Me një mbrëmje gala, përmbyllet me sukses edicioni i tetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air – një festival me premiera, me të ftuar dhe publik…
‘Koha kur mblidhemi është KOHE SFIDASH‘, tha drejtorja artistike e festivalit, Mirela Oktrova në hapjen e mbrëmjes finale të Festivalit Ndërkombëtar të filmit Dea Open Air. Nga dita e premte (15 tetor), deri të martën (19 tetor), një gjeografi e gjerë produksionesh dhe regjisorësh kanë krijuar kontaktet me publikun, pas një periudhe të vështirë pandemie.
‘Në traditën tonë, kjo ndarje çmimesh është edhe një medium për të folur për kinemanë – për atë që na gëzon, na prek apo na dhemb më shumë, kur flasim për të. Po edhe këtë herë jemi mbledhur ndryshe – thjesht për të rezistuar – rezistuar dhe mbijetuar…Dhe edicioni, që mbyllëm si edhe ky organizim, synon rezistencë kulturore në kushtet e ngushtësisë – ndaj mblidhemi kështu: pa luks dhe pompë, por thjesht me shenjat tona të identifikimit me produktin kinematografik; pa miqtë dhe artistët nga e gjithë bota – shumica e tyre druhen të jenë të pranishëm; Po për fat me publik, çka sivjet e shijojmë me miqtë dhe bashkëpunëtorët e festivalit, me të cilët do të vazhdojmë të këmbëngulim ta mbajmë në jetë dhe ta zhvillojmë këtë traditë…’, tha më tej, në fjalën e hapjes, Oktrova.
Duke vlerësuar mbështetësit e kinemasë në këtë edicion, drejtori i festivalit, Edi Topi tha se, – ‘është e rëndësishme që, ne, na bashkon dashuria për kinemanë e cila, në terma afatgjatë, kjo ka të bëjë me shpirtin e njerëzve. Sa më shumë kinema, sa më shumë teatër, sa më shumë kulturë në këtë vend aq më pak do kemi kriminelë në rrugë, aq më pak vjedhje, aq më pak korrupsion. Secili prej nesh duhet të bëjë më shumë për kinemanë’.
Pas konkurrimit të filmit me metrazh të gjatë, pruducenti dhe gazetari, Edi Mazi e ka konsideruar si një moment të rëndësishëm paraqitjen e dokumentarit në këtë festival, duke dhënë edhe vlerësimin për këtë ngjarje të kinemasë. Në rastin e ndarjes së kupës Dea, si kryetar i jurisë për filmin dokumentar, Mazi vlerësoi: Dyshimi se, dokumentari mund të mos jetë në nivelin e duhur, kësaj radhe e kapërceu këtë opinion. I kam ndjekur disa kohë festivalet këtu, dhe mendoj se, ky ishte një festival shembull, me prezencë dhe prezantim dhe me organizimin e gjithë aktivitetit deri në përmbylljen e tij, ndarjen e çmimeve Dea, që ishte shumë mirë’.
Dea HOMAZH sivjet iu dedikua shkrimtarit dhe kineastit, Petrit Ruka, me një prezencë shumë të pasur titujsh në trashëgiminë tonë letrare dhe kinematografike. ‘Të privohesh nga kinemaja – do të thotë të privohesh nga mundësia për të jetuar në histori… Ndaj jemi këtu sot – të këmbëngulim të promovojmë kinema dhe të imponojmë kinema pavarësisht nga pandemia, që ende s’ia ka lëshuar fytin botës. Një sfidë, që vazhdon, për një kohë që ende nuk e parashikojmë dot…”, tha në mbyllje të këtij edicioni, drejtorja artistike e festivalit Dea Open Air, Mirela Oktrova.
Të gjithë artistët fitues si nga Meksika, Rusia, Italia, Gjergjia ishin prezent përmes videove, dhe pse nuk ishin fizikisht në festival, ne Tirane.
Kupa Dea
Programi i filmit me metrazh të gjatë mbetet programi qendror dhe konkurimi kryesor i festivalit. Oferta e sivjetme përfshiu filma nga Kosova (ndonëse jashtë konkurimit), Gjeorgjia, Irani, Italia, Rusia dhe Shqipëria. Konkurimi në këtë program u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Peter Dirmeier – aktor/regjisor – Gjermani; More Raça – regjisore – Kosovë, Refet Abazi – aktor dhe pedagog – Maqedoni e Veriut, Ivan D’Ambrozio, regjisor/producent – Itali; Abaz Hado – piktor dhe kritik – Shqipëri.
Kupa DEA, AKTORI/AKTORJA më i/e MIRË – Filmi Gjatë:
Anila Bisha (Sana) & Neritan Liçaj (Gori) – Inane, Shqipëri
Kupa DEA – KAMERA më e MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë
Phedon Papamichael – Brighton Nr. 4, Gjeorgji
Kupa DEA – SKENARI më i MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë :
Irina Mariychuk-Lukinova – Putra e lepurit (Rabbit’s Paw ), Federata Ruse
Kupa DEA – REGJIA më e MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë:
Paolo Zucca – Njeriu që bleu hënën (The man who bougt the moon), Itali
Kupa DEA – FILMI më i MIRË – Filmi me Metrazh të Gjatë
Brighton Nr. 4 /Brigton 4th – Levan Koguashvili, Gjeorgjia
***
Ky edicion ofroi në programin e filmit dokumentar 15 filma nga 14 vende të botës.
Kupa DEA – DOKUMENTARI me i MIRË –
Kur dashuria bëhet tabu – Demian Saldana, Meksikë 2021
Kryetari i jurisë së Filmit Dokumentar, Eduard Mazi dorëzoi kupën Dea. Juria e filmit dokumentar, e përbërë nga: Eduard Mazi, Gazetar dhe producent (kryetar), Rezarta Delisula, gazetare (anëtare); Ferdinand Dervishi, gazetar (anëtar).
Kupa DEA – FILMI STUDENTOR me i MIRË-
Kllouni – Vladimir Feklenko, Federata Ruse 2020
***
Këtë vit në kuadrin e programit të Filmit të Shkurtër u ofruan 16 filma të Shkurtër nga 13 vende evropiane, me prodhime të dy viteve të fundit, në fokus të të cilëve u vu një gamë e gjerë problematikash shoqërore, të trajtuara me angazhim social dhe nivel të admirueshëm artistik.
Kupa DEA – FILMI I SHKURTER me i MIRË
Klod – Giuseppe Marco Albano, Itali 2020
***
Juria e Medias ndan dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë.
ÇMIMI I MEDIAS – FILMI I SHKURTËR
Lufta ime e fshehtë – Kevin R. Phipps, SHBA 2019
ÇMIMI I MEDIAS – FILMI ME METRAZH TE GJATE
Putra e lepurit – Nana Djordjadze, Federata Ruse 2020
Juria e medias, e përbërë nga gazetarët: Fatmira Nikolli (kryetare), Bieta Sulo (anëtare), Abaz Krasniqi (anëtar).
***
Këtë vit ÇMIMI I PUBLIKUT u dha në dy kategori:
-Në kategorinë e FILMIT DOKUMENTAR
Mbijetesa dhe Shkolla – Ilir Kabashi, Kosovë 2021
-Në kategorinë e FILMIT ME METRAZH TE GJATE
Inane – Besnik Bisha, 2020
Është ndarë cmimi special i Festivalit, që mban emrin e drejtorit të Fotografisë LEONARD QENDRO, ndarë nga jeta, një vit më parë, shkon pikërisht në këtë PROGRAM/KONKURIM.:
- Pipo and blind love – Hugo Le Gourrierec, France 2020