Është bërë e modës që ta krahasosh COVID-19 me luftën, por ky është paradoks, sepse pandemia është krejt e kundërta e luftës. Ivan Krastev studiues i shkencave politike e humane flet se si ka ndikuar pandemia ne Evrope
DW: Zoti Krastev, po mbushet gati një vit që kur COVID-19 filloi të ndryshonte botën. Cilat janë ndryshimet që solli në Europë, sipas mendimit tuaj?
Krastev: Ka pas ekzistuar më parë një mënyrë të jetuari, e cila pavarësisht nëse na pëlqente apo jo, është marrë si e mirëqënë. Kur papritur, ne kuptuam sa e brishtë ishte e gjitha. Për shembull, ne e merrnim për të mirëqënë që të ishim në gjendje të udhëtonim sa herë të donim. Kur papritur e gjithë kjo u zhduk brenda natës.
Është bërë e modës që ta krahasosh COVID-19 me luftën. Por një moment, kur isha duke udhëtuar me avion për në Sofie duke qëndruar tranzit në Vjenë, kuptova se ky ishte një paradoks, sepse pandemia është krejt e kundërta e luftës. Gjatë luftës, vendet ku mblidhen më shumë njerëz janë stacionet e trenave dhe aeroportet, sepse njerëzit janë gjithë kohës në lëvizje, në përpjekje që t’i shpëtojnë diçkaje. Kurse gjatë pandemisë, ato vende janë vendet me më pak njerëz në botë. Kështu që bota ngriu, kjo është një nga mënyrat si ndryshuan gjërat. Unë besoj se ideja se na është marrë normaliteti, do të vazhdojë të na mbetet.
DW: Nga njëra anë çdo gjë ka ngrirë, por nga ana tjetër kudo në botë njerëzit lidhen me njëri-tjetrin në mënyrë virtuale ose digjitale.
Krastev: Jam krejtësisht dakord. Evropiano-lindorët e brezit tim flasin shumë për lirinë dhe kuptimin që ka ajo. Nganjëherë, ajo është një ndjenjë krejt fizike. Për dikë nga brezi im, vetëm kalimi i kufirit ka qenë një nga liritë më fizike që mund të përjetojë njeriu. Kur papritur vjen dita që të duhet të mendoni sërish për të gjitha këto.
Në momentin kur njerëzit u mbyllën në shtëpitë e tyre, ne e kuptuam më qartë se kurrë më parë se jemi duke jetuar në një botë të përbashkët, sepse papritur jemi duke diskutuar kudo për të njëjtat çështje, në çdo lloj gjuhe. Dhe se dyti, kjo ndërlidhje u bë virtuale, që papritur do të thotë se unë kam qenë po aq afër me një shok që jeton matanë rrugës sa kam qenë afër me një që jeton në anën tjetër të botës, sepse parimisht kur nuk del dot nga shtëpia, të dy ata ndodhen njësoj larg. Për më tepër, ne papritur filluam të interesohemi për gjëra për të cilat normalisht nuk interesohemi. Kështu që mbyllja e njerëzve në apartamente bëri që për shumë prej tyre të hapej bota, sepse ata e kuptuan tani sa të ndërlidhur janë.
Në Evropë ekziston edhe një ndikim i tretë: Unë mora pjesë në një vëzhgim të gjerë bërë nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, para aprovimit të planit të shpëtimit. Në atë kohë njerëzit thanë se ishin të zhgënjyer nga reagimi fillestar i BE. Sidomos spanjollët dhe italianët ishin shumë të hidhëruar, megjithatë përfundimi kryesor që njerëzit nxorën nga kriza ishte se na duhet më shumë konsolidim europian. Një nga arsyet e këtij paradoksi, që njerëzit donin më shumë Europë tamam atëherë kur mendonin se Europa nuk kishte vepruar si duhet në fillim të krizës, ishte se europianët filluan papritur ta shihnin botën me sy tjetër.
DW: Gjashtë muaj më parë ju patët shkruar një libër për ndikimin që pandemia kishte në jetën në Europë… çfarë ka ndryshuar që nga ajo kohë?
Krastev: Kur vjen puna për të nxitur integrimin europian, kjo ishte një kthesë e madhe. Sidoqoftë, pati edhe një humbje të madhe, dhe unë e shoh këtë pjesë psikologjike të krizës shumë interesante. Ne patëm izolimin e parë. Pastaj erdhi vera dhe na u duk sikur më keqja kaloi. Por shkencëtarët na paralajmëruan se nuk ka kaluar.
Pastaj erdhi izolimi i dytë dhe u bë e qartë, të paktën për çfarë kam parë unë në Austri dhe Bullgari, se njerëzit nuk kishin të gatshëm të ndiqnin disa nga vendimet e marrë nga qeveria. Në thelb njerëzit ishin të lodhur dhe disa prej tyre mendonin se qeveria po e kalonte kufirin. Tani, të paktën kur vjen puna për vaksinat dhe vaksinimin, unë konstatoj se niveli i mosbesimit që shihet tek shoqëria ka filluar të bëhet vërtet vetë-shkatërrues.
DW: Ju pra shini mosbesim më të madh në gjithë Europën. A mendoni se kjo ka të bëjë me teoritë konspirative që janë duke qarkulluar?
Krastev: Po. Sigurisht. Ne jemi duke i dëgjuar shumë prej tyre. Dhe e dini çfarë? Aty ku jetoj unë, ju mund t’i shihni vërtet të gjitha llojet e teorive dhe të gjitha llojet e mosbesimit tek shkenca dhe qeveria. Kur filloi kriza, unë jo vetëm që shpresoja, por edhe e prisja që besimi tek ekspertët të rritej shumë sepse, pas të gjithave, kur vjen puna tek shëndeti i individit, kur vjen puan tek familjarët dhe shokët, njerëzit janë më të gatshëm t’i besojnë doktorit dhe ekspertëve se sa le të themi kur bëhet fjalë për çështje të politikës së jashtme. Në vende si Gjermania, pjesa më e madhe e njerëzve ndjekin këshillat. Por, në vende të tjera, jo vetëm në Evropën Lindore, por edhe në Francë, ju shihni se niveli i mosbesimit tek çdo lloj mendimi ekspertësh është aq i madh saqë njerëzit janë të gatshëm t’i besojnë teorive më të çmendura të konspiracionit.
DW: A e rrezikon kjo demokracinë në Europë?
Krastev: E rrezikon, sepse besimi është shumë i rëndësishëm në demokraci. Po të vish andej nga vij unë, nuk është gjë e mirë t’u besosh gjithë kohën qeverive. Mos të kesh besim tek qeveria është shumë e rëndësishme. Por mosbesimi tek qeveria duhet bazuar tek një lloj argumenti i caktuar dhe tek një lloj arsyetimi i caktuar, gjë që i jep njerëzve forcë. Ajo që më shqetëson më shumë mua tek niveli i mosbesimit që ka qenë në rritje gjatë kësaj krize është se njerëzit filluan të mos i besojnë qeverisë dhe u përpoqën të luajnë me frikën, duke mos qenë të gatshëm të propozojnë diçka tjetër. Për shembull, kundërshtimi i vaksinës. Ky është një mosbesim që paralizon çdo lloj aktiviteti kolektiv.
DW: Është interesante që nacionalistët dhe populistët nuk janë duke përfituar nga situate aktuale. Pak muaj më parë, shumë vetë mendonin se politikanë si puna e Trumpit dhe e Orbanit mund të dalin më të fortë nga kriza. Por në fakt ndodhi e kundërta. Pse?
Krastev: Kjo është e vërtetë. Unë do thosha se populizmi nuk bazohet tek frika, bazohet tek ankthi. Kjo është një lloj frike difuze dhe njerëzit reagojnë duke kërkuar të gjejnë dikë që t’i tregojnë ankthin. Por kur vijnë kriza si puna e pandemisë së virusit Corona atëherë ata kërkojnë për politikanë që mund të marrin përgjegjësinë për të zgjidhur problemet. Dhe këtu, populistët nuk ofrojnë asgjë. Sigurisht, shumë nga këta lidera që bëjnë burrat e fortë që pretendojnë se kanë çdo gjë nën kontroll, nuk i kanë qejf kriza si kjo tani, sepse kriza të tilla kanë nevojë për liderë që kanë kapacitete për të bashkëpunuar me shoqërinë.
DW: Atëherë, çfarë duhet të bëjnë demokracitë e Europës për të bindur njerëzit?
Krastev: Demokracitë liberale duhet të tregojnë se interesi kolektiv është me prioritet. Njerëzit kanë të drejtë të mos pajtohen. Por ata duhet të jenë të gatshëm të marrin përsipër pasojat që sjell kjo gjë. Për shembull, unë mendoj se është krejt normale që përshembull kompanitë e fluturimeve ajrore të marrin vendimin se duan të jenë të sigurta që njerëzit që hipin në bordin e avionit të tyre ta kanë bërë vaksinën, sepse kjo gjë mbron pasagjerët e tjerë.
DW: A përbën forca që ka demokracia rrezik në këto rrethana?
Krastev: Ekziston një rrezik real. Dhe ky rrezik ka të bëjë me atë që unë shpresoj të jetë faza e fundit e krizës, pra me organizimin e vaksinimit. Ne kemi të bëjmë këtu me një konflikt klasik, që është tipik për çdo demokraci liberale, midis të drejtave të individëve dhe interesit publik. Përshembull, unë, si individ, kam të drejtë të them që nuk dua ta bëj vaksinën. Ky është vendimi im personal, i cili ka arsye që mund të jenë shumë të ndryshme nga arsyet e të tjerëve. Ose unë marr vendim që kam të drejtë ta zgjedh vaksinën që dua të bëj. Në të njëjtën kohë, në mënyrë që shoqëria të kthehet në normalitet, duhet arritur numri kritik i njerëzve që kanë bërë vaksinën. Dhe kjo është diçka që unë mendoj se ka rëndësi të madhe sot. Si do e zgjidhim konfliktin midis të drejtave të individit dhe kthimit në normalitet, duke patur parasysh se çdo muaj krize shoqërohet me kosto shumë të larta ekonomike. Presioni për të bërë diçka për ekonominë do të rritet. Europa nuk mund t’ia lejojë vetes që të jetë e fundit që të rimëkëmbet nga kriza. Dhe diferencat socio-ekonomike do kenë rëndësi të madhe.
DW: Cilat janë sfidat e projektit europian në vitin 2021, dhe si do i kapërcejmë to?
Krastev: Unë mendoj se ka shumë rëndësi për Europën, si të tërë, që të dalë nga kriza në vitin 2021 dhe t’i kthehet një niveli të caktuar normaliteti. Kjo do të thotë rindërtim i ekonomisë, hapje e ufijve dhe kalim në një situatë post-pandemike. Unë mendoj se mënyra se si do e pozicionojë veten Bashkimi Europian në botë në vitin 2021 do të jetë kritike. Në këtë aspekt, marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës do të kenë rëndësi të madhe.
Pandemia shënon fillimin e vërtetë të shekullit të 21