Ergys Mertiri

Në romanin “Vëllezërit Karamazov” Dostojevski e paraqet komunizmin si një fe, metaforizuar me kullën Babelit, jo për tu ngjitur nga toka në qiej, por për ti zbritur qiejt në tokë. Në fakt, marksizmi është një ideologji mesianike e ngjashme me atë të feve të mëdha, e cila ofron një përfytyrim biblik mbi Mbretërinë e Perëndisë. Në thelb kjo ideologji është një ofertë alternative ndaj feve tradicionale, e cila predikon shpëtimin tokësor, ku, ashtu si në eskatologjinë e krishterë, parashikohet një ditë ku do të mbretërojë paqja e ku ujku do të jetojë me qengjin krah për krah.

Marksizmi ngrihet mbi idenë se natyra njerëzore është korruptuar prej pronës private dhe pronësisë mbi mjetet e prodhimit. Ai merr përsipër ta rregullojë këtë shtrembërim historik, duke predikuar një rend të ri, ku puna dhe prodhimi nuk mbështeten më mbi privaten. Kjo do të shpjerë, sipas tij, në korrigjimin e natyrës njerëzore, e cila do të çvishet nga veset që ka kultivuar për shkak të pronësisë. Njeriu i ri i dalë nga një transformim i tillë do të ishte një qenie krejt tjetër, me tipare mbinjerëzore, krejt të ndryshme nga këto që ka sot.

Kur rendi komunist të jetë vendosur plotësisht, atë ditë ndërgjegjia e njeriut do ketë arritur në atë nivel sa të bëjë të panevojshme ekzistencën e shtetit. Njeriu do të dalë në mëngjes nga shtëpia për të punuar “aty ku ka nevojë shoqëria” dhe do të kthehet në mbrëmje duke marrë nga pasuria publike vetëm aq sa ka nevojë për të jetuar. Vetë nevojat do të jenë reduktuar pasi shumicën prej tyre e kemi brendësuar si pasojë e veseve që na ka kultivuar kapitalizmi. Rendi i ri do ta ketë çveshur njeriun nga ligësitë, egoizmi, lakmia dhe çdo gjë që e bën njeriun të mendojë thjesht për vete, qoftë kjo edhe familja dhe fëmijët.

Një përfytyrim i tillë “vegjetarian” dhe thellësisht pacifist, i qenies njerëzore në “fundin e historisë” duket shumë kontradiktor krahasuar historisë së gjakut që kjo ideologji ka shaqur në realitet. Zjarri i revolucionit dhe krimi shtetëror, i instaluar në regjimet totalitare në emër të fitoreve provizore drejt këtij qëllimi final, flasin për të kundërtën e asaj çfarë predikohet. Rruga për në parajsën e premtuar kalon përmes skëterrës dhe, përtej optimizmit të verbër revolucionar, duket se fundi i saj është një postobllok mbi urën e Siratit që qendron pezull mbi ferr.

Njeriu i ri, produkt i utopisë komuniste, krijoji vërtetë një fytyrë tjetër, sigurisht jonjerëzore. Vetëm se ajo nuk ishte aspak engjëllore siç predikohej, por i ngjante më shumë një përbindëshi të programuar për ti shërbyer makinerisë vrasëse të regjimeve. Socializmi kultivoi veset më të këqija të njeriut në shoqëritë ku u përhap. Ai vendosi në rangje të larta të hierarkisë së shtetërore njerëzit më të paskrupullt dhe më të aftë për të dhunuar, nënshtruar, spiunuar e terrorizuar të tjerët.

Në vend të diktaturës së proletariatit, për të shpëtuar shoqërinë nga shtypja dhe shfrytëzimi, socializmi krijoji atë që autorë të ndryshëm e kanë quajtur “diktaturë e sekretariatit”, burokracinë e terrorit shtetëror, e cila u bë sistemi më antihuman i organizuar që ka njohur historia. Natyra njerëzore, jo vetëm që nuk u çlirua nga veset, por u përkeqësua, madje u pervertua si kurrë ndonjëherë. Regjimet totalitare iu dhanë fuqi individëve dhe forcave më të korruptuara, duke i pajisur ato me apologjinë ndaj krimit dhe legjitimimin e dhunës, gjë që korruptoi tërë shoqërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën
Mrekullimi nga leximi dhe shkrimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}