Eshtë kujtuar gjerësisht në Kosovë dita e lindjes së liderit historik Ibrahim Rugova, duke përuruar edhe shtatoren e tij, në vendin e lindjes,  Istog. Në këtë përvjetor, botojmë intervistën e fundit të Rugovës për BBC-në, qershor 2005

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, i tha BBC-së, se njohja e drejtëpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës do të ishte më e dobishmja për gjithë rajonin.

Ai shtoi se e respekton edhe rrugën e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës përmes bisedimeve. Zoti Rugova deklaroi për BBC se bisedimet me Beogradin zyrtar janë të mundshme në kuadër të ndonjë konference ndërkombëtare, por pa të drejtë të vetos.

“Nëse mbahet ndonjë takim ndërkombëtar për Kosovën, unë dëshiroj njohje direkte, por nëse mbahet, ne do të marrin pjesë edhe vendet fqinje, pra edhe Serbia, pa të drejtë vetoje”.

Këtë të drejtë e kanë humbur të gjithë pas intervenimit të NATO-s dhe flasin për një vend që është shkatërruar dhe nuk ekziston më”, tha presidenti i KOsovës.

Me zotin Ibrahim Rugova bisedoi në Prishtinë, korrespondenti i BBC-së, Muharrem Nitaj fillimisht e pyeti presidentin Rugova, se si e cilësonte ai, takimin që pati me nënsekretarin amerikan të shtetit Nicholas Burns.

Intervista e plotë me Presidentin Rugova

Rugova: Vërtet që ishte një vizitë e madhe dhe e rëndesishme e nënsekretarit Berns dhe po ashtu e njoftuam për progresin që kemi bërë në Kosovë dhe që do të bëhet vlerësimi i progresit. Pra kjo është ajo rruga ndërkombëtare dhe do të bisedohet, unë them, për pavarësinë e Kosovës. Ndërsa unë insistoj për një njohje direkte nga Shtetet e Bashkuara nga Unioni Evropian apo dhe nga vende të veçanta të Unionit Evropian për pavarësinë e Kosovës sepse kjo do të qetësonte këtë pjesë të Europës dhe të botës edhe Kosovës do ti hapeshin perspektiva të reja. Natyrisht sekretari Burns premtoi përkrahjen e vazhdueshme të ShBA.

BBC: President Rugova përmendët premtimin që ka dhënë nënsekretari amerikan Burns se SHBA do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën dhe popullin e saj. Mua do të më interesonte vlerësimi tuaj për angazhimin e SHBA gjatë të gjithë periudhës prej vitit 1990 e këtej në mënyrë që çështja e Kosovës të vijë të paktën këtu ku ka ardhur deri më tani.

Rugova: Falë edhe zotit dhe miqëve tanë amerikanë natyrisht edhe aleatëve të tyre europian. Siç e dini SHBA është vendi i parë që është interesuar për ne. Pas vitit 1990 na kanë përkrahur vazhdimisht. Pra, siç e dini edhe ndihmat që kemi pasur këtu kongresi, qeveria pastaj, në se ju kujtohet, kërcënimet e kërshëndellave të presidentit Bush plak që vuri vijën e kuqe atëhere që të mos preket Kosova; pastaj presidenti Klinton që vazhdoi dhe ngjau edhe intervenimi i NATO-s dhe i SHBA-së për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për të qenë sot Kosova një vend i lirë dhe që tash na përkrah dhe në rrugën e pavarësisë. Unë them se pavarësia për Kosovën dhe për gjithë shqiptarët në rajon është një optimum.

BBC: President Rugova, fitohet përshtypja se komuniteti ndërkombëtar tashmë e ka qartësuar qëndrimin e tij rreth statusit të Kosovës. Janë përjashtuar, unë do të thosha, tre opsione që do të ishin më të papërshtatëshme për Kosovën, të cilat ju i dini shumë mirë. Në fakt a po bëhet pavarësia e Kosovës realitet pas zhvillimeve që po shkojnë aktualisht?

Rugova: De facto, pas luftës, pra pas ndërhyrjes së NATO-s e këndej ne jemi de facto të pavarur prandaj unë them njohja formale apo zyrtare, sidoqë t’i themi pavarësisë së Kosovës është çështje që duhet të bëhet sa më shpejt. Së paku ne kemi arritur progres të madh këto 6 vjet. Kemi dëshmuar se mund të udhëheqim. Natyrisht këtu ka qenë UNMIK-u, KFOR-i, NATO, miq të tjerë që na kanë ndihmuar, por edhe ne si institucione kemi treguar aftësinë tonë të udhëheqjes. Prandaj na duhet edhe njohja formale, që të kemi mundësinë e zhvillimit ekonomik, sepse ne, pa njohjen formale të pavarësisë, nuk kemi të drejtë në kredinë ndërkombëtare nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, bankat evropiane të ndryshme, dhe nuk kemi mundësi. Është një çështje praktike pra pavarësia, të eksportojmë, qarkullimi i njerëzve është i vështirësuar, plus neve nuk kemi një përfaqësim diplomatik në botën e jashtëme ndërkombëtare dhe jemi në mëshirë të informatave, gjysëm informatave. Prandaj kjo do të siguronte edhe në një ardhme dhe një siguri për Kosovën dhe për popullin e Kosovës. Mandej dëshiroj të theksoj, për shembull, sikur tash që ndodhi pak a shumë një krizë e integrimeve europjane me kushtetutën. Përsëri thuhet se do të shtyhen integrimet evropiane etj. do të thotë që Kosova në këtë gjendje pëson përsëri. Sepse ne jemi vendi më afër Bashkimit Europjan, në rajon, legjislacionin e kemi komplet, punojmë me ekspertë ndërkombëtarë etj. plus euron e kemi. Mirëpo për të evituar këto kriza të ndryshme që mund të ndodhin edhe në të ardhmen, atëhere pavarësia na siguron të ardhmen tonë dhe përcaktimin tonë si popull.

BBC: Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan ka caktuar dy ditë më parë si emisar special të tij që do të bëjë vlerësimin e asaj që është arritur, vlerësimi i standardeve, ndërkohë që vetë ambasadori norvegjez në NATO ka deklaruar se ai do të ketë kompetenca akoma më shumë, do të bëjë një vlerësim politik të situatës në Kosovë. Si president i Kosovës si e shihni, për shembull, vlerësimin e tij, çfarë do të jetë ai?

Rugova:Unë besoj dhe shpresoj dhe do të punojmë që jetë një vlerësim pozitiv, gjithpërfshirës apo një vlersim politik, sepse, siç e dini, deri tash janë bërë disa vlerësime teknike, i fundit ishte në Këshillin e Sigurimit nga zoti Petersen që ishte pozitiv. Shpresoj se edhe ky do të jetë një vlerësim pozitiv sepse ambasadori Kai Aide e njeh shumë mirë Kosovën, çështjen e Kosovës. Ai vjet bëri një raport apo internerar për hapat që do të vijnë. I vuri gjërat në lëvizje. Unë shpresoj se do të jetë pozitiv vlerësimi i tij dhe natyrisht ne do të punojmë dhe do të kërkojmë që të vlerësohen faktet. Unë e kam thënë shumë herë se ne që 6 vjet kemi plotësuar shumë standarde, por asnjëherë nuk janë vlerësuar. Po përmend vetëm katër palë zgjedhje që kanë qenë shumë të mira, demokratike si edhe funksionimin e institucioneve, i gjyqësisë, legjislacionit etj. etj. Plus zhvillimi ekonomik. Mirëpo tash besoj se do të vlerësohen.

BBC: President Rugova, a mendoni që bashkësia ndërkombëtare duke vënë si kusht përmbushjen e 8 standardeve sikur e vendosi Kosovën përpara një sfide relativisht të fortë?

Rugova: Pak a shumë mund të them se deri nga fundi i vitit të kaluar u vendosën ato 8 standartet të cilat krijuan një atmosferë të rëndë në Kosovë. Unë edhe atëhere kam thënë se standarti i parë është pavarësia pastaj të tjerat do ti zhvillojmë natyrisht dhe tashmë ne ato i kemi përmbushur, por duke punuar na ndodhën gjëra të padëshirueshme. Për shembull, në ekonomi tash kanë filluar disa kompetenca dhe pa kompetenca ne nuk kemi se çfarë të bëjmë këtu. Investime ne nuk mund të garantojmë si qeveri, askush nuk vjen. Njerëzit vijnë e shkojnë etj.etj. madje investimet shkojnë tjetërkah, bota është e madhe.

BBC: Si i vlerësoni institucionet e Kosovës? Kosova tashmë ka institucionet e veta të pushtetit. Ju si njeriu i parë i piramidës së pushtetit në Kosovë, si e shihni funksionimin e institucioneve të pushtetit, kam parasysh qeverinë, parlamentin por edhe institucione të tjera që janë pjesë e rrjetit të qeverisë.

Rugova: Ne tash e kemi mandatin e dytë. Në mandatin e parë u krijua një bazë e ministrive, e qeverisë, e presidentit edhe e parlamentit. Tash në këtë fazë do të jemi më funksionalë dhe më praktikë. Plus që kemi hyrë edhe në një zhvillim tjetër demokratik, do me thënë si qeveria dhe opozita. Dhe kështu vihen gjërat në lëvizje dhe natyrisht unë si president i vlerësoj gjërat si pozitive dhe duhet të konsolidohen më shumë.

BBC: Zoti president është vlerësuar si një lloj hendikapi bojkoti që një pjese e komunitetit serb të Kosovës i ka bërë këtyre institucioneve. Kanë paralajmëruar për shembull, se ndoshta përfundimisht në fund të këtij muaji do të jenë pjesë e institucioneve, më në fund. Çfarë mund të bëjë faktori politik shqiptar në mënyrë që të jetë më i vendosur në integrimin e pjestarëve të minoriteteve në institucionet e shtetit në Kosovë?

Rugova: Ne kemi bërë nga ana jonë mjaft, ne edhe UNMIK-u po them. Ndoshta jemi i vetmi vend në Europë apo në botë që kemi vende të rezervuara në parlament për minoritetet: dhjetë janë për serbët meqë i përmendët, dhjetë për minoritetet e tjera nga 120 deputetë, tri ministri nga trembëdhjetë ministri, dy i kanë serbët. Pastaj në vendbanimet ku ata janë në shumicë dhe kanë fituar votat ata udhëheqin, e shumica shqiptare nuk përbën problem. Atje siç e dini ata kanë buxhetin që ja u japim ne, shkollat, ambulancat e të tjera. Ne do të bëjmë edhe më shumë në këtë drejtim, mirëpo është edhe kjo çështja tjetër që lidhet, ju lutem pa të keq po e them prapë, me pavarësinë që lidhet. Ka një pjesë të serbëve që hezitojnë ende të integrohen në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës. Beogradi për fat të keq ende manipulon ndonjë pjesë të serbëve të Kosovës dhe krijon tensione. Në anën tjetër është frika e popullatës shumicë për të ardhmen e Kosovës. Por ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet që ata t’i afrojmë.

BBC: President Rugova, së voni ka patur disa tratativa, disa përpjekje, që të vendoset një dialog i drejtpërdrejtë i përfaqësuesve më të lartë të pushtetit në Serbi me zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Rugova: Ne kemi filluar një dialog me Beogradin sa i përket çështjeve teknike. Patëm filluar vitin e kaluar, u ndëpre, rifilluam dhe është shumë vështirë të bisedohet me Beogradin direkt për çështje politike, se ata ende kanë pretendime ndaj Kosovës, për fat të keq. Ne ofruam një shans në Gjenevë ku do të ishin liderët e pesë vendeve të rajonit dhe të kësaj pjese të Europës. Natyrisht do të kishim edhe një takim simbolik me udhëheqësit e lartë të Serbisë. Mirëpo ata nuk pranuan dhe të shikojmë tash. Ju e dini se ata ende i kanë ato ngarkesat e vjetra, do të thotë luajnë de facto, dhe nuk janë shumë të interesuar. Nëse mbahet ndonjë takim ndërkombëtar për Kosovën, unë dëshiroj njohje direkte. Por, nëse mbahet, aty do të marrin pjesë edhe vendet fqinje, pra edhe Serbia, pa të drejtë veto-je. Këtë e kanë humbur të gjithë pas intervenimit të NATO-s, dhe flasim për një shtet që është shkatërruar dhe nuk ekziston më.

BBC: Kur shpresoni se presidenti i Kosovës do të mund të thotë një ditë që pavarësia e Kosovës është njohur edhe formalisht?

Rugova: Unë besoj së shpejti dhe po punoj që kjo të jetë së shpejti.

BBC: U tha që ndoshta në vjeshtë fillojnë negociatat?

Rugova Po mirë ashtu është kjo rruga ndërkombëtare, unë, po e them. Unë po punoj edhe në këtë rrugën tjetër, që thonë rruga më e shkurtër, më e shëndetëshme dhe më e qëndrueshme, njohjen direkte.

BBC: Zoti president, thatë që keni institucione shumë të suksesshme të pushtetit në Kosovë. Atëhere çfarë u desh që të krijohej edhe një forum politik?

Rugova: Ne duhet të mësohemi, ne duhet ta respektojmë botën dhe të respektojmë normat demokratike. Opozita po ashtu duhet të mësohet që do të kritikojë etj, por të jetë një kritikë me argumente. Ishte ideja që të bëhej një forum konsultativ, jo formal, që të takohen liderët e partive kryesore politike, natyrisht edhe presidenti i Kosovës. Do të provojmë, mund të kemi edhe forma të tjera.

BBC: President Rugova, sipas kornizës kushtetuese ju jeni faktor i unitetit. Ja keni arritur që ta kryeni këtë detyrë siç duhet?

Rugova: Së pari, unë jam faktor i unitetit të popullit dhe qytetarëve — edhe pse nuk jam i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, shpresoj që në të ardhmen do ta kemi këtë — natyrisht edhe i faktorit politik, dhe unë do ta bëj këtë, do të bisedoj dhe bisedoj vazhdimisht me të gjitha grupet politike, edhe të opozitës. Ndërsa si president do t’i bëj të gjitha përpjekjet që të ruaj unitetin e popullit dhe unitetin e grupeve politike. Ju e dini dhe më njihni se edhe në jetën politike unë jam shumë i matur dhe i toleroj të gjitha.

BBC: Sa konstruktive ose e kundërta janë kritikat e fundit të opozitës në adresë të qeverisë? Sepse fitohet përshtypja sikur ka nisur një fazë e përplasjeve.

Rugova: Opozita ka të drejtë të bëjë kritika dhe nuk jemi armiq. Natyrisht kur bëhen kritika duhet të ketë edhe argumente. Unë jam i mësuar, por besoj që edhe qeveria ka zënë të mësohet, edhe parlamenti natyrisht.

BBC: President Rugova më lejoni të flasim diçka për pjesën e profesionit tim. Mediat në Kosovë janë një pjesë e funksionimit të shoqërisë demokratike në përgjithësi.

Rugova: Unë e them gjithmonë, dhe ju kam thënë disa herë, që jeni pjesë e shoqërisë, pjesë e shtetit, natyrisht shtyp i lirë dhe i pavarur, por që të punojë edhe për interesat e Kosovës. Edhe kritikat kur bëhen të jenë me argumente, një gazetari hulumtuese, analitike, që ndoshta kemi më pak, edhe kryesore është që të jepet informata çka ndodh. Prandaj kërkoj një maturi edhe nga mjetet e informimit që të kontribuojnë, të afirmojnë edhe realitetin në Kosovë, se kemi pasur shumë progres, pos mjeteve publike apo shtetërore, si të themi, edhe mjete mjaft të suksesshme private televizive, radio, plus edhe këto si BBC-ja, nga miqtë tanë që i bëjnë këtu në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Aleksandër Morfov/”Nëse këtu më dëgjon dikush: Mos e vrisni Festivalin e Butrintit”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Arben Xhaferri: Kush jemi ne, shqiptarët?
Në homazh/ Intervista e rrallë me Prof. Dr. Peter BARTL: “Kam ardh me anije deri në Durrës…kam dashur që me tren shqiptar të udhëtoj dhe të përjetoj bukuritë, por Shqipërinë nuk e gjeta si e kam paramenduar…”
Rezultati i sundimit sovjetik në Ukrainë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}