“Jetë në zgrip” është ekspozita fotografike që hapin dy italianë në Art House, në Shkodër. Ata janë Letizia Battaglia e Roberto Timperi – fotografë të shqetësuar për shoqërinë ku jetojmë si realiteti përthyhet në imazhe.
“Jetë në zgrip” është fokusi në paraqitjen e dy fotografëve që me një mjeshtëri të veçantë, guxim e poezi na vënë përballë me imazhin e shoqërisë ku jetojmë.
Letizia është një nga figurat më të rëndësishme të fotografisë bashkëkohore, me shkrepjet e saj ka treguar nga brenda Palermon në të gjitha sfumaturat dhe shtresëzimet e saj. Ka fotografuar gjithçka që i binte në sy duke e pasur gjithmonë qytetin si hapësirën e saj të preferuar në vëzhgimin e realitetit.
“Përpos fotografisë, tek Letizia gjejmë edhe gazetaren, politikanen, aktivisten, gruan intelektuale që ka qene gjithmonë kurioze për atë çka e rrethonte. E këtë e ka bërë në moshën 16 vjeçare kur është martuar për t’u shkëputur prej një ati-padron, e ka bërë kur është ndarë nga i shoqi dhe ka lënë Palermon për të shkuar në Milano e për të filluar një jetë tjetër, e ka bërë kur ka punuar në Palermo për gazetën “ L’Ora” dhe me makinën e saj fotografike përjetësonte luftën, siç e quante ajo, që po ndizte, në ato vite të egra, rrugët e qytetit të saj, e ka bërë kur si pjesëtare e këshillit bashkiak mbillte pemë në rrugët e Palermos dhe përpiqej t’i pastronte, kur punonte si vullnetare në Real Casa dei Matti dhe e bën edhe sot e kësaj dite si drejtore e Qendrës Ndërkombëtare të Fotografisë, një projekt për të cilin ajo është përpjekur fort me qellimin për t’i ardhur në ndihmë të rinjve që duan të fillojnë ecjen e tyre në këtë profesion kaq të bukur,por edhe të vështirë”
Ndërsa Roberto punon tashmë që prej dhjetë vitesh midis Romës dhe Palermos. Fokusi i tij është realiteti që e rrethon e të cilin kërkon ta fiksojë në shkrepjet e tij për të na njohur me një botë të ngjizur nga marrëdhënie dhe tërheqje, por edhe nga trupa që nuk duan të ndjekin patjetër modelet e imponuara të bukurisë. Mbas fotove të tija qëndron jeta e jetuar në kontekste të ndryshme. Përveç fotografisë në shkrepjet e tij gjejmë një përvojë jete, plot me sensualitet dhe shpërshkelje, ku fotografi jeton me subjektin dhe bëhet bashkë me të pjesë e këtij të jetuari.
“Në ekspozitën “ Jetë në zgrip” kemi kërkuar dialogun midis këtyre dy botëve e dy këndvështrimeve dhe kemi realizuar këtë ekspozitë të vogël përgjatë mureve të hapësirës në dispozicion.
Jetët në zgrip janë ato të subjekteve brenda imazheve, janë ato të autorëve të këtyre shkrepjeve, por mund të jenë edhe ato të të gjithëve ne që jemi të thirrur jo thjeshtë të shohim, por edhe të bëhemi pjesë e kësaj përvoje që përmes imazhesh, na depërton për të na prekur në intimitetin tonë më të thellë” – thuhet ne prezantimin që Art House u bën këtyre dy mjeshtërave të fotografisë. Ekspozita është mbështetur nga Ambasada Italiane në Tiranë