Një nga zërat më të fortë në mbrotje të trashëgimisë, arkeologu Neritan Ceka nuk ka ndalur së denoncuari, dhe vënien para përgjegjësisë të institucioneve që merren me Monumentet; por si duket në një mjedis korruptiv, nga aferat e dyshimta të zyrtarëve të lartë, të qënit arkeolog, sot, është nga zanatet më të vështira; i shpërfillur, i përjashtuar nga ajo që quhet “kërkim shkencor”, zëvendësuar me punonjës të firmave të ndërtimit…

Intervistoi: Violeta Murati

Z.Ceka herën e fundit, në bisedën tonë të gjatë, dy vite më parë, ndamë shqetësimin tuaj, se si ministrja e atëhershme e Kulturës, Mirela Kumbaro kishte shpërfillur projektin tuaj, për rehabilitimin e varreve të Selcës, projekt i financuar nga BE me 250 mijë euro. Janë të rrallë zëra si ju, në ditët e sotme, kur po shuhet profesioni i arkeologut. Ndërsa BE po tregohet mjaft bujare në fondet e dhëna për trashëgiminë tonë, kujtojmë Butrintin, Bylisin, Apoloninë së fundi…por, në të vërtetë si po përdoren këto para, si janë investuar në trashëgimi?

Të ashtuquajturat investime te fondeve të BE në fushën e arkeologjisë besoj se janë modeli më i keq, që na janë ofruar nga një organizmë, që për shqiptarët ka qenë modeli i së përsosurës në lëmin e efikasitetit dhe korrektesës. Shembulli i varreve monumentale të Selcës përbën vetëm një episod, që për fat të mirë përfundoi me një happy end. Duhet t’i kujtoj lexuesit tuaj daljen pompoze rreth tre vjet më parë të ambasadores se BE Vlahutin dhe ministres I të kulturës në sfondin e varreve monumentale mbretërore ilire të Selcës së Mokrës, me premtimin se Delegacioni i BE do të investonte atje 250 000 euro. Si autor i gërmimit të këtyre monumenteve unike shpreha menjëherë shqetësimin për ndërmarrjen e një projekti të tillë, pa pyetur Institutin e Arkeologjisë, si i vetmi organ shtetror i specializuar, dhe as arkeologun që i kishte gërmuar dhe studiuar ato monumente. Në një takim që pata me ambasadoren i paraqita pasojat komprometuese të projekteve të tilla, që ishin ndërmarrë deri atëherë në Butrint, Finiq dhe Apolloni dhe që kishin si metodologji të njejtë rrugë: përzgjedhjen nga organizmat e BE si “institucion i specializuar” të Institutit të Monumenteve. E sqarova ambasadoren, se që prej disa vitesh, ky institut i themeluar nga një brez i shkëlqyer profesorësh në fushën e kujdesit dhe studimit të trashëgimisë kulturore, si prof. G. Strazimiri, prof. E. Riza, prof. A. Meksi, prof. A. Baçe, prof. H. Nallbani, etj, ishte kthyer në një organizatë të partisë në pushtet, pa asnjë kërkesë kualifikimi shkencor. Negocimi dhe monitorimi prej tij i fondeve të BE në Apolloni ishte jo vetëm një shembull krejt i dukshëm i moskompetencës dhe injorancës në fushën e restaurimit dhe menaxhimit të vlerave arkeologjike, por ngrinte dyshime të arsyeshmë për korrupsion. Taksapaguesit europianë që kanë dhuruar 800 00 euro për krijimin e një ambienti europian në Apolloni, pyesnin me të drejtë, se ku shkuan këto para, kur detyroheshin të prisnin në pikë të diellit para hyrjes dhe biletarisë ( edhe ato të paguara nga Fondi Amerikan Shqiptar), pastaj të kalonin nëpër përrenj për të shkuar tek monumentet (ku edhe tabelat janë vendosur nga ekspedita shqiptare-franceze), ku nuk shihet asnjë ndryshim nga gjendja e mëparshmë, përveç disa tubave të kuq që ngrihen nga nëntoka, duke shqetësuar pamjen e monumenteve. Vizitori do të habitet, kur ta sqarojnë se ato janë hidrantet, që duhet të sjellin ujin nëpër një rrjet tubash, që vjen nga një depo betoni prej disa dhjetra metro kub, e ngritur mbi murin rrethues të qytetit. Sipas projektuesit, të këshilluar nga militantët partiakë të Institutit të Monumenteve, këta hidrantë do të shërbenin për shuarjen e zjarrit, që mund të ndodhte në qendrën monumentale. Por po të pyeteshin punonjësit e Parkut Arkeologjik, apo të Ekspeditës shqiptare-franceze që punojnë aty që prej 30 vjetësh, do të kishin mësuar se zjarri nuk mund të bjerë kurrë midis monumenteve, për arsyen e thjeshtë, se bimësia pastrohet atje në mënyrë sistematike përgjatë gjithë vitit. Sikur të mos mjaftonte një marrëzi e vetme, projektuesit “gjenialë” të paguar nga zyra e Delegacionit të BE në Tiranë, në konsultim me partiakët “gjenialë” të Ministrisë së Kulturës vendosën një derdhje tjetër betoni, duke krijuar një parking një kilometër larg hyrjes për në qendrën e vizitave. Për të arritur tek ai parking duhen rreth 3 km rrugë , që kalon përmes një zone arkeologjike, ku do të kërkohen edhe nja dhjetë vjet gërmime, pa e ditur rezultatin, nëse do të lejohet kalimi. Shkurt, në shqip kjo quhet rrush e kumbulla. Për zyrën e BE ishte padyshim një “sukses” i mbështetjes politike për organizmat paralele të partisë në pushtet, që përbën strategjinë e saj kryesore që prej disa vitesh. Kjo , sepse e njejta rrugë, me të njejtët persona, si nga Zyra e BE, ashtu edhe nga Ministria e Kulturës, u ndoq edhe për nisjen e një projekti edhe më të madh, kësaj here prej 6 milion eurosh, për Parkun Arkeologjik të Bylisit. Për të mos pasur edhe kësaj rradhe asnjë bezdi nga specialistët, u përjashtuan nga projekti të gjithë ata që kishin zbuluar Bylisin dhe që vazhdojnë ende të vetëm kërkimet arkeologjike në këtë qendër të mrekullueshme të qytetërimit ilir. Vetëm se kësaj rradhe “specialistja” e zyrës së BE përdori një stratagemë. Solli në Institutin e Arkeologjisë një paçavure të quajtur projekt, në emrin e “Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit” të Parkut Arkeologjik të Bylisit, të “përgatitur” nga brigada e pastrimit të barërave të këtij parku, që u redaktua “free of charge “ nga tre profesorë të Institutit të Arkeologjisë që punojnë në Bylis. Pas kësaj “specialistja” vuri emrat e këtyre profesorëve në projekt dhe Zyra e BE në Tiranë dhe përmes ambasadorit deklaroi se ata që kanë punuar për projektin përjashtohen nga drejtimi i tij “për konflikt interesi”. Pra përjashtohen profesorët bashkë me barkorrësit e parkut! Shumë të hollë këta europianët! Siç i thonë, Europa nuk bëhet pa Siçilinë!

Më duket paradoks, kur arkeologjia shqiptare financohet me 30 mijë euro në vit, kur 250 mijë euro shkojnë në Selcë nga BE, 750 mijë euro çojnë në Apoloni përsëri nga BE, dhe 6 milion në Bylis prap nga BE…çfarë po ndodh me trashëgiminë, si mund të punojë një arkeolog sot, kur raportimet për shkatërrime nuk kanë lëvizur nga shifra e 20 viteve më parë?

Nuk është thjesht çështje fondesh, sepse në total shpenzohen sot dhjetë herë më shumë se në kohën e diktaturës, por kemi dhjetë herë më pak rezultate. Ajo që vuan më shumë është pjesa e kërkimit shkencor, që është edhe krijuesja e pasurisë arkeologjike të parqeve kombëtare në Durrës. Apolloni, Bylis, Amantia, Orikum, Butrint, Finiq, Lezhë e Shkodër. Mund të imagjinoni se vetëm nga Parku Arkeologjik i Butrintit vilen çdo vit 1 milion euro nga turistët, ndërkohë që rreth njëzet ekspedita arkeologjike që organizohen nga Instituti i Arkeologjise financohen vetem me 50 000 euro. Arkeologët shkojnë në gërmimet e tyre pa dieta, me makinat e tyre pa marrë as lekët e karburantit, pa ju paguar hotelin. Ajo që ishte një mundësi mbijetese në fillim të viteve ’90, përmes bashkëpunimit me vendet e huaja, po kalon një fazë absurditeti sot, kur kolegët tanë të huaj na paguajnë diçka që na detyrohet shteti shqiptar. Ndërkohë asnjë ekspeditë konservuese e restauruese e Institutit të Monumenteve nuk ka shoqëruar prej vitesh kërkimet arkeologjike në Bylis, Apolloni, Antigone, Lezhë, etj, siç ka qenë praktika e zbatuar nga restauratorët e njohur të atij Instituti, K. Zheku, L. Papajani, G. Pani, E. Haxhiraj etj. Dhe absurditeti qëndron në faktin që pikërisht asaj kënete i akordohen fondet qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga zyra e saj që mban emrin Delegacioni i BE. Në fakt nuk do të kishim nevojë për asnjë investim të dyshimtë të BE në arkeologjinë tonë, në se do të përdornim fondet që rrjedhin nga puna e akumuluar e arkeologëve që prej një shekulli, që nga Leon Rey, Luigi Ugolini, Hasan Ceka, Selim Islami, Frano Prendi, Skënder Anamali, për të përmendur vetëm pionerët e zhvillimit të kësaj shkence në Shqipëri. Vetëm të ardhurat e Butrintit dhe Apollonisë, të administruara sipas rregullave në fuqi, do të mjaftonin për të mirëmbajtur pasurinë arkeologjike dhe për të vazhduar ritmin e kërkimeve, të domosdoshëm për zgjerimin e parqeve egzistues, por edhe për krijimin e parqeve të reja. Vetëm Butrinti ka sot të depozituar nga ky fond rreth një milion euro, ndërkohë që kërkimet atje vazhdon t’i bëjnë dy ekspedita të Institutit të Arkeologjisë, duke u financuar kryesisht nga universitete të huaja. Vetë Ministria e Kulturës në vend që t’i financojë këto kërkime dhe të krijojë grupin e saj të konservimit e restaurimit, ka shikuar si zgjidhje kthimin e Parkut të Butrintit në një PPP!

Si e shikoni gjendjen e Institutit të Monumenteve, nën një emërtim tjetër, sot?

Quhej deri tre vjet më parë Instituti i Monumenteve “Gani Strazimiri”, por u ndryshua me emrin e shpifur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK). Kështu ndodh me gjithë ata që mendojnë se historia fillon me emrimin e tyre nga partia, por jam i sigurtë që emri, me të cilin bëri të njohur kulturën tonë në të gjithë botën, do të rikthehet! Si një nga themeluesit e atij Instituti në vitet ’70, kur mori formën e plotë me statutin shkencor, revistën “Monumentet”, departamentet, atelietë rajonale dhe rreth njëzet ekspedita e projekte vjetore në fusha që shtriheshin që nga arkeologjia, tek monumentet e kultit, afresket e ikonat, veprat inxhinierike, qytetet muze e arkitektura popullore, nën drejtimin e personaliteteve të jashtzakonshëm si prof. Gani Strazimiri e prof. Selim Islami dhe me një gjeneratë të nivelit europian të restauratorëve e studiuesve të arkitekturës, shoh me dhëmbje një gërmadhë të vërtetë, ku po varroset jo vetëm ajo traditë e shquar, por edhe një brez i tërë të rinjsh, që trajtohen si ushtarë të partisë në pushtet. Ai institut, që kishte dhjetë vjet më parë shtatë profesorë, nuk ka sot as doktorë shkencash dhe drejtohet nga dikush që jo vetëm nuk ka gradë shkencore, por nuk ka shkruar asnjë artikull në revistën “Monumentet” që prej shtatë vjetësh që “drejton” atë institut. Besoj se një ditë dikush do të japë llogari për këtë veprim të mbrapshtë antikombëtar, që ka pasur si pasojë humbjen e një pjese të mirë të pasurisë sonë kulturore, veçanërisht të pikturës murale, monumenteve të kultit dhe arkitekturës popullore. Është më të vërtetë e çuditëshme se si kjo gërmadhë e kulturës shqiptare konsiderohet nga Zyra e BE në Tiranë si partneri kryesor për shpenzimin e parave të taksapaguesve europianë! Por, siç thuhet, asgjë nuk është e rastit!

Reforma në trashëgimi kulturore ka pasur një debat, paraprirë nga ajo që sot e quajnë partneriteti publik-privat, por që në fakt menaxhimi i sotëm e ka përkeqësuar situatën, sidomos kur shohim skemën se si përdoren fondet…Çfarë janë rrëzuar konkretisht? Me gjithë këto probleme si mund t’i mbrojë ligji shqiptar, i 2018-ës, monumentet?

Nuk ka pasur një reformë në trashëgiminë kulturore dhe nëse, si e tillë konsiderohen nenet e ligjit të vitit 2018, kjo mund të ishte një kundërreformë. Ky ligj, që thonë se është marrë nga Bullgaria, është në kundërshtim jo vetëm me traditën e gjatë dhe pozitive të krijuar prej më se një shekulli që nga fillimi i veprimtarisë moderne në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, por edhe me modelet e vendeve fqinje me të njejtën natyrë trashëgimie. Sipas këtij ligji anadollak të gjitha organizmat që kanë si tagër punën me trashëgiminë varen direkt nga ministri. Pra, drejtoritë rajonale veçmas, parqet dhe muzetë arkeologjikë ne territorin e tyre veçmas, Instituti i Monumenteve veçmas. Në një shtet modern si Italia dhe Greqia, në një territor që përputhet me atë të një rajoni, që do të ishte Puglia për të parën, apo Epiri për të dytën, ato përfshihen në një agjenci të vetme, që varet nga Ministria e Kulturës, e cila bën politika, por jo menaxhim. Nuk mjafton kjo, por ligji nuk përcakton asnjë kriter për punonjësit e atij sistemi në të gjitha nivelet, që do të kërkonte një kualifikim dhe përgjegjësi të lartë profesionale.

Jo pak raste nga qytetet e vogla të vendit janë denoncuar për lënien në harresë (kam parasysh Forumin për Mbrotjen e Trashëgimisë), që po shkojnë drejt degradimit monumente shekullore të kulturës, për të cilat qeveritë njëra pas tjetrës as që janë kujtuar ndër vite. Duke parë fenomenin, një rast, ndër të tjerë, si ajo e Urës së Kamarës në Librazhd, është bërë projekti qysh më 2018, por as sot nuk bëhet e ditur se kur do realizohet ky projekt nga IMK. Peqin, Belsh, farë afër Tiranës kanë tentuar vjedhjen e afreskeve të kishës Shën Premte në Mokër, janë denonvuar gërmime klandestinë në kishën 1200 vjeçare në Dajt etj etj, çfarë po ndodh me trashëgiminë?

Eshtë thënë se kur vendosen njerëz rrumpallë për të administruar një pasuri, ajo do të shkatërrohet. Pasojat po i shohim çdo ditë dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka evidentuar vetëm një çikërrimë prej tyre. Rasti i kishës së Brrarit është skandaloz, sepse është një monument që lidhet me fazën e hershme të krijimit të shtetit të Arbërit, në një vend që është vetem 20 minuta larg kryeministrisë dhe Kuvendit. Veç kishës aty ka edhe një grup monumentesh të tjerë, duke përfshirë edhe kalanë e periudhës së Bronzit në Tujan, gjurmët e rrugës mesjetare të Arbërit bashkë me ullinjtë mijëvjeçarë, Ura e Brrarit, kanionet e lumit të Tiranës dhe faqet shkëmbore për ngjitje alpinistike. Për fat të mirë, përveç verbërisë së Ministrisë së Kulturës, që i ka këto vlera vetëm 10 minuta larg, aty afër gjendet shoqata “Fundjava ndryshe” që sapo ka përgatitur një projekt në bashkëpunim me prof. Skënder Muçaj, specialist i asaj periudhe. Për fat të mirë, përveç asaj ministrie që me bujarinë e Zyrës së BE në Tiranë nuk e ul pazarin poshtë 6 milion euro, ky komb ka ende disa djem e vajza vullnetarë, ashtu siç ka edhe disa shkencëtarë që nuk të shikojnë nga duart dhe që nuk punojnë për firma ndërtimi.

Para pak kohësh, juristi i së drejtës ndërkombëtare, Agron Alibali në një analizë dha juridikisht mbi çfarë po ndodh në Butrint, si po veprohet në menaxhimin e tij, si ligji shqiptar është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konvetën e Parisit, – pra flitet për tjetësim të menaxhimit, ku hyjnë në lojë fondacionet private, të huaja – e pashembullt në historinë dhe praktikën juridike të vendit…Në asnjë rast, në dijeninë tonë, drejtimi, administrimi apo menaxhimi i tyre nuk u besohen fondacioneve vendase private, aq më pak të huaja. Roli i fondacioneve është kryesisht filantropik. Më duket se, deri tani, nuk ka kundërshti të fortë për këtë, si mund ta mbrojnë këto fondacione trashëgiminë tonë kulturore?!

Edhe kjo është një histori e hidhur, e nisur dhe bitisur nga Ministria e Antikulturës. Që katër vjet më parë i kisha propozuar ministres I të kulturës që të krijohej nje fondacion i tipit British Heritage të Anglisë, që është gjysmë privat (charity) përsa i përket mbledhjes së fondeve, dhe gjysmë shtetror për mënyrën e trajtimit të monumenteve dhe administrimit të tyre. Siç e ka zakon kjo gjeneratë e politikanëve të emëruar, e mbështeti propozimin tim, por duke marrë vetëm pjesën e parë. Më e keqja ishte se përgatitja e projektit për një Plan menaxhimi të Butrintit ju ngarkua një zyre projekti, që kishte në CV e saj një muze të gjetheve të lisit dhe fotografive të Luftës I Botërore në Angli. Me megallomaninë tipike anglo-sanksone ata angazhuan në këtë projekt vetëm arkeologë të huaj. Rezultati ishte një Plan Menaxhimi për Parkun e “qytetit Greko Romak të Butrintit”, ku nuk përmendet asnjë emër i vetëm shqiptari, pavarësisht se për krijimin e tij, veç italianit L. M. Ugolini dhe anglezit R. Hodges, kishin punuar shqiptarët H. Ceka, Dh. Budina, N. Ceka, K. Lako, A. Tare, etj, etj. Projekti u prezantua nga nje bablok i panjohur anglez, i shoqëruar nga buzëqeshja e vazhdueshme inkurajuese e ministres II të kulturës. Në diskutimin tim e quajta atë plan si aeroplan pa motor, por e konsiderova si të keqen më të vogël për Butrintin, në një vend ku detyrohemi prej kohësh të zgjedhim gjithmone midis dy të këqiave. Thashë tekstualisht se do të pranoja që Butrintin ta administronte edhe Djalli, sepse sidoqoftë do të ishte më mirë se administrimi i sotëm!

Autorët e Planit të Menaxhimit, siç thuhet, kanë ofruar modelet dhe praktikat më të mira të menaxhimit të parqeve kombëtare, duke përfshirë partneritetet publike private (për hotele, hostele, restorante dhe kampe)…Pra, e vetmja marrëdhënie që do krijojnë PPP me ministrinë janë për qëllimet e mësipërme, përfshirë dhe AADF-në, që së fundi ka përfshirë edhe Durrësin. Kjo praktikë siç po shihet ka tendenca për të përfshijë të gjitha parqet arkeologjike. Çfarë problematike do të krijojë implementimi i këtij projekti, nëse bëhet një gjë e tillë?

Idenë e hartimit të një Plani për menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Durrësit e shpalli ministrja II në një konferencë të organizuar nga Instituti i Arkeologjisë dhe Ambasada e Francës në Tiranë, në kuadrin e bashkëpunimit shqiptar francez në fushën e arkeologjisë. Pikërisht në një veprimtari të tillë, ku një brez i ri arkeologësh shqiptarë promovohet krahas kolegëve të tyre francezë në fusha të përbashkëta kërkimesh dhe me rezultate spektakolare, por ku mungon totalisht çdo pjesëmarrje nga kënetat që ka krijuar Ministria e Kulturës, ministrja II shpalli se planin e menaxhimit të Durrësit arkeologjik do ta bëjë një studio e huaj. Natyrisht ishte një muzikë e kënduar edhe nga ministrja I, në rastin e Muzeut Historik Kombëtar, që sipas saj duhet ta bënte nje studio e huaj, “sepse në Shqipëri nuk ka specialistë”. Me atë rast e pyeta ministren (natyrisht përmes një SMS, sepse zonja nuk ka kohë), se për çfar i duhen ata 40 arkitektë që ja ka dërguar partia si rrogëtarë në IKTK? Dhe nëse e dinte që pikërisht në atë konferencë kishte tre arkeologë të Institutit të Arkeologjisë që punojnë që prej 20 vjetësh në Durrës? Shpresoj që ashtu si ministrja I, të jetë ndikuar për të kërkuar një zgjidhje shqiptare për një projekt të trashëgimisë shqiptare. Edhe AADF kësaj rradhe ka hequar dorë nga studio e gjetheve të lisit dhe ka gjetur rrugën e zotit tek Instituti i Arkeologjisë. Besoj se do të jetë një përvojë që mund t’i shërbejë edhe Zyrës së BE, vetëm se, pa hilen e “konfliktit të interesit”. Natyrisht që Durrësi nuk do të jetë PPP, të paktën shpresoj që nuk do të kenë kohë për ta bërë!

Po kaloj në ngjarjen më të fundit, skandalin e thyerjes së kolonave të Nymfeut në Apoloni, mbajtur e fshehur që prej prillit, kohë karantine, e padenoncuar nga zyrtarët e Parkut dhe me një mungesë përgjegjshmërie Ministria e Kulturës harton me të shpejtë një projekt restuarimi, pa vënë para drejtësisë përgjegjësit. Çfarë standardesh na zbulon ky rast, në këtë park? Dhe si është e mundur kur janë hedhur afro 800 mijë euro të ndodhë ky skandal, kur ka kamera sigurie, dhe të mos zbulohet shkaktari?

Ministrja II konsideroi krejt normale që ky park të propogandonte ne sajtin e tij fjalimin patetik te Sgarbit, që e konsideronte teatrin e Bylisit si grek. Rëndësi ka që partia të mos shqetësohet për mikun e saj. Po kaq normale konsiderohet prej saj edhe fakti që shtyllat rrëzohen, pa dhënë asnjë lajm në media, kur jepen përditë edhe aksidentet më të rëndomta. As edhe që lajmi del nga një ambasadë e huaj, ku kërkohet financim për ringritjen e kolonave. Pastaj deklarohet se ka pasur edhe një projekt për ringritjen e tyre. Pas kësaj rezulton se kolonat ringrihen pikërisht nga Ariani dhe Admiri, specialistë të mirëfilltë në fushën e arkeologjisë, punonjës pikërisht të atij parku ku janë rrëzuar kolonat. Pra, në rastin më të mirë, rrumpallë!

A është normale që bëhet projekt restaurimi, dhe nuk fton autorin e gërmimit, kur jeni ju pasardhës i arkeologut Hasan Ceka, dhe ja ku jemi bashkë sërish me të njëjtin fenomen – e kemi diskutuar dhe herë tjetër, – që specialistët vendas, këtu, shpërfillen. Sigurisht ju do të kërkonit llogari përse ndodh thyerja e kolonave, por pse ndodh kjo shpëfillje e specalistëve ka një shpjegim?

Respekti për autorin e gërmimit është një detyrim minimal për sa herë ndërhyhet në një monument. Në rastin e kolonave të Nymfeut të Apollonisë detyrimi ishte ndaj meje, që kam punuar katër vjet në gërmimin e atij monumenti, si arkeolog asistent i prof. Hasan Cekës. Është një vërejtje që ja kam bërë edhe ministres II në rastin e Zgërdheshit, ku përmendi (për herë të parë) prof. S. Islamin si zbulues të monumenteve të Zgërdheshit, por jo L. Papajanin, si restaurues të tyre dhe as E. Metën, si vazhduese e gërmimeve në një monument, ku Ministria e Kulturës është në nivelin korrëse ferrash. Po ashtu në rastin e Apollonisë ministres II nuk ia zuri goja emrin e H. Cekës si zbulues i tij. Ndoshta nuk i pëlqen partisë. Shqetësuese është se kjo filozofi e promovuar nga ministrja I për t’i mohuar arkeologëve të Institutit të Arkeologjisë të drejtën e autorësisë mbi monumentet e zbuluara dhe që po ndiqet nga ministrja II, po sjell dëme të rënda në administrimin e trashëgimisë kulturore. Prapa kësaj arrogance injorantësh, që kujtojnë se dijnë gjithçka mbi atë trashëgimi, kur shkruajnë pa ju dridhur dora se promovuesi i parë europian i asaj trashëgimie, Eduard Lear, ishte hollandez, qëndron strategjia për të përjashtuar specialistët e mirfilltë shqiptarë nga çdo projekt ku ka para! Kjo sepse është provuar se ka qenës shumë më e lehtë për “specialisten” e zyrës së BE në Tiranë dhe kolegen e saj të IKTK që të derdhnin metro kub beton herë euro, plus metro linear tuba, plus metro katror pllaka shtrimi, me firma të partisë në pushtet, sesa të harxhonin një të tretën e tyre me rezultate të dukshme, nën drejtimin e arkeologëve shqiptarë e francezë, që punojnë prej njëzet vitesh në Apolloni.

Në Bylis, BE ka marrë vendimin për të dhënë 6 milion euro me qëllim për të ndikuar dhe në zhvillimin e krahinës. Një mundësi e artë, sigurisht, në kushtet kur flitet se nuk jemi në ditë të mira për arkeologjinë, një projekt që do udhëhiqet në rang ndërministror. Por nga zyra e ambasadorit Soreca duket se ka pasur përplasje, dhe ju keni deklaruar se “projekti i financuar nga BE po shkon drejt korrupsioni”…Çfarë parashikon ky projekt, dhe pse tek ju ka pasur kundërshtim të fortë?

Kam folur mjaft në media dhe kam shkruar për rrugën e gabuar që ka nisur projekti më i rëndësishëm i BE në Shqipëri. E kam takuar personalisht z. Soreca dhe i kam thënë se Bylisi është rezultat i një pune 40 vjeçare të realizuar nën drejtimin e Institutit të Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave. Personalisht me një financim të deritanishëm prej rreth 10 milion euro nga qeveria shqiptare kam drejtuar gërmimin e gjithë monumenteve antike të Bylisit, me murin rrethues 2300 m të gjatë, teatrin për 7500 spektatorë, stadiumin me cisternën e tij unike në arkitekturën antike të vendit tonë, shëtitoren prej 144 m, nga më të mëdhatë dhe të bukurat e qyteteve antike, ashtu siç kolegu im S. Muçaj ka zbuluar pesë bazilika të zbukuruara me mozaikët më të ruajtur e më të bukur të Shqipërisë. I kam thënë se Instituti i Arkeologjisë drejtoi, së bashku me kolegë francezë, zbulimin e pesë bazilikave, të që ka ndërmarrë këto gërmime vazhdon punën në Bylis nën drejtimin e një profesori tjetër, L. Përzhitës, ndërkohë që prej vitesh është ndërprerë puna restauruese nga Instituti i Monumenteve, e drejtuar dikur nga L. Papajani. Në mënyrën më civile i kam shpjeguar se përvoja e Apollonisë me shpërdorimin skandaloz të fondeve bujare të BE, ka qenë rezultat i koordinimit të moskompetencës së nëpunësve të tij me moskompetentët e Ministrisë së Kulturës dhe se nuk mund të ketë qenë e rastit përzgjedhja e kompanive klienteliste politike për implementimin e atij projekti. I kam thënë se si ishprokuror duhet t’i bëjnë përshtypje disa veprime të njerës nga bashkëpuntoret e tij, që ka marrë pjesë në një grup interesi në ndërhyrjet që i janë bërë Ligjit të Trashëgimisë kulturore, para se të kalonte në parlament, se ishte po ajo nëpunëse që vendosi arbitrarisht emrat e profesorëve të Institutit të Arkeologjisë në draftin e barkorrësve të Ministrisë së Kulturës, etj, etj,dhe se këto fakte mund të paraqiten një ditë edhe në SPAK. Në Shqipëri themi fol me atë gur, fol me atë mur!

Me z. Soreca kam edhe nje diskutim tjetër, që del jashtë caqeve të arkeologjisë dhe ka të bëjë me autointervistën e tij (besoj të bërë nga e njejta nëpunëse), të bërë sapo doli nga porta e ministres II, ku u diskutua mbi Bylisin. Natyrisht ajo intervistë drejtohej kundër vërejtjeve të mija, por shkon shumë më larg se aq, në shpërdorimin që i bën rastit të Bylisit, duke e barazuar me tenderat e BE për stallat e lopëve. Sipas tij niveli bazë për konkurimin e vendit të drejtuesit për menaxhimin e projektit Bylis është diploma master! Kjo, sipas tij lejon një pjesëmarrje të gjerë të konkuruesve, diçka që na sjell ndër mend parimin e rrolit marksist të masave. Pra, sipas ideologjisë progresiste të BE përvoja e profesoratit shqiptar me dyzet vjet gërmime në Bylis, që përfshijnë tre periudha të mëdha historike, me monumente të shumllojta, mozaikë, modele të ndryshme arkitektonike, skulptura, mbishkrime, monedha, qeramike e objekte të periudhave të ndryshme, është e barabartë me buzëqumshtat e BE (apo partiakët gjenialë të IKTK!) të sapodalë nga universitetet. Teza e dytë e z. Soreca është se drejtuesit e projektit Bylis nuk mund të zgjidhen në bazë të reputacionit të tyre! Pra të keshë qenë zbulues i monumenteve të Bylisit, me reputacion kombëtar dhe ndërkombëtar, si prof. N. Ceka, prof. S. Muçaj, apo prof. L. Përzhita je automatikisht i përjashtuar nga drejtimi i projektit për t’i lënë vend bilmezave që drejtuan shpërdorimin e fondeve në Apolloni, Finiq, apo Butrint. Pra sa më injorant të jesh, aq më europian konsiderohesh! Postulati i tretë i ambasadorit të nderuar është se formuluesit e termave të referencës nuk marrin pjesë në implementimin e tij, për shkak të konfliktit të interesit. Po lemë mënjanë dinakërinë e nëpunëses së tij për të vendosur emrat e profesorëve naivë në një dokument paçavure të Ministrisë së Antikulturës, që u trajtua si TOF nga zyra e BE në Tiranë, por a mund t’i shpjegojë ambasadori shqiptarëve se ku qëndron ky konflikt interesi dhe se çfar interesash kanë ata profesorë, përveç zbatimit më të mirë të atij projekti në një qendër antike, së cilës i kanë kushtuar së bashku 100 vjet nga jeta e tyre? Natyrisht këto pyetje retorike nuk kanë asnjë vlerë për një vend të autotrajtuar si i botës së tretë, ku gjithçka vendoset nga bisedat e parregjistruara midis ministres I dhe II dhe një ambasadori, që mendon se edhe profesorët më të ndritur shqiptarë nuk vlejnë në këtë vend aq sa anëtari më i fundit injorant i partisë në pushtet. Në këtë llogore është ai, kur thotë se realizimi i projektit nuk synon të ndryshojë strukturat egzistuese. Pra lëre kënetën ashtu siç është, si në rastin e Apollonisë, ku pasi u avulluan 800 000 euro, nuk shihet të ketë ndryshuar asgjë; ku drejtuesi emrohet pa asnjë kriter shkencor dhe nuk ka asnjë program kualifikimi, ku turistët rrijnë nën diell, kalojnë në të njejtat rrëke, presin në rradhë në ËC e restorantit (Zyrës së BE nuk i dolën paratë për të bërë qoftë edhe një ËC për ta!) dhe zot na ruaj po të bjerë një zjarr në muze, sepse sistemi fantashkencor i antizjarrit është vetëm për të vaditur. Ky është problemi që i kam paraqitur z. Soreca, në detyrimin e deputetit të parë të opozitës që hyri në parlamentin shqiptar me programin për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa. Kjo është arsyeja që kam kundërshtuar zbatimin e kësaj metodologjie të bazuar në racizmin kulturor edhe në Bylis, që në vend të na çojë drejt BE, na kthen në kohën e sulltan Abdyl Hamitit! Natyrisht shqiptarët mund të pyesin; kur zyra e BE bashkëpunon me qeverinë për t’i grabitur punën një arkeologu që ka qenë deputet, ministër, nënkryetar parlamenti, ambasador, çfarë mund ti bëjnë ata një studiuesi të thjeshtë shqiptar? Dhe, në fund të fundit, çfarë besimi mund të kemi tek ata se mund të bashkëpunojnë për një reformë në drejtësi?

Aktualisht, çfarë pune është bërë në Bylis?

Aktualisht në Bylis po punon vëtëm Instituti i Arkeologjisë, me një financim modest prej 5000 euro në vit, por që nuk na ka penguar që të jemi njëqind vjet para Zyrës së BE dhe Ministrisë së Antikulturës. Di vetëm që ajo nëpunsja e termave të referencës u nis një ditë së bashku me atë drejtoreshën me diplomë master të IKTK për në Bylis për të diskutuar atje TOR të përgatitura nga barëkorrësit e Bylisit, por humbën rrugën dhe mezi e gjetën se ku ndodhej Parku Arkeologjik. Kot nuk thonë që me të pyetur gjen Stambollin, por jo Brukselin!

Gjithashtu dime se, ka fonde nga BE për të orientuar profesionalisht të rinjtë shqiptarë, por në të vërtetë si është gjendja?

Në Institutin e Arkeologjisë nuk kemi dëgjuar për këtë program. Besoj së Zyra e BE na konsidern si “highqualified”! Pastaj tek dera e Institutit tonë nuk presin kompani ndërtimi të partisë në pushtet.

Si përfundim po përsëris një pyetje, shqetësim të juristit Agron Alibali se, a nuk do të ishte me vend që Qeveria, Kuvendi, Akademia e Shkencave, por edhe qytetarët, të ruajnë dhe të mbrojnë Parkun Kombëtar të Butrintit në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe me Konventën e Parisit të v, 1972, dhe, pa humbur kohë, të mbështesin dhe të ndërmarrin nismën ligjore për abrogimin e të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë?

Këto janë detyra për një parlament serioz. Le të presim edhe ca!

Nuk mund ta anashkalojmë këtë bisedë pa përmendur se Sgarbi bëri një gabim kulturor, siç e keni vlerësuar ju, kush mund ta sqaronte këtë zotëri për “faktet” që tha për Bylisin?

Diskutimin me Sgarbin e quaj të mbyllur në planin kulturor, kur ai kuptoi se në Bylis kemi të bëjmë me një qytetërim paralel në boten e globalizuar helenistike të kohës. Pra kemi fenomenin e njohur edhe tek mesapet, lukanet, samnitet, etruskët dhe vetë latinët në Itali, që përvehtësojnë arritjet e kulturës helene në një stad të zhvillimit të tyre të brendshëm ekonomik dhe politik, duke ruajtur identitetin e tyre etnik. Ajo që është shqetësuese, është qëndrimi i Ministrisë së Antikulturës në anën e gabuar në këtë diskutim dhe mosrregjistrimi i asnjë përvoje. Ministrja I, ashtu si ajo II, nuk janë aq të ndërgjegjshme se të jesh ministër kulture do të thotë që të jesh së pari shqiptar. Unë shpresoj që ai diskutim, që pati më shumë interes ato ditë se sa çështjet jetike të kodit zgjedhor dhe eurobondit, të jenë një mesazh si për ministren II, ashtu edhe për zyrën e BE në Tiranë, se tek shqiptarët ka një ndjeshmëri shumë të lartë kur vjen puna tek identiteti kombëtar dhe se në atë identitet prejardhja Ilire ka një peshë të konsiderueshme. Pra, Albanian minds matter!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Ku fshihet flamuri i pavarësisë?!
Aleksandër Morfov/”Nëse këtu më dëgjon dikush: Mos e vrisni Festivalin e Butrintit”
Arben Xhaferri: Kush jemi ne, shqiptarët?
Arkeologët zbulojnë se Porti i Durrësit gjendej më në veri nga i sotmi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}