– Ku është teksti i pjesës teatrale? Teksti ku është?!

– Brenda nesh, zotëri. Drama është brenda nesh.

(Luigi Pirandello)

nga Edison Çeraj

Për çdo Faraon ka një Moisi. Drama është gjithnjë po ajo; ndryshojnë vetëm aktorët dhe kostumet.

Nëse mohojmë të shkuarën në emër të “zhvillimit”, të “jetës së re”, “emancipimit” apo Njeriut të Ri, natyrisht që kjo dramë duket naive.

Drama brenda dramës është se disave nuk u del dot narkoza e komedisë, disa të tjerëve ajo e tragjedisë. Prandaj ne jemi pothuaj të privuar nga komikja dhe tragjikja, ngaqë i kemi kthyer në qëllim, ngaqë i kemi bërë bashkë, madje i kemi njësuar, për të përftuar një gjendje që tejkalon dramën. Ose gaz, ose lot. Pastaj vjen gazi lotsjellës si neutralizues i të dyja gjendjeve, si pikë kufitare për pushtetin. Mjegull. Tym. Dendësi përçarëse.

Dikush përpiqet të hapë perden, por konstaton se ajo nuk është prej cope, por prej allçie; është një instalacion i financuar nga taksat tona. Domethënë, është një kufi argëtues.

Prirje drejt ekstremeve. Së kendejmi edhe (ri)shfaqja e njeriut ekstremist dhe e aktivizmit të tij vetëmohues. Revolucionarë pa evoluim, ku si ngaherë dalin nga hiçi. Një fe e re, dhe si e tillë e rreme, si vetë kopja pa origjinalin. Kur origjinali tërhiqet, kopja pagëzohet si i vetmi realitet, dhe origjinali shndërrohet në kujtim, në bisedë.

Komikja dhe tragjikja nuk mund të jenë ato që janë pa dramën. Pa dramën atyre u vdiret kuptimi dhe bëhen të papërballueshme.

Përtej çdo qëllimi, dëshire dhe pengu, një botë komike apo tragjike nuk do të jetë e mundur asnjëherë. Është e mundur vetëm çfarë është e mundur, jashtë pushtetit dhe vullnetit tonë. Sa mirë!

Sikur bota apo historia të ishte në dorë të një individi apo grupi të caktuar, çmenduria, vrasjet dhe vetëvrasjet do të ishin të zakonshme si uji që pimë. E kemi akoma të freskët kujtesën se çfarë lanë pas të ashtuquajturat sisteme totalitare, ku “i madhi” apo partia vendoste pothuajse për çdo gjë, e thënë ndryshe: një jetë e planifkuar, ku liria ishte kurbani i madh. E pse të kthehemi pas në kohë kur edhe sot e kësaj dite kemi raste konkrete si Korea e Veriut, Kina apo Rusia, ku për fatet e popullit e të atdheut vendos “i madhi”. Sa më shumë pushtet të ketë “i madhi” apo partia, aq më e penguar është jeta.

E si mund të vendosë njeriu se si duhet të jetojë njeriu?! Çfarë kam unë më shumë se ti apo ti më shumë se unë që të vendosësh për mua, për çfarë besoj, mendoj e se si duhet të jetoj?! Çdo imponim, i çfarëdo lloji qoftë, nuk është gjë tjetër veçse dhunë, dhe kjo lloj dhune e pengon jetën më shumë se çdo formë tjetër e dhunës. Pasojat e dhunës fizike janë më të përballueshme, më të kalueshme e më të kurueshme; kurse pasojat e dhunës ndaj shpirtit dhe mendjes njerëzore zgjasin disa breza, duke krijuar kështu një ngërç të komplikuar metafizik nga i cili është shumë e vështirë të çlirohesh.

Zbrazëtia, tëhuajësimi apo humbja e motivit për të pritur të nesërmën janë pasojat e menjëhershme të këtij ngërçi.

Fatkeqësia më e madhe për një shoqëri është një elitë e cila u imponon njerëzve një mënyrë tjetër të menduari dhe (si rrjedhojë) të jetuari; domethënë, që i mbivendoset shoqërisë dhe karakterit të saj jo që ajo të bëhet më e mirë, por më e ndryshme. Është si të bësh transplant duke hequr një organ të shëndoshë për ta zëvendësuar kinse me një më “të mirë”.

Në ato vende ku shoqërisë i është imponuar një regjim apo sistem i ndryshëm vlerash, duke iu mbivendosur traditës, karakterit dhe vlerave të trashëguara brez pas brezi, gjë që përgjithësisht ndodh përmes një revolucioni[1], qëndrueshmëria[2] bëhet gjithnjë e më e pamundur. E thënë ndryshe, vende të tilla kalojnë sa nga njëri tranzicion në tjetrin, për të mos thënë shpërfytyrim.

E tillë është edhe Shqipëria, pikërisht sepse iu imponua një ideologji si komunizmi, duke përmbysur apo shtrembëruar pjesën më të madhe të vlerave që trashëguam nga brezi në brez. Jo se çdo gjë që trashëguam ishte e kulluar e nuk kish nevojë të përmirësohej apo dhe të ndryshohej, por ama jo të përmbysej e të tëhuajësohej me dhunë e terror.

Këto vende ngjajnë me një tenxhere me presion: pavarësisht nga fakti se tenxherja mund të jetë e bukur dhe e re, ajo mund të shpërthejë në çdo moment.

Çdo revolucion është tragjedi, sikurse çdo qëndrim në vendnumëro është komedi. Duhet të ruajmë dramën, e cila lidhet me evoluimin e shkallëshkallshëm drejt përmbushjes, ose drejt së mirës.

Shenjtor apo mëkatar?! Jo, nuk është e vërtetë se ka vetëm dy mundësi. Këto gjendje janë të papërballueshme nga njeriu. Mund të themi se është e vërtetë se ndonjëherë jemi/ndihemi shenjtorë, herë të tjera mëkatarë.

“Njerëz jemi” dhe “duhet të jemi njerëz” –ndërmjet është njeriu, me pak baltë e shumë qiell në gji.


[1] Franca e vitit 1789, ose Rusia në 1917.

[2] Stabiliteti.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Arshi Pipa, si na e ka prezantuar Migjenin/ Historija e dhimshme e “shpirtit të ri”
Nga Miguel Torga/ Madalena
Kritika dhe Akademia Suedeze për shkrimtarin me ngjyrë/ Abdulrazak Gurnah fiton Nobel në Letërsi – pse u injorua vepra e tij?!
I lirë për të mos menduar?!
Kafshët dhe Njeriu, vëllezër në luftën për jetën
Gardhi i shtyrë dhe berri i vjedhur si kulturë
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>