nga Suadela Balliu

O kapiten! Kapiteni im! …

Me vargjet e poetit të madh amerikan e përcolli e bija për në banesën e fundit aktorin, Xhevdet Feri.

Siç  Walt Whitman kishte bërë dikur kur e shkroi poezinë, një prej më të shquarave e më të dashura, për presidentin Abraham Lincoln apo siç e përshëndetën studentët e profesorit të letërsisë në filmin “Dead Poets Society” lamtumira për Xhodën, u bë dhimbje e të gjithë atyre që e njohën nga ekrani i kinemasë apo për së afërmi.

Ishte 16 janar dhe pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ende nuk kishte trokitur në vendin tonë, por aktori i cili nuk mundi t’i mbijetonte një insuficence pulmonare kishte lënë si dëshirë të fundit të mos kryheshin ceremoni publike.

Siç do të thoshte e bija, Bora, ai njihej për diskrecion në jetën e tij dhe vullneti qe, që edhe në përcjelljen drejt së përtejmes t’i respektohej. Ndonëse u largua nga kjo jetë në moshë të re 59 -vjeç, Feri e vendosi emrin e tij mes ikonave të kinematografisë shqiptare dhe qe aktiv deri në fund të jetës.

Më 2018 interpretoi në filmin “Delegacioni” të regjisorit Bujar Alimani, krah aktorëve Viktor Zhusti e Ndriçim Xhepa, me skenar të shkruar nga regjisori i ndjerë, i ndarë po ashtu para kohe nga jeta pak vite më parë, Artan Minarolli.Xhevdet Feri ishte ylli i kinemasë së viteve ’80, me rreth 30 role në kinema e teatër. 

Nëse bota në atë dekadë kishte simbole mashkullore si Harrison Ford apo Bill Murray e Tom Cruise, Shqipëria kishte Trimin, tek “Përrallë nga e kaluara”.  Të tjerë role që skaliti në kinema e për pasojë, në memorien kolektive, është ai i Agronit në “Hije që mbeten pas” apo  Gorit, tek “Dhe vjen një ditë” dhe pas viteve ’90 si Sakoja, në filmin “Dasma e Sakos”. Në këtë periudhë interpreton në filma si  “Loin des barbares”, “Gjoleka, djali i Abazit”, sërish me regjisorin ku ritakohet me regjisorin Dhimitër Anagnosti, pasi filmit “Përrallë nga e kaluara” dhe më herët në filmin “Vëllezër e Shokë”.

Interpreton në “Koha e Kometës”, më 2008 dhe një vit më vonë në filmin “Gjallë, me regji të  Artan Minarollit dhe po atë vit bashkëpunon me regjisorin Gjergj Xhuvani, i ndarë nga jeta më 2019-n, në filmin “Në kërkim të kujt”.  Gjatë karrierës Feri ka mbajtur detyra si drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, nga  ’95-’99, periudhë ku do të angazhohej edhe politikisht si deputet në Kuvend.  Zgjidhet më pas drejtor i  Teatrit Kombëtar deri më 2001-shin. Më 2004-n themelon Shoqatën e Kineastëve Shqiptarë dhe zgjidhet kryetar i parë i saj.  Më 2006-n rikthehet në postin e kreut  të QKK-së.

Gëzim Kruja

…Pothuajse dy muaj më vonë, me t’u shpallur gjendja e epidemisë në vend, do të mbyllte dyert çdo institucion i artit dhe kulturës, duke i anuluar të gjitha veprimtaritë fizike e në vend të tyre do të vinin alternativat virtuale me shfaqje teatrore livestream, në platforma si Facebook apo të ashtuquajturat “opera me pizhama”.

Ndërsa vendi ishte në gjendje izolimi total, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, aktori i humorit shqiptar Gëzim Kruja do të përcillej drejt banesës së fundit përmes duartrokitjeve të shkodranëve të pikëlluar, si shenjë mirënjohje për të qeshurat që ai u dhuroi për dekada.  Kruja qe aktiv deri në fund të jetës, duke u ngjitur në skenë më 2018-, ndërsa 80 vjetorin e lindjes e kaloi mes miqve të teatrit.

Do të ishte ditëlindja e fundit e mjeshtrit të humorit, që e nisi karrierën në vitin 1958 me Estradën e Ushtarit e më pas u kaloi në Estradën Profesioniste të Shkodrës. Mbi njëmijë role skeçesh në 52 vite karrierë numëronte Kruja, ndërsa shkroi edhe 15 komedi e dy libra me monologë gazmorë. Në vitin 2004 mori titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa një vit më pas “Naim Frashëri i Artë” dhe më 2010 “Mjeshtër i Madh”.

Rikard Ljarja

Një tjetër shkodran do të ndahej në ato ditë të hidhura prilli… Rikard Ljarja u përcoll  për në banesën e fundit më 21 prill dhe,  me gjithë rregullat e rrepta të distancimit social, miqtë e tij artistë nuk e braktisën.

E përcollën me duartrokitje drejt Shkodrës, ku aktori kishte dashur të prehej. Si aktor, regjisor e skenarist, Ljarja  përshkoi gati pesë dekada, nga roli i parë te “Komisari i Dritës”, në 1966, një vit pasi u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit. 

Paskëtaj erdhën filma të tjerë të njohur si “Duel i heshtur”, “Ngadhënjim mbi Vdekjen”, “Yjet e netëve të gjata”, “Në pyjet me dëborë ka jetë” apo “Rrugë të Bardha”, ku u bë aq shumë i dashur me rolin e Dedës dhe batutën “Alo, ti Zana je?!”

Me shtrirje të gjatë kohore të karrierës do të përjetonte edhe ndryshimet e dorës së hekurt të regjimit të instaluar, ku kinemaja ishte një nga mjetet propagandistike e ku protagonistët e filmave, ata heronjtë e thjeshtë, mëtonin të ndërtonin në psiken e popullit, njeriun e ri.

“Unë në diktaturë ia kam kaluar shumë mirë, sepse të jesh në qendër të vëmendjes, të jesh në televizion për 20 vjet, çdo natë nuk është pak. Kështu që diktatura tek unë nuk ka qenë…por, sigurisht si gjithë populli shqiptar kemi pasur probleme të mëdha, e të vogla.

Ka pasur probleme, por për vete nuk mund të them ndonjë gjë, nuk mund të them: poshtë diktatura”, shprehej Ljarja në një prej intervistave dhënë pas përurimit të romanit të tij “Josifopedia”, një rrëfenjë e vendosur në sfondin e viteve ’50, në përleshjen e parë të religjionit me njeriun e ri, socialist.  Gjatë jetës, Ljarja iu dha edhe shkrimtarisë.

“Nuk kam pishman që është një përcjellje kaq e thjeshtë, por është shumë shpirtërore”, do të shprehej me dhimbje Marjeta Ljarja, ndërsa përcillte bashkëshortin, i cili u nda nga jeta në moshën 77-vjeçare.

Maks Velo

…Maji sapo kish hyrë dhe me të muaji i tretë i pandemisë dhe izolimit në Shqipëri. Në media do t’ia behte lajmi për ndarjen nga jeta të poliedrikut, Maks Velo.Arkitekt, piktor, skulptor, publicist,  shkrimtar, i mbijetuar i tmerreve  të diktaturës  dhe një nga figurat kontraverse, i pakompromistë  me mendimet e tij dhe i drejtpërdrejtë siç thonë italianët “senza pelli sulla lingua” u nda nga jeta në moshën 85 –vjeçare. Jetoi si deshi dhe me të gjithë lirinë që di ta krijojë intelektuali e artisti, duke përmbushur pas viteve ’90 të gjitha ato që diktatura ia mori përdhunshëm në fund të viteve ’70, kur e dënuan me dhjetë vite burg vetëm se shfaqte frymë moderniste në arkitekturë e arte pamore.

Ia dogjën pikturat në furrnaltën e gjykatës dhe e dërguan në Spaç. Shpagimi i Maks Velos ishte rikrijimi i tyre, shkuarja më thellë të figurave primitive, shpërthimit të ngjyrave e formave si tek ata katalogë me vepra të Picasso, Chagall, Modigliani e Mattise që ua shfaqte në shtëpinë e tij miqve, pa e pasur idenë se mes tyre kishte nga ata që e spiunonin.

Dosjen e tij me 106 dokumente të Sigurimit të Shtetit e botoi dy vjet më parë, me titullin “Jetë Paralele” si një dorezë në duel nderi për të gjithë ata  që nuk e besuan apo thanë se Velo ekzagjeronte se e kishin dënuar vetëm sepse arti i tij në Tiranën komuniste, qe modern.

Po ashtu ishte edhe Pallati në Rrugën e Dibrës, ku sot gjendet shtëpia-muze Kadare me frymëzim të dukshëm kah kubizmi. Brenda mureve të apartamentit-studio të shkrimtarit të shquar mundi të mbijetonte e vetmja pikturë nga kthetrat e komunizmit, që Velo e pat titulluar “Vallja Labe”.

Ishte aktiv deri ditët  e fundit të jetës, pavarësisht anemisë që po e mundonte. Kish përfunduar dorëshkrimin e librit të fundit, romanit “Mos u kthe”, si një homazh për ata të burgosur në burgjet e diktaturës, që të braktisur edhe nga familja, u vetëvranë.

Punonte në studion e tij në skulpturë, pikturonte, shkruante dhe nuk humbiste asnjë nga ngjarjet kulturore në qytet, nga muzika klasike te teatri dhe ekspozitat.

Më 2018-n, çeli ekspozitën me piktura “Fshati primitiv ndriçohet nga meteorë”, botoi librin me tregime “Përkthyesi”, romanin “Klubi Karavasta”, që qe për vete një tjetër sagë e trishtë në jetën e tij, ku subjekti ishte marrë pa të drejta nga regjisorja Iris Elezi për filmin “Bota”. Çështja shkoi deri në gjyq dhe pas peripecish, gjykata i dha të drejtë atij, ndonëse do të apelohej më vonë nga pala tjetër.  

Pasi mori dokumentet  nga Autoriteti i Dosjeve sesi e kishin përndjekur dhe spiunuar kishte ngut ta botonte përsëshpejti me dëshirën e kujt e di se nuk ka shumë kohë dhe duhet t’i lërë punët e kryera. “Kur trupi e di se nuk ka shumë kohë i mbledh të gjitha energjitë për të punuar”, thoshte dhe nuk u ndal asnjë ditë.

Shkruante me një stil lakonik e të pastër, si të ishte duke projektuar një godinë apo pikturuar. Shkruante për tmerret e diktaturës, duke lënë dëshmitë e tij në vepra si  “Hetimi”, “Kohë Antishenjë”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Ese për diktaturën shqiptare”, “Kokëqethja” e së fundi “Përkthyesi” , ku rrëfente Spaçin si çmendinë.

Shkruante për kaosin dhe brutalitetin e pas  viteve ’90, atë që e quante betonizimi i Shqipërisë.  Nuk  do të linte rast pa e kritikuar, përmes librash apo qëndrimesh. Nuk lodhej duke i rënë vendit kryq e tërthor me makinë për të fotografuar absurdin urbanistik dhe arkitektonik të tranzicionit.

Shkruante dhe ballafaqonte hendeqet e mëdha në artin e skulpturës europiane dhe atë të realizimit socialist, të cilin e kishte pagëzuar si “surrealizmi socialist”. Prej tre vitesh ishte i angazhuar me rezistencën për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, duke u shprehur për një restaurim të plotë të saj, por pa e cenuar. Sipas tij salla e madhe kishte akustikë aq të mirë, sa nuk e gjeje as nëpër teatrot e Parisit.

Teatri ra, rroftë Teatri!

Vetëm dhjetë ditë nga vdekja e tij, më 17 maj, Bashkia çoi ndaj të gdhiri fadromat që rrëzuan godinën që kishte thuajse moshën e Velos.Për paradoks, shtëpinë e tij në rrugën mbi Pazarin e Ri, e shpallën monument kulture të kategorisë II dhe kinemasë së projektuar nga ai, në Laprakë, i vunë emrin Maks Velo.

Nuk ishte e papritur vendosmëria e qeverisë për ta shembur Teatrin Kombëtar, por fadromat që u shfaqën  ende pa gdhirë ishin fantazmat e befta që e ulën përfundimisht perden e skenës me histori 80-vjeçare.

Teatri vijoi jashtë me  37  shoqërime në polici, konfrontime mes qytetarëve dhe efektivëve dhe lajmërimi i protestave masive nga opozita, të cilat nuk ndodhën kurrë. Por lideri i PD-së premtoi se godina do të ndërtohej siç ishte, aty ku ishte…

Protesta herë të ndezura e herë të zbehta dhe një rezistencë e pak njerëzve të përkushtuar e ngulmues për më se dy vite,  nuk mund të zhbënin megjithatë rrëzimin përtokë të Teatrit Kombëtar, për të cilin u bënë përpjekje 22 vjeçare për ta shembur.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mori nota më të ashpra  e politike në protestat post-shembjes e me turin e tubimeve në qytete, ndonëse në kohë pandemie, përcollën një sërë kërkesash që kulmonin me referendum për Kushtetutën, siç pat kërkuar presidenti i vendit në tubimin e 2 marsit të mbledhur në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, pak ditë para se vendi të izolohej si pasojë e pandemisë globale.

Planet dhe projektet e ndërtimit të një teatrit të ri, me kushte moderne, siç ishin premtuar shpesh nga kryebashkiaku Veliaj dhe kryeministri Rama ndryshuan nga projektligji i posaçëm për “Fusha shpk”  tek hapja e konkursit në bashki- i fituar më pas nga i vetmi subjekt që plotësonte kriteret e që ishte pa ndonjë surprizë, “Fusha shpk” .

Me tërheqjen më pas të këtij të fundit nga realizimi i projektit, Veliaj do të thoshte se Teatrin e ri do ta ndërtonte vetë bashkia, me anë të kredive bankare.

Shpesh ishte përsëritur nga shefi i qeverisë se para  publike  për të ndërtuar vepra të tilla madhore nuk kishte dhe ato do të ndërtoheshin pas partneriteteve, sipas Ramës, të suksesshme Publik-Privat.

Ende sot në hapësirën ku shtrihej Teatri Kombëtar, i anatemuar nga qeveria socialiste si objekt pa vlerë  apo “dopolavoro” e fashistëve italianë më1938-n, ka vetëm gërmadha dhe një premtim nga qeveria qendrore e vendore për një teatër të ri luksoz , si ai i projektit të studios daneze “Bjarke Ingels”.

“Teatri ra, të rrojë Teatri!”, që në kushte pandemie i mbajti të mbyllura dyert më gjatë se veprimtaritë e tjera, ku ndonjë shfaqje do të ngjitej në skena të hapura apo amfiteatro verore dhe Teatri Kombëtar edhe pse prej marsit ka shfaqur vetëm online, ende nuk ka një godinë të tijën…

Moikom Zeqo

Më 15 qershor, do të shuhej në moshën 71-vjeçare pas një beteje të gjatë me leuceminë eruditi Moikom Zeqo.  Autor  i 100 librave, në poezi, prozë, eseistikë dhe publicistikë, kontributi i akademikut, shkrimtarit dhe historianit qe i madh.  Sapo pat botuar librin më të fundit me poezi, titulluar “Fata Morgana”. 

Siç shkruan në parathënien e librit, ai përbëhet nga dy cikle; i pari me dorëshkrime të poezive nga viti 1973. “ Poezitë e vitit 1973 janë për mua vetvetja, një botë imagjinative, shkrepëtitëse dhe kaledoiskopike”, shkruante ai.  Cikli i dytë përpilohet, strukturohet me poezitë e vitit 1993, kur ishte në moshn  44 vjeçare.

“Librin e përbërë nga dy vite: 1973 dhe 1993, (ku mungojnë 20 vjet të “harrimit” të poezisë) e kam quajtur “Fata Morgana”. Dihet, se në kuptimin metaforik Fata Morgana mbiquhet, një lloj mirazhi i jashtëzakonshëm që shfaqet në horizontin e detit”, shkruan Zeqo, ndërsa e shihte koleksionin e librit si ngrirje të kohës, ku ideja e vijimësisë së pambarimtë të Kohës sfidohet në poezi…se Koha Poetike është shpesh diçka tjetër, – se të gjitha përmasat kohore janë sinoptike, se parathonë dhe vërtetojnë të njëjtën esencë.

“Është një finalizim i veprës sime poetike. E shikoj, që edhe koha fizike që më ka mbetur nuk është më aq e gjerë, edhe aq në dispozicion. Kështu që jam shumë i lumtur, që e botova edhe këtë libër”, do të shprehej Moikom Zeqo, një javë para se të ndahej nga jeta. Poezitë e tij, u diktuan për hermetizëm gjatë regjimit, qysh herët. Për këtë e dërguan të punonte  si mësues në Rrogozhinë.

Në periudhën  1979-1987  nis punë në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, e më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Në fillim të viteve ‘90, qe pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Më 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 u zgjodh deputet i PS dhe shërbeu deri më 1996-n.

Më pas shkëputet nga politika dhe zgjidhet drejtor në Muzeun Kombëtar. Zeqo do të nderohej gjatë jetës për kontributet e tij intelektuale me  Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Siç kishte qenë edhe amaneti i tij, homazhet u mbajtën në Muzeun Historik Kombëtar, aty ku shërbeu si drejtor për 8 vite radhazi.

Fuat Boçi

Aktori i humorit, që bëri të famshme shprehjen “A doni më për Belulin”, do të festonte ditëlindjen e tij të 89-të  pak ditë para se pandemia të trokiste në vend, ndërsa do të ndahej nga jeta më 21 korrik.

Aktori i Estradës  Fierit, Fuat Boçi, interpretues i 600 roleve në 160 premiera, punoi fillimisht si portier dhe më pas kinomekanik në kinemanë e qytetit. Spikati për talentin e tij si aktor komik dhe si këngëtar në vitet e ushtrisë. Pasi kreu shërbimin ushtarak punoi si drejtues i qendrës së zërit, ku edhe iu dha shansi të aktivizohej në shfaqje të ndryshme teatrore.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e Zeneli te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit apo Sotiri tek komedia “Një budalla e gjysmë”. Mbante titujt “Artist i Merituar”  Urdhrin “Naim Frashëri” dhe ishte “Qytetar nderi i Fierit” , ku edhe ishte një prej themeluesve të Estradës së Qytetit, më 1957-n.

Arben Bajo

Gjatë verës, në muajin gusht, kur njerëzit kishin nisur të ishin më të shpenguar nga rreziku i armikut të padukshëm, koronavirusi do t’i merrte jetën skulptorit të njohur Arben Bajo në moshën 52-vjeçare. Në gjendje kritike për jetën, u bënë thirrje për dhurues palce nga njerëz që e kishin kaluar Covid-19, si e vetmja ndërhyrje që do ta shpëtonte skulptorin, por fatkeqësisht ai nuk ia doli, duke mbyllur përgjithmonë sytë më 9 gusht.

Më 13 tetor do të kishte mbushur 53 vjeç dhe miqtë, kolegë e studentë të tij në Universitetin e Arteve organizuan një ceremoni të vogël përkujtimore për artistin.  Përmes fotografish personale dhe të veprave të tij në skulpturë, Bajo erdhi edhe njëherë në ato mjedise ku përgatiste gjeneratën e re të artistëve dhe mundohej t’u injektonte jo vetëm mjeshtëritë teknike, por edhe kureshtjen  për sa më shumë dije.

Skulptura e Arben Bajos e nisi  rrugëtimin në fundvitet ’80. Guxoi të ishte ndryshe në ato vite kur edhe studentë të tjerë shqiptarë po vinin në diskutim gjuhën plastike e stereotipale të metodës së Realizmit Socialist. Qysh prej fillimeve ka qenë i magjepsur me trupin njerëzor. Gjatë periudhës 1988-1992 punoi me portrete, kryesisht të kolegëve dhe profesorëve të akademisë.

Por  duke iu kthyer fill dashurisë së tij të parë: trupit njerëzor. Bajo çeli shtatë ekspozita solo, duke ia dedikuar punët e tij natyrës njerëzore, gruas, jetës së qetë…Firmën e Bajos e mbajnë një sërë skulpturash publike, siç është shtatorja e At Zef Pllumit në shëtitoren e Shëngjinit apo ajo e Lef Nosit në Elbasan, Vaçe Zelës në Lushnje.

Rozmari Jorganxhi

“Mezi po prisje të bashkoheshe me babin dhe sot, në ditëlindjen e tij u ngjite lart”. Me këto fjalë të ndjera kantautori Gjergj Leka i jepte lamtumirën e fundit të ëmës, e cila u nda nga jeta më 28 shtator. 

Rozmari Jorganxhi u shua në moshën 83-vjeçare duke lënë pas një jetë me role si mexosoprano e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe një gur themeli të rëndësishëm si e para dirigjente grua e korit të TKOB-it.

Ishte viti 1959, kur nisi karrierën si soliste lirike, për të sjellë një galeri personazhesh në opera. U spikat në opera si “Jollanta”, “Nusja e Shitur”, Evgjeni Onjegin”; “Cavalleria Rusticana”; “Mrika”; “Madama Butterfly”; “Lulja e kujtimit”; “Princesha e Çardashit”; “Rigoletto”; “Skënderbeu”, e shumë të tjera. Në gati një dekadë brenda TKOB, ajo nisi të dirigjojë korin nga 1967-1984.

 Në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe nis të punojë si këngëtare profesioniste në Teatrin “Giuseppe Verdi” të Triestes,  ku këndoi për 10 vjet.  Për aktivitetin e saj është vlerësuar dhe nderuar me çmime, medalje, dhe tituj të shumtë  si Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë, të klasit të dytë dhe në vitin 2017, u vlerësua me titullin “Mjeshtre e Madhe”.

Arben Çeli

Një fotoreporteri nuk mund t’i heqësh adrenalinën duke e ndalur të shkojë tek lajmi, sepse për të ngjarja e fundit është vetë jeta.

Kështu Arben Çeli gjente kënde nga dritaret e shtëpisë dhe fotografonte gjatë muajve të karantinës, duke sjellë në redaksinë e Gazeta Si – me të cilën bashkëpunoi prej themelimit të saj –  se ç’ndodhte jashtë mureve.

E gjente frëngjinë e tij për të dokumentuar përmes fotografish ç’ka ndodhte së fundi, edhe kur bota dukej se ishte ndalur. Nuk munguan fotografitë e gjalla të tij, as në kohën e pandemisë.

Me një karrierë të gjatë, ku kishte dhënë kontributin dhe shërbimet e tij fotografike në një sërë organesh shtypi vendas e agjenci lajmesh, ishte trajnuar në agjencinë prestigjioze Reuters dhe bashkëpunonte me ta, duke pasqyruar ngjarjet nga Shqipëria.

Lajmi i ikjes së tij të beftë, parakohe, në moshën 52- vjeçare nga një sulm në zemër i hidhëroi të gjithë, ditën e 25 shtatorit, Miqtë, kolegët, gazetarët që kishin punuar dhe punonin me të.

Shpresa Vreto

Më 28 shtator ndahet nga jeta në moshën  76-vjeçare, shkrimtarja për fëmijë Shpresa Vreto. Vreto njihet si autore e disa librave për fëmijë. Gjithashtu   ajo ka bërë disa skenarë për filmat artistikë e për filmat e animuar.

Ajo ka bashkëpunuar me Petrit Rukën në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ndërsa një pjesë e librave që ka shkrua janë: “Shokë Shkolle”, “Vit i paharruar”,  “Sirena e vogël” dhe “Bota ime”. Vreto ka drejtuar për 12 vjet  një bibliotekë për fëmijë.

Gjergj Vlashi

Pak ditë më vonë, më 4 tetor ndahet nga jeta Gjergj Vlashi, një ndër intelektualët më të shquar të qytetit të Durrësit, si shkrimtar, përkthyes dhe artist. Vlashi nisi të merrej me teatrin amator, qysh në vitet e para të pasluftës u mor dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj. Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës.

Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e Estradës profesioniste dhe u caktua regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj. I nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”, Vlashi ka botuar më shumë se 45 vepra në letërsi origjinale, përkthime dhe komedi.

Është  autor i disa romaneve si “Njeriu i Netëve të Vjeshtës” , “Ai, ajo dhe Vdekja”, “Udhëtimi yt mbytet me klithma” , tregimet “Net të ftohta në bregdet”, dhe së fundi prezantoi dy librat e tij botuar në Kosovës “Netët e një qyteti” dhe “Vika”.

Për 91 vjetorin e tij do t’i sillte lexuesve librin  “Madhështia e tragjedisë” i autorit spanjoll Quim Monzo botuar nga shtëpia botuese “Ombra GVG”.  Kur e pyesnin se ç’do të bënte kur të mbushte 90 vjeç, përgjigjej “jetën e zakonshme që më ka caktuar Ai atje lart”.  Gjergj Vlashi jetoi gjatë, 92 vite, për të përmbushur ëndrrat e pasionet në art,  që e bëjnë një njeri të mos harrohet lehtë, nga brezat që do të vijnë.

Faslli Haliti

Më 15 tetor u nda jeta në moshën 85-vjeçare Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi dhe  një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare. Ishte mësues vizatimi, kur vendosi të merrte pjesë në një konkurs poezie, më 1966-n, me një cikël prej dhjetë poezish. Një prej tyre u kritikua ashpër në gazetën “Drita”.

Kështu e  nisi rrugëtimin me poezinë Haliti duke u përballur me kritika  të ashpra të regjimit, ku u detyrua të punonte si kooperativist i thjeshtë dhe iu mohua e drejta e botimeve. Krahas poezisë, Haliti ishte i dhënë edhe pas pikturës. Me ndërrimin e regjimeve përktheu poetë si Ungaretti, Prevert e Esenin,  ndërsa publikoi dhjetëra libra, kryesisht poezi.

Më 1998 zgjidhet deputet i Kuvendit, duke shërbyer për një legjislaturë deri më 2001-shin. Rrëfente se rezistencën si poet e gjente tek  shqetësimet sociale, të përditshme.

“E reflektoj si dhimbjen, hidhërimin, gjendjen e trishtuar, të vështirë, ashtu edhe gëzimin, lumturinë e njerëzve. Dua t’i shoh njerëzit të kenë një buzëqeshje, pavarësisht se nuk mund të jenë gjithnjë të hareshëm”, rrëfente poeti.

Avni Mula

Në moshën 92-vjeçare, baritoni dhe kompozitori i madh shqiptar Avni Mula, fluturoi, siç shkruante e bija Inva në lajmërimin e përmortshëm se gjigandi i muzikës kishte fluturuar drejt valsit të përjetësisë. i jetoi të gjithë kohët muzikanti gjakovar, i brumosur me kulturë shkodrane dhe i formuar në Konservatorin e Moskës, ku njohu dhe dashurinë e madhe të jetës, Ninën.

“Unë vij shpesh në TOB. Shikoj gjendjen që është sot opera, kujtoj miqtë dhe shokët e mi, që kemi punuar këtu”, kujtonte vite më parë artisti, i cili më 4 janar të këtij viti mbushi 92 vjeç. Kujtonte vitin 1957, kur ishin transferuar nga opera e vjetër tek Akademia e Arteve në godinën e stilit sovjetik të Pallatit të Kulturës, tashmë me salla të restauruara dhe gati për shfaqje.

Pasi interpretoi në opera role si Figaro te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit apo Gjeta tek “Mrika” e Prenk Jakovës dhe siç numëronte ai, në mbi 30 opera më 1966-n, nga repertori u hoqën veprat e huaja.

Kështu do t’i kushtohej gjithnjë e më shumë kompozicionit. Në festivalin e katërt të Këngës në RTSh, krijoi  “Valsi i Lumturisë”. Të tjera këngë që kanë mbetur të gjalla në breza janë edhe “Nënë moj do pres gërshetin” apo “Shqipëri o vendi im”.

Në ato vite shkroi edhe operetën “Karnavalet e Korçës” dhe më 1984 –n,  operan “Borana”. Në maj të këtij viti, sallës së koncerteve në shkollën e muzikës “Servete Maçi” iu vu emri i Avni Mulës.

Në përurim qe edhe vetë artisti, i cili u ul të interpretonte në piano. Mula nuk e ndali hovin edhe në dhjetëvjeçarët e fundit, duke publikuar më 2008-n, videoklipin me Liljana Kondakçi “Udhëtim në Pranverë” dhe një vit më vonë videoklipin “Vajza me kaçurrela”.

“Kam kënduar muzikën shqiptare dhe të huaj, e cila më ka falur shumë në jetën time dhe nuk kam pengje”, thoshte vite më parë Avni Mula, ndërsa Valsi i tij i Lumturisë do të jehojë gjatë tek shqiptarët.

Koço Devole

Në moshën 75-vjeçare, pak muaj para se të ndahej nga jeta, duke luftuar me leuceminë dhe me koronavirusin që ia  rëndoi shëndetin duke e çuar në intubim,  Koço Devole thoshte se në thuajse gjysmë shekulli karrierë kishte fituar duartrokitje pafund.

“Aq shumë duartrokitje sa thosha sikur secila të ishte një tullë, unë dhe artistët të tjerë, do të kishim vila të tëra”, shprehej artisti që do të kujtohet përmes batutave që tashmë breza të tërë shqiptarësh, sidomos ata që u rritën apo u lindën gjatë tranzicionit, i kanë bërë të tyret.

Nga të qeshurat e skeçeve në spektaklet e Vitit të Ri në Radiotelevizionin shqiptar apo me Estradën e Ushtarit, tek shënjimi i gjeneratave të tranzicionit, duke u kthyer në simbol të humorit të viteve ’90. Nga  komplikacionet e shkaktuara nga Covid-19, Devole u nda nga jeta më 8 nëntor , duke lënë pas të qeshura përmes skeçeve dhe filmave të tij.

Në nëntor të  vitit 1966 thirret  për shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe aty zuri fill karriera e tij e gjatë në humor, duke i dhënë një tjetër hov Estradës së Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë si aktor dhe regjisor. Guximi me humorin do t’i sillte edhe disa masa disiplinore dhe ndëshkime nga partia në formën e riedukimit. Më e rënda qe puna në Gurore, ku do të thyente gurë.

Për vite do të punonte si karikaturist në revistën “Hosteni” , ku u njoh  me mikun e tij Filip Çakuli dhe prej 1978-s, do të mblidhte estradat në spektaklet e Vitit të Ri. Deri  në vitet ’90  punoi redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve artistike.

Pastaj do të vinin disa nga telekomeditë e famshme, si “Valixhja e zezë”, “Gjuetia e fundit”, “Të gjallë a të vdekur’, “Pushime në Romë”. U largua më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por u kthye pas disa vitesh  për të punuar në emisionin “Fiks Fare”, me mikun e tij të vjetër Filip Çakuli, si edhe do të ishte pjesë e “Portokalli”-së.

Pas viteve 2000 do të realizonte sërish filma komedi si “Tre shokë  pa shërbyesen”, “Karafili dhe Kleopatra”, “Milioneri” apo “Na ishte njëherë Shqipëria”.Më 2018-n, do të interpretonte në filmin  “Dy gishte mjaltë”, produksion i Ermal Mamaqit.

Muharrem Fejzo

Regjisori i njohur Muharrem Fejzo vdiq në moshën 87-vjeçare, duke humbur betejën me virusin, më 22 nëntor.  Lajmin e trishtë e dha i biri , Joe Fejzo me anë të një postimi në rrjete sociale.

“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”, shkruante  ai.

Muharrem Fejzo kreu Liceun Artistik për skulpturë,  në 1954-ën. Fillimisht nisi punë si skenograf në operetat “Rusalka”, “Nusja e shitur”. Më 1966 diplomohet për aktor dhe më tek si regjisor në Institutin e Lartë të Arteve.

Përpara se të realizonte filmin e tij të parë, “Montatorja” (1970), Fejzo punoi si asistent regjisor në dy filma artistikë, “Prita” (1968) të Mithat Fagut dhe “Njësiti Guerril” (1969) të Hysen Hakanit.

Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Ka bërë regjinë e filmave më të rëndësishëm në kinematografinë tonë, si “Mësonjëtorja”, “Muri i gjallë”, “Operacion zjarri”, “Pranverë e hidhur”, “Mëngjese të reja”. Ai mbante titullin “Naim Frashëri” dhe “Mjeshtër i madh”.

Lumturi Blloshmi

Piktorja  u nda nga jeta pas tri javësh betejë me virusin e ri, në mjediset e spitalit Infektiv, më 27 nëntor. Në moshën 76- vjeçare, Blloshmi ishte një luftëtare. U lind në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, më 1944-n. Mizorinë e regjimit të instaluar do ta ndiente në familjen e saj, kur i kushëriri, poeti Vilson Blloshmi u pushkatua me akuzat për agjitacion e propagandë, më 1977-n.

Ajo periudhë do ta bënte të diplomuarën në Akademinë e Arteve të përqendrohen tek peizazhet e portretet, me tone realiste dhe në linjën ideologjike të partisë.  Të parën ekspozitë vetjake e çeli në Berat, më 1988-n dhe po atë vit mori pjesë në Bienalen e Ankarasë, në Egjipt.

Por do të ishte pas viteve ’90 që ajo do të evidentohej si një piktore e spikatur e artit pamor bashkëkohor shqiptar, duke u etiketuar shpesh nga kritika edhe si një “Frida Kahlo” shqiptare . Më 2016-n, ajo çeli në  Galeria Kombëtare e Arteve  ekspozitën vetjake me fotografi të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ’90.

Si një ditar i hapur, ato rikujtonin mesazhet e fuqishme artistike dhe sociale që Blloshmi i ka transmetuar publikut në ekspozitat e saj personale, apo në grup.

Besim Tula

Prej 20 ditësh i shtruar në  spitalin “Shefqet Ndroqi”, më 4 dhjetor do të ndahej nga jeta piktori Besim Tula, duke e humbur këshut betejën me Covid-19. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja për Kulturë e Shqipërisë, Elva Margariti.

“I japim lamtumirën piktorit Besim Tula, artistit të shqetësuar për problemet e ditës e që të përditshmen e ktheu në art. Të qoftë dheu i lehtë!”, ka shkruar Margariti.Ajo që do të mbetet pas nga piktori dhe kuratori i shumë ekspozitave është krijimtaria e pasur artistike.

Drita Papajani

Më 29 Dhjetor, vetëm pak ditë para ndërrimit të viteve, u nda nga jeta, në moshën 85- vjeçare,  këngëtarja e muzikës popullore Drita Papajani. Në jetën e saj të gjatë artistike si pjesëtare  e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Papajani ia doli të vendoste emrin e saj krahas më të mëdhenjve interpretues të këngës sonë popullore. Regjistrimet muzikore të saj gjenden në fondin e artë të Radio-Tiranës dhe në Arkivin e Filmit. Pas viteve 1990 mori pjesë në ringritjen e besimit fetar në Shqipëri, duke u bërë nga të parat që u aktivizua për hapjen e Kishës së Ungjillëzimit, si dhe e vendosi përsëri talentin e saj në shërbim të korit kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale,  të cilin e drejtoi fillimisht maestro Eno Koço, e më pas i ndjeri Milto Vako.

Një  vit i  zi, për të gjithë botën, me  më shumë se 1.8 milionë  vdekje nga komplikacionet e koronavirusit, mes tyre edhe personazhe të njohur, 2020  mori shumë artistë, por ata mbeten të gjallë përmes veprës…

“Ka një mrekulli të vdekjes”, titullonte një prej poezive të tij Moikom Zeqo, ndërsa shkruante ndër vargje…

Ka një mrekulli të vdekjes të saktë si ligjet

kur trupat tanë do të shpërbëhen në elemente

të natyrës,

ndoshta do të takohemi si ujëra nëntokësore,

si humus e kripëra te rrënjët e një bime,

që ajo të lulëzojë e të hapi petale

e të mahnitë gjithçka me bukurinë anonime.

Do të na lulëzojë eshtrat…

Ajme! Po shpirtrat vallë?

Si krijesa ajri do të enden nëpër re,

përherë të dy ndarë dhe asnjëherë një!(Gazeta Si)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>