Nga Violeta Murati
Arkitekti, piktori, shkrimtari dhe intelektuali i angazhuar si u pa nga media
Të gjithë mund të shkruajnë, tani, për ikjen e Maksit. Sidomos Maksin e pas ’90-ës. Sepse ky njeri, mund të ishte nga intelektualët e vetëm në Shqipëri që hynte e dilte nga ekranet, mes reaksionit dhe respektit. Në rrugë Maksi njihej lehtë: ecja epike, me flokët e thinjur nga kaçurelët e lodhur, e shprishur, por edhe si njeri që fliste nëpër televizione pa kompleksin politik. Maks Velo kishte vuajtur burgjeve të komunizmit. Maks Velo eksperimentonte me vizatimet e tij…Maksi shkruante libra, libra njerëzorë. Neve, si gazetarë, shpesh na tregonte histori nga më absurdet.
Mbaj mend se për H.L, ish i dënuar politik, që punoi vite të fundit pranë Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ndarë prej vitesh nga jeta, mu në atë oborr, Maksi tha se ishte njeriu me të cilin shkonin burrat e burgut, bënin seks, sepse sprova e durimit ishte e fortë, dhe kjo ishte një gjë e zakonshme atje, në birucë. Kjo ishte e tmerrshme.
Me gazetarët ishte marrëdhënia më e veçantë e Velos, teksa kultivonte dyshimin.
Ai takohej për çdo shqetësim, me çdo njërën prej nesh: për letërsinë, pikturën, arkitekturën, historitë e komunizmit.
Natyra e tij, pothuaj ekzibicioniste, ndalej befas për të “ulëritur” se ajo që dëgjonte, ajo që lexonte, që kishte parë pse shkonin kundra asaj që ai mendonte, si i lirë. Për këtë arsye, media shpesh përplasej tek Maksi, ne, në gazetë dhe televizionet nëpër studio, dhe protuestuesit në shesh. Të dish se ç’ka bërë Maksi tashmë mjafton google, dhe faqe online pafund të mediave që tani kanë arkivuar dëshmitë, mendimin e pavarur, dhe vërshimin rebel e kontravers të tij.
Pallati ku banon Kadare, është vepër arkitekturore e Maksit. Për atë model, modern për kohën, është thënë se Maksi u dënua me 10 vite burg. Ky është edhe versioni zyrtar. Por, nga ana tjetër, është një tjetër tregim për djalin modern të Tiranës së ’70-ës.
Vetë Maksi na ka rrëfyer se xhaketat e tij, jo normale për kohën, veshur në ngjyra, në ngjyra, po xhelozonte bllokun…si një i ri që po dilte nga binarët, e po tërhiqte vëmendjen e vajzve të pashme të kryeqytetit. Nga ana tjetër, në mister, na tregojnë se kjo natyrë e “çmendur” e dënoi Maksin, më shumë se arkitektin tek ai.
Megjithatë Velo është intelektuali i parë që ka deklaruar nëpër media për gjithë spiunët që e dergjën në burg, emra të njohur në pikturë, muzikë…të cilët i ka përmendur publikisht përmes intervistave, edhe pse shpesh e kanë qortuar se nuk duhet ndjekur kjo formë. Po Maksi s’mund të rrinte pa thënë dhimbjen, me hezitim, me mllef, me nënndërgjegje dyshuese se haka nuk ka shkuar tek i zoti. Shkruajti libër për këto dhimbje, për spiunllëqet, për falsitetin e dënimit, një libër dokumentues, “Maks Velo, jeta paralele” sjell 106 dokumenta nga dosja sekrete e artistit edhe pse ju paraqit, organizim redaktorial, në mënyrë më të keqe të mundshme, jo në modelin e duhur…
Megjithatë Maksi nuk prishej me njeri. Maksit duket se i ka interesuar të thotë, të flasë, të shpërthejë në të vërtetat e tij. Një nga këto, që mendoj është pengu më i keq, më poshtërues për të, që nuk mori kurrë faljen e merituar, ishte për skenarin e filmit “Bota”, me regji të Iris Elezit, e cila dha një produksion bazuar në librin “Klubi i Karavastasë”, por e injoroi Maksin në mënyrën me të keqe, duke mos e përmendur si autor mbështetës për lëndën e filmit. Duhet thënë në këtë ditë, se Maksi hapi gjyqin më të gjatë të jetës së tij, në postdiktaturë, me zgjatje e stërzgjatje, derisa fitoi, edhe pse iku pa marrë shpërblimin si artist për këtë produksion.
E gjithë media e mbështeti në këtë kauz të së drejtës së autorit, sepse vetë Maksi e ngriti zërin. Sepse ky libër u bë thembra e shkrimtarit, derisa gjeti mundësinë për ta ribotuar, si një nga tregimet më mbresëlënëse postkomunsite.
“Jam një njeri që e dua shumë letrën…pasi është si një perde, ekrani…” – qenë fjalët kur paraqitu librin e tretë me poezi, “Tapeti im i kuq”. Ka qenë ky libër, që i dha dimension dhe ndjeshmëri tjetër takimit tonë, pra të medias me Maksin duke kaluar mbi një fjollë të hollë mjegulle gjithë jetën; si lidhet kjo atmosferë ontologjike me imagjinatën, në përgjigje të letrës, qoftë si frymëzim poetik ashtu dhe në arsyen e tij më të fortë, si piktor. Ato poezi mbajnë dhe skicën metaforizuese, bardhë e zi, në të njëjtën linjë të “njeriut primitiv”, atij që sipas poetit krijon zanafillën edhe në këtë rast. Si një nga njerëzit e artit, të lidhur në mënyrë të çuditshme me kujtimet, si ndjekje e pashmangshme, dhe në këtë rast, Velo ka kujtuar episode nga diktatura, kur në Korçën e tij vendosej ekrani i pëlhurës, në ngjashmëri me “letrën e tij”, se si gjysma e njerëzisë në komunizëm recitonin Majakovksin. Në këtë kohë, Velo foli për poezinë e tij të parë, që ishte për Stalinin. Pas kësaj “përvoje” piktori na tha se nuk mendoi më për poezinë. Ndërsa nuk i shmangej asnjëherë ligjeratës mbi pikturën e tij, refleksionet mbi artin primitiv, të përfshira në studime.
Në fakt, si artist, Velo krijon në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar. Edhe ky vëllim poetik duket se mban më tepër “angazhim” të kësaj natyre. I dënuar në regjimin komunist për mospërshtatje të krijimtarisë me ideologjinë Velo ka vazhduar të ruajë “dorën” si krijues. “Jam origjinal, por jo poet profesionist”, na thoshte. Në këtë rast, nuk ka qëndruar pa sjellë “Spaçin e tij”, çfarë e ka tronditur në ditën e parë të burgut.“Ishte korrik, vapë…një ditë e tmerrshme. U tmerrova” – ka kujtuar për Spaçin. Episodet e vuajtjes herë pas herë krijonin kujtesë të çuditshme tek ky piktor, kur një rast pat treguar se kur hyri në burg, e ka pritur tek dera kolegu i tij, piktori i njohur Edison Gjergo, kur në një moment ka dëgjuar një zhurmë të rëndë. “Sapo u hodh një njeri, nga kati i III, do vriste veten. U tremba”. Ka një simbiozë rrëfimi në këtë ngjarje për Velon; e para, lidhet me një nga “arsyet” e vetvrasjes, dhe e dyta, për njeriun engimatik që donte të vetëvritej, kur pas 50 vitesh nga ai moment tragjik mësuar arsyen… Dhe, nuk janë raste të pakta që gati “injorohen” mjaft raste të burgimit politik në diktaturë, si kjo që na ka treguar Velo, me arsyen se ishte një histori dashurie, braktisje e detyruar nga regjimi, i të dashurve.
Një rast grotesk. Por prej kësaj ngjarjeje, thotë: “Jemi shteti më grotekst se ne, në të gjithë kohërat, ne jemi gjysëm palaço, dhe kur ngjarjet, dhe njerëzit nuk lidhen me llogjikën kalon tek e qeshura”. Kështu vëllimi “Tapeti im i kuq” shkel edhe në gurë varresh si tërheqje dhe kërkim te njeriu i kaluar, jetët e të tjerëve, si presohen. “Është interesante të shoh si ka qenë njeriu primitiv, duke menduar edhe poetikisht si afrohen me tingujt”.Me këtë rast tërheqjeje Velo thotë se arriti të shpëtojë edhe nga socrealizmi, duke kërkuar në imazhe të hershme, sidomos tek poezia popullore. Velo pat thënë se është një kohë kjo e tanishme për të rivlerësuar bizantin, me mendimin e tij se aty gjenden vlerat, si rastin jo më të mirë, por më të saktë për vlerat që la, referuar ikonave apo afreskeve. Këto imazhe që ka mbartur, e kanë ndjekur dhe siç ka treguar kanë hyrë tek ai dhunshëm, me detyrim. Në fund e shpreh duke thënë se mund të kishte bërë më shumë në pikturë, por “ky vend më ka penguar”, pse në kujtesë ruante hidhërimin se si janë djegur në diktaturë mbi 200 punë. “Intelektualët dhe artistët tanë, janë injorantë dhe të këqinj”, kështu tha Velo, duke na përgatitur për Dosjen e tij, me “gjëra të tmerrshme”…!
Maksi ishte kontravers. Vuante për Shqipërinë që vuante, si një vend pa trashëgimi, si një vend vetëshkatërrues. Maksi “shante”, thoshte disa të vërteta acaruese për fanatikët e nacionalizmit, kur gjithmonë i duhej të persjaste se kemi trashëgimi orientale, se nuk kemi pasur shkolla, muzeume, orkestra, galeri arti, biblioteka, salla koncertesh…asgjë, asgjë – thoshte Maksi, veç hoxhës majë minares, kur Firencen, Romën e kishim aty…Në fakt kjo ishte ideja që e vuri në shenjestër Maksin për antimyslimanizmin. Ai urrente orientalizmin shqiptar, që vinte nga turqit…Po, po urrente hapur, me zë të lartë, dhe pse e kishin goditur për këtë. Urrente siç urrente komunizmin. Këtë përplasje e pati thuajse edhe me veriun shqiptar. Nënqeshte Maksi sa herë binte fjala pse gjthë kjo urrejtje…për pak minuta, shpërthente me një lumë argumentash, pothuaj me tone grosteske, ngulitur kushedi nga ç’skuta të mendjes!
Nëse ishte në qetësinë, pothuaj hyjnore, mjaftonte një kërcitje shkrepseje, për një çështje në interes publik, që Maksi të shpërthente befas. Dëgjo, dëgjo…vazhdonte gjithnjë bisedën, pa të lënë gjatë në kundërshti. Maksi kështu shikonte Teatrin. Nuk mungoi në asnjë edicion të festivalit të teatrit që organizohej në Butrint, duke e mbështetur jo vetëm me prezencën e tij, por edhe si polemist, në çështje e vështrime rrallë të diskutuara, së paku në hollet tona teatrore.
Me të njëjtën pasion, kalonte në dy as-et që mbante nën mëngë, arkitektura dhe piktura. Sidomos për të parën, pra trashëgiminë ishte gati të merrte flakë, të digjte një qeveri, të digjte ja ashtu dalëngadalë dhe mikun e tij, piktorin pushtetar sot, Edi Ramën – dikur adhurues, e vonë, armik. Po, Rama e vuri kundër, në ekstrem, sidomos me çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Maks Velo rezistoi çdo mbrëmje bashkë me Aleancën, një grupim i përbërë nga aktivistë, aktorë, shkrimtarë, gazetarë e intelektualë, duke ngulur këmbë në vlerën arkitekturore që kishte godina. Maksi foli në mënyrë konsistente, si arkitekt, pa lëshuar pe, pa lëshuar rrënjë dhe pse pushteti të tundon, të hedh në greminë, siç hodhi shumë aktorë përballë politikës. Maksi foli çdo mbrëmje, nguli këmbë që Teatri të mos shembej. A u lëkund Rama nga fjala e arkitektit? Jo, e mori vendimin, tha se do shembej, miratoi ligjin për gjithë natë. Bashkë me Veliajn. Ndoshta për këtë nuk duhej të vdiste Maksi që të shihte se fjala e tij ishte zemër, sa ishte gur, sa ishte fakt, sa ishte vlerë në atë grupim të brishtë, të ndjellë një njëqind forma për ta shprishur, me afera biznesesh. Maksi besojmë se ka “gëzuar” nën dhimbje, lajmin se Europa Nostra i dha të drejtë Atij, Teatrit, se është vlerë, se ka arkitekturë të rrallë, unike.
Këtu mbylli jetën, jetën e tij emblematike – si Teatër, për ne, Maksi i pas ’90-ës.