nga Dorian Hatibi

Gjatë punimeve për rindërtimin e Shkollës së Mesme “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Durrës, rastësisht dolën në dritë gjurmët e një mozaiku që u cilësua si “i jashtëzakonshën”. Ai mund të ndryshojë përcaktimin urbanistik në antikitet për hapësirën përtej amfiteatrit romak, në zonën e njohur si “Kodra e Gjergjit”.

“Kodra e Gjergjit”

Vendi ku është gjetur mozaiku njihet nga banorët e qytetit me toponimin “Gjergji”. Për një rastësi të çuditshme, nga ato që vetëm historia di t’i dhurojë, zona në fakt është shumë e lidhur me emrin “Gjergj”.

Që në mesjetë, më saktësisht në vitin 1266 aty duhet të ketë pasur një kishë dedikuar shenjtorit me të njejtin emër, e cila në një letër të Papa Klementit IV, del si “Sancti Georgii Dyrracchii”. 

Më pas, në fillim të shekullit XX mbi këtë kodër u ngrit një kishëz e re, dedikuar përsëri Shën Gjergjit dhe më tutje në vitin 1967 përfundoi ndërtimi i një shkolle të mesme, e cila mbante emrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. 

Këto struktura në njëfarë mënyrë përcaktuan edhe toponiminë, pra emrin e kodrës, e cila për arkeologët njihej si “Kodra me kuotë 59”, për shkak lartësisë që ka nga deti, pikërisht 59 metra. 

Mbi këtë kodër është ruajtur një pjesë e murit fortifikues që perandori Anastas ndërtoi aty nga fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI, pjesë të të cilit ne arrijmë t’i dallojmë ende sot. 

Një horizont i ri

Gjithësesi në jug të fortifikimit, aty ku po ndërtohet ndërtesa e re e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, së fundmi u zbuluan rastësisht gjatë punimeve gjurmët e një mozaiku që mendohet se i përket periudhës së antikitetit.

Më herët zona ka qenë cilësuar si “zonë arkeologjike me dendësi të ulët”. Në të shkuarën aty janë gjetur disa objekte arkeologjike të periudhave të ndryshme, si rrënojat e një furre të shekullit III Para Erës Sonë, rrënojat e një shtëpie që daton në shekujt V-VI të Erës Sonë dhe më në perëndim, një muri tarracimi (i shek. IV Para Erës Sonë) dhe kolona graniti (shek. V-VI të Erës Sonë). 

Përveç këtyre, është gjetur shumë pak material tjetër, duke i bërë arkeologët të mendojnë se zona ka qenë shumë pak e banuar gjatë epokave të ndryshme historike. Ajo është menduar gjithmonë si një zonë e përshtatshme për veprimtari artizanale, varrezë, ndonjë vendbanim i izoluar ose sidoqoftë si një zonë e parëndësishme në urbanistikën e përgjithshme të Dyrrachiumit. 

Por zbulimi i ri arkeologjik që dëshmon për ekzistencën e një mozaiku aq cilësor, kompleks dhe të madh, hap një horizont të ri në lidhje me të gjithë zonën. 

Mozaiku

Nëse siç sugjerojnë vëzhgimet e para, mozaiku i zbuluar më 13 tetor 2023 i përket një vile të periudhës romake, ndërtuar në fundin e shekullin I apo fillimin e shekullit II të Erës Sonë, atëherë na duhet ta rimendojmë funksionin e zonës në një perspektivë te re, akoma më të rëndësishme. 

Mozaiku që dyshohet të ketë një sipërfaqe “rreth 30 metra katrorë” sipas njoftimit zyrtar të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, na bën të mendojmë për praninë e një vile romake në pronësinë e ndonjë patrici të rëndësishëm të kohës. Kushdo që ka ndërtuar aty, me atë cilësi, madhësi dhe perspektivë, duhet t’i ketë përkatur një klase të lartë fisnikësh. 

Një pjesë e mozaikut të zbuluar. Foto: Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore

Pozicioni sundues mbi Gjirin e Durrësit dhe pranë portit, nga ku mund të kontrolloheshin më mirë anijet dhe ngarkesat e tyre, e bënin zonën tërheqëse për elitën tregtare.

Simbolika

Motivet simbolike me të cilat është kompozuar mozaiku mund të na japin disa të dhëna të tërthorta, por të rëndësishme në lidhje me vilën në fjalë. Bëhet fjalë për simbole floreale dhe për një thurje hekzagonësh, pa figura të tjera mitologjike apo antropomorfike. 

Duke qenë natyraliste dhe abstrakte, këto lloj mozaikësh nuk i përkisnin klasave të ulta të aristokracisë, pasi bëhej fjalë për koncepte filozofike dhe teologjike shumë komplekse, të cilat i përkisnin pothuajse gjithmon grupeve elitare. 

Hekzagoni për shembull ishte një simbol që përfaqësonte bashkimin e tokësores (materiales) me qielloren (shpirtëroren) në një figurë të vetme. 

Ai ishte simbol i të gjithë universit dhe ndërthurja në një mozaik të vetëm nënkuptonte harmoninë e kozmosit. Tipike kjo për shembull e filozofisë stoike, shumë e përhapur në Perandorinë Romake gjatë shekullit I-III.

Pikëpyetjet e zbulimit arkeologjik

Është ende shumë herët për të dhënë përfundime në lidhje me mozikun e gjetur së fundmi. Do të duhen ende shumë vite punë për ta vendosur në kontekst, studiuar, datuar dhe interpretuar. 

Kështu që çdo përfundim sot për sot duket i nxituar dhe i guximshëm. Edhe vetë ekzistenca e një vile nuk është e sigurtë përtej çdo dyshimi. Deri më tani interpretimet zyrtare nga autoritetet përgjegjëse janë për 2 versione, herë për një rezidencë dhe herë për një vilë.

Këto janë dy koncepte shumë të ndryshme në botën antike, pasi vetëm vila kishte disa tipologji të cilat duhen specifikuar (psh. “villa rustica”, “villa urbana”, etj). 

Rrethimi me shirit të kuq tregon gjurmën e zbulimit arkeologjik. Foto: Media Amfora

Gjithashtu edhe datimi i mozaikut duhet “kalibruar”, pasi mungesa e figurave antropomorfike apo mitologjike mund ta shtyjnë datimin edhe më vonë se sa ai fillestar. Ashtu siç duhet sqaruar edhe konteksti më i gjerë i ngrehinës në këtë hapësirë.

Sidoqoftë është e qartë se jemi përpara një zbulimi shumë të rëndësishëm, i cili hap horizonte të reja për historiografinë, arkeologjinë dhe urbanistikën e Dyrrachiumit.

Rindërtimi i gjimnazit po realizohet në kuadër të programit “EU4Schools” (“Bashkimi Evropian për Shkollat”), finacuar nga BE-ja dhe që po zbatohet nga UNDP dhe ky është rasti i dytë pas zbulimit të strukturave arkeologjike gjatë rindërtimit të Shkollës 9-vjeçare “Eftali Koçi”. 

Lajmi eshte terhequr nga amfora.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit
Nga skena e teatrit më thonë të thyej qafën
Mrekullimi nga leximi dhe shkrimi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}