Fragment nga romani i Agron Tufa: “Mërkuna e Zezë”, botim i “Onufri” (XXX)
Pasdreke u ndesha ballë për ballë me Shartimen, mu rrëzë murit, poshtë dritares së saj. Kishte veshur çizme lëkure si të çuditshme, të vjetra: anash gjithkund çizmet qenë mbuluar me lesh dhie të shkurtër. Ato kishin taka të larta dhe Shartimja ngrihej edhe më shtatlartë se ç‘ishte. Fustanin e kishte prej stofi të trashë e të zi, dyst me vijëzime. Përsipër kishte hedhur një triko shumë të trashë, prej së cilës ngriheshin si kaktus qime të ashpra dhie. Por m’u ftoh mendja kur pashë se dhe duart i kishte mbështjellë me një palë dorashka prej lëkure të zbutur dhie, gjithashtu me qime kafe, si dhe çizmet. Në njërën dorë mbante një bri dhie, ndofta dhe cjapi, kurse me tjetrën, kërkonte të hiqte një gur të lëvizshëm në mur që zinte një katror të vogët, sa një frëngjizë.
Më thirri ta ndihmoja. Shkova dhe e tërhoqa gurin, gjersa e nxora: brenda gjendeshin tre palë brirë dhie a cjepërish. Shartimja më tha t’i nxirrja. Mandej, më tha ta ndihmoja te vinte shkallët, pështetur pas parvazit të dritares së saj. E ndihmova dhe kur i vumë shkallët, ajo m’u lut të ngjitesha lart, dhe të hiqja njërin prej kungullujëzave të thara në trajtë eshtre që qëndronin të lidhura varg me spango. Isha duke u ngjitur, kur mora një vendim të papritur:
“Nuk mundem. Më fal!”
“Si nuk mundesh? Unë s’mund të ngjitem se kam frikë se rrëshqas, ngase jam me çizme”, tha duke m’i shtirë sytë e kallajtë, me bebëza vertikale si të maceve.
“Të ndihmoj unë t’i heqësh çizmet”, – thashë i emocionuar, pa ditur vetë se pse.
“Të lutem shumë, bëje aq mund për mua!”, – tha duke m’u avitur me buzagazin që zgjerohej në vijën e buzëve.
“Them se jo. Jo, jo. Tamam nuk mundem. Pse këmbëngul?”, – thashë, duke më rrëmbyer e njëjta lojë si me Nafakën.
“Po unë të lutem shumë. Shumë-shumë…”, – pëshpëriti ajo me zë të ulët farë pranë syve të mi, duke më derdhur një vështrim mallëngjyes.
Ndjeja marramendje.
Ajo ma vuri gishtin tregues në buzë, veshur me dorashkat prej lëkure dhie, mandej ma shkoi këtë gisht nëpër faqe, gjerkur sosi përposh mjekrës. Ndjeva ashpërsinë e qimeve dhe koka ime si të ishte një kaptinë luledielli mbeti pezull e drejtuar nga fytyra e saj.
“Ti do ngjitesh dhe unë… ti e di… do të të shpërblej ëmbël… Të kujtohet?”, – pëshpëriti mu rrëzë veshi, duke më derdhur një afsh ngohtësie të pazakontë.
“Do të të marr atje lart…”, – tha teksa më fërkonte zverkun dhe gjithëpo me atë zë ledhatar:
“Ti, njëmend, digjesh nga dëshira të të marr lart… Se ti kurrë nuk ke qenë aty. Aty është ngrohtë, është valë… ti do të kënaqesh, s’do të duash të dalësh prej andej. Do të vish shpesh e më shpesh… gjithmonë! Ti mezi do presësh. Vërtet. Unë do të të kënaq me lloj-lloj gjërash… Hajde tani, ngjiti, bëma aq pak mund dhe do të shohësh çfarë shpërblimi…”.
Ajo fliste dhe kurmi im trallisej e shkrydhej në marramendje. Pa ditur as vetë u drejtova nga shkallët. Sapo ngjita dy shkallaret e para. Duke u mbajtur fort pas atyre të epërmeve, akulli që i vishte ato më solli në vete dhe unë zbrita.
Pa e parë në sy i thashë:
“Unë e di si është dhoma jote!”
Mandej pa e parë në sy u nguta dhe zbraza gjithçka:
“Jam ngjitur lart dhe kam parë në krevatin tënd bashkëshortor Mitushin. Lakuriq si ti. Mbi ty. E dini ç‘bënit ju? Shkërdheheshit! E mësove tani? I kam parë të gjitha, të gjitha! Edhe kur ngule boshtin atë ditë në vendin ku shurroi Mitushi, edhe mbrëmjen kur shpove urithin me bosht, edhe dje kur dolët në shi me Nafakën dhe derdhët sendet tuaja në pus, duke iu lutur dreqit që të çojë borë. Të gjitha i kam parë! Atë natë, nuk u ngrita jerm prej gjumit, por dola dhe pashë Mitushin që u ngjit për shkallësh dhe u fut brenda në dhomën tënde. Atë natë nuk rashë unë nga shkallët, por më shtyu Mitushi! E shikon?”
Shartimja tolloviste brirët e dhisë sa në njërën dorë, në tjetrën dhe sprapsej nga një hap, njëlloj sikur e bija paradite, dhe unë po njëlloj si paradite, bëja nga një hap përpara.
E zbehur dhe me ngërç në fytyrë, ajo tha me një zë të ulët, por të nginjur cit prej mllefosjes:
“Ti harron se na ke lënë me barrë të dyjave, mua dhe time bijë! Ku do shkosh kur të dalë në shesh kjo? Na ke përdhunuar, kupton? Ti do të ngelesh përjetësisht i verdhë dhe s’ke për ta kapërcyer gjallë pragun e kësaj shtëpie!”
“Në të s’ëmës shkofshi të dyja!”, – i brita, ktheva shpinën dhe çava përmes dëborës së dendur nëpër udhën e katundit.
“Ha-ha-ha! Hi-hi-hu!” – ia shkrepi gazit Shartimja prapa meje.
“Ti je çmendur, i miri im, ti flet përçart! Kthehu! Ti flet me vete, ke zjarrmi… Kthehu të të bëj një çaj!”
“Bëja Mitushit më mirë. Ose sat ëme!”, – thashë teksa shtyja trinën e jashtme të oborrit.