“Heshtje kumbuese” Rose Ausländer – lirikja e papërsëritshme e dramës së Holokaustit – së shpejti, dhe së pari me një libër në shqip, nga Poeteka -perkthyer nga Ana Kove, prej se ciles na vjen edhe ky lajm, ne diten e memories nderkombetare.

*Në ato vite

Në ato vite

koha kish ngrirë

akulli na mbërrinte gjer në shpirt

Nga çatitë

vareshin kallkanë

qyteti ishte

prej xhami të akullt

njerëzit ngrinin thasë

të mbushur me borë

drejt turrës së ngrirë të druve

Një herë qëmtoi një këngë

nga fjollat e florinjta

mbi fushën me borë

„A e njeh ti atë vend

ku lulëzon limoni?”

Një vend ku lulëzojnë limonët?

Po vendi vetë, ku lulëzon?

Njerëzit prej bore

s’dinin gjë

Akulli rritej

dhe lëshonte

rrënjë të bardha

në palc’ të viteve tona

*Heshtje kumbuese

Disa shpëtuan

Nëpër natë

u zvarritën duar

të kuqërreme

prej gjaku të vrarësh

Ishte një teatër tronditës

pikturë flakësh

muzikë zjarri

pastaj vdekja heshti

Heshti

Heshtja ishte kumbuese

midis degëve

buzëqeshnin yjet

Të shpëtuarit presin në port

anije të ankoruara e pafat

shëmbëlltyra djepesh

pa nënë e pa foshnjë

*Në luftë

Qyteti verbohet

në labirinte rrugësh

tmerri tjerr rrjetën

Fëmijë

në sytë pa yje frika e tyre

sakatët rriten si kërpudhat

në lëmyshkun e përgjakur të getos

në kanate dritaresh varen eshtra

helmeta ushtarësh mbulojnë

rrashta kufomash

Makthi endet si lypsar

derë më derë

ne zemrat tona

ia hedhim lëmoshë

(nga gjermanishtja Anna Kove)

Rose Ausländer u lind në Czernowitz (Bukowina), ashtu si miku i saj Paul Celan, dikur pjesë e perandorisë Austro-Hungareze, më pas e asaj rumune, sot në Ukrainë. U rrit në një familje kozmopolite, liberale gjermano-hebreje. Nazistët pushtuan qytetin në vitet 1941–1944 dhe popullsia hebreje u përball me persekutimin e tmerrshëm asgjësues. Në kushte çnjerëzorë Rose Ausländer degdiset në geto, për t’u transportuar më pas në kampet e shfarosjes. Shumica e hebrenjve të qytetit u vranë (nga 60 000 vetëm 5 000 mbijetuan). Rose Ausländer jetoi me frikën të vazhdueshme nga vdekja, por shpëtoi. U fsheh në një bodrum me të ëmën për një kohë të gjatë dhe mbijetoi. Në poezitë e saj poetja tregon për kohën në geto dhe për luftën e vështirë për mbijetesë fizike dhe psikologjike: „Geto, mjerim, tmerr, transportime drejt vdekjes. Në ato vite, ne miqtë takoheshim fshehurazi për të lexuar poezi, shpesh të rrezikuar nga vdekja. Kishte dy mënyra sjelljeje ndaj realitetit të padurueshëm: ose të dorëzoheshe në dëshpërim ose të zhvendoseshe në një realitet tjetër, atë shpirtëror. Ne hebrenjtë e dënuar me vdekje kishim nevojë të papërshkrueshme për ngushëllim. Dhe, ndërsa prisnim vdekjen, shkrimi ishte jeta jonë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}