Kthimet e fondeve të investimit kanë pësuar rënie drastike në vitin e fundit, rënie që duket se po nxitet më tej edhe nga konjuktura e shkaktuar prej krizës së Covid-19 në tregun financiar. Fondet e investimit në lekë raportuan për majin kthime nga investimi në nivele tejet të ulëta, të krahasueshme tashmë me interesat e depozitave bankare.
Në muajin maj, fondi më i madh në vend, Raiffeisen Prestigj, ofronte një kthim vjetor neto nga investimi në masën 0.24%. Fondi i dytë më i vjetër në treg, Credins Premium, raportoi një kthim vjetor nga investimi në niivelin 0.49%.
Fondi tjetër në lekë i Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, ruan një kthim nga investimi pak më të lartë, në nivelin 1.26%. Por, Raiffeisen Vizion ka një profil rreziku lehtësisht më të lartë se dy fondet e tjerë dhe aplikon penalitet në masën 2%, në rast se investitori vendos të tërhiqet dhe të shesë kuotat pa u mbushur dy vjet nga anëtarësimi.
Ndërkohë, për fondin e investimit në euro, Raiffeisen Invest, kthimet kanë rënë tashmë në vlera të ndjeshme negative, me -4.27% në fund të majit. Kjo do të thotë se, nëse një investitor do të tërhiqej nga fondi në muajin maj, ai do të humbiste 4.27% të vlerës së investuar në fond. Megjithëse negativ, kthimi i Raiffeisen Invest Euro është përmirësuar lehtë në raport me prillin, kur rënia ishte edhe më e thellë.
Për krahasim, në muajin prill interesi mesatar i depozitave 12 mujorë në lekë ishte 0.44%.
Kthimi vjetor nga fondet e investimit, maj 2020.
Raiifeisen Prestigj | 0.24% |
Credins Premium | 0.49% |
Raiffeisen Vizion | 1.26% |
Raiffeisen Invest Euro | -4.27% |
Interesi i depozitave 12 mujore (prill) | 0.44% |
Tendenca e interesave në muajt e fundit ka bërë që fondet e investimit ta humbasin ndjeshëm atraktivitetin e tyre, në kuptimin e kthimeve që iu ofronin investitorëve. Nëse deri para një viti kthimet e tyre ishin disa herë më të larta se normat e interesit të depozitave, tashmë këto kthime kanë rënë në nivele të ngjashme, me përjashtim të faktit që në përgjithësi kuotat e fondeve janë instrumente më likuide dhe investitori mund të tërhiqet në çdo kohë që dëshiron, pa humbur interesat e akumuluara.
Fondet e investimit i investojnë paratë e mbledhura kryesisht në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare. Rrjedhimisht, vlera e portofolit të investimit dhe norma e kthimit pësojnë luhatje, sa herë ka ndryshime në tendencën e yield-eve të këtyre instrumenteve. Lidhja mes yield-eve të titujve qeveritarë dhe kthimit nga fondet e investimit është në përpjestim të zhdrejtë.
Kur normat e interesit në treg rriten, vlera e titujve te portofolit ulet dhe për rrjedhojë ulet dhe norma e kthimit. Kur normat e interesit ulen, përkundrazi, kthimet nga portofoli i fondeve rriten.