Musineja në Arkivë!

Nga Redaksia 16 Gusht, 2023  Në thelb



VIOLETA MURATI

Gjithë jeta letrare e Musine Kokalarit është e hapur. Kur para pak kohësh, drejtoresha e arkivit shtetëror, Nevila Nika, konfirmonte numrin total të dokumentacionit që zotëronte nga kjo autore, duke arritur në shifrën e 88 dosjeve, tha njëkohësisht se familjarët e Musinesë janë krejtësisht të hapur për ta hedhur në treg lëndën e trashëguar nga shkrimtarja. Duke lejuar të drejtën e autorit dhe me nismën e shoqatës “Musine Kokalari”, Ministria e kulturës ka mbështetur botimin e plotë të veprave të Musine Kokalarit. Sot, njihet liria e botimit dhe dalja në treg e veprës së plotë të Musinesë, që do të promovohet në mjediset e MTKRS-së, një punë e kuruar nga studiuesi Novruz Shehu.

Ndonëse vepra e Musine Kokalarit ishte e rekomanduar nga Ministria e Arsimit në listën e titujve për procesin mësimor, deri tani ajo ka qenë e paplotë sa i takon botimit.

Një pjesë e veprimtarisë letrare të Musinesë nisi të dalë në dritë në vitet 2000, ku më shumë paraqitet portreti i saj politik, si themeluese e Partisë Socialdemokratike, si dhe jeta në diktaturë, burgimi. “Si lindi Partia demokratike”, botime të Naim Frashërit, sillnin në mënyrë të pjesshme shkrime, artikuj, ese dhe kujtime nga jeta e Musine Kokalarit. Në vitin 2004 botimin e parë letrar e shohim në Kosovë, nga “Faik Konica”, duke qenë një vullnet më shumë familjar për veprën e Musinesë sesa nismë politike e Ministrisë sonë të kulturës.

Disa herë ka pasur përpjekje dhe premtime njëkohësisht, se do të bëhej gati projekti për botimin e gjashtë veprave të Musinesë, ku do përfshinin disa gjini letrare dhe politike. Edhe një botim i para dy viteve, ndonëse u promovua po në mjediset e ministrisë, kujdesur po nga Novruz Shehu, nuk ishte i plotë, madje me rezerva për cilësinë e botimit dhe mbledhjen e të dhënave, të cilat nuk përmbushnin si duhet kërkesat estetike siç do ta meritonte Musineja. Ndonëse edhe në këtë botim njihemi pjesërisht me letërkëmbimet e shkrimtares me figura dhe personalitete të kohës, ku hidhet një dritë mbi arsyet e burgosjes së Musines që lidheshin direkt me aludimet mbi dashurinë që kishte diktatori Enver Hoxha për kushërirën e tij, një rast incesti përballë të cilit shkrimtarja dhe politikania pranoi burgun, deri në vdekje. Kjo ndoshta është pjesa e panjohur dhe e pa thënë drejtpërdrejt, ajo “rozë” e historisë së marrëdhënieve mes diktatorit dhe arsyes pse Musineja la jetën në burg, pa pranuar “fajin”.

Dhe kjo anë e jetës private e Musinesë vjen shumë e copëtuar, nga autori Shehu. Aq sa vepra letrare dhe ajo politike për një personalitet si Musineja, më shumë mund të quhet aksion për publikim dhe kjo falë familjes sesa ndonjë vullnet politik për ta pasur strategji rehabilitimin e njerëzve të letrave, vepra e të cilëve u ndalua dhe nuk kanë parë dritën e botimit deri tani, në vepra të plotë. Siç po na vjen rasti i Musinesë.

Në vitin 2006, nga Ministria e Kulturës është deklaruar një çmim për shkrimtaren më të mirë grua, po ashtu sikurse dhe shpallja e çmimit me emrin e “Teodor Kekos”, dhe ky rast mbeten çmime të padhëna dhe konkurse të pabëra.

Të gjitha nderet politike Musinesë i janë bërë përpara se t’i botohet vepra, si “Nderi i kombit”, po ashtu dhe me medaljen nga Presidenti i Republikës “Martir i Demokracisë”. Musineja u lind në Adana të Turqisë në vitin 1917 (sipas pasaportës së saj dhe disa dëftesave shkollore), ndërsa sipas një shënimi biografik të vetë Musinesë ditëlindja e saj ka qenë 25 tetor 1918, në një familje gjirokastrite intelektuale e me tradita patriotike. Ishte vajzë e vetme midis 4 vëllezërve. Babai i saj, Reshati, ishte jurist, në vitin 1920, pas Kongresit kombëtar të Lushnjes, si shumë atdhetarë të tjerë kthehet në atdhe. Dy vëllezërit e saj më të mëdhenj, Vesimi e Mumtazi ishin profesorë në Liceun francez të Gjirokastrës, por u pushuan nga puna sapo erdhi në fuqi A. Zogu. Mumtazi ishte edhe kryetar i shoqërisë “Bashkimi” dhe organizator i sporteve veçanërisht i futbollit. “Jetonim e punonim në mënyrë të thjeshtë e të kulturuar në mes të librave. Ishim familje demokrate, por jo revolucionare… Zhvillimin e pikëpamjeve demokratike mbeti trashëgim në gjirin e familjes në rrugën tradicionale të kulturës përparimtare dhe qëndrimeve demokratike në marrëdhëniet shoqërore…” – shkruan vetë Musineja. Shkollën fillore e kreu në Gjirokastër, ndërsa të mesmen në Tiranë. Studimet e larta i bëri për gjuhë – letërsi në universitetin “La Sapienza”, në Romë në vitin 1941. Tema e diplomës së saj ishte mbi Naim Frashërin.

Emërohet më 22 shtator 1942 profesoreshë me orë speciale për lëndën e gjuhësisë pranë institutit femëror “Nana e Skënderbeut” në Tiranë. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, ajo qëndron në Tiranë, ku përveç punës së saj si profesoreshë e gjuhës, merret edhe me krijimtari letrare, të cilat edhe i boton, studime në fushën e gjuhës e folklorit, si edhe me shqipërime të veprave të autorëve të huaj. Ajo kontribuon edhe në mbarëvajtjen e librarisë “Venus” dhe në shtypshkronjën “Mesagjeritë Shqiptare”, pronë e vëllezërve të saj, të cilat ishin vatra të përhapjes së kulturës dhe atdhedashurisë.

Një tragjedi trondit familjen Kokalari, forcat partizane komuniste më 12 nëntor 1944 në prag të largimit të forcave gjermane nga Tirana, pushkatojnë pa gjyq dhe pa asnjë arsye mjaft njerëz të pafajshëm e midis tyre edhe dy vëllezër të Musinesë. Ishte vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të vuajtjeve që prisnin jo vetëm këtë familje të nderuar, por të gjithë Shqipërinë. Por megjithatë ajo nuk heq dorë nga idealet e saj. Vazhdon të jetë e angazhuar në jetën politike të vendit. Së bashku edhe me intelektualë të tjerë nacionalistë ajo duke parandjerë rrezikun që po i kanosej vendit nga vendosja e regjimit komunist harton dhe nënshkruan një promemorie për misionet aleate në Shqipëri, në lidhje me zgjedhjet e para parlamentare. Shpresat e Musinesë dhe të të gjithë patriotëve, që mendonin se Shqipëria do të ishte një republikë demokratike parlamentare e tipit perëndimor u shuan shumë shpejt në mënyrë tragjike. Shqipëria u la nga aleatët perëndimor nën sferën e ndikimit sovjetik dhe të gjithë ata që punuan ose ndoshta thjesht e menduan e dëshiruan të kundërtën përfunduan para togave të ekzekutimit, burgjeve, kampeve, internimit dhe shtypjes dhjetëravjeçare. Musineja u burgos, u dënua e më pas vuajti internimin në Rrëshen deri sa ndërroi jetë.

Në Arkivin Qendror të Shtetit, sot, ka një fond arkivor me emrin “Musine Kokalari”. Në këtë fond janë vendosur dorëshkrime autografe të saj, letërkëmbim me persona të ndryshëm dhe familjarë, dokumente mbi veprimtarinë e librarisë “Venus” dhe shtypshkronjës “Mesagjeritë Shqiptare”. Fondi ka gjithsej 88 njësi ruajtje ose thënë ndryshe dosje, 6806 fletë. Kufijtë kohorë të dokumenteve janë 1921 deri 1983. Dokumentet janë dorëshkrime, shtypshkrime e daktilografime dhe janë të shkruara në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht, italisht, gjermanisht.

Pjesë e këtij botimit të plotë që prezantohet sot për herë të parë janë një grup poezish dhe vargjesh të lira, shkruar në ‘37-‘38 dhe botuar në shtypin e kohës. Vazhdohet më tej me tri vëllime që i përkasin letërsisë etnografike, vitet ‘38-‘44, përmes së cilave Musineja shpërfaq edhe një tablo të traditave e riteve përmes një forme që arrin lehtësisht te lexuesi. Një sasi e madhe hulumtimesh, në fushën gjuhësore për dialektin e Gjirokastrës prezantohen për herë të parë, ndërkohë ka ende materiale folklorike të mbledhura prej saj, të cilat para se të vdiste ia ka dorëzuar të nipit. Ndërkohë që përvoja e saj studentore vjen në formë ditari, të cilin e ka shkruar gjatë vitit të katërt të studimeve. “Jeta ime universitare” (1940-1942), është një përvojë e rrëfyer nga vetë Musineja, në të cilën gjen detaje të imtësishme, përjetime edhe dashurinë e dështuar me një djalosh italian. Musineja ka pasur korrespondencë me një sërë personalitetesh të shquara të asaj kohe si Aleksandër Xhuvanin, Sotir Kolenë, Lasgush Poradecin, Mit’hat Frashërin dhe Angelo Leotin.

22/10/2009

standart

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën
Mrekullimi nga leximi dhe shkrimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}