Reportazh/Në qytetin muze, ku njerëzit rrojnë me historinë dhe realitetin e ri

Violeta Murati

Mund të jetë ndër ditët e rralla që Ruzhdiu kapardiset në karrige, që ndez aq shpesh cigare dhe e hedh plot kënaqësi përtej gardhit të tij prej guri. Pa pyetur se ku shkon bishti… por me siguri nuk rrokulliset. Edhe po të ndodhë, qameti, mbi shtëpinë e Enverit apo të Kadaresë mund të shkojë. Me vete Ruzhdiu do të thoshte: Mirë ia bëra!

Por ja, që kjo imagjinatë shkon bosh, për fat, sepse në këtë moment pinjolli i shtëpisë së Zekatajve, më e famshmja në muze, po u gëzohet mysafirëve që kanë zënë oborrin e shtëpisë. Është një televizion që po bën xhirime te një nga dhomat karakteristike të kështjellës së Zekatajve!

Zhdukjen e Ruzhdiut nga sytë këmbët e pamë në fund, kur po hynte pak tinëz në shtëpinë e tij, me një shuk parash. Po i numëronte sikur mos ta shihte njeri.

Që në hyrje të Gjirokastrës, pasi kemi udhëtuar mbi pesë orë nga Tirana, e ndalur në dy lokale për kafe dhe pilaf e kos – sepse është e famshme në ato anë kosi i prerë me thikë – harrojmë menjëherë se ekziston ajo pjesë e qytetit me pallate, ca të sotme e ca të zymta nga diktatura. Nëse nuk ke qenë asnjëherë në Gjirokastër, nuk ke fare interes për to. S’do t’ia dish për qytetin, megjithëse të rinjtë e duan qytetin dhe rrallë e më rrallë ngjiten në kala. Vetëm në lokalet moderne për një kafe, qameti. Direkt mbi majë, deri para portës së shtëpisë së Zekatajve na u desh me dhjetëra herë të pyesnim. Në Lagjen Kala rrugët janë të gjitha me kalldrëm, të frikshme për t’u ngjitur me makinë. Gjithmonë përpjetë dhe tatëpjetë. Po trafik aq të madh nëpër labirintet e lagjes-muze të Gjirokastrës nuk kemi parë as në rrugë qyteti, nga të provincës. Të huajt dukeshin shpesh e më shpesh, duke zbritur e ngjitur me çanta mbi shpinë. Më ngjanin të vjetër shumë, duke u mbajtur në krah të njëri-tjetrit a me shkop. Në grup i tillë doli nga shtëpia e Zekatajve dhe nuk lexuam dot në fytyrën e tyre, nëse kishin marrë kënaqësi apo u kishte dalë shpirti duke u ngjitur deri në majë të kështjellës që mund të ishte më shumë se katër kate pallati. Megjithatë, Ruzhdiun e pamë më të gjallë dhe në këmbë, mu te porta, që të dilte dhe në televizor.

Nëse nuk ke qenë ndonjëherë në Gjirokastër, mezi pret t’ia zbulosh namin e madh. Dhe nëse shpesh të ka rënë rruga andej apo ke qëndruar me ditë, ajo të përpin dhe vështirë të dalësh pa marrë të gjitha çuditë e njerëzve dhe historinë e atij vendi. Ne jemi rioshë, presim namin e madh.

Ruzhdiu mezi na tregon shtëpinë e Kadaresë, nga aty, gati në krye të Gjirokastrës! Kur e pyet edhe për shtëpinë e Enverit se nga bie, Ruzhdiu nevrikoset ose më mirë xhelozohet sa s’ka më dhe në mospërmbajtje thotë se e mbante mend shumë mirë, kur sipër shtëpisë së tij, Enveri dhe Kadareja venin për të lozur, duke rrëshqitur nga lart derisa grisnin pantallonat poshtë bythëve, saqë nga sikleti vendosnin dërrasa nën to. Të gjithë në këtë vend e kanë qejf ta bëjnë historinë e tyre të çuditshme. Edhe ta sajojnë, veç të kenë tavolinë për t’i dëgjuar. Në këtë rast nuk besojmë shumë, sepse na dukej kërcënim për shtëpinë e Zekateve, nisja e ndërtimit të shtëpisë së Kadaresë – shtohej konkurrenca, me gjithë fjalët që ishin hapur se dhe muzeu etnografik, do të kthehet në identitet, ashtu si e njohin më shumë si shtëpia ku ka lindur Enveri. Edhe të huajt së pari shtëpinë e diktatorit kërkojnë.

Për këtë, ndoshta, Ruzhdiu na lë për gati më shumë se një orë duke pritur, jo vetëm ngase në shtëpinë e Zekatajve ishin instaluar kamerat, por plaku 70-vjeçar, i cili ka qejf t’ia japim moshën më të re, thotë se duhet të paguajmë një evro e gjysmë për të parë Zekatajt e vjetër.

Rri në këmbë ftohtë dhe na thotë prerë: – Nuk ka shtëpi si kjo në Ballkan e mbarë, hajd hyni, pa para! Ngaqë ishim shumë femra, iu prish mendja ose gjirokastritët janë bërë bujarë, vetiu nga halli, ndryshe nga nami. Kjo është një shenjë se po dalin nga muzeu!

Ndahemi me të sertin, Ruzhdiun, pa na dhënë dorën, po duke mërmëritur se më shumë shkruan ai libra se Kadare dhe emrin nuk ia nxë në gojë, por thotë se i ka të gjitha histori të vjedhura!

Shtëpia e Zekatajve ishte bosh, përveç një dhome të zbukuruar, e veshur tamam për të pritur njerëz. Shtëpi kullë, unike në stilin e saj, por dhe më e vjetra, i ka muret mjaft të forta. Është shtëpi 150-vjeçare dhe tani ka krejtësisht funksion muzeal. Mbi një sënduk në katin e dytë, Ruzhdiu ka vendosur aty disa fletëpalosje, vetëm në gjuhën angleze, ku tregohet gjithë historia e kësaj familjeje, bashkë me atë të vendit, pse kjo shtëpi mban histori. Është një zonjë që shoqëron një grup turistësh të huaj, duke i shpjeguar secilin kat të Zekatajve. Familjet e mëdha e të pasura ndërtonin shtëpi të tilla në Gjirokastër, që kishin disa djem dhe secilit prej tyre i ndërtohej një kat.

Nga kati më i lartë, ballkoni i Zekatajve, Gjirokastrën e bëje zap, në një sy, po vështirë të çante çatitë dhe një mijë e një të hyra e të dalat e rrugicave.

Oborri i mbushur me trëndafila, po pa erë, mbanin freskinë e malit. Këngë labe, që nga lagja poshtë shtëpisë së Zekatajve ushtonte. Na thanë se ishte dasmë, ishte e shtunë.

Pleqtë e huaj, që ishin aty, na bënë të reflektonim se si ata arrijnë të shëtisin në këtë moshë. Ndërsa plakat dhe pleqtë e Gjirokastrës po flijonin pleqërinë e tyre në ato shtëpi 300-vjeçare.

Reflektimi shkonte më tej, nëse nuk do të iknin shpejt e shpejt para nesh, rreshtuar për një, duke u larguar në qetësi dhe duke kthyer kokën herë pas herë derisa furgoni i tyre u përpi nga rruga thikë.

Pasi kalojmë një të përpjetë të fortë, me kalldrëm që djeg nga dielli, hyjmë në një rrugicë të ngushtë, kur befas një shtëpi e rrethuar dhe me portë prej hekuri të vjetër, mbyllur – na tregojnë se është shtëpia e Ficove, moshatare me të Zekatajve, 200-vjeçare. Po aty nuk banon njeri. Ndalim përballë saj – është më e bukura, na u tha për këtë shtëpi, por akoma nuk ka vënë askush dorë mbi të. E shikojmë sërish me vëmendje dhe vërtet dritaret, ornamentet mbi to e bëjnë këtë shtëpi të pazakontë. Vetëm se shumë e vjetër e gati po ia numëronin ditët. Ficot i lëmë po aty dhe ndjekim rrugicën drejt shtëpisë së Kadaresë. Pa ardhur ora 12 e drekës, në mes qetësisë, zogjtë dëgjoheshin dendur dhe nga dritaret e shumta dhe të vogla të shtëpive, e oborreve të pakët me gurë, dëgjoheshin llafosjet e grave. Pëshpërima të afërta, si veshi.

Papritur na del sokaku i të marrëve. Një si hije dimri e vishte këtë rrugicë, gri e fortë bashkë me gurët dhe dritën e rëndë. Është magji, si kohë e ndalur.

Na thonë se Kadareja çmendet për këtë rrugicë. Po ta ndiqje më thellë, të çonte direkt në shtëpinë e Enver Hoxhës. Pak metra përpara, në të djathtë; shtëpia e Kadaresë të del edhe ajo papritur. Është në ndërtim. Një portë me hark të madh mbi, ku hekurat dhe gurët janë ende grumbull. Ngjitur na tregojnë se shtëpia mori flakë. Aty banonin dy familje, dy qiraxhinj prej 30 vitesh. Më mirë që mori flakë, se u bë sebep ndërtimi i shtëpisë së Kadaresë – na thotë gjithë kënaqësi shoqëruesi ynë.

Agron Duraco ka shtëpinë ngjitur, për të cilin na thonë se është arkitekti i shtëpisë së Kadaresë. Ia ka besuar ndërtimin vetë shkrimtari. Aty ishte qeni i parë që dëgjonim të lehte. Dera e Duracove ishte mbyllur, komshinjtë na treguan se nuk jetonin aty, se vinin rrallë në lagje. Jeton në pallat – na tha një fqinjë. Ndoqëm pak sokakun e të marrëve dhe në dy kulme, që dukeshin si mbyllje e rrugicës një burrë mbi çati rregullonte tjegullat apo antenën nuk merrej vesh, veç të jepej vërtet përshtypja se ai mund të rrëshqiste e mund të vinte rrokullimë në këmbët tona. Portat ishin përballë njëra-tjetrës, në sokakun e të marrëve. Dhe kalldrëmet krijonin bordurë mu te pragjet e shtëpive. Duke mos u ngopur me rrugicën, ne u vërdallosëm dy-tri herë poshtë e lart dhe e shikonim herë duke iu afruar, e larguar. Në njërën nga portat, ajo sa zë fill në rrugicë, në të majtë, një burrë i qeshur sa na pa, pyeti menjëherë se për çfarë mund të kishim nevojë. Ai ishte banor i vjetër dhe i lindur aty. Mbiemrin ia thoshin Kosta, sipas regjistrimit të ‘46-s, ndërhyn ai, duke na siguruar për hershmërinë e tij, të familjes në atë shtëpi. Kur ia lavdërojmë rrugicën, ai plot krenari thotë se barin dhe gurët e kalldrëmit i pastrojnë, i gërryejnë me majë të thikës. Aq kujdesej! Burri këmbëngul që ne të gjejmë çelësin për të parë shtëpinë e Kadaresë, duke treguar menjëherë për familjen që po i rikthehet fqinjë: “Me vëllain Shahinin jam rritur, ai është tjetër tip nga Kadareja, më alegro, më i komunikueshëm; ndërsa Ismaili qe më i mbyllur, por më i zgjuar”. Sikur të ishte një ciceron i ardhshëm, burri me mbiemrin Kosta thotë se ishte një familje arsimdashëse ajo e Kadarenjve, që mendjen e kishin te shkolla! Komshiu i Kadaresë flet plot ngazëllim, a ngase e di se do t’i takojë atij t’i presë mysafirët kureshtarë, të shohin shtëpinë e shkrimtarit – kubenë, pjesën e portës hark, ia kemi hedhur ne lagjja, në vitet ‘78-‘80 – thotë ai, i cili shton se kjo kube ka qenë gati tri kate e lartë, po u prish.

Po në ikje ia morëm vesh emrin: – Kam dy emra, – na thotë, – një e kam debatikas, Coli – që i kish mbetur qysh nga koha e filmit, si fëmijë çapkën, që nuk linte dy gurë bashkë. Duke u ngjitur me makinë drejt shtëpive më lart, aty mbahej radio në muzikë vendase. I kthejmë kurrizin rrugicës që të çon te shtëpia e Kadaresë dhe marrim djathtas, lart, vetëm pak metra një portë prej druri mban një tabelë të vogël llamarine e bardhë: Vasil Laboviti, kirurg, gyneokolog. Menjëherë na thonë se është ai mjeku, personazhi që ka ndërtuar historinë e romanit Kadare, “Darka e gabuar”.

Aty nuk jetonte njeri, por emrin e ruante, si muze. Ishte komshiu i shkrimtarit dhe këtu na komentojnë pse Kadare ka thënë se kjo është historia ime, pa marrë rol historiani.

Korrespodenti i Gjirokastrës, që na ndihmon në guidën tonë, thotë se ka krijuar një fond të madh me foto nga Gjirokastra dhe as nuk ka ndërmend t’i shesë.

Është bërë dhe ai enigmatik – kur na thotë se “di unë se ku do t’i çoj” – sikur dhe ai do t’ia punojë muzeut!

Nisemi tek shtëpia e Enver Hoxhës pak më lart se e Kadaresë. Shtëpia e Enverit ose muzeu etnografik. Habia në këtë qytet nuk ka fund. Shtëpia është e bukur dhe e re. Pllakata në mur na tregon muzeun. Shtyjmë portën dhe shkallë të ngushta, na çojnë në katin e dytë. Menjëherë ndien freskun, gati vjeshtor të shtëpisë brenda, ndryshe nga gurët e kalldrëmit që të përvëlojnë këto ditë qershori.

Kur gruas, veshur me të zeza, që qëndron si kujdestare e shtëpisë-muze i tregojmë se jemi gazetarë, na e pret shkurt: Po ç’ju ka hipur në kokë, nuk keni qenë ndonjëherë në Gjirokastër! Ne, në fakt, u prezantuam për mirësjellje, por edhe si të panjohur me qytetin. Ajo na tha se nuk merrej me vizitorët, duhej të prisnim ciceronen. Rreth orës 16:00, ciceronen e Muzeut e gjetëm në punë, me disa të huaj, turistë. Kur mbaroi, erdhi tek ne dhe direkt tha: Kjo është shtëpi karakteristike e qytetit të Gjirokastrës, ku ka lindur edhe Enver Hoxha. Ky është prezantimi i parë që na bën ciceronia, ashtu si për çdo vizitor tjetër. Të gjithë tani që vijnë në Gjirokastër, pyesin për herë të parë ku është shtëpia ku ka lindur Enveri, se është një fakt që nuk mohohet. Shtëpia e Enverit është bërë muze në vitin 1966. Ka qenë muze lufte. Pas vitit 1991 u bë muze etnografik, në varësi të bashkisë. Na duhet të sqarojmë se muzeu kur ishte për luftën, ka pasur dokumentacion dhe fond për veprimtarinë e Enverit dhe dëshmorët e luftës. Kujdestarja e shtëpisë na kishte thënë më përpara se sa për kulturën popullore, kjo shtëpi është tipike karakteristike dhe ka po aq vlera arkitekturore sa ajo e Zekatajve apo e Angonatëve, ndonëse është më e mbajtur, se është ndërtuar më vonë.

Por, ka pasur dhe fat kjo shtëpi, sepse është mbajtur më mirë se të tjerat. Është banesë gjirokastrite dhe tregon se si jetonin njerëzit, si e mbanin shtëpinë, dhomat e gjumit, dhomat e ndenjes – shtëpi për familje të mëdha, ato ndërtoheshin trekatëshe, ku kati i parë ishte bodrum dhe nuk përdorej nga njerëzit; kati i dytë ishte dhoma për stinën e dimrit dhe kati i tretë, më i bukuri dhe më i larti, është përdorur për verë.

Në vitin 1916, na tregojnë se shtëpia e Enverit është djegur aksidentalisht dhe është rindërtuar pas çlirimit. Para nesh, janë disa të huaj që po shohin shtëpinë – dhe vetiu na vjen pyetja se si u prezantohet të huajve: thjesht muzeu etnografik!? Në fakt, kjo u tregohet të gjithëve; se është shtëpia e Enverit, pasi është kurioziteti i parë pse trokasin aty. Kur të huajt vijnë, kurioziteti më i madh dhe nami më i madh është për shtëpinë e Enverit. Ka nga ata që duan të dinë më tepër për jetën e tij. Të paktë janë ata që kënaqen duke e parë si godinë, si interes etnografik.

Tani u thuhet se është muzeu etnografik, po edhe nuk mohohet diktatori; ka njerëz që duan të dinë nëse ka sende të Enverit, por ka dhe që s’duan t’ia dinë – na shpjegojnë aty. Në 16 tetor 2008, në ditën e lindjes së Enverit, tregojnë se bashkia dha miratimin që njerëzit të vinin për vizitë tek shtëpia, po pati reagim kundër. Tani qarkullon prapë ideja, pse mos të shfrytëzohet për turizëm dhe emri i Enverit, për të mbledhur para. Ndërsa mbahet ende sekret dhe me zor na tregojnë se aty mund të ketë sende dhe fonde personale të diktatorit.

Edhe kjo shtëpi është mjaft e bukur, pak stil italian, frymë orientale – por asnjë shtëpi me të njëjtin model, të gjitha të ndryshe, në harmoni totale arkitekturore. I kanë ndërtuar vetë gjirokastritët, duke marrë modele nga jashtë. Ishin familje të pasura dhe të mesme që e bënë këtë lagje gurë mbi gurë. E lëmë kujdestaren të shoqërojë disa të huaj, për t’u rikthyer në orarin që vinte ciceronia, çdo ditë në pasdite deri në mbrëmje vonë.

Nuk mund t’i shëtisim shtëpitë një për një, por përballë në qendrën e Qafës së Pazarit duket shtëpia më e madhe, ajo e Angonatëve. Në të djathtë është shtëpia e Babametove, e rrënuar. Kur largohemi nga shtëpia e Enverit, nuk di ku t’i hedhësh sytë më parë. Bukuritë e arkitekturës së shtëpive gati shemben, menjëherë – një natë kushton 50 euro dhe shumë atje kanë nisur t’i kthejnë në hotel. Një shtëpi e tillë ishte e Kotonëve, edhe pse pa namin e Zekatajve apo Angonatëve. Njerëzit po dalin nga muzeu.

Tani na tregojnë banorët kanë nisur t’i ndërtojnë e rregullojnë shtëpitë për t’i kthyer në hotel. Ka aromë tradite – qëndismat e bardha, e kuqja e qilimave dhe shtrojeve mbi mindere. Kur shkojmë pranë shtëpisë së Babaramove, ndonëse e shohim në gjendje të rëndë, shpresat për të janë të mëdha. Dhe ajo do bëhet hotel, me t’u ndërtuar. Na thonë se kanë dalë 40 të rinj, studentë të arkitekturës, nga Ballkani, që kanë marrë nismën për të rikonstruktuar shtëpinë. Kështu do shpëtojë, do dalë dhe kjo nga muzeu!

Kjo lagje është më e populluar në krahasim me rrugicat e tjera të zonës muzeale të qytetit. Në këto vite na tregojnë se i është rikthyer gjallëria. Ka qenë e vdekur, të gjithë e kishin braktisur.

Qafa e Pazarit është krenaria e qytetit. I kishte humbur, edhe këtij, lavdia. Me të dhe hunda u ra gjirokastritëve. Kishte 15 vjet që u kishte luajtur hunda vendit, derisa erdhi krahu i djathtë. Në rrugicat e Qafës flitet për deputetin Genc Ruli, që u hapi derën dhe i bëri njerëzit të dalin gjer tek porta e të hapin dritaret, të nisin njëfarë tregtie.

Të gjithë thonë se në këto vite po vinin në një qytet të vdekur. Tani kanë mbirë hotelet që të mos kenë më turistë ditorë.

Hyjmë në një nga lokalet, që ishte godinë dykatëshe, po asgjë e lidhur me karakteristikën e muzeut. Ishte edhe hotel. Ulemi aty të pimë kafe dhe kundrejt nesh vetëm një tavolinë me vendalinj, me gota konjaku përpara, pa meze. Biseda e tyre është e gjallë, me zë të lartë dhe mbushnin hapësirën bosh të lokalit.

Në një moment qetësie gjerbim kafenë – dëgjojmë bisedën e tyre, flisnin për historitë e romaneve të Kadaresë dhe ziheshin kush e kush i qëllonte në të. Kthenin konjakun dhe fjaloseshin me mburrje e siguri se romani “Pallati i ëndrrave” i përket kësaj lagjeje  dhe… fjalët na shkëputen. Kuptojmë se ky qytet jetonte i konservuar, njerëzit tirrnin ditë e natë historitë e tyre të shkruara në romanet e Kadaresë, që kurrë nuk janë të qarta e për këtë arsye ato i linin banorët e Gjirokastrës në takimin e së nesërmes për ta nisur sërish… tek e njëjta histori dhe kështu jetët e tyre dilnin nga romani, hynin në ndonjë nga lagjet dhe prej andej kapërcenin në romanet e Kadaresë. Prandaj, shpesh ato na duken trillime, copëza joreale! Sikur shkruar enkas për gjirokastritët që historitë të mos dilnin nga enigma e rrugicave dhe shtëpive një mbi një.

Me shkollë pa shkollë, gjirokastritët e lexonin Kadarenë për thashethemet, se për cilën derë dhe njerëz ka shkruar ai historinë. Zonja e një prej hoteleve në Qafën e Pazarit, zonja që nuk ka hijen e anëve, po ngjan me “format e edukimit” që ngriti Enveri, thotë se ka dy vjet që e kanë hapur biznesin. E tregon me entuziazëm dhe ka plot arsye, sepse aty kanë bujtur emra personalitetesh, edhe të huaj, për shembull, me mburrje ajo na tregon në korridorin e hotelit një letër të futur në kornizë, varur në mur: Ja, ma ka dërguar ambasadori amerikan, Ëithers, ja emri dhe firma e tij që kanë fjetur në hotelin tonë. Thjesht i falënderon për mikpritjen. Sa për bujari nuk e dimë, sepse çmimet aty janë shumë të larta për të huajt dhe zonja e shtëpisë thotë se për shqiptarët turistë bëjnë zbritje!

Engjëllushe quhet dhe tregon se nuk e ka fajin Qafa e Pazarit pse nuk është e gjallë;. Aty nuk ka njerëz! Puna në Gjirokastër: vetëm lokal e dyqan, nuk ka asnjë punishte.

Në Kalanë e Gjirokastrës janë tre-katër hotele, që e ruajnë traditën.

Artizanët janë të paktë, siç dihet në gjithë Shqipërinë, që lënda e parë merret kushedi, nga Kina e Turqia! Vetëm në një dyqan qëndismash, shohim në mur edhe disa filigranë, vathë e varëse, dhe bëhemi kureshtarë: Bashkëpunojmë me gratë e Shkodrës, – thotë shitësja, – sjellin tek ne edhe punë dore për të shitur!

Dyqanet e tjera janë me bukë e ushqime. Shumica janë të mbyllura me grila të vjetra. Po prapë e ndiejmë se aty diçka po lëviz, se njerëzit po ecnin. Një berber rri si qëmoti, në pragun e derës: me bluzë të bardhë e copë të bardhë, varur në gjysmë, në parakrah. Nuk ka njeri brenda, dyqani nuk duket modern dhe dera është gjysmë me xham e gjysmë dru i vjetër. Vetëm dyqanet e celularëve dhe bankat janë moderne aty.

Duke zbritur nga kalaja, në mbrëmje, zgjodhëm të ecnim në këmbë. Rrugën nuk e dinim dhe asnjë vendali nuk na shoqëronte. Por me nuhatje, në tatëpjetë kupton se nga duhet të shkosh, këmbët shkojnë vetë. Rrugicat marrin tjetër pamje natën. Nuk janë të frikshme. Janë me të qeta se ditën. Dritë nuk ka shumë. Ndërsa ndriçimi i dobët është si në gri, ndoshta nga errësira dhe reflektimi që lëshojnë gurët e errët në mbrëmje.

Muzeu natën tërheq më shumë, sepse ditën s’të lë as nxehtësia që lëshojnë gurët.

Kjo sikur fsheh të gjithë mistiken që vetë banorët e rrugicave kanë ngritur për qytetin e tyre. Të përcëllon ditën. Edhe anetë e famshme, të ashpra, nuk duken, dhe për to s’flet më njeri.

Përkundrazi, si specie në zhdukje, anetë sikur të ruanin dhe ato misterin e tyre zgjidhnin buzëmbrëmjen për të dalë në bordurat e portave. Pamë një grumbull të tillë, katër-pesë gra, me fustane gri me lule të vogla dhe plaka veshur në të zeza e shami në kokë që rrinin rreshtuar, jashtë portave. Sikur po shihnin ndonjë shfaqje në rrugë. Trupin drejt, po asnjë zë nuk u dëgjoje. Rrinin si të ngrira, duarlidhur përpara dhe vetëm shikonin si herë pas here tundin kokën dhe kthenin sytë në bisht, për të parë shoqen në krah.

Rruga para është gati bosh dhe askush nuk e prish llafosjen e tyre. Të qanin hallet!? Shikonin se sa përposhtë ka marrë muzeu, që e ruajnë me thonj apo dhe ato xhelozonin, ashtu tinëz – për Gjirokastrën e vjetër, muze tani. Por nuk e jepnin veten, ishin të ftohta, kështu dukeshin të paktën.

Ashtu si ka ikur fama e shtëpive të mëdha dhe njerëzve të pasur, bashkë me to dhe anetë nuk janë më, s’kanë nuse të drejtojnë! Për to thuhet: Na ishin njëherë anetë! Ciceronia e muzeut etnografik flet me nostalgji për to, se kur jetonin bashkë familjet e mëdha, fuqia e grave ishte e madhe, ndaj morën nam anetë gjirokastrite, se zotëronin më shumë familjen. “Anetë ishin të fuqishme dhe ishte normale, sepse vjehrra kishte dy-tri nuse. Ajo kishte fuqi mbi to. Jo se ishin gra të egra, por të zonja që dinin ta kullandrisnin jetën në këto familje kaq të mëdha, dinin të mbanin ekuilibrin”.

Anetë ishin timon i shtëpisë, sepse burrat më tepër merreshin me punët e tyre dhe ato përballeshin me jetën e përditshme. Por, gratë e sotme flasin pa ligësi për to, sikur ruhen në muze se anetë ishin vërtet të zonja e të zgjuara, ndaj duken si gra madhështore, gra me shpirt të brendshëm. Anetë i ruanin nuset nga grindjet, se burrat ishin vëllezër, ndërsa gratë ishin të botës. Një prej këtyre aneve e ndeshëm edhe ditën kur po shkonim në shtëpinë e Enverit dhe e pyetëm se ku binte, na tregoi drejtimin dhe kur mori vesh se ishim gazetarë, tha menjëherë: “Edhe ju gazetare me korba, vështirë e keni me politikën. Shumë fjalë kanë për ju!” Ishte aq e papritur kjo përplasje, sa për pak menduam se anetë kishin vdekur, por jo, ajo na mbiu si hije, ashtu siç e kisha përfytyruar; ditën, me sy bojë qielli, lëkurë të bardhë, e hollë, me kokë mbuluar me shami të zezë, gjithë trupi në të zezë dhe iku menjëherë, si duke folur me vete dhe dorën zhytur në faqe. Ajo doli nga lagjja e famshme e Palertosë, m’u te lapidari i dëshmorëve, mbi të cilin ishte pikturuar një yll i kuq, ngjitur shkruar Enver dhe PKSH.

Kur ikim nga kjo lagje, shohim mbi portat e vjetra, të rrethuar hark datimin, por kishin të gdhendur në krye një kallëz gruri dhe një zog – papritur na shkrep një mendim ndryshe, nga të gjitha përfytyrimet që i janë vënë qytetit muze. Përballë tij gjithë pamja e shtëpive ngjan me këtë kallëz gruri, një mbi një, stivuar, të mbyllura, të ngjeshura, si kokrrat e grurit, ashtu si shtëpitë në një gjatësi deri në majë kodrës. Askush nuk e dinte kuptimin e tyre në të vërtetë. Kur pyetëm ciceronen e muzeut etnografik, na pa e habitur dhe nuk na dha përgjigje të saktë.

Nga të vjetrit ajo kishte dëgjuar se pikturat që pamë në shumë fasada, tregonin se çdo banesë kishte simbolin e vet. Të gjitha shtëpitë e muzeut sikur kanë konkurruar me njëra-tjetrën, kush ta ndërtojë më mirë, si sot cilës shtëpie t’i jepet nami më i madh, të tërheqë më shumë turistë. Ciceronia e muzeut thotë se nuk është vetëm arsyeja e familjeve të mëdha, por këto ndërtesa janë bërë nga familje të mesme dhe të pasura të qytetit dhe si fillesa janë kështjellat, dhe më pas janë hapur.

Eh, është një histori e tërë arkitektura e banesave të vjetra dhe flet Emin Riza për to! E njohin të gjithë në Gjirokastër specialistin e monumenteve, Emin Rizën, e dinë që ka studiuar shtëpitë e tyre dhe ka përgatitur dosjen që u pranua qyteti muze në UNESCO. Ajo që duket: dominon guri, druri i pishës, ka shumë dritare, shumë dyer në pjesën e poshtme dhe çardak të hapur. Ndalim – shumë dritare, për të pasur dritë, por për të pasur edhe nën kontroll gjithë hapësirën. Pronari i shtëpisë para se të zgjidhte vendin, zgjidhte punëtorët, mblidhte materialet që të bënte një gjë më të bukur se të tjerët. Por e para ishte vendi, që të mos kishte të tjerë përpara shtëpisë tij. Ciceronia e muzeut etnografik flet sikur këto të kenë mbaruar dhe qyteti tani është vetëm për t’u treguar dhe vazhdon: Dhomat e dimrit ishin në qendër, të vogla, të ulëta, të ngrohta, kamaret në mur shërbenin për sheqer e kafe! Kati përdhe është kat që përdoret për zahiretë e dimrit, dominon guri, dhe kati i parë i ulët, me dritare të ulëta, është traditë për të gjitha shtëpitë. Kati i dytë është i lartë, me punime druri ku ndodhet dhe dhoma e miqve, është shumë e bukur. Kati i tretë është dhomë e vetme, më e bukura që quhet kamerie. Një vend shumë i lartë, ku gratë qëndronin zakonisht për të bërë sehir. Aty në dhomën e ndenjes ishin varur në mur vegla të pakta, dhe çfarë prezanton ciceronia lidhet me traditën e tjerrjes së leshit, si merret, si bëhet fije, dhe furka që tjerr leshin. Të gjitha objektet janë të vjetra po nuk kanë datim. Më pas vjen ngjyrosja e leshit, procesi se si bëhet kjo punishte.

Nga ajo kohë kur tirrnin lesh, dhe bënin qëndisma artizanati, ciceronia na tregon se vetëm tani është hapur një punishte, për këto punëdore të grave. Një fondacion i huaj e ka hapur, ku punojnë disa gra për të bërë tregti, se tani këto nuk kanë më përdorimin praktik.

Është i vështirë Muzeu i Gjirokastrës, i ftohtë, nuk mbaron gjithçka vetëm me takimin e parë. Sidomos tani që gurët rrihen më shumë nga makinat dhe plot turistë të huaj ndalin në krye të Qafës së Pazarit me aparat në dorë, sikur nuk mbahet mend çfarë ke përjetuar. Siç të përpin edhe të lëshon. Kur je brenda dhe ecën rrugicave, hap veshët, do vetëm të dëgjosh, t’i kuptosh gjitha ngjarjet, pse njerëzit aty trillojnë aq shumë, dhe historitë e tyre i bëjnë aq të çuditshme. Kur i kthen kurrizin nuk e ndjen më qytetin, as njerëzit. Tamam si në një muze.

Për të na mbyllur gojën, se si duket Gjirokastra aty nga maja fare, nga kulla e Zekatajve, për të mos e bezidisur më, Ruzhdiu thotë: Ja të jap dylbitë të shikosh shtëpinë e Kadaresë!

Qershor 2010

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>