Nga Violeta Murati/ Dardhë

Dihet se vizitori i parë që mbërrin në Dardhë do të kërkojë lakror. Kjo është gjithnjë “mburrje”. Por në Dardhë vetëm një shtëpi ka mbetur me këtë nam. Në prag të saj, në një trung peme është varur një teneqe, e shkruar me dorë: Lakrorë me saç. Është shtëpia e pritjes së Flories. Kështu e quajnë, ka edhe Facebook me të njëjtin emër, edhe pse Floria është 75 vjeçe. Është nga shtëpitë më modeste aty. Të tjerat, pothuaj të gjitha, kanë histori “të njerëzve të rëndësishëm” të kryeqytetit. Rrallë shtëpi kanë mbetur të dardharëve të vjetër, vendalinj. Të gjithë kanë ikur. Dardha me sharmin e një parku natyror tani ka vendalinj “politikanë” e emra gazetarësh të famshëm. Ata kanë ndërtuar, shitur e dhuruar shtëpitë aty. Këto janë rrëfime më vete që marrim nga fshati piktoresk.

Niko është një dardhar i vjetër, i ikur, por edhe i rikthyer në vendin e tij. Ashtu si pak të tjerë që mbajnë mend çdo gjurmë e histori në fshatin e tij! Bëj hesap, për një lakror dhe një raki vijnë këtu në Dardhë nga të gjitha anët, – thotë. Një tip i shkathët, plot energji, me sfidë moshën, Niko na shoqëron në këtë udhëtim prej një ore e gjysmë në Dardhën e fotografëve të famshëm. Pragu i parë është shtëpia e Flories. Nga aty nis guida, ku mund të porosisësh dhe më pas të marrësh udhëtimin kryq e tërthor fshatit. Ky është një itinerar i përkryer që rrallë e gjen në një fshat: histori, famë, kulturë, emigrim, fate njerëzish, thashetheme VIP-ash, shtëpi të shembura, të rrënuara, të rindërtuara… njerëzit aty vetëm tregojnë, vendi jo më. Janë vetëm kujtime në fotografi.

***

Rruga për në Dardhë është pak e vështirë, jo nga relievi. Është e lënë pas dore, me gropa, ndonëse shikojmë sikur po punojnë. Kjo, në fakt, është histori shqiptare, si gjithnjë në kohë fushatash. Por në fshat, duket sikur punët shkojnë më ndryshe. Ka nisur zgjerimi i rrugës. Na thonë se do të shtrohet e gjitha me kalldrëme sipas arkitekturës së fshatit. Ose si i thonë me plloça. E pranueshme për fshatin, – na thotë Niko, – sivjet na dhanë 400 milion vetëm për rrugën, do ta bëjmë dhe ndriçimin me sistemin kabllor jo me tela, janë para të fondit të zhvillimit.

Ka një krenari në dardharin e vjetër për fshatin e tij. Pak e kërkojnë perspektivën. Por “të vjetrit” shprehen se do të jetë Dardha një vend ku do të zhvillohet agro-turizëm. Ka eko-turizmin si bukuri natyrore, ajri, uji, pyjet janë në kompleks që e mirëpresin çdo vizitor, në të gjitha stinët. Banorët që udhëtojnë me ne tregojnë se në 365 ditë që ka viti, gjithnjë ka vizitorë.

I numërojnë: janë 15 shtëpi për turistët që bëjnë gatime tradicionale. Vendalinjtë tregojnë se bagëtinë e rrisin vetë, për mish e qumësht. Por në fakt te shtëpia e Flories ne pijmë dhallë nga qyteti.

Niko nga larg shquan shtëpitë e kamura, të ndërtuara nga “njerëz të famshëm” të Tiranës. Ne ndalim në shtëpitë e dardharëve të vjetër, që në dimër zbresin në Korçë ndërsa në verë, gjithë ç’kanë nga familja ngjiten lart, për verim.

Në shtëpinë e vjetër të Nikos, çfarë nuk gjen; përzier me traditën e socrealizmit e kohëve të tanishme.

Vijmë këtu me gruan, – thotë Niko, – është shtëpia jonë. Ja kam një hekur qymyri që e ruaj, mjaft të vjetër, – tregon. Nga një raft i vjetër burri nxjerr një shishe. Është raki kumbulle e egër, është traditë jona, – tërhiqet më tej dardhari. Mburret.

Këtu bëhet pak histori për fshatin. Marrim vesh se Dardha e ka zhvilluar turizmin përpara Zogut. Janë mikpritës, – na garanton dardhari. Shtëpitë sikur janë vënë në garë për nga bukuria e ndërtimit, por edhe për ato të vjetrat që kanë rezistuar. Ndonëse të rralla. Niko na jep guidën e Dardhës. Është në dy gjuhë, shqip e maqedonisht. Është bërë binjakëzim me maqedonasit, na tregojnë. Duke ecur poshtë shtëpisë së Nikos, plloçat e vjetër ende mbahen në çatitë e të shtëpive.

Nesti e ka shtëpinë bukur, po borgjezia këtë ka, – na thotë në ironi Ardiani, kameramani i Korçës.

Niko na përball me dy shtëpi të vjetra, pothuaj të rrënuara, duke thënë: Ja, këtu bëni foto, se këtë marrim gjithë gazetarët, e sidomos të huajt. Shtëpitë janë çift, me plloça, të pabanueshme. Ka qenë shtëpi, – thotë dardhari. Pritet të rregullohet, e ka blerë njëri, njëri që banon në Itali, e ka shpinë në Durrës, dhe e ka blerë, do ta bëjë të madhe. Shtëpia është buzë lugine. Prej aty rrëpira i krijon një ballkon natyror për dy shtëpitë e vjetra, që i kanë orët e numëruara.

Shtëpitë janë veç e veç, dhe ke mundësi të shëtitësh. Niko vazhdimisht tërheq vëmendjen tonë: Ja sa të bukura janë! Kur papritur një burrë te të 50-at na del tek dera. Na fton pa hezitim brenda. Janë mikpritës, – thotë Niko, – ja kështu të dalin të dera e të ftojnë, është traditë. Në shtëpi një grua tek të 80-at, e para që na pret në këmbë. Kalojnë nga një kasolle e vogël, tek shtëpia e vjetër.

Jemi në familjen e Andrea Racit. Burrë e grua janë gati në derë, janë fëmijët e Milikës.

Në dimër zbresim në Korçë, në verë nja katër-pesë muaj vijmë në Dardhë.

Milika thotë shkurt: Këtu jam lindur e rritur e këtu do vdes. Milika është 87 vjeçe, po nuk duket fare. Veshët nuk para dëgjojnë tashi, – thotë ajo. Po rrojmë, po ç’të bëjmë, – Milika tregon pak, se Dardha e saj ka ndryshuar shumë. Në fshat s’ka moshatarë të saj, vetëm pesë a gjashtë të tjerë. Kanë ikur shumë, ca nëpër qytete. “Dua të kem njerëz, tani s’kemi më as komshinj. Janë shumë të rrallë. Dhe te kjo shtëpia e re po vjen një”. Është harruar dimri e vera kur në Dardhë jetohej.

Janë ndër familjet e pakta, të vjetra të Dardhës.

Niko këmben disa fjalë me të zotët e shtëpisë, kush shiti dhe kush bleu shtëpinë e tjetrit. Kjo bisedë bëhet tani mes dardharëve. Ja dhe komshiu ngjitur tyre ka ikur, shiti shtëpinë e vjetër.

Burrat nisin të kuvendojnë me njëri-tjetrin, për njerëzit e fshatit, si po shiten shtëpitë, çfarë i ka lënë motra vëllait e çfarë kanë ndarë. Zakonisht blejnë tokë e ndërtojnë, i shembin muret e vjetra. Si vete me tensionin, nivelin e gjakut si e ke?, – është biseda e zakonshme kur Niko takohet me Milikën. Kolesterolin e kisha pak të ngritur… po pleqëria i ka këto, – thonë mes tyre të vjetrit, ndërsa udhërrëfyesi ynë shton se nëna Milika e ka muhabetin e ëmbël, pavarësisht moshës.

E reja e shtëpisë flet për vjehrrën se si ajo mban shtëpinë; të pastër e me gjitha zahiretë me duart e saj. Mjaftojnë këto fjalë për ta bërë “të re” Milikën, ngrihet menjëherë për të na qerasur me një pije të kuqe, – “e kam bërë vetë”, – na thotë, me mana ferra të kuq, të butë, të mbjella vetë. Këtu na tregojnë se jemi në shtëpinë e një prej pasardhësve të fotografëve të Dardhës. Na tregojnë fotot e Thimi Racit. Ja dhe kostumet e dardhës, – thotë 80-vjeçarja, – ca i shitën, por unë për vete nuk e shita. Ajo i ruan akoma. Nuk i mbajnë në Dardhë. Më parë, por edhe tani hajdutët thonë vjedhin shumë. Katër herë më kanë vjedhur hajdutët mua, – thotë Milika, e cila nga bastisja ka mundur të shpëtojë vetëm kostumin. Ata s’më lanë asgjë tjetër, – thotë gruaja e vjetër me pikëllim.

Por biseda ndërron shpejt, sepse historia e dhjetë çifteve të reja në Dardhë është tashmë e famshme. Ngjarja është e fiksuar në celuloid dhe e vendosur në muzeun e ri të ndërtuar në qendër të fshatit së fundi. Janë dardharë të ardhur nga emigracioni, Amerika.

I ka fotografuar gjyshi tonë, – thotë e reja. Ndërsa ia pret 87-vjeçarja: Vjehrrin e kisha fotograf unë, pastaj ia la edhe tim shoqi zanatin.

Kanë ardhur burrat nga Amerika, ndërsa gratë i kishin këtu, – tregon Milika, e cila na tregon edhe fotografinë e dasmës së saj, një foto e jashtëzakonshme, artistike, e bërë nga vjehrri fotograf. Tani s’kemi foto, na kanë humbur. Është turp që gjyshin e kemi pasur fotograf e tani s’kemi më foto të tij, – na thotë e reja.

Shëtitja jonë vazhdon, në ajrin e pastër. Plot bukuri. Por edhe një udhërrëfyes si Niko duhet patjetër që ta ndiesh si merr ende frymë Dardha. Si Dardha, nuk ke asnjë fshat, – ndërhyn Niko, kur sheh se kënaqësia jonë ka shkuar në zenit prej ajrit, bukurisë e qetësisë.

Fshati lëviz. Njerëzit e tij rikthehen në verë.

Rrugës takojmë edhe Vangjon, një dardhar puro, – na thotë, menjëherë, i cili është marrë me ndërtime. Shtëpia e tij është më e vjetra në Dardhë, e 1860-ës.

Shiko, shiko sa bukur, – tërheq vëmendjen tonë Niko, – tregon malin përballë, gjithë luginën, shtëpitë që na zbresin e shtëpitë sipër kokës sonë.

Pas kësaj pamjeje thellësisht natyrë, në krahun tonë na tregojnë shtëpinë e një tjetër personazhi të rëndësishëm në politikën aktuale, në qeverisje e kryeqytetit, që ia kishte dhuruar nuses së parë, e nusja e parë më pas e kishte shitur. Këto janë tipike “thashetheme korçarësh”, me të vërteta që mbyllen po aty. Është një vilë e jashtëzakonshme, plot shije e ndërtuar. Janë hedhur miliona, – na thonë.

Këtu, në këtë vend ende shitet, blihet, shemben mure të vjetra, ndërtohen të reja…

Niko na tërheq drejt një shtëpie tjetër, me shoqe nga bukuria, por për të mban kuriozitetin e të huajve, pa arsye. Ja afrohu, të marrësh pastaj atë shtëpinë që marrin të tërë. E pëlqejnë të huajt, më shumë, – na thotë dardhari. Burrat në këtë fshat, ata që janë dardharë sapo takohen nisin thashethemet, fjalët, pëshpërimat ç’kanë dëgjuar, e ç’do të ndodhë. E gra dardhare veç Milikës e Flories nuk pamë më gjëkundi.

Jo larg një tjetër shtëpi ka nam, një personazh VIP i televizionit… Është fshat i bukur.

Ja të tërë kanë shtëpi këtu, – na thonë si për t’u mburrur me “njerëzit e rëndësishëm të kryeqytetit”. Rrugës takoma edhe Vangjushin, i kërrusur mbi lulet. Po i plehëron. Sapo shohin Nikon të gjithë vendalinjtë pyesin: Ato gropat e rrugës do mbushen Niko? Duhet bërë shkrime, ankuar. Hidhet burri i luleve: Ato gropa po nuk ke për t’i mbushur, mos i hap gropat në rrugë! Dialogu nga gardhi vazhdon: Do rregullohen, më kanë premtuar.

Niko, jepi drejtim, – i thonë bashkëfshatarët. Udhërrëfyesi ynë Niko u buzëqesh të gjithëve, u premton të gjithëve, i mban me shpresë të gjithë, përcillet, por edhe kënaqet.

Të gjithë i flasin në rrugë, janë miq të vjetër, – thotë Niko. Në një shtëpi janë ulur disa burra dhe përshëndeten të gjithë me njëri-tjetrin.

Pak minuta sa takojmë Vangjushin na tregon shtëpinë e re. Edhe ky dardhar me shtëpi të re, – habitemi. Por fjala na pritet: E ka parë filmin “Dimri i fundit”, ja kësaj shtëpie i vunë zjarrin për të luajtur filmin, – thotë i zoti, – ka qenë goxha shtëpi, ishte e shtetëzuar atëherë. Kjo ishte historia më fatale që mundëm të merrnim, pas ikjes masive të dardharëve dhe historisë së tyre të qytetërimit të `30-ës. Kjo shtëpi nuk tërheq më.

Por jo larg, një tjetër shtëpi tregohet me kuriozitet, është e gazetares së “Zërit të Amerikës”, na thonë, e ka burrin nga Dardha.

Cikli i shëtitjes që nisi nga shtëpia e Flories, mbyllet po aty. Lakrori është gati. Ja kështu shikohet bukuria e Dardhës, flisni tani, – thotë Niko. Një orë apo dy është e mjaftueshme për t’i rënë fshatit kryq e tërthor. Oborri i Flories është mbushur me lule dhe shtëpia është e thjeshtë, gdhendur me gurë. Kjo është nikoqire, i ka të gjitha, mos shikoni vetëm lulet, – na nxit udhërrëfyesi ynë. Pak metra nga oborri, është vendi i saçit, vendosur nën strehë kashte. Aty sapo ka mbërritur edhe mbesa e Flories, e quajtur pothuaj me të njëjtin emër, Floriana. Ajo është mjeke, tani është menaxhere për gjithë qarkun e Korçës; vjen në Dardhë e gatuan e shërben njëlloj si gjyshja e saj, pa zë, përplot dashuri për njerëzit. Gjithë kujdesja jonë është fotoja për lakrorin. Sapo na sheh, 75-vjeçarja me hare, befason: Të m’i hidhni fotot në Facebook-un tim, në internet, e kam dhe unë emrin, ja nxjerr lakrorët e mi aty. Por syri i Flories është e mbesa: Punëve të shtëpisë i vete shpuzë, kushdo që vjen kënaqen, të gjithë ikin me fjalë të mira, ne i kemi çupat flori.

Por gazi i Flories nuk mbaron këtu, dy dardharët e vjetër bëjnë një “grindje” të vogël mes tyre: Më ke lënë pas dore Niko, nuk më ndihmove të shkoj në “Master Shef”, të bëja provat e lakrorit, le të më çoje të bëja prova të paktën, – thotë Floria, me seriozitetin e saj.

Të gjejnë rastin, të tregojnë hallet, si i kanë dalë plakës varicet, si dhëmbin këmbët dhe zemra. Por Floria për një moment “turpërohet” para nesh. Nuk ka lopë. E dhalla për të nderuar mikun është blerë nga qyteti. “Unë dua t’ju nderoj. Lopë s’kam, por kjo dhallë që kisha e dua për të nderuar mikun”.

Sa për lakrorin, ajo është mjeshtëria e Flories dhe nami i saj në gjithë Dardhën, si e fundit amvisë me sqimë, në këtë anë. Ajo thotë: Unë nuk i bëj me gjellë lakrorët, nuk i bëj me thembra, nuk i bëj të më ngjitet gjella me brumë, lakrorin gjella e ha. Syri e ha, po ta hëngri syri ta ha dhe goja. Të kisha një kuzhinë, me këta lakrorë do fluturonja, – i ankohet Floria Nikos.

Familja e Flories ka ardhur në Dardhë nga një fshat quajtur Arëza, 40 vjet para. Ishin katër vëllezër, u ndamë, u ngritëm e morëm shtëpi këtu, – tregon gruaja. Thotë se kur e morën shtëpinë “ishte e shkundur fare” dhe e kanë riparuar veç me çimento e gurë.

Ndërsa e mbesa, Floriana vjen në Dardhë në verë, një herë në dy javë. Të dyja kanë një ngjashmëri si dy pika uji, shtrëngohen me njëra-tjetrën, e duhen shumë. Floriana na tregon se shpesh ka menduar të qëndrojë në Tiranë, por i duket mjaft e shtrenjtë për të jetuar. Vizita jonë mbyllet me uratat e 75-vjeçares. Familje e mirë, ja këtë sekret kanë dardharët, janë të mirë, pritës të miqve, – na thotë udhërrëfyesi ynë.

***

Për pak metra jemi në qendër të fshatit. Aty ndodhet godina e muzeut. Për herë të parë ka hapur dyert në mesin e gushtit. Në vizitën tonë po punohej intensivisht për ta ngritur në këmbë. Dikur ka qenë shkollë, por ishte e mbyllur prej vitesh pas nuk kishte më nxënës dardharë.

“Bëni kujdes ruani trashëgiminë e paçmuar të gjyshërve dhe stërgjyshërve”, – shkruhet në hyrje të godinës. Takojmë Kristaq Ballin, ekspertin e trashëgimisë, studiues, që i njeh Dardhës çdo gur e histori, i cili është kujdesur deri në këmbjen e muzeut.

Balli na thotë se kanë rivitalizuar çdo gjë dardhare; foto historike, ku pasqyrohet historia e fshatit nga krijimi deri sot. Ka arsye më shumë pasi të gjitha materialet dhe fotografitë janë të vetë dardharëve. Dardha ka pasur 12 fotografë. Më i dëgjuar Jani Zengo, i pari fotograf shqiptar. Nëse Marulet konsiderohen që s’janë shqiptarë, Jani Zengo është fotografi i parë shqiptar. I fundit dardhar fotograf është Leon Çika, – na tregon Balli.

Por, ne na tërheq fotoja historike e fshatit. Gratë e me veshje dardhare e para 100 vjetëve. Dardharët me kontraste të befasishme; me kostumet e tyre popullore po dhe modernë.

Por fshati përveç fotografëve ka trashëguar edhe 24 piktorë ikonografë të shek. 19 dhe deri gjysmën e parë të shek 20. Më të njohurit është Sotiri dhe dinastia Zengo, me pesë breza piktorësh ikonografë, dhe shumica e tyre ishin klerikë. Studionin në Malin e Shenjtë, studionin dhe bënin piktura, – tregon studiuesi. Ndonëse flitet se Dardha ka 250 ikona, gjurmët e tyre s’janë gjëkundi veçse në dëshmi fotosh. S’ka gjurmë të fotografëve, origjinale.

Fotografia më e vjetër e fshatit i takon vitit 1895, aty është historiku i Dardhës në krye të derës, e shkruar në dy gjuhë. E kemi organizuar muzeun me pavijone, i pari urbanistika dhe arkitektura, emigracioni, turizmi, shkolla dhe feja çdo gjë dardhare, do të jetë muzeumi më i bukur i fshatrave turistikë në Shqipëri, – na thotë specialist dardhar.

Në fakt, ndërtesa është me një arkitekturë të rrallë, me strukturë plot stil e gdhendur me gurë. Është një ndërtesë që e kanë bërë vetë dardharët emigrantë të Amerikës me kontributin e tyre për të shërbyer si shkollë për fëmijët e tyre. Është e vitit 1924. Por, ja, edhe sot po dardharët e Amerikës e rivitalizojnë. Është kontributi i tyre sërish, veç këtë herë për muze dhe për shkollë s’bëhet më fjalë në Dardhë, vetëm një klasë është ruajtur brenda muzeut si dëshmi. Një klasë tipike e kohës së diktaturës, me banka prej druri të vjetër, ku ruhen ende tabelat nëpër mur. Për herë të fundit na thonë se është dhënë mësim në vitet `90, pasi nuk kishte më nxënës, ikën të gjithë. Dardharët e Amerikës na thanë se do të na ndihmonin, vetëm të mos prishej struktura. Na ka ndihmuar edhe Ambasada Amerikane. Arkitektura është ruajtur, punuar mbi origjinalen, – thotë Kristaqi. Një klasë është lënë dhe do të ruhet si muze, siç është. Niko Bali thotë se ky muze, ka qenë shkollë pa nxënës dhe nisma e tij si kryetar i shoqatës dardhare ishte kontributi për ta ndërtuar. E gjitha në fakt një punë vullnetare, pa lekë për muzeun.

***

Dardha e krijuar në gjysmën e parë të shek. XVII, shihet si një fshat i ri, me banorë të ikur nga përndjekjet e Perandorisë Otomane. Gjenin këtu strehë për t’u mos konvertuar dhe një terren të mirë për t’u mbrojtur, natyrë e bukuri, plot me pyje. Ishte një fshat që u rrit shumë shpejt në sajë të kurbetit, – tregon Kristaqi, studiuesi dardhar. U rrit aq shpejt brendapërbrenda, sa nuk arritën të mbijetonin, nuk mjaftonin resurset kështu dardharët u detyruan të shkonin në kurbet. Siguronin jetesën nga pyjet. Ishin drupunues, përdornin sharrën dhe sëpatën, – thotë historiani. Kjo arsye mban simbolikën, sa edhe filozofinë e këtij fshati në shprehjen e njohur: e pret si me sëpatën e dardharit! Na shpjegojnë kuptimin e dyfishtë: punëtor, zanatçinj, por dhe në metaforën e dardharit; fjalëpakë e me karakter të fortë, njerëz të besës, familjarë e punëtorë. Dardha ka shenjën e saj. Një simbol i dytë për vendalinjtë, kostumi dardhar, me krenari si nga më të bukurat në Shqipëri. Dikur prodhohej në vend.

Që na punimi i leshit, ka pasur batane, ca çekanë të mëdhenj druri me të cilën prodhonin shajakun. Ka pasur pesë a gjashtë të tilla këtu, – thotë Bali. Nisej nga prodhimi i leshit, deri në plotësimin e kostumit, burra e gra punonin bashkë.

E në simbolikë të tretë, tek dardharët zë vend vallja. Kudo e njohur, e përfshirë në të gjitha festivalet, e shoqëruar edhe me sqimën e veshjes, kostumet e tyre. Është valle pa orkestër, e kënduar, gratë luajnë dhe këndojnë,  ja ju kujtohet kënga e 25 gërshetave, këngë e valle dardhare, – na tërheq vëmendjen Kristaqi, 30 vjet, muzeolog, restaurator dhe studiues.

Ai tregon se zhvillimin e fshatit e solli edhe emigracioni, pasi bashkë me paratë sillnin edhe mënyrën e jetesës. Dardha mbahet mend me jetë qyteti, nuk kishte familjare dardhare pa një emigrant nga Amerika në shtëpi. Na tregojnë se dardharët kanë sjellë makinën e parë, që në vitin 1930 bënte shërbimin taksi në rrugën Dardhë – Korçë. Ja këtu thonë dardharët u vendos për herë të parë kultura e taksive. Por, më herët, kulturën e tyre dardharët e lidhin me arsimin, kur për herë të parë aty u hap shkolla greke në vitin 1768, pak të tërhequr, se ishte Turqi atëherë.

Tani Dardha është e gjitha një muze, në muzeun të ndërtuar prej emigrantëve 90 vite më parë si shkollë, por tani të rralluar. Nga lufta ikën shumë, shumë, – tregojnë, por akoma më tej u rralluan dardharët duke ardhur në Tiranë. E prej andej politikanë e VIP-a kanë fashitur tani historinë, pëshpërime pas mureve për vendin e bukur në dimër e verë.

Në ikje, udhërrëfyesi ynë kujdeset për transportin. Një e metë për Dardhën. Nuk ka asnjë linjë për të shkuar në Korçë. Për t’u ngjitur merrni makina të rastit!

qershor 2015

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>