nga JUDITH LUIG
“Makinat dhe biçikletat kanë drita edhe pas. Atëherë përse mos t’i kem edhe unë ato aty?”-shprehej ajo.
Gjatë një pasdrekeje në pranverën e vitit 1918, Jane Heap, botues reviste, ku publikonte letersinë moderne të autorëve bashkëkohor, priti një vizitore të çuditshme. Një femër e veshur me një fustanellë skoceze, me bordurë mobiljeje dhe kambale, me një lugë akulloresh në kapelën basket dhe me një unazë në gisht e tëra mbushur me saçme, hyri krenare në studio. Nga gjinjtë e saj dilnin dy vezë të veshura me nikel. ” – tregon më vonë botuesja e revistës prestigjioze e artit “Little Review” dhe Jane Heap. Vizitorja e Jane Heapit, me të hyrë në dhomën e ndenjës, vodhi ca pulla poste. Madje, duke hyrë demonstroi një sjellje modeleje. Ky qëndrim i saj, bëri që Jane Heap të entuziazmohej menjëherë nga arti i pazakontë i baroneshës dhe në qershor 1918, ta prezantonte Elsa von Freytag-Loringhoven në “Little Review”.
Që në këtë moment ajo u bë ikona e revistës. Ajo e jetonte jetën ashtu si botuesja e saj, “No Compromise with the Public Taste“. ”Nuk ka kompromis me shijet publike”. Ajo ishte vetvetja – Elsa von Freytag Loringhoven – provokuese, gjeniale, poeteshë e rrallë, piktore, modele, recituese, sfiduese, para së gjithash një performuese që rrëmbente çdo çast në çdo kohë, që përveç portreteve të saj, vargjeve dhe objekteve, ajo shndërroi trupin e saj, jetën dhe mënyrën e të sjellurit në një vepër arti, si një provokim kundër vetë shijeve të artit, emrit dhe namit e të qenurit deri asokohe artist.
Në qarqet e artistëve njujorkezë Elsa von Freytag Loringhoven njihej me emrin Baronesha. Vinte nga një familje qytetare dhe u konsiderua “ikona e Dadaizmit” në Amerikë, ku përveçëse gëzoi popullaritet, edhe jetoi që nga viti 1913, deri në vitin 1923. Deri në vitin 1922 ishin botuar vetëm 21 vjersha të saj. Si një pararendëse e performancës dhe e stilit, ajo u cilësua njëkohësisht edhe si shpikësja e artit “ready made”. “E doja botën sepse aty munda të jetoj. E doja botën sepse aty munda të krijoj dhe të bëj art”, shprehej Elsa von Freytag Loringhoven, që nuk reshti së gjurmuari gëzimin e jetës, dashurinë dhe të bukurën. Ajo ishte në kërkim të formave të reja të të vështruarit të botës, të këndvështrimit modern në art dhe të perceptimit ndryshe të gjithçkaje. U mbajt si një thyese e rregullave të gramatikës, të sintaksës dhe të informacionit në gjuhën poetike, krijuese e asaj ndërthurjeje gjuhësore-kimike, përmes të cilave ajo shkruante fjalë të reja dhe kompozime gjithë sarkazëm dhe humor.
Elsa von Freytag Loringhoven pushtoi perandorinë e absurdit, të artit pa logjikë të kthjellët klasik dhe mbeti tërë jetën e interesuar në thyerjen e barrierave të identitetit gjinor. Deri vonë asnjë botues apo media nuk ishte në gjendje të shprehte dhe të botonte dinamizmin e saj. Botimet e saj digjeshin vazhdimisht. Sulme të egra proteste do të vërshonin edhe mbi romanin “Uliksi” të James Joyce dhe në vargjet e çmendura “Madness” të Baroneshës. Për vjershën “Dashnori i palëkundur”, (shtator 1919), kritikja Lola Ridge do të shprehej “Një sulm vdekjeprurës në art”, ndërsa në vjershën “Mbreti Adam”, (maj 1919) ku në përmbajtje të saj, një femër i kërkonte dashnorit të saj seks oral në shënimet në fund të vjershës, shënohet se vjersha i kushtohej censurës.”
Ndërkohë ishte dhe shumë e varfër. Dada Baronesha ishte një artiste performance, shumë kohë para se kjo fjalë të hynte në fjalor, një poeteshë Dada e orëve të para, që jetoi me moton (siç u tha më lart): Nuk ka kompromis me shijet publike. E lindur në një familje intelektuale, si vajza e një mjeshtri ndërtimesh dhe e një pianisteje, në vitin 1887 ajo shkroi vjershën e parë që duhet të jetë të jetë parë në këndvështrimin e një shakaje mbi preferencën e të atit ndaj pornografisë. Nga viti 1894 modeloi si një “skulpturë e gjallë”, si modele nudo në teatrin qendror të Berlinit. Në vitin 1898 ajo arriti të përcjellë motive e stimuj ‘Libido’ te dy vëllezërit Schmitz në Sorrent, pastaj pikturonte piktura erotike në sheshin “Piaza del Popolo” në Romë, e financuar nga një skulptor i vjetër në moshë.
Në shkurt 1900 shkonte çdo të enjte në shtëpinë e poetit Karl Wohlskehli në Mynih. Në vjeshtën e këtij viti ajo tashmë ishte nxënësja, dashnorja, e së fundmi edhe bashkëshortja e arkitektit berlinez August Endell. Në 1902 u shfaq në qiellin e dashurisë studenti Felix Greve, i cili ishte dhe “dielli i seksit të saj“. Por, viti 1903 do shënonte fundin e marrëdhënies, me një përpjekje të bashkëshortin të saj për vetvrasjeje e më në fund në një ndarje.
Më vonë, në Napoli, Romë dhe Palermo, vijuan afera të tjera me shumë larmi. Me Greven Elsa ajo banoi në një shtëpi në Étables-sur-Mer, ku autori nobelist francez André Gide, u kujdes për të dy. Aty Felix shkruan një roman me emrin “Fanny Essler”, personazhi kryesor i të cilit nuk mund të ishte askush tjetër, por vetëm Elsa. Ato u martuan që të dy në Berlin, por pastaj Elsa pas një krize nervore kaloi ca kohë në spital.
Bashkëshorti i dytë i saj shkoi në Amerikë dhe Elsa e ndoqi pas. Në vjeshtën e vitit 1911 Felix Greve e braktisi bashkëshorten e tij. Pas kësaj Elsa jetoi me ca afriko-amerikanë në një çadër, ku aty mësoi dhe anglisht. Në dimrin e vitit 1912 u shpërngul në Nju Jork dhe u martua me baronin Leopold von Freytag-Loringhoven, teksa s’kishte bërë ende divorcin me bashkëshortin e dytë. Baroni nuk kishte pasuri, por i dha asaj vetëm titullin aristokrat të baroneshës. Në vitin 1913 filloi një aksion artistik. Gjatë rrugës për t’u martuar me Baronin, Elsa gjeti një unazë hekuri dhe e deklaroi atë si një send nga objektet që koleksiononte si “objekt trouvé”[1], të “Enduring Ornament”[2] “stolive jetëgjata”. Ky do të ishte më vonë një objekt, i cilësuar si hyrje në historinë e artit. Bashkëshorti i saj u kthye në verë në kohën e luftës sërish në shërbimin ushtarak gjerman, duke lehtësuar Elsën në kursimet e saj dhe ajo e kaloi këtë kohë në Kerker. Fillimi i luftës në Europën e largët duhet t’ia ketë rritur krijimtarinë Elsës. Ajo qëndronte si modele, vishte kostume eksentrike, hartonte vjersha, ngjyroste flokët e saj të shkurtër në një ngjyrë të kuqe verbuese, lyente buzët në ngjyrë të zezë, ngjiste pulla poste në faqe letrash, dhe shëtiste në rrugë me pesë qen të lidhur me një litar ngjyrë floriri me një dritë vezulluese në prapanicë. “Makinat dhe biçikletat kanë drita prapa, atëherë përse mos të kem edhe unë disa të tilla”, thoshte ajo. Në dhjetor 1915 ajo pozoi për “International News Photography” e veshur me pantallona me vija gjer te gjuri, me një bluzë të fantazuar dhe me një kapele piloti, ku kishte ngulur një pendë zogu.
Revista “Times” publikonte një artikull të gjatë, ku ndër të tjera shkruhej: “Forma ime shprehëse e protestës kundër të gjithë shenjave konvencionale.”- siç shprehej ajo vetë. Në dimrin e viteve 1915/1916 ajo banonte në të njëjtën banesë me Marcel Duchamp, me të cilin debatonte gjatë natës. Duchamp e kundërshtonte i vendosur për artin e saj. Në vitin 1916 ajo njohu Djuna Barnes, artiste dhe gazetare amerikane, dhe filloi një bashkëpunim me piktorin Douglas Gilbert Dixon, i cili për shkak të saj u divorcua me bashkëshorten e tij. Në vitin 1917 Elsa bëri një aplikim të pozonte si modele te piktori George Biddle, një piktor 11 vjet më i ri se ajo në moshë, që jetonte në Filadelfia. Porsa u prezantua tek ai, Bidlle donte të shikonte Elsën 43-vjeçare lakuriq. Ajo çkopsiti pelerinën e shiut në ngjyrë të kuqe të ndezur nën të cilën nuk kishte shumë rroba. Në trupin e saj u shfaqën menjëherë kanaçe, salce domateje mbi thithkat e gjinjëve, që ishin lidhur me një lidhëse ngjyrë të gjelbër, mbi ato ishte vendosur një kafaz i vogël me një kanarinë. Në krah kishte unazka perdesh që i kishte marrë në një dyqan perdesh.
Porsa hoqi kapelën të stolisur me një karrotë të larë në flori, dolën në pah flokët e saj të shkurtër në ngjyrë zjarri. Në panverën e vitit 1917 Duchamp dorëzoi jo në emrin e tij, por me një emër -pseudonim një objekt nën titullin “Shatërvani” një ‘Urinal’ për ekspozitën e përvitshme të “Bashkimit të artistëve të pavarur”, një prototip të një objekti të përditshëm , që duhej të promovohej si vepër antike nëpërmjet ndryshimit të kontekstit. “Kjo ide e re ishte e një mikeshe të tij”, sqaronte Duchamp kur i shkruante motrës së tij. Dhe kjo mike nuk mund të ishte sakush tjetër, veçse Elsa.
Ndërkohë kalvari i ngjarjeve të pazakonta vazhdonte për baroneshën, ajo u ndoq nga spiunazhi dhe u arrestua për tre javë. Në qershor 1918 “Little Review” prezantoi Elsën. Në paraqitjen që i bëri Elsës, botoi edhe poezitë e saj, e siç u quajt kjo më vonë nga kritika – një “çmenduri” ku protestohej kundër artit të zakonshëm tradicional.
Krahas James Joyce, Elsa ishte për një farë kohe legjenda e “Little Review”, tregonte Heap më vonë. Për qenien e saj si një personazh publik, Elsa e rruante mesin e kokës dhe e ngjyroste tollën e rruar me kallaj. Kulmi pasoi në maj të vitit 1919 me poemën “Mbreti Adam”, ku një femër “klitoriste” e kërkonte dashnorin e saj te “Cunnilingus” dhe bëri që ajo të përndiqej në shumë shtete të Amerikës nga censura.
Shumë vepra të saja nuk e panë dritën e botimit. Tek “Një duzinë koktejlesh” ajo shkruante mbi një kondom:
S’ka asnjë virgjëreshë Lolly.
-Po,
ne s’kemi asnjë banane,
goja ime lëngëzon
unë i ha ato gjithmonë.
Kanë një zorrë celuloid
në të gjitha madhësitë
të ngjyrosura djallëzorisht
me ngjyrë të verdhë
si majmuni në prapanicë
Kuptimi i egër, vulgar i performuar si ekspozitë për t’u kundruar në trupin androgjen të saj, shkaktoi një debat mbi seksualitetin femëror dhe forcën mashkullore.
“Art of Madness” (arti i marrëzisë) i baroneshës i ktheu modernistët në sulm kundër dadaistëve. Në prill 1921 Elsa u përfaqësua me një poezi dhe dy imazhe në revistën “New York Dada” të botuar nga Man Ray dhe Duchamp. Të dy burrat botuan një fotografi “Elsa, Baroness von Freytag-Loringhoven, duke rruar organin e saj”. Në vitin 1922 Ezra Pound shkruan një poezi Dada për atë. Në maj 1924 Heminguei guxoi dhe botoi kundër vullnetit të botuesit Madox Ford tri poezi të Elsës në “Transatlantic Review”, megjithëse për këtë, ai humbi edhe vendin e punës si redaktor. Aktivitetet eksentrike të Elsës nuk mbetën pa u diskutuar dhe pa sjellë frustrim: Ashtu si turfullonte pareshtur edhe kritikja Lola Ridge duke u shprehur “Një sulm vdekjeprurës në art”. Në muzeun e artit modern në Nju Jork, në Filadelfia dhe në koleksionet private janë gjetur objekte të “Dada-Lady”, në mes tyre edhe “Limbwish Ornament” të vitit 1920, një pendë metali e lartë 55 cm që lëkundet nga një unazë perdeje e vjetër, e ngulur në një tel të përthyer. Elsa e mbante këtë në vend të një revolveri, të ngulitur në një rrip beli, si një kamzhik për të goditur pjesën e nënbarkut. E armatosur kështu, krenohej përgjatë rrugës “Fifth Avenue”, ku ajo u kujtonte atyre femrave, që do të shkonin te dashnorët, që nuk duhej të harronin kamzhikun. Poetesha Evelyn Scott vazhdonte ta kritikonte: “Baronesha është një orientaliste nudo që në ekstazën e vetëbesimit të saj bën xheste të pacipa.”
Nga ana tjetër, krejt ndryshe shprehej Jane Heap: “Baronesha është Dada e parë amerikane, është e vetmja në botë, që vishet Dada, dashuron Dadën, jeton Dadën.”
Në prill 1923 Elsa u kthye në Berlin dhe aplikoi pa sukses për një pension si vejushë e një ushtaraku. Nga i ati i ishte hequr e drejta e trashëgimisë. Pa asnjë të ardhur ajo përshkonte rrugët e Kudamm-it në Berlin si shitëse gazetash. Djuna Barnes, mikja e saj, i dërgonte asaj paketa me rroba, libra dhe para. Gjithashtu e në këtë mjerim që nga larg e ndihmonte atë edhe Peggy Guggenheimn, koleksioniste e artit dhe financuese. Në korrik 1924 mori një vizë në ambasadën franceze, ku shkoi atje me një kek dhe një qiri të ndezur mbi kokë. Por, pas një sulmi hajdutësh u gjend në shtëpi e frikësuar. Nga kjo ngjarje pësoi një goditje psiqike, andaj u dërgua në një institucion kurimi. Pasi doli që andej, plotësisht e varfëruar, u ndihmua sërish vetëm nga miket e saja.
Në vitin 1926 u nis për në Paris, ku takoi Djuna Barnes dhe surrealisten Mary Reynolds. Aty hapi një shkollë për modele, por pas dy muajve u detyrua ta mbyllte. Në fund të jetës së saj të larmishme dhe të zhurmshme mbretëresha e çmendur Dada u gjend e vetmuar, e varfër dhe depresive.
Siç shfaqet dhe në këtë historik të saj, Elsa von Freytag-Loringhoven ka qenë tri herë e martuar: Kurora e parë (1901) me arkitektin e stilit Jung me August Endell, kurora e dytë me (1910) përkthyesin Felix Paul Greve, martesa e tretë (1913) me Leopold Karl Friedrich Baron von Freytag-Loringhoven (1885–1919).Që të treve ajo i kushtoi nga një poezi të gjatë. Meqenëse për një kohë të gjatë media nuk ishte në gjendje të pasqyronte këtë dinamikë të saj, shkoi gjithashtu edhe më gjatë që gjenialiteti i saj të bënte jehonën e duhur.
Tashmë gjendet një biografi e saj e botuar që të paktën e plotëson dhe e bën të njohur jetën e divës Dada. Pas shumë kohësh suksesi i saj është i vërtetuar, që Baronesha Else Hildegard Plötz e lindur Else Hildegard Plötz me 1874, e njohur me emrin Mama Dada, apo Dada Baronesha, ishte një artiste e vërtetë, e cila që herët shfaqi një fuqi shprehëse që ia demostronte trupi, elasticiteti i trupit të saj, mimika e fytyrës dhe veshja.
Herë shfaqej me sytjenin e krijuar nga tubeti i salcës së domateve, e herë me konservën e sardeleve, apo me një kovë mbi kokë si helmetë, apo me kapuçin e pilotit dhe me rrathë celuloidi në krahë. Herë të tjera shfaqej me një kokë të rruar plot shkëlqim dhe të llakosur, me një top baseboll-i për qafë, sikur të ishte një kolanë për fyt, me një çorape të verdhë dhe një të zezë, me një kapak kove qymyri si helmetë dhe me një qen të lidhur me një rrip të kuq. Prezantonte Hamletin në gjermanisht me një kokë të një perandori romak me sy të gjelbër shpues, me një zë të ashpër, që sikur vinte nga një vend i shkretuar.
Në këtë kohë në Gjermani nuk kishte aspak vend për një femër që nuk dëshironte aspak të ishte një objekt dhe frymëzim i fshehtë. “Femrat frymëzuese këtu mund të vepronin vetëm në mënyrë të kufizuar.” Vetëm në Boheminë shumkulturëshe të Greenvich Village kishte hapësirë të lirë mendimi për artin eksperimental të baroneshës. Problemi i Elsës kishte një ecuri të vështirë në karrierën e saj drejt feminilitetin ekstrem kur në fakt në tregun e artit dominimin burrat. Madje edhe Nju Jorku kapitulloi së fundi përpara skandaleve të baroneshës. Vetë Jane Heap, që financonte “Little Review”, nuk paraqitej më shumë këmbëngulës për atë. Një arsye për këtë nuk ishin vetëm meshkujt, të cilët kishin frikë përpara fuqisë dhe mendjelehtësisë të fisnikëve. Kishte letra kërcënuese, telefonata, nofka, fyerje dhe sulme, me të cilat baronesha ndeshej vazhdimisht. Dada Baronesha, Elsa von Freytag-Loringhoven ishte një artiste gjeniale dhe një legjendë nervore e madhe.”
Ajo dëshironte të kapërcente kufijtë e seksualitetit të saj. Dhe këtë donte ta bënte jo vetëm nga dëshira dhe etja për liri. Elsa kishte një trup androgjen, loja e saj me ideologjinë e gjinive dhe qejfi ekspresiv frymëzoi një mori artistësh pas lufte. Pikërisht ky ishte thelbi i artit të saj pas lufte. Ajo është modeli, muza, pararendësja e revolucionit erotik në fillim të shekullit të 20-të. Baronesha njihet si Dada e parë amerikane.
Elsa von Freytag-Loringhoven vdiq në moshën 53 vjeçare me 14 dhjetor 1927, në banesën e saj në Paris nga asfiksimi me gaz. Bashkë me të vdiq edhe Pinky, qeni Dada shumë i dashur i saj, si dhe shumë kafshë të dashura të saja që i mbante në shtëpi.
Mikesha e saj e ngushtë Djuna Barnes e quajti vdekjen e saj: “Një shaka e çmendur që asesi nuk mund të përmbante një veprim dashakeq dhe të qëllimshëm.”
Nëse ishte një aksident, vetëvrasje, apo një krim i kryer me qëllim, kjo nuk u zbulua kurrë. Mbeti enigëm, ashtu siç ishte tërë jeta saj, që vërtet ishte e kredhur në enigëm.(nga ExLibris)
Përgatiti Haxhire Luli
[1] “Object trouvé” vjen nga frëngjishtja, ku fjalë për fjalë do të thotë “objekt i gjetur”. Termi hyri në anglisht gjatë fillimit të shekullit të 20-të, një kohë kur shumë artistë sfiduan idetë tradicionale për natyrën e artit të vërtetë. Surrealistët dhe artistët e tjerë, për shembull, thanë se çdo objekt mund të ishte një vepër arti nëse një person ja njeh meritën e tij estetike. “Objet trouvé” mund t’i referohet objekteve të formuara në mënyrë të natyrshme, bukuria e të cilave është rezultat i forcave natyrore, si dhe objekteve të bëra nga njeriu (të tilla si vaska, makina të shkatërruara ose hekurishte) që nuk janë krijuar fillimisht si art, por mund të shfaqen ose rimodelohen si të tilla .
[2] “Stolia jetgjatë” është objekti i artit i hershëm i Baroneshs i pagëzuar si “object trouvé” (objekt i gjetur). U tha se e gjeti atë në rrugën e saj për t’u celebruar me Baron Leo von Freytag-Loringhoven në City Hall në New York. Objekti është një unazë e thjeshtë, e ndryshkur hekuri, një zbulim fatësjellës që gjeti gjatë rrugës atë ditë. Sidoqoftë, unaza në fakt nuk funksionoi si unazë martese, por Baronesha pa në rrethin e saj një simbol femëror.Emërtimi i objektit “sugjeron një lidhje simbolike me martesën e saj (megjithëse objekti i artit do të tregonte më shumë qëndrueshmëri në kohë sesa vetë martesa)”. Baroni u kthye në Gjermani pak para Luftës së Parë Botërore, ku vrau dhe veten.