Aldous Huxley pati qenë për një periudhë të shkurtër, mësues i frëngjishtes i George Orëell në shkollën elitare Eton. Huxley botoi romanin e tij distopik Brave New World (Më e mira e botëve) më 1932. Orëell botoi romanin e tij distopik 1984 më 1949. Që të dy konsiderohen sot si profetë, megjithëse me disa ndryshime domethënëse.
I dashur z. Orwell,
Faleminderit që i le porosi botuesit tuaj të më dërgonin mua një kopje të librit. Libri mbërriti ndërsa unë isha në mes të një pune që kërkonte shumë lexim dhe konsultim referencash; dhe për shkak se shikimi më është dobësuar dhe mua më ka dalë e nevojshme të kufizoj leximin, m’u desh të pres një copë herë para se të isha në gjendje t’i hyja Nëntëqind e tetëdhjetë e katrës.
Ndërsa bie dakord me gjithçka që kritikët kanë shkruar për të, nuk kam nevojë të të them ty, edhe një herë, se sa i mirë, sa i thellë dhe sa i rëndësishëm është ky libër. A mundet të flas në vend të kësaj, për gjënë për të cilin libri flet, revolucionin final? Sinjalet e para të një filozofie të revolucionit final – revolucionit që gjendet përtej politikës dhe ekonomisë, dhe që synon nënshtrim total të psikologjisë dhe fiziologjisë së njeriut – duket se gjenden te Markezi de Sade, i cili e shikonte veten si vijues dhe pasues të Robespierre dhe Babeuf. Filozofia e minorancës sunduese te Nëntëqind e tetëdhjetë e katër është një sadizëm që duhet të çohet te konkluzioni i vet logjik duke kaluar përtej seksit dhe duke e mohuar atë. Unë dyshoj se politika e çizmes në fytyrë nuk do të vijojë përgjithmonë. Bindja ime është se oligarkia sunduese do të gjejë mënyra më të lehta, më pak të rrezikshme dhe që kushtojnë më lirë për qeverisjen dhe kënaqjen e epshit të vet për pushtet dhe këto mënyra do t’i ngjajnë atyre që unë kam përshkruar te më e mira e botëve. Unë kam pasur mundësinë të shoh së fundmi historinë e magnetizmit dhe hipnotizmit kafshëror dhe jam befasuar shumë nga mënyra në të cilën, për njëqind e pesëdhjetë vjet, bota ka refuzuar të njohë seriozisht zbulimet e Mesmer, Braid, Esdaile dhe të tjerëve.
Pjesërisht për shkak të sundimit të Materializmit dhe pjesërisht për shkak të dominimit të sjelljes së respektueshme, filozofët e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe burrat e shkencës nuk ishin të gatshëm të hetonin faktet më të çuditshme të psikologjisë së njerëzve praktikë, të tillë si politikanët, ushtarët dhe policët dhe se si aplikohej kjo në fushën e qeverisjes. Dhe falë injorancës vullnetare të baballarëve tanë, ardhja e revolucionit final u vonua për pesë apo gjashtë gjenerata. Një aksident tjetër për mirë ishte paaftësia e Frojtit për të hipnotizuar me sukses dhe injorimi i hipnozës si diçka qesharake që erdhi prej këtij dështimi. Kjo e shtyu për më vonë aplikimin e përgjithshëm të hiptozës në psikiatri për së paku dyzet vjet. Por tani psiko-analiza po kombinohet me hipnozën dhe hipnoza po bëhet më e lehtë dhe gjerërisht e aplikueshme përmes përdorimit të ilaçeve barbiturate, të cilat shkaktojnë në gjendje hipnoide edhe mes subjekteve më jobashkëpunues apo refuzues.
Besoj se sundimtarët e botës do të zbulojnë brenda gjeneratës së ardhshme se kushtëzimi fëminor dhe narko-hipnoza do të jenë mjete më efikase për qeverisje, se sa shkopinjtë e gomës dhe burgjet dhe se epshi për pushtet mund të plotësohet tërësisht duke i shtyrë njerëzit të duan robërinë më shumë se sa duke i shtypur ata që të rrinë urtë. Me fjalë të tjera, ndjej se makthi i 1984 është i destinuar të konvertohet në një botë që do të ketë më shumë ngjashmëri me atë që unë pata imagjinuar në Më e mira e botëve. Ndryshimi do të sillet si rrjedhojë e nevojës për eficiencë më të lartë. Ndërkohë, natyrisht, mund të ketë luftëra në shkallë të gjerë biologjike dhe atomike, gjë që do të na sjellë ne makthe të llojeve të tjera, të cilat, vështirë se merren dot me mend.
Edhe një herë, faleminderit për librin.
I juaji, Aldous Huxley
marre nga Shtepia e Librit