek unë, ndërsa përkthimin e kisha nisur më parë. Oh, Franca ndryshoi shumë gjëra tek unë. Shkoja nëpër muzeume, takoja e diskutoja me shokë e shoqe nga vende të ndryshme. Kisha miq francezë, kisha vizituar familjet e tyre. Ishte interesante, sepse nuk kishte stres, frikë, tulatje. Atje unë shpërtheva, u bëra llafazan. S’isha i tillë. Këtu isha i heshtur. Atje ndryshova. Liria ishte në ajër. Këtu isha mësuar vetëm me mohime, me mos, mos, mos… Studentët francezë ishin të lirë, flisnin lirshëm, bërtisnin, shanin… ndërsa unë vija nga një edukatë moraliste e ushqyer nga babai dhe mamaja. Në shtëpinë tonë nuk shahej, nuk flitej me zë të lartë, nuk bërtitej, nuk fishkëllehej… Atje të gjithë njerëzit ishin të lirë, por kishin edhe rregullat e tyre, hijshmërinë e sjelljes, kishin edukatë më tepër se kulturë.
Pas Francës, me çfarë u përballët?
Pas Francës u gjenda në fakultet, si pedagog. Dhashë mësim pesë vjet. Rrethanat e prunë që më caktuan në Gramsh për pesë vjet, ky quhej qarkullimi i kuadrove. Metoda kineze për të rinjtë që kishin mbaruar jashtë apo në kryeqytet, ishte që pas pesë vjetëve punë duhej të qarkullonin me detyrim si kuadro, të shkonin nëpër rrethe që të luftonin çdo tendencë borgjezimi. Ishte paradoksale, sepse në Gramsh, ku dhashë mësime frëngjishteje, dhashë edhe anglisht, muzikë, vizatim, plotësoja orët. Duheshin 24 orë mësim në javë. Kam dhënë mësim edhe në shkollë nate, lëndën e historisë, gjeografisë, gjuhë-leximit. Ishte absurde! Ti shkon jashtë shtetit, mbaron studimet dhe pret për të dhënë shumë në atë fushë ku ke studiuar, por ata të hiqnin që andej.
Si arritët të dilnit nga Gramshi? Keni qenë për një kohë të gjatë edhe në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Ç’ishte ky moment në jetën tuaj si përkthyes?
Do të kisha mbetur në Gramsh, sikur të mos kishte ndërhyrë përkthyesi Jusuf Vrioni, i cili ka qenë përkthyesi i veprave të Kadaresë në frëngjisht. Ndërkohë që isha në fakultet, e kisha takuar Jusufin, pata bërë dy-tri përkthime dhe pata biseduar disa herë. Kështu që ai më njihte mua dhe më kishte pëlqyer. Madje, kishim bërë disa herë biseda në frëngjisht. Në vitin 1978 nisën të përktheheshin, çdo vit, veprat e Enver Hoxhës në frëngjisht. Virionit i kishin thënë se duheshin kuadro të aftë në përkthim. Kishte dy-tre të tjerë që kishin mbaruar në Francë, por edhe këtu, kurse ai më tërhoqi mua nga Gramshi. Në atë kohë shtëpia botuese “8 Nëntori” ishte në varësi të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste të Partisë së Punës. Aty filloi përkthimi, jo drejt shqipes, që është normale, por drejt frëngjishtes, me përkthimin e materialeve propagandistike, veprat e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Sa herë do përkthehej një vepër, mbylleshim brenda duke punuar deri 10 orë në ditë. Pata fatin e madh, sepse dhashë edhe lëndën e përkthimit në fakultet, së bashku me Vedat Kokonën.
Njohja me Kokonën la gjurmë te ju?
Të dy përkthenim drejt frëngjishtes. Me Vedat Kokonën kam punuar në fakultet, ku dhashë mësim për pesë vjet. Ishte një kohë e çmuar për mua. Me Kokonën bënim prova dhe gara në përkthim. Mbaj mend se bëmë nga një përkthim të Bodlerit dhe më pas i krahasonim. Sigurisht, Bodleri i Kokonës kishte diferencë nga përkthimi im. Por aty u formova, Kokona la gjurmë tek unë. Kur u ktheva nga Gramshi, punova dhjetë vjet në shtëpinë botuese “8 Nëntori”.
Dua ta kapërcej këtë kujtesë për një sintezë, kur thuhet se përkthimi gjendet përherë e më tepër në zemër të komunikimit. Ç’duhet të kuptojmë me këtë?
Imagjinoni një botë ku të mos kishte as përkthyes dhe as përkthim. Të bëhej një shpikje në Amerikë, do të duhej që ajo shpikje të bëhej edhe këtu te ne. Kush e bën këtë komunikim? Përkthyesi. Çdo komb do të kishte shpikjet e veta. Po kodet e lashta? Zanati më i vjetër në botë nuk është ai që thuhet për femrën, për gratë, por është përkthimi. Si do të merreshin vesh me njëri-tjetrin? Përkthimi është i lashtë sa vetë komunikimi njerëzor.
Mision, komunikim apo ndërtim të urës mes kulturave, – a është diçka tjetër shumë më shumë për përkthyesin?
Po, përkthyesi është shumë më shumë. Për mua përkthimi është terapi, një gjimnastikë mendore fantastike. Unë nuk di përkthyes të jetë prekur nga sëmundja e Alzheimerit, së bashku me leximin. Përkthimi është një zanat, nuk vdes për bukë, por është mbi të gjitha pasion. Flas për përkthimin letrar, pasi është tjetër gjë përkthimi teknik, shkencor. Përkthimi letrar ka estetikën brenda. Merr kulturë dhe bëhesh i ndjeshëm, sepse njëkohësisht ti lexon dhe pastaj përkthen. Të gjithë këtë përvojë përkthimi unë e kam botuar në një libër, “Këshilla një përkthyesi të ri”, janë bërë katër botime deri tani.
A është përkthimi një punë vetmitari? Si është ky proces deri në finale, në botim?
Romeo Çollaku, që është shkrimtar, poet dhe përkthyes shumë i mirë, mori një çmim nga Ministria e Kulturës para disa vjetësh. Botoi një shkrim mjaft të mirë, shkruar me kulturë dhe profesionalizëm, ku thoshte se përkthimi është akt vetmitar. Në tërësi, përkthimi është akt vetmitar, sepse e përkthej unë. Megjithatë, është dhe nuk është i tillë. Për një vepër duhet hapur fjalori, por ai fjalor ka një autor, e ka bërë leksikografi Vedat Kokona, Zef Simoni etj. – pra qenka dhe leksikografi, autori i fjalorëve, që e ndihmon përkthyesin; sot është edhe interneti, përmes të cilit kërkon një teknikë, një mënyrë të thëni… A u bënë dy që e ndihmojnë përkthyesin. Por këtë produkt përkthimi kam nevojë ta shohë dikush në shtëpinë botuese që, fatkeqësisht, ka shtëpi botuese që nuk e kanë këtë hallkë të domosdoshme, korrektorin dhe redaktorin. Këta, sadopak, e përmirësojnë përkthimin. Mbaj mend se Vedat Kokona, kur bënte fjalorin e parë shqip-frëngjisht, kur isha akoma në fakultetet, na dha secilit nga ne një germë. Më pas na thoshte lexoni dhe thoni ç’vërejtje keni, pra ishte njëfarë konsulence, pak punë korrektori dhe propozime të redaktorit… Edhe kur përkthenim te shtëpia botuese “8 Nëntori”, përkthyesi Jusuf Virioni, i cili ishte kryeredaktori që shihte përkthimet tona, pasi i redaktonte, na thoshte: “Tani lexoni dhe bëni sa më shumë vërejtje.” Kështu ngrihej cilësia e përkthimit. Pra, nuk është krejtësisht akt vetmitar. Botuesi që e merr, po shpërndarësi, po librari që ta këshillon?! Të gjitha këto procese duan një ekip. Unë kam përkthyer 10 libra të Fatos Kongolit, e kam kaluar këtë përvojë dhe kam parë se si punohej kur përkthehej në frëngjisht.
Lidhur me përvojën shqiptare të përkthimit, jo për historikun që trashëguam nga diktatura, por për atë pas ’90-ës, kur në fillime ka pasur fluks përkthimesh, duke iu përgjigjur etjes për letërsi të huaj që nuk pati asnjë barrierë. As sot nuk shpjegohet çfarë lloj letërsie vërshoi, të çfarë cilësie ishin përkthimet?!
Ka pasur përkthime shumë të dobëta, sepse kujtonin se dinin gjuhën dhe sollën një katastrofë në letërsi në drejtim të cilësisë. Sidomos filozofët u masakruan. Më thërret Jusuf Vrioni një ditë dhe më dha një faqe përkthim nga Martin Heideger, ma dha ta lexoja duke më pyetur nëse e kuptoja. E lexova. Ai më pyeti sërish nëse e kuptova. Iu përgjigja se fjalët kuptohen, por mendimi të ikën. Ka pasur plot të tilla, një katastrofë…
A ka ardhur koha sot që të kemi një kontingjent përkthyesish të besueshëm, mjeshtër të përkthimit, që të ripërkthehen veprat, ose së paku kryeveprat?
Tani jemi në kohë tjetër, ka përkthyes të formuar. Sigurisht, ka plot vepra që duhen ripërkthyer. Në fund të librit “Këshilla një përkthyesi të ri”, ka një seri përkthimesh, krahasimesh. Me studentët më të mirë krijova një grup duke vënë botimin origjinal, tekstin origjinal, si dhe përkthimin zyrtar që ka dalë në librari. Kam vënë edhe një punë të tretë, siç duhet të jetë. Por problemi është se ato vepra që janë përkthyer nga përkthyesit e dikurshëm, që ishin mjeshtër të vërtetë, ata u grabitën, u morën, ndryshuan vende-vende, për të treguar se nuk e kanë përvetësuar… Ja, për shembull, nga “Xha Gorioi” janë botuar edhe dy përkthime të tjera, një është diçka, por dy të tjerat janë katastrofë.
Foenikos, kur provokoi me “Delikatesën”, tha për ju, përkthyesin si koncept, se jeni një përkthyes autobiografik, bën jetën e atij libri? A ka rrezik?
Po, ashtu jam unë. Unë jam personazhi kryesor, ndërroj seks, ndërroj moshë, e shoh nga brenda personazhin dhe i sjell gjërat sikur të më vinin mua. Ka një rrezik që mund të lajthisë përkthyesi, sidomos kur është edhe vetë shkrimtar. Kjo ka ndodhur me Nolin te “Don Kishoti”. Vjen një moment që Noli e çon Sanco Pancon bashkë me Don Kishotin në një krahinë shqiptare me emër shqiptar, në Roskovec më duket. Ai bën përshtatje. Më kanë thënë se te “Hamleti”, në krye të dramës, Noli shkruan: “Drama është gracka ku mbreti zihet si laraska…” Kjo nuk është e Shekspirit, por ngaqë është poet vetë, e ka rrëmbyer vala, duke e identifikuar kështu veten me personazhin kryesor. Në këtë vazhdë ka punuar edhe Petro Zheji me vazhdimin e pjesës së dytë të “Don Kishotit”, e lexoi dhe pa frymën e veprës. Nganjëherë këta kalojnë nga përkthimi në përshtatje, duke futur pak nga vetja e tyre, dhe harrojnë se janë duke përkthyer. I rrëmben vala e krijimit dhe rikrijojnë tekstin – ky është rreziku. Unë nuk jam i kësaj shkolle, që të heq apo shtoj gjërat sipas qejfit tim. Nëse autori thotë një fjali, si për shembull, ai më përqafoi dhe më tha… unë e përkthej: ai më mori në krahët e tij, më shtrëngoi fort pas gjoksit etj. Autori nuk i ka këto, atëherë unë bëj një përshtatje, ose përkthshtatje.
Kadare, Bashkim Shehu, Besnik Mustafaj… janë përkthyer në gjuhën frënge nga ju. Ndoshta është gjëja më e zakontë, por për përkthyesin e komplikuar, kur pyetet për marrëdhënien me autorin, apo jo? Legjendën e keni ndërtuar me shkrimtarin Fatos Kongoli.
Me Kongolin është edhe një histori familjare. Babai im me të Kongolit ishin nga Elbasani, njiheshin mirë me njëri-tjetrin. Qysh në vitin ’72, kur Kongoli punonte te gazeta “Drita”, unë dërgoja disa poezi. Më pas, kur fillova te shtëpia botuese “8 Nëntori”, Kongoli punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, që ishin në një godinë. Takoheshim shpesh, pinim kafe bashkë, bisedonim apo flisnim frëngjisht, pasi ai kishte mësuar herët. Ishte një marrëdhënie shumë e mirë. Librin e parë të Kongolit që kam përkthyer, ka qenë bashkëpërkthim me një franceze, i cili pati sukses në Francë. Ishte “I humburi”. Fati e solli më pas që, në mënyrë të papritur, pas një situate me përkthyesen franceze, tërheqjes së saj, romanin “Kufoma”, apo “Hija e tjetrit”, ta përktheja unë në një kohë rekord, pasi pritej të prezantohej me rastin e një aktiviteti në vitin ’98, të organizuar nga Instituti Kombëtar i Librit në Francë, në kuadër të vitit të Shqipërisë. Ishte një kohë që nuk kisha kompjuter dhe dritat iknin shpesh. Ishte një bashkëpunim Odise. E përkthyem librin për 49 ditë. Unë përktheja një kapitull, katër faqe në ditë.
I lexoja, i redaktoja, i shtypja dhe ia jepja Kongolit. Ai i fuste në zarf dhe i niste drejt Francës. Romani doli për shtatë javë. Ishte një garë me kohën. Libri doli dhe u prit shumë mirë. Gjithmonë kështu kemi punuar, me këtë frymë. S’kam ndërhyrë në stilin e tij, por bënim mjaft debat.
Ç’është ky proces, si ia del me këtë intensitet përkthimi?
Këtë e kam mësuar kur përkthenim veprat e Enver Hoxhës. Aty duhet të përkthenim, minimumi, 10 faqe në ditë. Në fund të majit, fillim qershori, vinte vepra që duhej mbaruar brenda shtatorit, sepse më 16 tetor kishte ditëlindjen dhe duhej dhuruar vepra e tij. Na prishte pushimet e verës. Aty, në fakt, mësova përkthimin intensiv. Me Jusuf Vrionin ishte një shkollë. Me këto mësuam përkthimin, si duhet të përkthehet, puna me fjalorin…
Cili ishte problemi më i madh kur përkthenit veprat e Enverit?
Sigurisht, të mos bënim ndonjë gafë, ndonjë gabim, kundërsens. Ne na kërcënonte nëndrejtori i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, ku drejtoreshë ishte Nexhmije Hoxha. Sikur një presje të dilte gabim, ndiqeshim penalisht. Kishte shumë të deklasuar që përkthenin në këtë kohë. Për ndonjë gjë që nuk e kuptonim, s’mund të merrnim ambasadën franceze në telefon për t’i pyetur se çfarë kuptimi ka. I kam treguar të gjitha këto në një libër që e kam botuar në Francë, me titullin “Kujtimet e një përkthyesi”.
Jeni autor erotik, ku me jehonën e Fjalorit Erotik të vitit 2004 nisni një seri librash, romane dhe tregime erotike. Pse u përfshitë në këtë tendencë? Pse kjo ide?
Po, jam autor erotik. Kam botuar shtatë libra erotikë. Kjo është tendencë e vjetër imja. Libri i parë erotik, Fjalori Erotik, u botua në vitin 2004. Kur isha në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, një ish-student, që u bëmë shokë, ishte pedagog në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja dhe më sjell një fjalor erotik frëngjisht-frëngjisht. Ai më tha: “Lexoje se është kryevepër.” E kam lexuar gjithë natën. Shikoj që në fund fare kishte ca përkufizime erotike nga Paul Eluard. I kopjova shpejt e shpejt, jashtë orarit, kur nuk kishte njeri. Tri-katër faqe nga ai fjalor i kam përfshirë në fjalorin tim të 2004-ës. Qysh atëherë mendoja: Ah sikur të kishim një fjalor të tillë! Ndoshta ishim i vetmi vend në Europë që s’kishim fjalor erotik. Kur erdhi demokracia, në ’90-ën, nga viti 2004 u kujtova me vonesë, duke i hyrë menjëherë punës. Kështu u botua Fjalori i parë Erotik, nga shtëpia botuese “Ora” e Besnik Mustafajt. Ai pati jehonë, bëri edhe smirëzinj. Dikush kishte shkruar që nuk është fjalor erotik. Më pas u bë ribotim. Kjo më çoi më pas në shkrimin e librit me tregime erotike dhe me radhë një tjetër libër me skica erotike, variacione të një teme, po nga OMBRA GVG, duke mbërritur në librin “Tingujt e trupit tënd”, ku lartoj trupin e femrës… Ishte ideja për të çliruar veten nga fantazimet e mia erotike, pse të mos bien, shemben, edhe këto tabu. U ndjeva mirë në këtë fushë, sepse babai im ishte i lirë në të folur, shprehej lirshëm. Mamaja ime ishte më puritane, ndërsa tezja ime i mëshonte gojës, ishte e lirë, nuk kishte tabu. Kështu librat erdhën në këtë liri njëri pas tjetrit, derisa mendova për të provuar edhe romanin. Shkrova “Vajzat e ballkonit” dhe më pas “Po shkoj të kap Enisin”. Por dua të theksoj se këto romane nuk janë porno. Janë vepra, libra erotikë, por jo pronografi. Sepse theksi nuk vihet vetëm te mishi, por edhe te ndjenja, te koshienca, te subkoshienca, – të gjitha këto janë të pranishme. Ka edhe një sfond shoqëror, një emancipim të femrës.
Kemi një pyetje klishe: A janë librat tuaj përvoja juaj?
Këtë e thonë gjithë shkrimtarët. Pa dyshim, ka elemente autobiografike, por nuk është përvoja ime. Unë kam dëgjuar, kam lexuar, kam imagjinuar, – apo s’kam një imagjinatë të shfrenuar, – kam sajuar… Tani kam bërë gati një tjetër libër me tregime erotike, e kam çuar për botim te “Pegi”, sepse te kjo shtëpi botuese ka korrektorë dhe redaktorë të vërtetë. Është Aida Baro që ka bërë një vit studime për editim, domethënë redaktim. Sepse edhe ky zanat do kulturë, ajo ka qenë redaktorja e pseudoromanit tim të parë “Vajzat e ballkonit”, ajo më ka bërë me shumë frikë. Këtu kam vënë re se ka një bllok nga ana e autorit për të mos i prekur veprën. Shumica dërrmuese kështu janë. Ndërsa Aida më tha se një paragraf e kisha më të fuqishëm në faqet e para sesa në faqet e fundit, kur duhet të shkojë kreshendo… Sigurisht që iu binda, sepse kishte të drejtë, ishte për të mirën time. Unë isha rritur me shkollën e Vedat Kokonës dhe Jusuf Vrionit, që na thoshin: “Lexojeni, lexojeni, bëni vërejtje, vërejtje, mos ngurroni, çfarë nuk shkon…” Me redaktorin diskutohet një për një, çdo vërejtje, çfarë qëndron, ç’është e duhur. Kështu edhe redaktori mëson të dialogojë me mua, por edhe unë mësoj që nuk jam i përsosur. Se shkrimtari e ka mendjen tek tërësia, tek idetë, karakteret etj. S’mund të merret ai me përsëritjen e një fjale tri herë, këtë e bën redaktori ose edhe korrektori.
Si i keni zgjedhur autorët francezë? Ç’gjurmë kanë ndikuar te ju, siç thuhet, deri në stil?
Në veçanti, ajo çfarë më ka tërhequr nga autorët francezë që kam zgjedhur për t’i përkthyer, është mënyra e të shkruarit që e kanë francezët, shkrimtarët e mëdhenj në përgjithësi. Kam marrë prej tyre nivelin e fjalisë, frazës. Fraza ime është e gjatë, fjalitë e varura, të ndërvarura, ku fraza ime gjarpëron. Kjo ka lënë gjurmë në mënyrën time të të shkruarit, deri te shkrimet që botoj një herë në javë te “Panorama”. Atje më thonë se e kam fjalinë e gjatë. Por kjo kështu vjen pak nga Proust, Claude Simon apo Julien Gracq, të cilit i kam përkthyer dy libra. Këta janë autorët që kanë ndikuar tek unë deri në stil, por është edhe Fatos Kongoli, jo aq në gjatësinë e fjalisë sesa në ritmin e faqeve, paragrafit.
Po vërejmë se gjuha jo vetëm që nuk shkruhet gjithnjë e më mirë, por ka harresë për t’u marrë me të, keqpërdorimi i saj s’krijon më debat, aq më tepër kur edhe shkëputja me librin e bën më delikate këtë çështje. Keni një përvojë të drejtpërdrejtë, mjaft intensive, me gjuhën, komunikimin, leximin etj. Çfarë po ndodh, ku po shkojmë?
Kjo është çështje kulture. Me sa duket, kultura do bëhet tipar elitash. Do të jetë një e mesme e rëndomtë dhe do ketë ca ishuj të vegjël kulture. Ashtu si për leximin, ku janë krijuar disa grupe me rreth 20-30 veta që mblidhen së bashku në një klub, rreth apo diçka tjetër, të cilët mbajnë lidhjen me librin, bëjnë aktivitete me librin dhe lexojnë e diskutojnë mes tyre. Por shumica dërrmuese lexojnë facebook-un apo rrjetet sociale. Kështu po evoluon gjithë shoqëria njerëzore në rruzullin tonë të nderuar tokësor. Domethënë, është koha e shpejtësisë, s’kemi më kohë të vonohemi. Sot më tepër komunikojmë nëpërmjet leximit, sesa lexojmë për kulturë, për të mësuar.
Tani që po flasim për gjuhën, më kujtohet se në procesin e përkthimit, ose në natyrën tuaj të përkthimit, keni veçuar se fjala është shumë e rëndësishme në përkthim…
Po, fjala është e rëndësishme. Sepse fjala duhet e saktë për të shprehur një mendim të caktuar, për të mos qenë të përafërt. Ka shumë sinonime për një fjalë. Ja për shembull: ndryshe është të thuash mirësjellje, ndryshe është të thuash njerëzi, ndryshe është të thuash gëzim, hare, gaz – ka nuanca secila nga këto. Përkthimi të detyron të gjesh nuancën e caktuar. Të paktën në fushën e frëngjishtes është punuar mirë. Kam parasysh mjeshtrin e përkthimit, Vedat Kokonën, i cili është referuesi kryesor me fjalorin e tij. Ai vetë ishte shkrimtar i mirë dhe i dallonte këto. Në fund të shekullit XIX në Francë, në çdo familje punëtore, kishte të paktën një fjalor dhe një vepër të Viktor Hygoit. Ai është shumë popullor. Më vonë pati një evoluimin kur familjet kishin një vepër të Viktor Hygoit ose një vepër të Emil Zolasë, i cili ka shkruar shumë për shtresat e varfra. Po të bëjmë një anketë sot se sa familje shqiptare kanë Fjalorin e Gjuhës Shqipe, përgjigjja do ishte zhgënjyese. Nuk diskutoj fjalorin e madh, por, së paku, po përmend fjalorin e vitit 2006, që ka 41 mijë fjalë hyrëse. Edhe ky fjalor duhet parë, sepse aty ka fjalë që sot nuk përdoren më, ka fjalë të vjetra, arkaizma, fjalë që përdoreshin dikur, të tilla ka plot, shumë…
Po thoni se kemi një “vjetrim të fjalës”?
Po padyshim, është momenti për atë që thonë leksikografët, fundi pasiv i gjuhës, fjalë që nuk përdoren më. Ka fjalë të shqipes që duhet të shpëtojnë. Unë bëj çmos për t’i shpëtuar. Nga përvoja franceze, ka emisione televizive, programe pa fund për letërsinë dhe gjuhën, po ashtu ka plot emisione të tjera me të njëjtin koncept për shpëtimin e gjuhës. Po ashtu ka edhe shumë libra, si për shembull 120 shprehje për t’u shpëtuar. Kjo ndodh nën ndikimin e globalizimit kulturor, që për mua është vrasja ose dobësimi i kulturave të veçanta. Edhe unë do doja ta bëja një gjë të tillë, një botim apo një emision në televizion, apo të mbaja një rubrikë në gazetë, ku të merrja pesë fjalë nga shqipja për t’u shpëtuar. Ja, po jua jap një shembull: fjala prani iku, – thuhet prezencë; fjala kujtesë po bie në fundin pasiv të gjuhës, – të gjithë po thonë memorie; iku edhe fjala i përsosur, i përkryer, – të gjithë tani thonë perfekt; iku shprehja borë e bardhë etj. Kam bërë për këtë një anketë me të rinj dhe zbulova se janë shumë të varfër në fjalor. Kulaçi dhe kërbaçi (kamxhiku) iku, sepse nuk ka më karroca me kuaj… Pra, zhduket fenomeni, veprimi, për pasojë edhe emërtesa. Po ikin kështu plot fjalë, po ikin fjalë pa fund.
Nga kjo gjendje vjen vetiu pyetja nëse te ne ekzistojnë ende njerëz, punëtorë të gjuhës? A ka më interes për këtë?
Për shumë kohë kam bërë emision në televizionin shtetëror me fjalë e me humor për të mbrojtur fjalën shqipe, por nuk ka pasur interes, sepse kanë një kohë të caktuar, duan ta mbushin me të tjera gjëra, nga të cilat ka edhe të dobishme… Por gjuha shqipe po ndryshon edhe si intonacion. Alfabeti shqip është cenuar, për shembull, keni një ci-di (CD) apo kur të kërkohet një ci-vi (CV), por alfabeti shqip e ka cë-dë apo cë-vë; dë-vë-dë jo di-vi-di (DVD). E kanë italianët, francezët, por ata e shqiptojnë ashtu siç kanë alfabetin etj.
Megjithatë, ju keni një edukim klasik të gjuhës, ndoshta të marrë nga Franca?
Po është e vërtetë, unë kam edukim klasik, por që buron nga vullneti për të mbrojtur gjuhën. S’ka të bëjë me Francën. Kombin e përkufizon gjuha, kryesorja është gjuha. Po, gjuha. Çfarë gjuhe flet ti, prindërit e tu. Një gjuhë mbahet gjallë, mbrohet. I vetmi komb që e ka rilindur gjuhën e tij është Izraeli. Në vitin 1948, kur krijuan shtetin e Izraelit, ata morën shkrimet e vjetra shkruar në hebraishte, nxorën fjalët bazë dhe i detyruan shtetasit e tyre të flisnin, të rinj e të vjetër. Ajo ishte një gjuhë e shkruar, e përzier në Europën Qendrore me gjermanishten e quajtur Idish, por nuk ekzistonte. Ata e rilindën, kurse ne po e humbasim gjuhën. Gjuha shqipe po rrafshohet nga ruli rrafshues i globalizimit. Më mori malli nuk thuhet më, por më ke munguar. Shikoni sa e shëmtuar është. Ke tre vjet pa e parë të dashurin/ të dashurën, babanë, nënën dhe i thua: sa më ke munguar! Shikoni sa e ftohtë është përballë: më dogji malli, më mori malli, kam mall… Jo, kanë filluar të thonë: më ke munguar, ndikuar nga rrënjët e tri-katër gjuhëve të huaja, kryesore.
Po kujtoj një fjali të famshme të Ciceronit: “Përkthimi është si femra: nëse është e bukur, është e pabesë, nëse s’është e bukur, është besnike.” Nisur nga këto përvoja personale, nga ç’flasin e thonë për përkthimin, ju patjetër keni diçka për të reflektuar mbi këtë, nga përvoja juaj?
Kam dhënë teori përkthimi 20 vjet, kam 30 vjet që përkthej, por po të flasim për përkthimin letrar, në vëllimin e përgjithshëm në botë zë vetëm 10%, ku 90% është teknikë, shkencë, politikë, ekonomi, jurisprudencë – pra, në 100 libra, vetëm 10 prej tyre janë libra letrarë që përkthehen. Unë nuk kam bërë shkollë përkthimi. Në atë kohë, kur mbarova studimet e larta në Francë, këtu kishte një paragjykim: po të dije një gjuhë të huaj, ishe automatikisht përkthyes. Kjo është gjëja më e gabuar. Sidomos për përkthyes letrarë, pasi ky zanat kërkon talent. Jo më kot përkthimet e Nolit ishin fantastike, sepse ai ishte shkrimtar. Kishte dhunti. Ka përkthyes që janë njëkohësisht edhe shkrimtarë, por ka edhe përkthyes që janë vetëm përkthyes, por që ndihet tek ata letërsia, ndihet frymëzimi, talenti, dhuntia. Në gjithë përvojën time, them se përkthimi nuk është mision i pamundur, por mision i pambaruar. Ai vazhdon dhe njeriu nuk lodhet. Për mua ka qenë dhe është gjimnastikë e mendjes. Përkthimi të pajis me kulturë. Përkthimi është ai që ka qenë gjithmonë; po nuk e kuptove dhe po nuk e ndjeve, nuk përkthehet. Po nuk të pëlqeu autori, mos përkthe. Gjuhën e ke ti në dorë, ti do e japësh letërsinë.
Kthehemi në fillim. Kur ishte magjepsja e parë, mahnitja që më vonë do të shndërrohej në profesion?
Nuk e di të ta them saktë, por ka një fillim. Një histori. Kur isha në gjimnazin “Qemal Stafa”, gjuhë të parë kishim rusishten. Bëhet fjalë për vitet ’60. Isha në vitin e tretë, kur frëngjishtja u fut gjuhë e dytë. Në atë kohë kishim një mësues me origjinë nga Elbasani, të cilin e quanin Mahmut Bobrati. Ai ishte përkthyes, unë nuk e dija. Kishte një theks të lehtë nga Elbasani, ashtu sikurse e ka pasur edhe im atë, kështu që ndihesha mirë më të. Ai ishte pedagog dhe metodist shumë i mirë. Njihte gjermanishten, italishten, rusishten edhe frëngjishten.
Një ditë, kur po shkoja në shkollë, shoh në vitrinën e librarisë një libër të Gi de Mopasan. Shoh emrin: shqipëruar nga Mahmut Bobrati. E bleva librin gjithë qejf. Atë ditë kishim tri orë dhe në fund të mësimit, qëndrova në klasë. Kur profesori mori regjistrin dhe bëri të dilte, e ndala dhe i thashë: “Profesor, kam blerë këtë libër që keni përkthyer ju. A mund të më shkruani diçka?” Fjalën autograf nuk e dija. Por ai më tha se nuk ishte autori. Unë mbeta pak i zhgënjyer, kur profesori vazhdoi: “Meqenëse autori ka vdekur, atëherë unë jam zëdhënësi i autorit dhe mund të të shkruaj diçka!” Atë libër nuk e kam më. Në atë moment, çuditërisht, kur profesori iku, e pashë librin dhe mendova: Ah sikur të bëhem mësues frëngjishteje si profesor Bobrati dhe të bëhem edhe përkthyes. Kështu që jo vetëm u bëra pedagog i frëngjishtes, jo vetëm përkthyes, por 3 vjet më vonë, kur shkova në Paris, bleva edhe një beretë, sepse ai, mësues Bobrati, mbante edhe beretë. Jo vetëm kaq, përpara tre-katër vjetësh, afër shtëpisë sime, shoh që një rruge i ishte vënë emri i tij: rruga “Mahmut Bobrati”. A nuk është e bukur kjo histori?! Pas kësaj erdhi përkthimi im i parë nga metoda e frëngjishtes, ku ishte një poezi për vjeshtën. Mbaj mend që kishte shumë rima foljore, çka nuk ishte fort e bukur, me pjesore. Më pas, kur vajta në Francë për herë të parë, ishte një novelë që quhej Rondino, Bandit, e shkruar nga Prosper Merime. Ajo ishte një novelë shumë e bukur, prandaj unë e përktheva në shqip. Im atë ishte atëherë kryeredaktor i gazetës “Sporti popullor”, redaksia e të cilit kishte përballë një revistë letrare ku e dërgoi për ta botuar përkthimin tim. Por ata nuk e botuan. Arsyet e tyre. Ndërkohë, unë kisha filluar përkthimin. Sidomos kur vija me pushime nga Franca, na mobilizonin nëpër kongreset që bëheshin. Por në gjimnaz unë kisha shkruar poezi dhe tregime të miat, njëkohësisht. Kisha botuar edhe te “Zëri i rinisë” poezi dhe tregime. Isha edhe shkrimtari që flinte brenda meje, por edhe përkthyesi. Sepse, siç thotë Prousti, edhe shkrimtari është përkthyes, ndien diçka, e hedh në letër.
Vajtja juaj në Francë ndikoi, u bë përvojë, për përkthimin, kulturën? Çfarë ndryshoi te ju, si një i ri që e vizitonit nga kushte izolimi, diktature?
Nuk u mora me përkthimin në Francë. Unë vajta për të studiuar gjuhë dhe kulturë frënge. Sigurisht, kultura e saj ndikoi tek unë, ndërsa përkthimin e kisha nisur më parë. Oh, Franca ndryshoi shumë gjëra tek unë. Shkoja nëpër muzeume, takoja e diskutoja me shokë e shoqe nga vende të ndryshme. Kisha miq francezë, kisha vizituar familjet e tyre. Ishte interesante, sepse nuk kishte stres, frikë, tulatje. Atje unë shpërtheva, u bëra llafazan. S’isha i tillë. Këtu isha i heshtur. Atje ndryshova. Liria ishte në ajër. Këtu isha mësuar vetëm me mohime, me mos, mos, mos… Studentët francezë ishin të lirë, flisnin lirshëm, bërtisnin, shanin… ndërsa unë vija nga një edukatë moraliste e ushqyer nga babai dhe mamaja. Në shtëpinë tonë nuk shahej, nuk flitej me zë të lartë, nuk bërtitej, nuk fishkëllehej… Atje të gjithë njerëzit ishin të lirë, por kishin edhe rregullat e tyre, hijshmërinë e sjelljes, kishin edukatë më tepër se kulturë.
Pas Francës, me çfarë u përballët?
Pas Francës u gjenda në fakultet, si pedagog. Dhashë mësim pesë vjet. Rrethanat e prunë që më caktuan në Gramsh për pesë vjet, ky quhej qarkullimi i kuadrove. Metoda kineze për të rinjtë që kishin mbaruar jashtë apo në kryeqytet, ishte që pas pesë vjetëve punë duhej të qarkullonin me detyrim si kuadro, të shkonin nëpër rrethe që të luftonin çdo tendencë borgjezimi. Ishte paradoksale, sepse në Gramsh, ku dhashë mësime frëngjishteje, dhashë edhe anglisht, muzikë, vizatim, plotësoja orët. Duheshin 24 orë mësim në javë. Kam dhënë mësim edhe në shkollë nate, lëndën e historisë, gjeografisë, gjuhë-leximit. Ishte absurde! Ti shkon jashtë shtetit, mbaron studimet dhe pret për të dhënë shumë në atë fushë ku ke studiuar, por ata të hiqnin që andej.
Si arritët të dilnit nga Gramshi? Keni qenë për një kohë të gjatë edhe në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Ç’ishte ky moment në jetën tuaj si përkthyes?
Do të kisha mbetur në Gramsh, sikur të mos kishte ndërhyrë përkthyesi Jusuf Vrioni, i cili ka qenë përkthyesi i veprave të Kadaresë në frëngjisht. Ndërkohë që isha në fakultet, e kisha takuar Jusufin, pata bërë dy-tri përkthime dhe pata biseduar disa herë. Kështu që ai më njihte mua dhe më kishte pëlqyer. Madje, kishim bërë disa herë biseda në frëngjisht. Në vitin 1978 nisën të përktheheshin, çdo vit, veprat e Enver Hoxhës në frëngjisht. Virionit i kishin thënë se duheshin kuadro të aftë në përkthim. Kishte dy-tre të tjerë që kishin mbaruar në Francë, por edhe këtu, kurse ai më tërhoqi mua nga Gramshi. Në atë kohë shtëpia botuese “8 Nëntori” ishte në varësi të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste të Partisë së Punës. Aty filloi përkthimi, jo drejt shqipes, që është normale, por drejt frëngjishtes, me përkthimin e materialeve propagandistike, veprat e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Sa herë do përkthehej një vepër, mbylleshim brenda duke punuar deri 10 orë në ditë. Pata fatin e madh, sepse dhashë edhe lëndën e përkthimit në fakultet, së bashku me Vedat Kokonën.
Njohja me Kokonën la gjurmë te ju?
Të dy përkthenim drejt frëngjishtes. Me Vedat Kokonën kam punuar në fakultet, ku dhashë mësim për pesë vjet. Ishte një kohë e çmuar për mua. Me Kokonën bënim prova dhe gara në përkthim. Mbaj mend se bëmë nga një përkthim të Bodlerit dhe më pas i krahasonim. Sigurisht, Bodleri i Kokonës kishte diferencë nga përkthimi im. Por aty u formova, Kokona la gjurmë tek unë. Kur u ktheva nga Gramshi, punova dhjetë vjet në shtëpinë botuese “8 Nëntori”.
Dua ta kapërcej këtë kujtesë për një sintezë, kur thuhet se përkthimi gjendet përherë e më tepër në zemër të komunikimit. Ç’duhet të kuptojmë me këtë?
Imagjinoni një botë ku të mos kishte as përkthyes dhe as përkthim. Të bëhej një shpikje në Amerikë, do të duhej që ajo shpikje të bëhej edhe këtu te ne. Kush e bën këtë komunikim? Përkthyesi. Çdo komb do të kishte shpikjet e veta. Po kodet e lashta? Zanati më i vjetër në botë nuk është ai që thuhet për femrën, për gratë, por është përkthimi. Si do të merreshin vesh me njëri-tjetrin? Përkthimi është i lashtë sa vetë komunikimi njerëzor.
Mision, komunikim apo ndërtim të urës mes kulturave, – a është diçka tjetër shumë më shumë për përkthyesin?
Po, përkthyesi është shumë më shumë. Për mua përkthimi është terapi, një gjimnastikë mendore fantastike. Unë nuk di përkthyes të jetë prekur nga sëmundja e Alzheimerit, së bashku me leximin. Përkthimi është një zanat, nuk vdes për bukë, por është mbi të gjitha pasion. Flas për përkthimin letrar, pasi është tjetër gjë përkthimi teknik, shkencor. Përkthimi letrar ka estetikën brenda. Merr kulturë dhe bëhesh i ndjeshëm, sepse njëkohësisht ti lexon dhe pastaj përkthen. Të gjithë këtë përvojë përkthimi unë e kam botuar në një libër, “Këshilla një përkthyesi të ri”, janë bërë katër botime deri tani.
A është përkthimi një punë vetmitari? Si është ky proces deri në finale, në botim?
Romeo Çollaku, që është shkrimtar, poet dhe përkthyes shumë i mirë, mori një çmim nga Ministria e Kulturës para disa vjetësh. Botoi një shkrim mjaft të mirë, shkruar me kulturë dhe profesionalizëm, ku thoshte se përkthimi është akt vetmitar. Në tërësi, përkthimi është akt vetmitar, sepse e përkthej unë. Megjithatë, është dhe nuk është i tillë. Për një vepër duhet hapur fjalori, por ai fjalor ka një autor, e ka bërë leksikografi Vedat Kokona, Zef Simoni etj. – pra qenka dhe leksikografi, autori i fjalorëve, që e ndihmon përkthyesin; sot është edhe interneti, përmes të cilit kërkon një teknikë, një mënyrë të thëni… A u bënë dy që e ndihmojnë përkthyesin. Por këtë produkt përkthimi kam nevojë ta shohë dikush në shtëpinë botuese që, fatkeqësisht, ka shtëpi botuese që nuk e kanë këtë hallkë të domosdoshme, korrektorin dhe redaktorin. Këta, sadopak, e përmirësojnë përkthimin. Mbaj mend se Vedat Kokona, kur bënte fjalorin e parë shqip-frëngjisht, kur isha akoma në fakultetet, na dha secilit nga ne një germë. Më pas na thoshte lexoni dhe thoni ç’vërejtje keni, pra ishte njëfarë konsulence, pak punë korrektori dhe propozime të redaktorit… Edhe kur përkthenim te shtëpia botuese “8 Nëntori”, përkthyesi Jusuf Virioni, i cili ishte kryeredaktori që shihte përkthimet tona, pasi i redaktonte, na thoshte: “Tani lexoni dhe bëni sa më shumë vërejtje.” Kështu ngrihej cilësia e përkthimit. Pra, nuk është krejtësisht akt vetmitar. Botuesi që e merr, po shpërndarësi, po librari që ta këshillon?! Të gjitha këto procese duan një ekip. Unë kam përkthyer 10 libra të Fatos Kongolit, e kam kaluar këtë përvojë dhe kam parë se si punohej kur përkthehej në frëngjisht.
Lidhur me përvojën shqiptare të përkthimit, jo për historikun që trashëguam nga diktatura, por për atë pas ’90-ës, kur në fillime ka pasur fluks përkthimesh, duke iu përgjigjur etjes për letërsi të huaj që nuk pati asnjë barrierë. As sot nuk shpjegohet çfarë lloj letërsie vërshoi, të çfarë cilësie ishin përkthimet?!
Ka pasur përkthime shumë të dobëta, sepse kujtonin se dinin gjuhën dhe sollën një katastrofë në letërsi në drejtim të cilësisë. Sidomos filozofët u masakruan. Më thërret Jusuf Vrioni një ditë dhe më dha një faqe përkthim nga Martin Heideger, ma dha ta lexoja duke më pyetur nëse e kuptoja. E lexova. Ai më pyeti sërish nëse e kuptova. Iu përgjigja se fjalët kuptohen, por mendimi të ikën. Ka pasur plot të tilla, një katastrofë…
A ka ardhur koha të kemi një kontingjent përkthyesish të besueshëm, mjeshtër të përkthimit, që të ripërkthehen veprat, ose së paku kryeveprat?
Tani jemi në kohë tjetër, ka përkthyes të formuar. Sigurisht, ka plot vepra që duhen ripërkthyer. Në fund të librit “Këshilla një përkthyesi të ri”, ka një seri përkthimesh, krahasimesh. Me studentët më të mirë krijova një grup duke vënë botimin origjinal, tekstin origjinal, si dhe përkthimin zyrtar që ka dalë në librari. Kam vënë edhe një punë të tretë, siç duhet të jetë. Por problemi është se ato vepra që janë përkthyer nga përkthyesit e dikurshëm, që ishin mjeshtër të vërtetë, ata u grabitën, u morën, ndryshuan vende-vende, për të treguar se nuk e kanë përvetësuar… Ja, për shembull, nga “Xha Gorioi” janë botuar edhe dy përkthime të tjera, një është diçka, por dy të tjerat janë katastrofë.
Foenikos, kur provokoi me “Delikatesën”, tha për ju, përkthyesin si koncept, se jeni një përkthyes autobiografik, bën jetën e atij libri? A ka rrezik?
Po, ashtu jam unë. Unë jam personazhi kryesor, ndërroj seks, ndërroj moshë, e shoh nga brenda personazhin dhe i sjell gjërat sikur të më vinin mua. Ka një rrezik që mund të lajthisë përkthyesi, sidomos kur është edhe vetë shkrimtar. Kjo ka ndodhur me Nolin te “Don Kishoti”. Vjen një moment që Noli e çon Sanco Pancon bashkë me Don Kishotin në një krahinë shqiptare me emër shqiptar, në Roskovec më duket. Ai bën përshtatje. Më kanë thënë se te “Hamleti”, në krye të dramës, Noli shkruan: “Drama është gracka ku mbreti zihet si laraska…” Kjo nuk është e Shekspirit, por ngaqë është poet vetë, e ka rrëmbyer vala, duke e identifikuar kështu veten me personazhin kryesor. Në këtë vazhdë ka punuar edhe Petro Zheji me vazhdimin e pjesës së dytë të “Don Kishotit”, e lexoi dhe pa frymën e veprës. Nganjëherë këta kalojnë nga përkthimi në përshtatje, duke futur pak nga vetja e tyre, dhe harrojnë se janë duke përkthyer. I rrëmben vala e krijimit dhe rikrijojnë tekstin – ky është rreziku. Unë nuk jam i kësaj shkolle, që të heq apo shtoj gjërat sipas qejfit tim. Nëse autori thotë një fjali, si për shembull, ai më përqafoi dhe më tha… unë e përkthej: ai më mori në krahët e tij, më shtrëngoi fort pas gjoksit etj. Autori nuk i ka këto, atëherë unë bëj një përshtatje, ose përkthshtatje.
Kadare, Bashkim Shehu, Besnik Mustafaj… janë përkthyer në gjuhën frënge nga ju. Ndoshta është gjëja më e zakontë, por për përkthyesin e komplikuar, kur pyetet për marrëdhënien me autorin, apo jo? Legjendën e keni ndërtuar me shkrimtarin Fatos Kongoli.
Me Kongolin është edhe një histori familjare. Babai im me të Kongolit ishin nga Elbasani, njiheshin mirë me njëri-tjetrin. Qysh në vitin ’72, kur Kongoli punonte te gazeta “Drita”, unë dërgoja disa poezi. Më pas, kur fillova te shtëpia botuese “8 Nëntori”, Kongoli punonte në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, që ishin në një godinë. Takoheshim shpesh, pinim kafe bashkë, bisedonim apo flisnim frëngjisht, pasi ai kishte mësuar herët. Ishte një marrëdhënie shumë e mirë. Librin e parë të Kongolit që kam përkthyer, ka qenë bashkëpërkthim me një franceze, i cili pati sukses në Francë. Ishte “I humburi”. Fati e solli më pas që, në mënyrë të papritur, pas një situate me përkthyesen franceze, tërheqjes së saj, romanin “Kufoma”, apo “Hija e tjetrit”, ta përktheja unë në një kohë rekord, pasi pritej të prezantohej me rastin e një aktiviteti në vitin ’98, të organizuar nga Instituti Kombëtar i Librit në Francë, në kuadër të vitit të Shqipërisë. Ishte një kohë që nuk kisha kompjuter dhe dritat iknin shpesh. Ishte një bashkëpunim Odise. E përkthyem librin për 49 ditë. Unë përktheja një kapitull, katër faqe në ditë.
I lexoja, i redaktoja, i shtypja dhe ia jepja Kongolit. Ai i fuste në zarf dhe i niste drejt Francës. Romani doli për shtatë javë. Ishte një garë me kohën. Libri doli dhe u prit shumë mirë. Gjithmonë kështu kemi punuar, me këtë frymë. S’kam ndërhyrë në stilin e tij, por bënim mjaft debat.
Ç’është ky proces, si ia del me këtë intensitet përkthimi?
Këtë e kam mësuar kur përkthenim veprat e Enver Hoxhës. Aty duhet të përkthenim, minimumi, 10 faqe në ditë. Në fund të majit, fillim qershori, vinte vepra që duhej mbaruar brenda shtatorit, sepse më 16 tetor kishte ditëlindjen dhe duhej dhuruar vepra e tij. Na prishte pushimet e verës. Aty, në fakt, mësova përkthimin intensiv. Me Jusuf Vrionin ishte një shkollë. Me këto mësuam përkthimin, si duhet të përkthehet, puna me fjalorin…
Cili ishte problemi më i madh kur përkthenit veprat e Enverit?
Sigurisht, të mos bënim ndonjë gafë, ndonjë gabim, kundërsens. Ne na kërcënonte nëndrejtori i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, ku drejtoreshë ishte Nexhmije Hoxha. Sikur një presje të dilte gabim, ndiqeshim penalisht. Kishte shumë të deklasuar që përkthenin në këtë kohë. Për ndonjë gjë që nuk e kuptonim, s’mund të merrnim ambasadën franceze në telefon për t’i pyetur se çfarë kuptimi ka. I kam treguar të gjitha këto në një libër që e kam botuar në Francë, me titullin “Kujtimet e një përkthyesi”.
Jeni autor erotik, ku me jehonën e Fjalorit Erotik të vitit 2004 nisni një seri librash, romane dhe tregime erotike. Pse u përfshitë në këtë tendencë? Pse kjo ide?
Po, jam autor erotik. Kam botuar shtatë libra erotikë. Kjo është tendencë e vjetër imja. Libri i parë erotik, Fjalori Erotik, u botua në vitin 2004. Kur isha në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, një ish-student, që u bëmë shokë, ishte pedagog në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja dhe më sjell një fjalor erotik frëngjisht-frëngjisht. Ai më tha: “Lexoje se është kryevepër.” E kam lexuar gjithë natën. Shikoj që në fund fare kishte ca përkufizime erotike nga Paul Eluard. I kopjova shpejt e shpejt, jashtë orarit, kur nuk kishte njeri. Tri-katër faqe nga ai fjalor i kam përfshirë në fjalorin tim të 2004-ës. Qysh atëherë mendoja: Ah sikur të kishim një fjalor të tillë! Ndoshta ishim i vetmi vend në Europë që s’kishim fjalor erotik. Kur erdhi demokracia, në ’90-ën, nga viti 2004 u kujtova me vonesë, duke i hyrë menjëherë punës. Kështu u botua Fjalori i parë Erotik, nga shtëpia botuese “Ora” e Besnik Mustafajt. Ai pati jehonë, bëri edhe smirëzinj. Dikush kishte shkruar që nuk është fjalor erotik. Më pas u bë ribotim. Kjo më çoi më pas në shkrimin e librit me tregime erotike dhe me radhë një tjetër libër me skica erotike, variacione të një teme, po nga OMBRA GVG, duke mbërritur në librin “Tingujt e trupit tënd”, ku lartoj trupin e femrës… Ishte ideja për të çliruar veten nga fantazimet e mia erotike, pse të mos bien, shemben, edhe këto tabu. U ndjeva mirë në këtë fushë, sepse babai im ishte i lirë në të folur, shprehej lirshëm. Mamaja ime ishte më puritane, ndërsa tezja ime i mëshonte gojës, ishte e lirë, nuk kishte tabu. Kështu librat erdhën në këtë liri njëri pas tjetrit, derisa mendova për të provuar edhe romanin. Shkrova “Vajzat e ballkonit” dhe më pas “Po shkoj të kap Enisin”. Por dua të theksoj se këto romane nuk janë porno. Janë vepra, libra erotikë, por jo pronografi. Sepse theksi nuk vihet vetëm te mishi, por edhe te ndjenja, te koshienca, te subkoshienca, – të gjitha këto janë të pranishme. Ka edhe një sfond shoqëror, një emancipim të femrës.
Kemi një pyetje klishe: A janë librat tuaj përvoja juaj?
Këtë e thonë gjithë shkrimtarët. Pa dyshim, ka elemente autobiografike, por nuk është përvoja ime. Unë kam dëgjuar, kam lexuar, kam imagjinuar, – apo s’kam një imagjinatë të shfrenuar, – kam sajuar… Tani kam bërë gati një tjetër libër me tregime erotike, e kam çuar për botim te “Pegi”, sepse te kjo shtëpi botuese ka korrektorë dhe redaktorë të vërtetë. Është Aida Baro që ka bërë një vit studime për editim, domethënë redaktim. Sepse edhe ky zanat do kulturë, ajo ka qenë redaktorja e pseudoromanit tim të parë “Vajzat e ballkonit”, ajo më ka bërë me shumë frikë. Këtu kam vënë re se ka një bllok nga ana e autorit për të mos i prekur veprën. Shumica dërrmuese kështu janë. Ndërsa Aida më tha se një paragraf e kisha më të fuqishëm në faqet e para sesa në faqet e fundit, kur duhet të shkojë kreshendo… Sigurisht që iu binda, sepse kishte të drejtë, ishte për të mirën time. Unë isha rritur me shkollën e Vedat Kokonës dhe Jusuf Vrionit, që na thoshin: “Lexojeni, lexojeni, bëni vërejtje, vërejtje, mos ngurroni, çfarë nuk shkon…” Me redaktorin diskutohet një për një, çdo vërejtje, çfarë qëndron, ç’është e duhur. Kështu edhe redaktori mëson të dialogojë me mua, por edhe unë mësoj që nuk jam i përsosur. Se shkrimtari e ka mendjen tek tërësia, tek idetë, karakteret etj. S’mund të merret ai me përsëritjen e një fjale tri herë, këtë e bën redaktori ose edhe korrektori.
Si i keni zgjedhur autorët francezë? Ç’gjurmë kanë ndikuar te ju, siç thuhet, deri në stil?
Në veçanti, ajo çfarë më ka tërhequr nga autorët francezë që kam zgjedhur për t’i përkthyer, është mënyra e të shkruarit që e kanë francezët, shkrimtarët e mëdhenj në përgjithësi. Kam marrë prej tyre nivelin e fjalisë, frazës. Fraza ime është e gjatë, fjalitë e varura, të ndërvarura, ku fraza ime gjarpëron. Kjo ka lënë gjurmë në mënyrën time të të shkruarit, deri te shkrimet që botoj një herë në javë te “Panorama”. Atje më thonë se e kam fjalinë e gjatë. Por kjo kështu vjen pak nga Proust, Claude Simon apo Julien Gracq, të cilit i kam përkthyer dy libra. Këta janë autorët që kanë ndikuar tek unë deri në stil, por është edhe Fatos Kongoli, jo aq në gjatësinë e fjalisë sesa në ritmin e faqeve, paragrafit. (Bisede per ExLibris)