Dy histori dashurie që nuk ngjajnë, por në thelb e çojnë njeriun në brenga të pazakonta, që në rrethana jashtë tij, e bëjnë ndarjen tronditëse. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air, të hënën në mbrëmje, u përmbyll maratona e filmit me metrazh të gjatë, me dy produksione: “Inane” të regjisorit shqiptar, Besnik Bisha, dhe nga Federata ruse, “Putra e lepurit”, me regji të Nana Djordjadze. Në shfaqjen e filmit “Inane” ishin të pranishëm gjithë ekipi realizues që iu përgjigj pyetjeve të spektatorëve të shumtë, prezentë në sallën Black Box. Është një histori dashurie sureale, bardhë e zi, që nuk i përket kësaj jete, tokësore. Sana pret Gorin, të dashurin e saj, i cili rikthehet pas 30 vitesh. Pritja ka qenë sfiduese, sakrificë dhe dhimbje. Regjisori i ka vendosur ngjarjet në vitet ’70, si një reflektim jo vetëm i psikologjisë në funksion të ngjarjes, por dhe nga ana artistike. Për regjisorin kjo shfaqje në Dea Open Air, ishte një mundësi e dytë në ekran.
Filmi është adaptim i romanit të Besnik Mustafaj, “Vera pa kthim”. Pyetjes nga publiku se sa sfiduese për një regjisor ka qenë përshtatja e një romani në një vepër filmke, Bisha është përgjigjur se, përvojat botërore i ofrojnë zgjidhje të ndryshme kësaj çështje. “Vërtetë jam nxitur nga libri, por kam realizuar tek ky film përvojën time si kineast. Çdo vepër ka jetën e saj, tani filmi më pëlqen më shumë se romani”. Në fakt, ashtu siç ka rrëfyer regjisori, filmi është zhvendosur në vitet ’70. Ai ka realizuar një atmosferë artistike të asaj kohe, duke u shprehur se është këto vite kanë qenë një shkollë kinemaje për të. “Kam realizur një film bardhë e zi, si formë shprehje, duke u munduar ta sjellë në një frymë me historinë, rreth 30 vite pas Luftës së Dytë Botërore”. Një film minimalist, i realizuar sipas regjisorit në një kohë rekord, mjaft intensive në xhirim. “Filmi duket minimalist. E gjithe psikologjia e trupës u kthye në favor të viteve. Xhirimet zgjatën 21 dite, të plota, mjaft intensive, por pa u lodhur”. Bisha e ka mbyllur përballjen e tij me publikun duke thënë se “njeriu ka brenda ënrra të parealizuara, dhe se ky film mbetet një vazhdimësi e viteve studentore, kur edhe realizova filmin e parë, “Sinjal dashurie”. Është , në fakt, një lloj homazhi për kinemanë e neorealizmit”.
Me një emër të çuditshëm, produksioni “Putra e lepurit”, organizohet në një atmosferë romantike, mes Francës dhe Rusisë, si përballje kulture, por edhe historie. Me regji të Nana Djordjadze, filmi shkon në fillim të viteve 1990 – është koha e Perestrojkës. Federata Ruse 2020, 100 Minuta Kinema Nika, arkitekt francez dhe Alya, intelektuale sovjetike, takohen. Ata i përkasin dy botëve të ndryshme dhe nuk mund të jenë bashkë. Është një marrëdhënie rezistente e gjatë, tronditëse, plot dhimbje dhe hare dashurie, dhe si e tillë mbyllet.
Filmi shkurtër
Tre vite më parë, një gazetar kishte propozuar një monografi për karrierën e Bajrush Mjakut, por që ishte refuzuar për financim nga Ministria e Kulturës në Maqedoni. Komisioni nuk e kaloi projektin, ka treguar Mjaku sepse “isha i gjallë”. Ideja u përsërit, por këtë herë për një dokumentar, dhe sinopsi i paraqitur u vlerësua, duke u financuar me 30 mijë euro. Ky është dokumentari i parë që i dedikohet një artisti. Bajrush Mjaku një aktor i angazhuar, që i përket dy kohërave, ka luajtur 101 role, por që në dokumentar është përfshirë edhe jeta e tij private. Peripecitë e viteve të komunizmit, rezistenca, dhe sfidat e kanë portretizuar atë, si një aktor nacionalist, profesionist të lirë, dhe aktor të fuqishëm, shpërthyes.Në film dokumentohet jo vetëm jeta dhe karriera e aktorit, por edhe historia e një vendi, dhe e teatrit shqiptar në Maqedoni. Pyetjes që iu bë nga publiku i pranishëm në shfaqjen e dokumentari, se është një film për aktrimin apo jo, regjisori Filip Herin është përgjigjur: “Eshtë një film për anën profesionale të aktrimit dhe familjen. Vështirësia më e madhe, është se ne kemi shumë biografi në Ballkan për aktorët, por nuk kemi një dedikim për njerëzit dhe gjeneratën e Mjakut, dhe ishte detyrimi ynë për t’jua bërë present brezave. Në këtë film ka më shumë se 50 vite histori, kulturë. Kemi folur për ndërveprim kulturor, që e bën Ballkanin të mahnitshëm. Ky film është një mesazh për brezat”. Ndërsa për aktorin Bajrush Mjaku ky film mbërthen tre gjëra të rëndësishme, që lidhen me punën profesionale, jetën private si dhe historinë e zhvillimit të teatrit shqiptar të Shkupit. Për publikun shqiptar u tregua se janë 25 orë xhirim, dhe se në të ardhmen pritet të realizohet një serial me tetë episode.
“Unë si ti”, me regji të Luan Kryeziut dhe Najada Elmazit ka qenë premierë absolute në Dea Open Air. Është prezantuar një projekt, që parashikohet të ndiqet nga dy seri të tjera dhe sjell një tjetër plagë sociale, që lidhet me ndjeshmëritë, empatinë e njeriut. Të pranishëm në premierë, stafi i filmit dhe aktorët, regjisori ka rrëfyer se ka qenë një përvojë personale dhe një ndjenjë përgjegjësie ky projekt filmik. Për Kryeziun artisti duhet të jetë përfshirës, dhe të ndihmojë në këto kauza kaq delikate. Bota e sotme, moderne, ku teknologjia e ka shndërruar jetën e fëmijë në një lloj bullizmi, ka shqetësuar regjisorin e filmit “Shok”, Andrey Svetlov, nga Bjellorusia. “Skifteri”, i regjisorit nga Gjermania, Oliver Stiller ka ndarë me publikun kompleksitetin e marrëdhënies njerëzore, kur këto mbushen me vese, siç është edhe mashtrimi. Rusia e filmit të shkurtër, shfaq një simbolikë prekëse, në filmin “Naida”, të regjisorit Yuri Sholin, se si qëniet njerëzore fare lehtë, mund ta rimarrin kuptimin e jetës edhe nëpërmjet një kafshe, aq besnike siç është një qen.
Një histori frymëzuese ka sjellë nga Bullgaria Vilma Kartalska, me dokumentarin “Rruga ime cigane”, që lidhen me sfidat e aktores së parë rome.
“Spiro dhe Qarku i Vdekjes”, një bashkëpunim të Lino Kafidas & Dimitris Kafidas, sjell një dëshmi historike të një personazhi të rëndësishëm në Greqi, akrobatistit motorist, me sfidat dhe kalvarin e jetës. Historia e minierave, një rast se si hyri në UNESCO, vjen nga Mbretëria e Bashkuar, me regji të Diana Taylor, me filmin “Njeriu makinë”. Filmi i referohet sa kukullës aq edhe tregimeve tragjike të komunitetit për ata që humbën jetën në minierat e kallajit në Kornuell. A do të shpëtojë e bukura botën? Këtë dilmë e merr në qasje artistike, regjisori gjerman Jannik Bueddig.