nga Julia Vrapi
Enciklopedia shqiptare, Fjalori i madh i shqipes dhe Historia e shqiptarëve janë tre veprat madhore puna për të cilat organizohet nga Qendra e Botimeve Albanologjike e Enciklopedike, në Akademinë e Shkencave. Puna për Fjalorin e madh të shqipes do të nisë së shpejti, Enciklopedia shqiptare përbën ndërmarrjen më të vështirë, ndërsa hartimi i Historisë së shqiptarëve mund të realizohet në kohën e parashikuar. Kjo bëhet me dije nga këshilli shkencor i Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike, i cili u mblodh për këto tre vepra madhore albanologjike. Në kuadër të projektit të hartimit të tre veprave të sipërpërmendura, që përbën një nga drejtimet kryesore të punës së Akademisë së Shkencave për vitin 2021, e në vazhdim, u organizua në zyrën e kryetarit të ASH-së një takim pune për përcaktimin e hapave të mëtejshëm për ngritjen e strukturave kryesore e atyre ndihmëse për hartimin e këtyre veprave madhore. Të pranishëm ishin anëtarët e këshillit: prof. Emil Lafe, akad. Ilirjan Malollari, akad. Jani Thomai, prof. Valter Memishaj, akad. Pëllumb Xhufi, prof. Neritan Ceka, akad. Dhimitër Haxhimihali dhe drejtori ekzekutiv i QBAE prof. Irakli Koçollari. Akademia e Shkencave bën me dije se në takimin e fundit u diskutua listimi i tërë stafeve të studiuesve të veprave përkatëse, me synimin që të përgatiten listat e plota të atyre që do të merren me hartimin e tyre. Sipas ASH, për të tria veprat u diskutuan format e bashkëpunimit me institucionet e tjera, nevojat për infrastrukturë e personel ndihmës. “Hartimi i Historisë së shqiptarëve u vlerësua që mund të fillojë punë shumë shpejt e të realizohet në kohën e parashikuar, duke u theksuar se ka mjaft të dhëna, prova e dokumente të reja që e bëjnë të domosdoshme shkrimin e saj. Puna me Fjalorin e madh të shqipes do të nisë së shpejti”, bën me dije Akademia e Shkencave.
Puna e studiuesve dhe veprat
Në Fjalorin e madh të shqipes do të ketë mbi 100.000 zëra leksikografikë (mbi 90.000 fjalë dhe mbi 10.000 njësi frazeologjike). Puna e studiuesve synon që të pasqyrojë sa më gjerë leksikun e shqipes me të gjithë përbërësit e tij: fjalë, kuptime, të dhëna gramatikore, stilistike e të përdorimit, shënime plotësuese dhe etimologjike, etj. Për këshillin shkencor të Qendrës së Botimeve Albanologjike e Enciklopedike, në aspektin kombëtar Fjalori do të bëhet shprehësi më i plotë i pasurisë, i larmisë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, i mundësive që jep ajo për të gjitha fushat e veprimtarisë e të krijimtarisë, ndërsa Enciklopedia është më voluminoze. “Enciklopedia shqiptare që përbën ndërmarrjen më të vështirë e më voluminoze, përfundimisht vlerësohet të realizohet në dhjetë vëllime e në një kohë sa më të shkurtër, për pesë vjet”, shprehet ASH mbi mbledhjen, që u zhvillua së fundmi. Në takim, për të tre veprat u diskutua edhe bashkëpunimi i ngushtë me Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë dhe Institutin Albanologjik në Prishtinë dhe më pas u dhanë udhëzime për ngritjen e ambienteve të reja të punës për Qendrën e Botimeve Albanologjike dhe Enciklopedike. Marrja prej Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e rolit organizator e financues në hartimin e tre projekteve madhore shqiptare; Enciklopedisë shqiptare, Fjalorit të madh të gjuhës shqipe e të Kuvendit të Albanologjisë në nëntor të këtij viti realizon një prej objektivave kryesorë të reformës së këtij institucioni.